Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përgjegjësia qeverisëse në ndarjen e fuqisë

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 15 vite më parë

Rexhep Meidani
Përgjegjësia qeverisëse në ndarjen e fuqisë

Në shtetin demokratik  përgjegjësia e qeverisjes garantohet si nga ndërveprimi i ndërsjellë, i hapur, transparent dhe i sinqertë midis pozitës dhe opozitës, ashtu dhe nga vetë tranzitimi i ndershëm i pushtetit prej njërit krah në tjetrin, në pasqyrim të vullnetit të qytetarit, votës së tij. 

Parë me këtë sy, gjatë kësaj qeverisje 4-vjeçare nuk kanë munguar mjaft dukuri tipike me përmbajtje aspak demo-kratike, që në një mënyrë apo tjetrën ose kanë lënë tërësisht mënjanë opozitën, ose kanë synuar pengesa të ndryshme, sidomos të aspektit politik, për të vështirësuar vetë tranzitimin demokratik të pushtetit. Në këtë kuadër, mund të flitet dhe për procesin e “monopolizimit” të shtetit nëpërmjet barazimit të tij me pushtetin politik, sidomos me atë ekzekutiv. Pa lënë mënjanë dhe ndërhyrjet apo “pushtimet” e njëpasnjëshme të strukturave neutrale, qofshin ato në piramidën e shtetit apo të shoqërisë.

 Kjo dukuri është shfaqur pothuajse plotësisht në procesin legjislativ, ndërkohë që ka rezistuar pjesërisht dega juridike. Në thelb, është prekur në mjaft raste përmbajtja kushtetuese e parimit të ndarjes së fuqisë. Kjo, edhe pse njihet që në kohën e Monteskies se pa realizuar ndarjen dhe balancimin e tre pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe juridik nuk mund të ketë liri dhe mbrojtje ndaj abuzimit të fuqisë, veprimit arbitrar të saj. Në këtë kuptim, edhe liri e mbrojtje të grupeve të veçanta apo të vetë individëve qytetarë! Ndërkohë, që sipas Kushtetutës, kjo ndarje e fuqisë duhet të mbetet e tillë, që secila nga degët e pushtetit të mund të vazhdojë të operojë pa teprime përkundrejt të dy të tjerave. Madje, në mënyrë të tillë që ndërvarësia midis tyre të mund të arrijë deri në atë shkallë që asnjë nga degët e veçanta të mos pretendojë apo të tentojë që të “nxjerrë jashtë përdorimit” vendimet e dy degëve të tjera.

Në fund të fundit, edhe tek ky duhet të ishte dhe thelbi i parimit të ndarjes së fuqisë. Natyrisht, që ai ndryshon disi (jo thjesht në terminologji, por dhe në përmbajtje) prej parimit të copëtimit të fuqisë. Ky i fundit është një variant tjetër i kësaj ideje që konsiston në diferencimin e tre pushteteve: atij legjislativ, ekzekutiv e juridik. Megjithatë, ndryshe nga ndarja e fuqisë që e “ndalon” interferencën e njërës degë tek tjetra, copëtimi i fuqisë e lejon brenda një kuadri ligjor (kushtetuese) këtë interferencë. Por, edhe duke e presupozuar këtë gjë, rezulton se vitet e fundit në rastin shqiptar është shfaqur qartësisht një ndikim i skajshëm politik, madje dhe një sulm i ashpër publik, i karakterit legjislativ e ekzekutiv, mbi hallka të rëndësishme të sistemit të drejtësisë...

Sidoqoftë, për ta kuptuar këtë ndërhyrje apo deformim të kësaj shumice politike nuk duhet harruar, se krahas termave të mësipërm, një problem tjetër për t’u korrigjuar është ai i projeksionit të fuqisë (kur bëhet fjalë për kapacitetin e shtetit për të aplikuar një politikë të dhënë nëpërmjet përdorimit të forcës, qoftë dhe kërcënimit). Madje, për të hapur sytë, sepse, ndryshe nga projeksionet e fuqisë që lidhen me “hard power”, sot po bëhen shumë më efektive projeksionet e llojit “soft power”. Si ilustrim konkret mund të merret dhe rasti i marrëveshjes së fundit midis qeverisë greke dhe asaj shqiptare. Pa harruar që aty janë cenuar dhe elementë të tjerë të diplomacisë parlamentare, që lidhen me ndërveprimin e detyrueshëm, për raste të tilla, të binomit pozitë-opozitë, me mungesën e transparencës ndaj publikut, me mos zhvillimin e ndonjë debati midis specialistëve të fushës, të sotëm apo të dikurshëm, pse jo dhe të miratimit parlamentar, referendar etj. 

Në diskutimin politik bashkëkohor, me të drejtë fuqia politike lidhet, në radhë të parë, me vendimmarrjen, duke e konsideruar atë si burim dhe tregues kryesor të fuqisë, të pushtetit. Sidoqoftë ky përcaktim, si relativisht i thjeshtëzuar, është shoqëruar edhe me një dimension të ri që lidhet me “elitizmin” apo “teknicitetin” e fuqisë, sidomos të asaj ekzekutive, që funksionon e punon “prapa dyerve”, larg syve të publikut. Ajo, në mjaft raste, është dhe pjesë reale e pushtetit konkret mbi shoqërinë. Por, në Shqipëri, zëri i saj, përkundrejt atij politik, është shpeshherë i papërfillshëm. Po ashtu, vlen të përfshihet dhe një përmasë e tretë, e lidhur me formësimin e preferencave. Një gjë e tillë nënkupton në pikëpamje pozitive pjesën ndikuese, propaganduese dhe orientuese si aspekt i rëndësishëm i fuqisë normative në politikë, ndërsa në pikëpamje negative “euforitë” e preferencat hileqare, shitblerjet politike, manipulimet individuale të karakterit financiar dhe “pay-back”- ët përkatës.

 A janë shfaqur këto aspekte të fuqisë ekzekutive në mjaft veprime e deklarime, angazhime apo firmosje të paqarta të kohëve të fundit. Kjo të shtyn të mendosh se në disa elementë të kësaj shumice në qeverisje është kultivuar apo imponuar pikëpamja radikale, se burimi i fuqisë politike lidhet ngushtë me sloganin: “informim plus autoritet” si një mënyrë ushtrimi fuqie. Bile, në një farë mënyre është synuar që të paralizohet veprimi politik opozitar nëpërmjet mungesës së informimit, pse jo dhe frikësimit mediatik e juridik. Kurse, në disa nga debatet e nisura në kuadër të fushatës elektorale, po shfaqet një prirje arrogante nga drejtues të shumicës aktuale për shfrytëzimin e gjoja informimit edhe si shprehje fuqie politike. Edhe pse, sipas Bejkonit: “Nam et ipsa scientia potentia est”, d.m.th. që vetë njohja është fuqi, në kuptimin e autoritetit që ajo mundëson ose jep. Pra, për fat të keq, edhe në këtë fushatë, ashtu si dhe gjatë një periudhe jo të shkurtër kohe, pritet të shpaloset në mënyrë problematike “arti” i ushtrimit të autoritetit në injorancë. Aq më tepër, që duke synuar mbështetjen në një manipulim politik-financiar, pse jo dhe në injorancë, ka shumë mundësi të humbasë thelbi i vetë pushtetit politik, jo thjesht e vetëm për propagandë euforike e pamundësi mosrealizimi synimesh, por dhe në mungesë të një kontrolli minimal të domosdoshëm për të vëzhguar pasojat apo efektet e drejtimit, qofshin dhe ato nëpërmjet shfrytëzimit të vetë autoritetit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama