Dosjet, të gjithë të pakënaqur nga Topi

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 11 vite më parë

Henri Çili
Dosjet, të gjithë të pakënaqur nga Topi

Në politikë do të bësh zgjedhjen tënde. Sa më lart të jesh, aq më të vështira dhe komplekse bëhen këto zgjedhje. Kështu i ndodhi dhe presidentit Bamir Topi me ligjin e dosjeve. Lidhur me dekretimin e ligjit të dosjeve, Bamir Topi kishte një zgjedhje të vështirë për të bërë në postin e Presidentit të Republikës, kishte një zgjedhje katërfishe. Së pari Bamir Topi President duhet të ishte në koherencë me politikanin Bamir Topi dje, i cili nga pozitat e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka dorëzuar vetë në Parlament disa vite më parë projektligjin për pastërtinë e figurave të zgjedhura dhe të emëruara me një përmbajtje pak a shumë të njëjtë me këtë që ka votuar para pak javësh maxhoranca në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës.

 Një president i bindjeve të veta, i pavarur, i lirë në vendimmarrjen e vet, sovran dhe koherent do të duhej ta kishte dekretuar këtë ligj për shkak të faktit që Bamir Topi ka patur ato pikëpamje, nuk i ka ndryshuar ato dhe nuk ka dalë publikisht të shprehë mendime të tjera rreth nevojës së këtij ligji për shoqërinë shqiptare. Së dyti, Bamir Topi si President i Republikës, në rast se nuk do ta dekretonte ligjin, do të zhgënjente shumë individë apo shtresa shoqërore nga të cilat ai ka origjinën politike dhe familjare, të cilët janë që të gjitha kategori që duan të ndahen me komunizmin dhe trashëgiminë e tij politike, por që sidomos nuk do të donin që e kaluara të na përcaktonte edhe më tej të tashmen dhe të ardhmen. E djathta shqiptare, ish të persekutuarit politikë, presin nga "biri i tyre" të japë kontributin që i takon në veprimtarinë e tij për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, pastrimin e asaj pjese të lartë të shtetit shqiptar, e emëruar apo e zgjedhur, që administron të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Kontributi i ditës ishte pikërisht ky, dekretimi i këtij ligji. Së treti, të gjithë ata pjesëtarë të sistemit të lartë të drejtësisë, kreu i të cilit Presidenti Topi është, do të ndjeheshin shumë të zhgënjyer nëse njeriu që është garanti i lirisë, pavarësisë dhe karrierës të tyre, do të firmoste një ligj të tillë, i cili më e pakta pasojë që ka është ndërprerja e mandatit të tyre aktual. Shumë prej këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve në poste të larta, Presidenti Topi madje i ka propozuar dhe mandatuar në pozicionet e larta në drejtësi ku janë. Së katërti, partnerët ndërkombëtarë dhe veçanërisht amerikanët janë shprehur kundër këtij ligji dhe madje hapur dhe ashpër, si një ligj që cenon sistemin e drejtësisë, si një ligj që cenon liritë dhe të drejtat e njeriut. Presidenti Topi duhet të jetë në radhë të parë njeriu që do të garantojë marrëdhëniet dhe partneritetin me miqtë dhe aleatët perëndimorë me SHBA në krye, kaq bujarë dhe jetikë për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në këtë fillim shekulli.

Firmosja e një ligji të tillë nga Presidenti Topi do të ishte një akt armiqësie ndaj partnerëve ndërkombëtare, ndaj kjo dilemë e katërt dhe fundit ishte edhe më e madhja për të. Presidenti Topi bëri një zgjedhje të pestë: nuk bëri asnjë zgjedhje, duke e lënë afatin kushtetues të dekretimit apo kthimit të një ligji të kalonte, as e firmosi, as e ktheu në Parlament: thjesht e la të kalonte ligjin. Si president, Bamir Topi nuk e përballoi detyrën e tij në asnjë nga katër dilemat e këtij ligji. Një akt më pak i Presidentit Topi si i tillë. Një kthim në profilin e tij politik të mosveprimit. Ishte e nevojshme një kurajo e Presidentit Topi në postin e tij, për të qenë në rregull plotësisht duke zgjidhur të paktën një prej dilemave të tij këtij ligji. Qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë do ta kishin respektuar më shumë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama