Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

ECB dhe BE nuk lejojnë më ngazëllime të tilla!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 15 vite më parë

Rexhep Meidani
ECB dhe BE nuk lejojnë më ngazëllime të tilla!

Eurozona apo hapësira euro është një bashkim ekonomik dhe monetar i 16 vendeve anëtare të BE-së (Austria, Belgjika, Qipro, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Malta, Hola-nda, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Spanja), që kanë adoptuar si monedhë të tyre të përbashkët euron. Tetë vende të tjera janë detyruar të bashkohen me eurozonën sapo të plotësojnë kriteret e duhura. Po ashtu, dihet sot se për politikën monetare të eurozonës është përgjegjëse Banka Qendrore Evropiane (ECB), edhe pse nuk ka një përfaqësim apo qeverisje të përbashkët apo politikë fiskale për vetë Bashkimin Monetar.
Eurozona përfshin dhe vende të tjera që kanë adoptuar euron, p.sh. Mali i Zi, Kosova, Andorra.

 Disa shtete si: Monako, San Marino dhe shteti i Vatikanit kanë marrëveshje konkrete me BE-në, që u lejon atyre të shfrytëzojnë si monedhë zyrtare- euron. Por, këto vende as nuk janë pjesë formale të eurozonës, as nuk janë të përfaqësuar në bordin e ECB-së. Po ashtu, brenda BE-së, disa monedha të vendeve anëtare janë të “mbërthyera” (“peg”) me euron, pra ato kanë raporte fikse këmbimi me të. Bile, në mjaft raste ky raport konsiderohet si parakusht për t’u pranuar në eurozonë. P.sh., leva bullgare (e ka raportin e fiksuar të këmbimit me euron: 1 euro=1.95583 leva, pas lidhjes së mëparshme me markën gjermane-DM), po ashtu dhe kruna estoneze që fillimisht ka qenë e “mbërthyer” tek marka gjermane dhe më tej tek euroja; kurse vende të tjera të BE-së e realizojnë këtë “mbërthim” me anë të mekanizmit ERM II (European Exchange Rate Mechanism).

Në vitin 1998, 11 vende anëtare plotësuan kriteret e konvergjencës dhe u krijua kështu eurozona, me emetimin zyrtar të euros në 1 janar 1999. Greqia u kualifikua më 2000 dhe u pranua në këtë bashkësi (eurozonë) në 1 janar 2001. Monedhat metalike dhe kartëmonedhat filluan të përdoren më 1 janar 2002. Sllovenia u kualifikua në vitin 2006 dhe u pranua në 1 janar 2007. Qipro dhe Malta u kualifikuan në vitin 2007 dhe u pranuan në eurozonë në 1 janar 2008. Sllovakia u kualifikua më 2008 dhe iu bashkua eurozonës në 1 janar 2009. Pra, sot, eurozona është e përbërë nga 16 vende anëtare të BE-së me një popullsi prej afro 325 milionë banorësh. Kurse 11 vende të tjera anëtare të BE-së (Danimarka, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia dhe Rumania) kanë ende monedhat e tyre kombëtare. Para hyrjes në eurozonë, shumica e tyre duhet të shpenzojnë disa vjet (të paktën dy vjet) në kuadër të mekanizmit ERM II.

Në 1 janar 2008, pesë Banka Qendrore Kombëtare prej këtyre vendeve janë përfshirë në këtë mekanizëm, kurse monedhat e tjera do t’i nënshtrohen pak më vonë kësaj skeme me plotësimin e kritereve përkatëse. Konkretisht: Rumania parashikon një adoptim të euros në vitin 2014, kurse kur Hungaria adoptoi një program të konvergjencës fiskale ajo pati probleme serioze në aplikimin e euros; Estonia, po ashtu, pati probleme me inflacionin, që e penguan atë për adoptimin e euros më 2007, ndërkohë që data e rivlerësuar është viti 2011. Sipas të dhënave aktuale, Bullgaria nuk do të mund të arrijë t’i bashkohet eurozonës para vitit 2015, në sajë të inflacionit dhe ndikimit të krizës financiare globale.

Polonia, në shtator 2008, ka deklaruar objektivin e futjes në eurozonë në vitin 2012, nëpërmjet mbajtjes së një referendumi në vitin 2010 dhe aprovimit të këtij objektivi nga ECB-ja më 2011. Megjithatë, dhe aty, kërkohet një amendament kushtetues dhe pastaj ky vend mund t’i nënshtrohen ERM II-së brenda 2009. Sipas qeverisë çeke, më 1 nëntor 2009 do të deklarohet data për adoptimin e euros, përderisa Çekia i plotëson kushtet dhe kriteret për adoptimin e euros.

Vetë kriza globale e rriti interesin e Polonisë dhe Danimarkës për t’u bashkuar me eurozonën, apo të Islandës për integrimin në BE (si parakusht për adoptimin e euros). Nga ana tjetër, përderisa Letonia po i kërkon ndihmë FMN-së, ka shumë mundësi që FMN-ja të kërkojë heqjen dorë nga parakushti i “mbërthimit” apo nga kursi fiks i këmbimit të monedhës letoneze me euron (gjë që zyrtarisht e nxjerr Letoninë jashtë skemës ERM I, duke e zhvendosur adoptimin e euros përtej vitit 2013, të planifikuar aktualisht). Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar, sipas Traktatit të Mastrihtit, kanë përzgjedhjen e vet në lidhje me këtë çështje (legalisht këto dy vende nuk kanë detyrim përfshirjeje, me përjashtim të rastit kur qeveritë e tyre vendosin ndryshe: me votë parlamentare ose me referendum popullor). Qeveria daneze ka deklaruar objektivin e saj për mbajtjen e një referendumi për çështje të lidhura me adoptimin e Traktatit të Lisbonës.

 Suedia e ka fituar de facto një opsion të ngjashëm (duke shfrytëzuar një “birë legale”) për të qëndruar jashtë eurozonës. Pra, Suedia nuk po punon për të realizuar kriteret e eurozonës, bile duke ndenjur jashtë ERM II, ajo nuk mund të adoptojë euron siç kërkohej. (Kjo dhe për arsyen e thjeshtë që publiku suedez e hodhi poshtë adoptimin e euros në një referendum popullor). Megjithatë, Komisioni Evropian e toleroi këtë “marifet suedez”, duke deklaruar se nuk do të pranohej më një “lojë” e tillë nga ndonjë anëtar tjetër i BE-së...

Procesi i euro-zgjerimit po vazhdon rrugën e tij brenda BE-së. Siç u tha më sipër, të gjithë vendet e BE-së, me përjashtim të Danimarkës dhe Mbretërisë së Bashkuar (dhe de facto Suedisë) janë të detyruar të adoptojnë euron si monedhën e tyre të vetme, pas plotësimit të kritereve të domosdoshme. Kjo kërkon normalisht dy vjet ERM II dhe një mbajtje të inflacionit brenda mesatares së BE-së. Sidoqoftë, nga vendet e mësipërme integrimi më i shpejtë në eurozonë pritet të ndodhë në vitin 2011, ndërsa shumica e shteteve të tjera mund të arrijnë të plotësojnë kriteret aty nga viti 2013 e më vonë. Vetë Danimarka me gjithë opsionin e saj të dikurshëm për të qëndruar jashtë kësaj eurozone po rimerr në shqyrtim mbajtjen e një referendumi për futjen në eurozonë. Mbretëria e Bashkuar dhe Suedia vazhdojnë të rezistojnë në mënyrë “patriotike”. Kurse, Islanda, pas kolapsit bankar të saj, do të duhet të futet sa më shpejt në BE, për të adoptuar më tej euron, megjithatë në çdo rast jo para vitit 2011…

Euroja përdoret dhe jashtë vendeve të BE-së. Siç e përmendëm më sipër, të tillë janë: Monako, San Marino dhe Vatikani, që kanë firmosur marrëveshje me BE-në për të shfrytëzuar euron, por ata nuk konsiderohen si pjesë e eurozonës sipas ECB-ja, dhe as nuk kanë ndonjë vend konkret në këtë bankë (në Grupin Euro). Disa vende të tjera kanë adoptuar në mënyrë të njëanshme (unilaterale) euron si monedhë të vetën (të vetme). Të tilla janë Andorra, Kosova dhe Mali i Zi, bile pa ndonjë marrëveshje konkrete. Këto shtete nuk janë konsideruar si pjesë zyrtare të eurozonës nga ECB-ja, megjithatë në mjaft raste termi eurozonë është aplikuar dhe për këto territore, edhe për arsyen që ata kanë si monedhë të vetme euron (pra, që nuk kanë as politikë të tyre monetare!). Adoptimit të mëtejshëm unilateral të euros (apo të ashtuquajturit ”euroizim të plotë”) nga shtete anëtare të BE-së jashtë eurozonës apo nga vende evropiane jo anëtare të BE-së, aktualisht i kundërvihen me forcë si ECB-ja ashtu dhe vetë BE-ja, strukturat e saj.

Politika monetare e të gjithë vendeve në eurozonë administrohet nga ECB-ja dhe Sistemi Evropian i Bankave Qendrore (ESCB) për vendet anëtare të eurozonës. Vendet jashtë BE-së, apo që kanë marrëveshje monetare nuk përfaqësohen në këto institucione. Po ashtu, ECB-ja autorizon “dizenjon” dhe shtypjen e kartëmonedhave euro apo derdhjen e monedhave metalike. Edhe normat e interesit për eurozonën janë përcaktuar nga ECB-ja që prej vitit 1999. Para qershorit 2000, operacionet kryesore të financimit mbështeteshin në tenderime me raporte fikse, kurse më tej u shfrytëzuan raporte variabël.

Për një garanci të ndërsjellë dhe stabilitet të monedhës, anëtarët e eurozonës duhet të respektojnë Paktin e Stabilitetit dhe të Rritjes, që vendos kufij apo kufizime mbi deficitin dhe borxhin kombëtar, me sanksione shoqëruese për shmangiet e konstatuara. Pakti ka përcaktuar një kufi prej 3% të GDP-së për deficitin vjetor për të gjithë vendet anëtare të eurozonës; me penalitete përkatëse për çdo vend që e kalon këtë përqindje. Megjithatë, në vitin 2005, Portugalia, Gjermania dhe Franca e kaluan këtë kufi, por Këshilli i Ministrave nuk votuan pro zbatimit të penaliteteve ndaj këtyre 3 vendeve. Si rrjedhojë, u adoptuan disa rregullime reformuese për të pasur më tepër fleksibilitet dhe për të garantuar që kriteri i deficitit të merrte në konsideratë dhe kushtet ekonomike të vendeve anëtare apo faktorë të tjerë suplementarë. Veçanërisht, me thellimin e krizës globale, nuk mund të bëhej më fjalë për një aplikim të rreptë të masave fiskale e monetare.

 Aq më tepër, që si rezultat i krizës financiare globale që nisi në 2007-2008, eurozona u fut në recensionin e parë zyrtar të saj në tremestrin e tretë të vitit 2008, kurse shifrat zyrtare u konfirmuan në janar 2009. Në 11 tetor 2008, Grupi Euro tashmë i përfaqësuar nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive u mblodh në Paris për të përcaktuar një plan të përbashkët veprimi për eurozonën dhe ECB-në, me objektiv themelor stabilizimin e ekonomisë evropiane. Po ashtu, u mor vendim për një plan me disa qindra miliardë euro për të mos lejuar “shkrirjen” e ekonomisë evropiane. Dhe, po ashtu, u ra dakord për një plan shmangie rreziku për bankat (qeveritë evropiane morën masa konkrete duke ndërhyrë dhe blerë që bankat të rregullonin financat e tyre dhe të garantonin kreditimin midis tyre). Koordinimi kundër krizës u konsiderua vital për të parandaluar çdo situatë të rrezikshme brenda çdo shteti që eventualisht do të dëmtonte apo do të pasqyrohej tek të tjerët. Një shembull që ndihmoi ishte vetë përvoja negative e Depresionit të Madh. Sidoqoftë, me gjithë frikën fillestare për një “thyerje” të fortë të eurozonës, situata e 2009-ës po tregon të kundërtën, madje pozicioni i euros duket më i fortë se më parë. Kurse vetë ECB-ja, në qershor 2009, injektoi afro 500 miliardë euro në mirëfunksionimin e bankave...

Por, çfarë lexohet, po ashtu, nga këto rreshta? Diçka e thjeshtë, shumë e thjeshtë: Banka Qendrore Evropiane (ECB-ja) dhe vetë BE-ja nuk lejojnë më në asnjë mënyrë që vende evropiane jashtë BE-së (apo dhe vendet anëtare të BE-së, që nuk janë ende në eurozonë), të jenë “euroiste” (pra të kenë si monedhë kombëtare euron), pa plotësuar fillimisht kërkesat e anëtarësimit në BE e më tej edhe kriteret e rrepta të eurozonës! Bile, këtë të vërtetë sa të thjeshtë, po aq dhe të prerë vlen ta propagandojë edhe Klani!...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama