Media dhe feudali

Media dhe feudali

Gëzim MEKULI

Por, çfarë është pavarësia e opinionit publik sot? Cilët janë ata persona dhe organizma që po e kontrollojnë mendimin, qëndrimin dhe fjalën e lirë? Kush është ai që ka fuqinë rreth medieve? Mediet janë të rrethuara nga shumë organizata institucionale: partiake, private dhe shtetërore, të cilat duan t’i disiplinojnë. Shumica e medieve janë “robër” të burimeve të informacionit që vijnë nga EULEX-i, qeveria dhe nga partitë politike. Bota dhe problemet e pazgjidhura sociale-ekonomike dhe politike të Kosovës, nuk janë paraqitje e realitetit që bëjnë këto media. Ato nuk janë reflektuese besnike të botës dhe të realitetit të shqiptarëve të Kosovës, por më shumë janë duke e paraqitur "realitetin" ideologjik të parë me ”syzet dhe me thjerrëzat” e EULEX-it, e ky është "realiteti" i partiakëve dhe i klaneve të qeverisë së Kosovës.

Këta pra, janë regjisorët e “debatit” dhe të “polemikave” në opinion. Filozofi dhe sociologu i madh i këtij shekulli, Habermas, thotë se opinioni publik në kohën e feudalizmit ishte i përfaqësuar. Pra, opinioni publik në këtë periudhë përfaqësohej dhe paraqitej nëpërmjet mbretërve dhe princave të oborrit mbretëror. Ky lloj opinioni publik, kokë e këmbë, ka qenë i lidhur me oborrin mbretëror dhe ishte produkt i vetë mbretit. Ishte mbreti ai që përfaqësonte dhe paraqiste popullin në opinionin publik. Ishte mbreti ai që i tregonte popullit se si duhet të jetonte dhe të mendonte. Populli nuk kishte asnjë rol në vendimmarrjet dhe në përpunimin e opinionit publik. Populli ishte vështrues pasiv i ngjarjeve politike dhe ekonomike. Feudalizmi paraqiste dhe ushtronte pushtetin e vet te populli dhe jo para popullit.

Dobësimi i opinionit publik po vjen sepse kultura masive konsumuese ka bërë që ne të shndërrohemi nga një publik rezonues/mendues kulturor në atë konsumues primitiv të kulturës. Inteligjencia e shoqërisë që kemi sot, është tërhequr prapa. Kjo inteligjencë, fillimisht duke qenë aktive dhe udhëheqëse në debate dhe në kritika publike, që në kohët më të vështira dhe më të zeza të sundimit rankoviçian, titisit dhe milosheviçian, është censuruar dhe është detyruar të qëndrojë në pozitën pasive të vështruesit të ngjarjeve në opinionin publik.

Pothuaj, çdo gjë që është duke u prodhuar nga shkencëtarët, letrarët, profesorët universitarët dhe doktorët e mirëfilltë të shkencave, mbetet në "dhoma të mbyllura" dhe pak e rrallëherë fiton publicitetin e duhur medietik në opinion. E kjo, sipas filozofit Habermas, është një ndër arsyet që opinioni publik ka humbur funksionin e tij kritik. Politikanët dhe EULEX-i janë duke e ushqyer dhe duke e zbatuar këtë opinion feudalo-imponues dhe përfaqësues, sepse politikat medietike feudale e kanë shndërruar sistemin politik të Kosovës në një shfaqje medietike. Opinioni shqiptar i Kosovës, për shkak të këtyre ndryshimeve, është shndërruar në objekt tallës dhe vend për tregti. Ky opinion nuk është më forum për një debat racional/logjik dhe kritik. Interesa të ndryshme grupore, të prirura nga lakmia dhe kamja, po e shfrytëzojnë opinionin publik dhe injorant si një arenë për të ekspozuar dhe për të reklamuar pozitat dhe prestigjin e tyre, duke mos i pasur në konsideratë interesat e përgjithshme.

Të gjithë këta faktorë kanë si pasojë që opinioni ynë publik ka rrëshqitur në drejtim të opinionit publik feudal e reprezentues. Por, intelektualët duhet të gjejnë një formë për të depërtuar në opinionin publik; opinion që do të ishte edhe demokratik dhe që do të përmbante elemente të një diskursi kritik. Zgjidhja për këtë do të ishte që bartësi i sistemit feudal të mos përdorë propagandën dhe mjeshtërinë e retorikës si instrument për dezinformim dhe mashtrim të opinionit publik. Partitë politike, organizatat joqeveritare dhe gjysmëqeveritare dhe burokracia të lejojnë informacionin e lirë dhe të pakontrolluar. Mediat, veçanërisht ato publike, të jenë të kapshme dhe në dispozicion për qytetarin/popullin dhe jo vetëm për "elitën" dhe përfaqësuesit e EULEX-it.

Opinioni i ri shqiptar duhet të bazohet në një fondament logjik dhe kritik, pra, me fjalë të tjera, në një integrim social që është i bazuar në komunikim, para fuqisë dhe dominancës së grupeve dhe partive të caktuara, një formë komunikimi që nuk përmban vetëm këmbime idesh, por që përmban një potencial për ndryshime në shoqëri e në komb.

Pa dyshim, ai opinion publik paramodern, jo demokratik dhe diktatorial, është rikthyer përsëri në Kosovë, por tashti me "rroba të reja" dhe me maskë të re. Më të privilegjuarit e kësaj maske, si dhe personat e pasur privatë dhe partiakucët, kanë kurdoherë mundësi të shfaqin interesat e tyre në opinion.

Në vend se mediat të jenë "dyer të hapura" për të gjithë, ku secili do të mund të diskutonte lirë dhe pa frikë për komb e për politikë, këto janë duke (de)formuar dhe ndikuar në qëndrimet dhe mendimet e popullit. Vetëm ata që kanë resurse të mëdha, kanë mundësi të artikulojnë qëndrimet e tyre në opinionin tonë publik dhe në këtë mënyrë të drejtojnë dhe të dirigjojnë me sjelljet e popullit aty ku këta e dëshirojnë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama