Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sheshi dhe demokracia direkte

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 15 vite më parë

Rexhep Meidani
Sheshi dhe demokracia direkte

Një energji negative, me përplasje të dyanshme, ka filluar të zhvillohet për sheshin qendror të Tiranës, që për hir të vërtetës është një turp për qytetin, një bezdi gati 10-vjeçare për qytetarin e saj dhe aspak shesh “mikpritës” për vizitorin e huaj Por, jo vetëm kaq. Ky shesh dhe dy bulevardet bashkuese të tij (“Dëshmorët e Kombit” e “Zogu I”) përbëjnë arterien qendrore të qarkullimit të lëvizjes së automjeteve në qytet. Siç është konstatuar në të gjitha rastet, perturbimi i kësaj arterie i sjell këtij qarkullimi, pra dhe vetë qytetarëve të Tiranës, një shqetësim të jashtëzakonshëm. Kurse prej kohësh është folur për një projekt të bashkisë, me “adzhektiv” të huaj, që e shndërron këtë shesh në një zonë pedonale...

Kuptohet se po bëhet fjalë për një ndryshim parimor të qendrës së qytetit, qoftë në rrafshin urbanistik, qoftë atë funksional. Madje, epërsia e njërit aspekt nuk mund të zbehë apo të hedhë poshtë me një të rënë lapsi aspektin tjetër, qoftë ai “laps arkitekturor” i ndonjë studio të specializuar (të brendshme apo të jashtme), një interes politik-ekonomik konkret, një vendimmarrje e një strukture vendore apo një reagim qendror. Pavarësisht variantit, e gjitha kjo mishëron në thelb konceptin autokratik e antidemokratik, vendor apo qendror, se ai që ka “karrigen e pushtetit” ka dhe “biznesin” konkret, fatin e qytetit, të sotmen dhe të ardhmen e tij, për të mirë ose për të keq të vetë qytetarit!

Ndërkohë, që në një sistem demokratik, në një vendimmarrje përfshirëse, sovrani real i saj, por dhe i vetë ndryshimit, është pikërisht ky i fundit. Prandaj dhe në raste të ngjashme aplikohet dhe demokracia e drejtpërdrejtë e qytetarëve, që në situatën konkrete do ta bënte të pakuptimtë sherrin e fundit, sapo të nisur. Dhe, mbi të gjitha, për të shmangur çlirime të reja energjish negative, si ai i rastit të mbikalimit te Zogu i Zi, për të cilin edhe pse u fitua beteja ligjore ndaj policisë ndërtimore (qeverisë qendrore të kohës), ai që humbi ishte qytetari dhe paratë e tij si taksapagues...   

Pra, do të ishte fare normale që për çështje të tilla, që lidhen ngushtësisht me interesin e qytetarëve, të aplikohet “teknologjia” e referendumit! Madje, kemi nevojë të mësohemi me të. Dhe jo vetëm kaq, teknologjia e referendumit e rrit përgjegjësinë e gjykimit dhe të sjelljes qytetare, por ajo e “frustron” dhe politikën megallomane e mbartësit e saj në arbitraritetin (pse jo dhe mediokritetin) e tyre. Një kampione e vërtetë në lidhje me referendumet është Zvicra, e cila që nga Kushtetuta e vitit 1848 e deri më sot ka organizuar afro 550 referendume federale (pra, në mesatare, 3-4 referendume në vit).

Kurse, në nivel kantonal e lokal arrihet në një shifër mesatare të 10 referendumeve në vit. Edhe shumë vende demokratike si Franca, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Gjermania, Australia, etj., sipas problematikës, e shfrytëzojnë me sukses referendumin në nivel kombëtar apo vendor. Këtë shembull e kanë ndjekur vitet e fundit dhe shumë demokraci të reja të Evropës Lindore apo Vendet Baltike. Kurse, Shqipëria e ka shfrytëzuar referendumin vetëm në dy raste: në atë të projekt-kushtetutës së 1994-ës dhe më tej, në atë të miratimit të Kushtetutës së 1998-ës.

 Po qëndrojmë në rastin e Zvicrës, ku sistemi politik është tejet më përfshirës në krahasim me rastin shqiptar. Pa dyshim, parimi i pjesëmarrjes civile universale dhe demokracia (gjysmë) e drejtpërdrejtë e kanë bërë Zvicrën një model qëndrueshmërie e suksesi, një shtet federal me kapacitete të qarta demokratike të drejtpërdrejta në çdo nivel qeverisjeje; por dhe emancipuese për vetë politikën. Në një kuptim të gjerë, në Zvicër, është populli që e ka fjalën e fundit për çështje politike fondamentale. Ky element parësor i sistemit politik, për zviceranin, quhet “demokraci direkte”, të realizuar nëpërmjet iniciativës dhe referendumit.

Në fakt, ndryshe nga demokracia përfaqësuese, ku populli ia delegon fuqinë përfaqësuesve të tij, në rastin zviceran, në sajë të shfrytëzimit të njëkohshëm, si të demokracisë direkte, ashtu dhe asaj parlamentare, sistemi politik mund të konsiderohet si një demokraci gjysmë-e drejtpërdrejtë, ku qytetari zviceran voton disa herë në vit për çështje të politikës e politikë-bërjes në nivel federal, kantonal e komunal. Kështu, në Zvicër, qytetarët mund të kërkojnë një votim popullor për të amenduar Kushtetutën, për të miratuar apo hedhur poshtë një ligj, për të vendosur veton ndaj një vendimmarrje të caktuar apo faturave të shpenzimeve të miratuara në Parlament apo këshilla.

 Pa lënë mënjanë dhe shembujt autentikë të demokracisë së vërtetë të drejtpërdrejtë: kështu, në 84% të komunave, qytetarët mblidhen njëherë në vit në një mbledhje të përgjithshme, që shërben si një fuqi legjislative lokale, gjatë së cilës merren disa vendime legale ekzekutive (detyruese) mbi financat, taksat dhe ligje të tjera. Në dy kantone Appenzell Inner Rhodes (10,500 votues) dhe Glarus (25,000 votues), qytetarët mblidhen njëherë në vit në një “Landsgemeinde”, një Asamble Popullore të Përgjithshme në mjedis të hapur, ku afirmohen e shprehen të drejtat e popullsisë në nivel kantonal. Kjo asamble është autoriteti më i lartë politik në këto dy kantone. Pra, në përgjithësi, në sistemin zviceran alternohet shumë më mirë se në vende të tjera, demokracia përfaqësuese me atë të drejtpërdrejtë.

Si shprehje e demokracisë së drejtpërdrejtë është iniciativa popullore (e futur për herë të parë në vitin 1891), që u jep qytetarëve të drejtën për të propozuar një amendament kushtetues apo ligj konkret (kërkohen 100,000 firma qytetarësh me të drejtë vote); referendumi opsional (i futur më 1874), që u jep qytetarëve të drejtën të kërkojnë që çdo ligj i miratuar nga Parlamenti t’i nënshtrohet votës kombëtare (në këtë rast kërkohen 50,000 firma të mbledhura); referendumi mandator apo i detyrueshëm (të gjitha amendamentet kushtetuese të miratuara në Parlament duhet t’i nënshtrohet votimit kombëtar). Janë po ashtu votuesit që duhet të miratojnë anëtarësinë e Zvicrës në organizata ndërkombëtare, të tilla si OKB-ja apo BE-ja.

Vlen të theksohet se referendumi opsional ka ndikim të konsiderueshëm në sistemin politik zviceran. Konkretisht, Parlamenti, duke qenë i ndërgjegjshëm se vendimi i tij mund të testohet në një votim popullor (me nxitjen e një grupi interesi të aftë që ta mbështesë e zhvillojë idenë e referendumit), bën çmos që të tërheqë të gjitha mendimet e opsionet gjatë procesit legjislativ. Prandaj, kur Qeveria është duke përgatitur një ligj të ri, ajo hap një procedurë konsultative, për të kuptuar atë që mendojnë kantonet, partitë politike dhe grupet e interesit mbi këtë propozim të ri.

Referendumi (plebishiti) apo iniciativa janë forma të ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë kudo në botën demokratike (Në SHBA përdoret, më shpesh, termi referendum, kur burim i tij është legjislativi dhe fjala iniciativë, kur pikënisja është një peticion i një numri të dhënë qytetarësh). Në Kushtetutën tonë, referendumi nënkupton të dy rastet. Në përgjithësi, shihet se sa më përfaqësuese, më e suksesshme të jetë një qeverisje, aq më i lehtë është dhe kombinimi i saj me demokracinë e drejtpërdrejtë. Dhe anasjelltas, sa më pak përfaqësuese është një qeverisje, aq më populiste janë efektet e prodhuara nga procedurat e drejtpërdrejta. Dhe faktet për këtë nuk mungojnë. Në këtë kuptim, një qeverisje përfaqësuese dhe procedurat e demokracisë së drejtpërdrejtë plotësojnë njëra-tjetra, duke përfshirë mjaft probleme konkrete në agjendën politike.

Dhe po ashtu, demokracia e drejtpërdrejtë e rrit angazhimin e qytetarëve për çështje legjislacioni, të politikës, ekonomisë, mjedisit, etj., duke shkundur apatinë e tyre. Por jo të teprohet me referendumin si një institucion mbizotërues i qeverisjes. Sepse, në praktikë, por dhe në parim, ai mbetet vetëm një variant plotësues, jo permanent, në sistemin politik të demokracisë përfaqësuese, ku shumica e vendimeve merren nga legjislativi.

Kjo edhe për arsye teknike apo kohore. Por, ama, brenda mundësive, dërgimi në popull i disa vendimmarrjeve e ligjeve apo nxitja e iniciativave popullore u jep mundësi politikanëve realisht demokratë, që të shmangin vështirësitë e natyrave të ndryshme, konfliktet e panevojshme apo dhe vendime “kontraversale”. Ndryshe nga avokatët e referendumit, kritikët e demokracisë së drejtpërdrejtë si argument kundërshtues nxjerrin, në radhë të parë, aspektin “populist” të këtyre rrugëve. Sipas tyre, votuesit në referendum nuk janë aq të informuar për të marrë vendimin e duhur në çështje të ndërlikuara apo shumë teknike, prandaj dhe mund të manipulohen lehtë nga individë me personalitet të fortë, të ndikohen fuqishëm nga ana propagandistike e mediatike, etj. Bile, shpesh citohet dhe ish-presidenti amerikan Medison (James Madison), sipas të cilit demokracia e drejtpërdrejtë mund të shfaqet dhe si “tirani e shumicës”... 

Le të kthehemi te sheshi ynë i “betejës”. A do të vazhdojnë  “cic-micet” politike, si te “Zogu i Zi”, deri në “fitoren” e njërës palë dhe “humbjen” e palës tjetër. Le të shohim. Por, ama, rruga e duhur duhet të ishte vota referendare e qytetarit të Tiranës për të ardhmen e këtij sheshi. Vetëm ai ka të drejtën demokratike ta ndryshojë funksionin e qëllimin e tij, në shërbim të utilitaritetit dhe estetizmit...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama