Pse na zileps komunikimi online i Edi Ramës

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 9 vite më parë

Henri Çili
Pse na zileps komunikimi online i Edi Ramës

Një koleg gazetar më konfidoi pardje se gjëja e parë që bënte sapo shkonte në zyrë ishte hapja e faqes zyrtare të Edi Ramës në internet apo aksesi në Twitter i kryetarit të opozitës. Dhe, vërtet Rama në dekadën e re ka arritur të bëjë një befasi në komunikim: duke përdorur që prej verës së këtij viti komunikimin online. Është padyshim një befasi dhe novacion, ashtu sikurse ai arriti të bëjë befasi dhe novacion në fillim të viteve ‘90 nëpërmjet fjalës së shkruar, në fillim të viteve 2000 nëpërmjet ngjyrave, kurse tani në përputhje me frymën e dekadës sonë, nëpërmjet komunikimit online. Një analizë e thjeshtë, në të cilën kanë rënë shumë prej kolegëve analistë këto ditë me shkrime të tipit “a përmbyset Berisha me editorial?”, mund të thoshte se, kjo është një mënyrë impotente e të bërit politikë, e një lideri politik të opozitës së mundur dhe të rraskapitur, me beteja politike të dështuara, të paktën pas 2007 dhe me asgjë të qartë në horizont për 2013. Por është e gabuar. Me komunikimin online në këtë fazë të jetës së tij politike dhe të opozitës Edi Rama është në avantazh për tri arsye.

Arsyeja e parë është fakti se Edi Rama ka arritur që të bëhet i referueshëm nëpërmjet komunikimit online për të gjithë dhe të prodhojë lajm sapo lëshon një “ciu- ciu” në Twitter apo në Facebook. Të gjitha mediat i referohen, e bëjnë lajm, i marrin batutën apo sloganin që ka hedhur online kryetari i opozitës në krahasim me komunikimin e mërzitshëm para disa kamerave apo disa reporterëve që përfundojnë me një pyetje të “sikletshme” të KLAN-it dhe përgjigjen e mërzitshme “të fala Sandrit”.

Arsyeja e dytë pse ky komunikim është i suksesshëm është se përfaqëson frymën e kohës dhe implikon votuesin e ri, votuesin i cili në mënyrë masive e përdor “Shqipërinë dixhitale” të Sali Berishës, por tashmë kundër këtij të fundit. Ky komunikim po bëhet modë në një shoqëri të etur për zhvillim, teknologji dhe komunikim si kjo e jona. Nga ana tjetër, për pjesën e mbetur të popullsisë, ky komunikim online, sikurse e thamë në arsyen e parë, përçohet përmes komunikimit masiv, përmes mediave të mëdha që i referohen vazhdimisht. Shumë prej politikanëve bashkëkohorë perëndimorë ia kanë dalë që përmes internetetit të bëhen gjeneratorë të fuqishëm lëvizjesh politike apo mbështetjesh masive. Sepse “online” sot është një virus i epokës sonë që nuk është e mundur të mos të prekë.

Arsyeja e tretë pse komunikimi online i Edi Ramës është i suksesshëm është diçka që lidhet me atë vetë personalisht përveç avantazheve që ka në vetvete komunikimi online në epokën tonë: është maniera artistike që ai ka si artist i figurës dhe i fjalës. Një gjuhë vizuale e zgjedhur dhe po ashtu një fjalë apo batuto-logji e zgjedhur krijon një efekt shtesë reference. Dhe patjetër impakt. Në fillim të viteve ‘90, poeti Dritëro Agolli pati shkruar: “sikur të çlirohej Kosova me vjersha!”. Kështu urojnë dhe shumë socialistë sot: “Sikur opozita të vinte në pushtet me online”. Një komunikimin i një stili të ri, në kohën dhe vendin e duhur, mund të jetë një premisë e mirë për një politikë të mirë. Edhe pse ndoshta nuk mjafton pa përmbajtjen, edhe pse është një avantazh i formës. Për këdo që e ka preokupim komunikimin, komunikimi online të Ramës do ta shihte me zili në këto kohë. Unë po të paktën.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama