Socialistja e vjetër, Hafizi dhe rreziku punist për Rilindjen

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 7 vite më parë

Henri Çili
Socialistja e vjetër, Hafizi dhe rreziku punist për Rilindjen

Një sofizëm për universitetet private” e titullonte një shkrim të djeshëm zonja Mimoza Hafizi, kandidatja për rektore e Universitetit të Tiranës, ish-zv/ministrja e Arsimit në qeverinë  socialiste para 2005-s dhe, me sa duket, një figurë e Rilindjes së tashme të Edi Ramës. Zonja Hafizi është përpjekur fort të gjejë ku “fle lepuri” në projekt–dokumentin strategjik për arsimin e lartë që Ministria e Arsimit ka publikuar së fundmi, në përfundim të një projekti konsulence të mbështetur nga Banka Botërore, nën guidën e ekspertit anglez Quentin Thomson. Dhe ja ku e gjen, pas një lodhjeje të madhe për të kaluar nga shkenca e saj, fizika në filozofi, nëpërmjet “sofizmit”; “Universitetet private, me një të shkruar, e zezë mbi të bardhë, mund të marrin paratë publike që historikisht dhe tradicionalisht u kanë takuar vetëm universiteteve publike”.

Nuk di pse e shqetëson kaq shumë kjo gjë zonjën Hafizi, një profesore e nderuar e Universitetit të Tiranës, me ambicie politike dhe universitare, ideja se fonde publike, pra të taksapaguesve shqiptarë, mund të përdoren për shkollimin e studentëve shqiptarë, të cilët zgjedhin të studiojnë në universitetet private, ashtu siç përdoren për vëllezërit e tyre që zgjedhin universitetet shtetërore.

Por personalisht, si dikush që ka kontribuar modestisht këto vite përmes debatit publik apo përmes menaxhimit të Universitetit Europian të Tiranës, mua më shqetëson shumë, po shumë fare një mentalitet punist që po i vërtitet Rilindjes së Edi Ramës përmes mendimeve të tilla si ky i profesoreshë Hafizit. Në të vërtetë, arsyetimi i zonjës Hafizi ngrihet mbi një gënjeshtër, sepse strategjia e Ministrisë së Arsimit, ndoshta e kompleksuar nga i njëjti mentalitet punist si ky i profesoreshë Hafizit, parashikon parimin “fondet publike ndjekin studentin” vetëm për universitetet me status jofitimprurës dhe jo ato private. Por edhe sikur të ishte ndryshe, ku qëndron e keqja?

“Universitetet private, me një të shkruar e zezë mbi të bardhë, mund të marrin paret publike që historikisht dhe tradicionalisht u kanë takuar vetëm universiteteve publike”, – thotë zonja Hafizi, duke u dëshmuar fort si një socialiste e vjetër, por shumë e vjetër. Vërtet tradicionalisht dhe historikisht në shkollën e lartë nga e ka nxjerrë Komiteti i partisë dhe Komiteti Ekzekutiv i rrethit, por kohët kanë ndryshuar; Dhe të ndjekësh një shkollë të lartë është tashmë një e drejtë e kujtdo në bazë të meritës dhe preferencës. Nuk di a e di zonja Hafizi se kanë rënë kooperativat bujqësore, ndërmarrjet shtetërore etj, etj si këto, dhe jemi futur në një sistem kapitalist ku sektori privat është ai që mban këtë sistem dhe e çon atë përpara. Ashtu si qeveria për të bërë rrugë, për të ndërtuar objekte publike, për të pastruar qytetin apo për të blerë energji përdor sipërmarrjet private duke u paguar atyre fonde publike, pse të mos shkollojë qytetarët e vet te këta operatore privatë?

“Universitetet private, me një të shkruar e zezë mbi të bardhë, mund të marrin paret publike që historikisht dhe tradicionalisht u kanë takuar vetëm universiteteve publike”, – thotë zonja Hafizi, por a e dini ju se në tërë botën e qytetëruar e të zhvilluar shteti është aktor imparcial mes universiteteve shtetërore dhe atyre private, mes subjekteve shtetërore dhe private të cilat gëzojnë të njëjtat të drejta, të njëjtat detyrime në bazë të Kushtetutës? Shteti duhet të sigurojë që këto dy subjekte të konkurrojnë lirshëm në sektorin e arsimit të lartë, të jenë të barabartë në të drejta dhe detyrime, duke mos i trajtuar fare disa si të vetët dhe disa si “të huaj”, disa duke u dhënë para, godina, paga, subvencione dhe të tjerëve duke u marrë taksa e duke u bërë kontrolle. Edhe socializmi i vjetër, madje jo më ai i riu, e trajton njësoj pronën shtetërore dhe atë private, jo më ky i riu i Edi Ramës, që në platformën e “Rilindjes” parashikon vendosjen e universiteteve pa përjashtim në kushte “konkurrence” për cilësi shërbimi që kryejnë.

“Universitetet private, me një të shkruar e zezë mbi të bardhë, mund të marrin paret publike që historikisht dhe tradicionalisht u kanë takuar vetëm universiteteve publike”, – thotë zonja Hafizi, por harron se janë studentë shqiptarë që studiojnë edhe në universitetet private, fëmijë të taksapaguesve shqiptarë që duhet të përfitojnë proporcionalisht njësoj si ata që ndjekin ato publike. Ndaj parimi “fondet publike ndjekin studentin” është një parim i drejtë, sepse e drejta për të marrë shërbime kundrejt taksave të paguara është e drejtë bazë; jo të gjithë të financojnë për një sistem dhe ta përdorin vetëm disa.

“Universitetet private, me një të shkruar e zezë mbi të bardhë, mund të marrin paret publike që historikisht dhe tradicionalisht u kanë takuar vetëm universiteteve publike”, – thotë zonja Hafizi, duke mos qenë fare në të që paratë nuk janë të shtetit apo të universiteteve publike (në fakt ato janë shtetërore sot), por paratë në radhë të parë janë të taksapaguesve dhe qeveria vetëm sa i përdor në një mënyrë sa më efikase dhe të drejtë në dobi të së tërës publike. Prandaj, parimi “paraja publike ndjek studentin” është jo vetëm i drejtë, por thjesht me efikas, pasi i vë të gjithë operatorët në kushte të barabarta gare duke nxitur garën, standardet dhe jo duke mbajtur në këmbë parazitizmin e sektorit shtetëror të arsimit të lartë dhe agoninë që zgjat me vite e vite e vite në këtë sektor. Pa e lënë atë as të zhvillohet, pa e lënë atë të vetadministrohet, pa e lënë as të ecë përpara me kohën. Një sistem konkurrencial mes operatorëve me formë të ndryshme pronësie, do të çonte tërë sistemin më përpara dhe me një ritëm në të cilin shumë e shumë vende, duke ndjekur modelin anglosakson të edukimit, një sistem që dominon botën në cilësi dhe inovacion, po futet me shpejtësi. Duke braktisur sistemin punist apo etatist universitar që sundon ende shumicën e vendeve të Europës kontinentale.

A ka arsimi i lartë shumë e shumë probleme cilësie? Patjetër që po. Por ato nuk janë veçse manifestime të mbizotërimit të sistemit punist të arsimit të lartë në këtë vend, me gjithë përpjekjet që në 10 vjetët e fundit qeveritë “Nano” dhe “Berisha” kanë bërë për të futur një frymëmarrje të re përmes licencimit të universiteteve private apo të pavarura. Problemi bazë i arsimit tonë të lartë është pikërisht mentaliteti që zonja Hafizi shpërfaq, duke menduar se ka zbuluar enigmën e projekt–strategjisë së arsimit të lartë. A ka vend për “politika të majta”, të një partie të majtë si PS në propozimin elektoral të kësaj opozite? Patjetër që po, por zonja Hafizi as që i gjen dot dhe me siguri as që i imagjinon dot, e zhytur në një punizëm të vjetër sa vetë punizmi shqiptar.

Ja pse një punizëm i paparë e kërcënon “Rilindjen” e Edi Ramës, i cili personalisht ka dhënë prova hapjeje dhe drejtkonceptimi të interesit publik në arsimin e lartë, përtej një mentaliteti punist, që me siguri e rrethon në partinë e tij dhe përtej saj.

*Administrator i UET dhe
një prej themeluesve të Universitetit Europian të Tiranës

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama