Letër e hapur për UET, universitetet private dhe tregun e lirë

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 8 vite më parë

Henri Çili
Letër e hapur për UET, universitetet private dhe tregun e lirë

Për kolegët gazetarë

Fatos Lubonja, Blendi Fevziu, Arian Çani, Andi Bushati, Rudina Xhunga, Mustafa Nano, Armand Shkullaku, Skënder Minxhozi, Sokol Balla, Artur Zheji, Mero Baze, Alfred Peza.

Në dy javët e fundit në median shqiptare dhe atë italiane ka shpërthyer një debat i gjerë rreth universiteteve private, duke marrë shkas nga ai që po njihet si skandali “Renzo Bossi”. Siç ka bërë të ditur media italiane, edhe djali i ish-liderit kontraversial të Lega Nord është pajisur me diplomë nga një universitet privat në Tiranë, pa shkelur kurrë në Shqipëri, duke i filluar studimet para se të merrte laurën, ose pa mbaruar shkollën e mesme në Itali. Hetimi administrativ i Ministrisë së Arsimit dhe ai i Prokurorisë Shqiptare vijojnë për të sqaruar të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe kjo tashmë i përket kronikës së të nesërmes, por ajo që ndodhi ishte një debat i madh ku u përfshinë të gjithë. Debati sillej rreth universiteteve private në Shqipëri dhe në tërësi sektorit të ri universitar joshtetëror që shënon vetëm 10 vjet jetë, që nga koha kur Profesor Pashko hapi më 2002 universitetin e parë privat në Shqipëri.

U përfshiva edhe vetë gjerësisht në këtë debat, duke qenë palë e interesuar, në pozitën  e administratorit dhe një prej themeluesve të Universitetit Europian të Tiranës, por edhe duke mbrojtur e përforcuar disa ide dhe shqetësime që, qoftë si sektor me kolegë të tjerë të Konsorciumit Universitar Shqiptar, qoftë si pedagog e qoftë si njeri me angazhim publik, kam po ashtu gati një dekadë që i mbroj e për të cilat luftoj në arenën publike apo nëpërmjet punës dhe Projektit UET.

Por, kur duket se është qetësuar pak furtuna e këtij debati, kam mbetur thellësisht i zhgënjyer në fund të kësaj beteje publike, që nuk është sigurisht fundi i luftës për suksesin e sektorit jopublik të arsimit të lartë shqiptar dhe të reformimit të arsimit tonë kombëtar në tërësi. Nuk jam thjesht i zhgënjyer intelektualisht, por i shqetësuar intelektualisht dhe për interesin publik në vend.

U bëmë dëshmitarë të kryqëzimit të sektorit privat dhe joshtetëror në arsimin e lartë dhe aspak një dënim të akteve të prezumuara kryer nga universiteti “Kristal”. Të një histerie ndaj përpjekjes 10-vjeçare reformuese të sektorit privat dhe jopublik në vend për t’i dhënë shpresë dhe jetë reformimit të arsimit tonë të lartë dhe krijimit të ofertës alternative edukuese universitare pas një monopoli afër 50-vjeçar të Universitetit të Tiranës dhe të universitetit shtetëror në tërësi. Aspak një fokusim te fenomenet negative të këtij sektori si të çdo sektori tjetër në këtë shoqëri e në këtë rruzull. Shkurt, sektori privat dhe jo-publik në fund këtij debati dukej se duhet të ulte kokën dhe të fshihej.

Zhgënjimin e parë dhe më të madh e kam me ata dhjetëra e dhjetëra pedagogë, profesorë, pjesëtarë të brendshëm të universiteteve private e jopublike në këtë vend të cilët kanë qenë e janë mësimdhënësit në këto universitete, të cilët nuk dhanë, në dijeninë time, dhe qofsha i gabuar në këtë, të paktën, një dëshmi konkrete nga puna dhe përvoja e tyre në sektorin privat. Aty ku paguhen shumë mirë, ku nuk u bën askush presion për notën apo për të firmosur atë që shkon përkundër bindjes së tyre, ku u krijohen të gjitha kushtet materiale për një mësimdhënie e kërkim shkencor dinjitoz ashtu si kolegëve perëndimorë kudo në Europë. Por ndoshta në skenën mediatike, pedagogëve nuk u jep kush hapësirë të thonë fjalën e duhur atëherë kur duhet, ndaj dhe mund të shpresojmë që një koshiencë intelektuale do t’u vijë pak më vonë, pasi siç e dimë akademikët nuk janë imediatë.

Por zhgënjimin më të madh e kam nga mediat, e konkretisht nga një dorë kolegësh, që i kam listuar në krye të kësaj letre, që i njoh dhe respektoj, për shkak të një specifike personale: vetë vij nga media, jam pjesëmarrës dhe aktiv në media edhe sot e kësaj dite. Por sidomos për një arsye shtesë: Në një mënyrë apo tjetër, të gjithë këta kolegë kanë, në dijenë time, të paktën një provë, një shembull, një rast të kundërt për të dëshmuar në drejtim të asaj se sa pozitiv, të paktën sa normal, është sektori privat universitar në këtë vend. Kanë rastin e Universitetit Europian të Tiranës. Mund të kenë dhe shumë prova, njohje, dëshmi a bashkëpunime të tjera, por të paktën këtë që lidhet me UET-in unë e di. E megjithatë, askush gjatë gjithë këtij debati nuk foli asnjë fjalë të mirë për universitetet private, për sektorin jopublik universitar!

Unë për vetë di shumë më tepër raste apo kolegë të tjerë sipërmarrës a menaxherë, pedagogë apo drejtues akademikë që bëjnë një punë të shkëlqyer. Në radhë të parë universitetet e grupuara në Consorciumin Universitar Shqiptar, universiteti “Luarasi” i themeluar nga i nderuar prof. Aleks Luarasi dhe drejtuar sot nga juristi i njohur Kristaq Traja dhe i administruar nga pedagogia Dajena Kumbaro; universiteti “Polis” i drejtuar nga Besnik Aliaj, universiteti “Marubi” i drejtuar me shumë sakrifica nga regjisori i pasionuar Kujtim Çashku, Tirana Business University me rektor Spiro Brumbullin dhe president kolegun Artan Hoxha. Kontakte më periferike, por shumë konsiderata e vlerësime të besueshme më mbërrijnë për New York University-Tirana, universitetin “Epoka” apo universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” e universitetin “Marin Barleti”. Duhet të ketë edhe të tjerë, me siguri.

Si ka mundësi, për shembull, që Fatos Lubonja,  i cili pasi vreroset prej dekadash me çdo gjë private në këtë vend, nuk përmend të paktën një bashkëpunim me UET-in, në vitin 2007, kur nga Botimet Përpjekja, për të cilat ai kujdeset me shumë shije e pasion, tërhoqëm një sasi të madhe nga libri i Umberto Ekos “Si bëhet një punim diplome” dhe e vumë me të drejtë menjëherë në programet e kurseve të metodave të kërkimit për çdo student. Lubonja e kishte botuar prej vitesh por i kish’ mbetur stok, aq sa edhe e drejta e autorit pat skaduar! Si ka mundësi që Blendi Fevziu, me një kujdes artificial për t’u dukur i paanshëm “mes sektorit publik dhe privat” nuk dëshmon përvojën shumë të mirë dhe të suksesshme me botimet UET Press; me bashkëbisedimet entuziaste për librat e tij me studentët e UET-it? Si ka mundësi që Rudina Xhunga, Andi Bushati, Artur Zheji, etj., që kanë qenë ndër vite anëtarë të Bordit të Besimit të UET (Board of Trustees), që na kanë njohur nga afër në diskutime e materiale nga mbledhjet e Bordit mbi çështjet e Universitetit, nuk thonë të paktën diçka pozitive nga ato që kanë parë?

Si ka mundësi, që Mustafa Nano nuk thotë, përveç të tjerash, në fjalën e vet publike ato që me siguri i ka thënë djali i tij, student i UET mbi seriozitetin, rigorozitetin e cilësinë në këtë institucion? E njëjta gjë për kolegun Armand Shkullaku, djali i të cilit është student rishtar në këtë shkollë të lartë. Si ka mundësi që Skënder Minxhozi, që e njeh besoj shumë mirë, nëpërmjet të afërmve të vet, funksionalitetin administrativ të UET, korrektësinë dhe saktësinë e funksionimit të kësaj shkolle të lartë, nuk e thotë këtë gjë gjatë këtij debati? Si ka mundësi që Arian Çani, që e di mirë prej sa vitesh që DJ Çerri, DJ i tij “tashmë i ndërkombëtarizuar”, është stërmunduar e vijon të stërmundohet për të marrë me meritë kreditet dhe notat gjatë studimeve të tij në UET, thotë vetëm një fjali tek MJD ‘në Shqipëri ka edhe universitete të mira”? Por të paktën Çani e thotë një fjali? Si ka mundësi që Mero Baze nuk e shpreh edhe publikisht besimin që ka patur te UET, pasi disa të afërm apo të njohur të tij m’i ka rekomanduar si studentë? Si ka mundësi që as Sokol Balla nuk e tregon edhe UET-in si top story, pas dy librave shumë të suksesshëm dhe eksperiencës ‘anglo-saksone’ me UET Press? Apo Alfred Peza që është mahnitur kur i kam dhuruar setin e botimeve të UET Press?

Ka diçka që nuk shkon! Ka diçka që nuk shkon lidhur me mentalitetin në këtë vend kundrejt tregut, privates, iniciativës së lirë dhe vetë lirisë. Dhe kjo vjen nga elita e shoqërisë, madje nga elita e një korporate të rëndësishme të këtij vendi, asaj të gazetarëve. Ky raport me të vërtetën dhe me lirinë ka rëndësi dyfishe në rastin e universiteteve private. Sektori privat dhe jo-shtetëror në arsimin e lartë, jo vetëm, siç do sektor tjetër, është fryt i natyrshëm i mrekullisë së lirisë në këtë vend (edhe pse fatkeqësisht erdhi vonë dhe ka vetëm një dekadë jetë), por ka edhe një rëndësi specifike. 

Sektori universitar i lirë dhe i hapur në një shoqëri është shumë më i rëndësishëm se sektorë të tjerë. Po aq ndoshta sa dhe media e lirë private që, paradoksalisht, këta denoncues të sektorit privat në rastin më të keq, apo këta të heshtur e indiferentë në rastin më të mirë, vetë e përdorin; vetë punojnë në të prej vitesh e vitesh. Pse, kapitalizmi dhe liria duhet të kenë sukses vetëm në disa sektorë? Duke filluar nga Fatos Lubonja, pse nuk shkojnë të punojnë në median shtetërore me rrogat dhe standardet profesionale të medias shtetërore?

Universiteti privat në Shqipëri duhet të ndihet krenar për ç’ka bërë këto 10 vjet. Në radhë të parë ai zgjidhi një problem jetik për shoqërinë shqiptare: për herë të parë nuk kemi nevojë për të studiuar në universitet me vendimin e Komitetit të Partisë apo të Komitetit Ekzekutiv; nuk kemi nevojë për konkurset e korruptuara, dhe të dyshimta hera-herës, të universiteteve publike; apo për shtesat e Kryeministrit. Tani të gjithë mund të kenë akses në universitet.

Për herë të parë pedagogët shqiptarë në universitetet private mund të ndërtojnë kundrejt pagesës dinjitoze një karrierë akademike normale e konkurruese, pa qenë të detyruar të bëjnë punë të dyta e të treta, pa ia ‘varur mësimit’, sepse rroga në universitetin publik nuk mjafton kurrë. Për herë të parë kanë kushte dinjitoze: zyra, biblioteka, ambiente të bollshme, ajër të kondicionuar, banjo të pastra e pa erë, drita dhe ujë 24 orë. Për herë të parë në universitetet private mund të vijnë të debatojnë lirisht opozita dhe qeveria, ambientalistët dhe industrialistët, komunistët dhe fashistët, pa pasur kompleks se nuk janë në rregull me shtetin, qeverinë apo ministrin.

Universitetet private kanë sjellë konkurrencën në programe dhe botime, konferenca shkencore dhe botimet universitare, kanë sjellë rinovimin e shpejtë dhe të pandalshëm të ofertës edukative e formuese, kanë hapur dyert kundrejt tregut të punës.

Qeveria Berisha ka meritën historikë që të paktën e prishi përfundimisht monopolin universitar shtetëror, duke krijuar premisat reale të lirisë akademike që është një nga kushtet bazë të lirisë në një demokraci.

A ka ardhur koha për një fazë tjetër? Po, patjetër! Por jo për atë që spekulon kryetari i opozitës që, në përpjekje për të fituar kapital politik ndaj kundërshtarit, nxin në krye të të gjithëve universitetet private, duke kaluar me ndonjë “por” pjesën tjetër të së vërtetës së mirë rreth këtij sektori, pa të cilin as ai vetë nuk do të bënte dot nesër si kryeministër kur të përballej me nevojën e shkollimit serioz të të rinjve shqiptarë.

Kjo fazë e re, ajo e cilësisë, ka ardhur dhe ne po i kërkojmë këta elementë me kohë, si universitet apo si Consorcium Universitar Shqiptar. Ka ardhur koha për një monitorim të besueshëm, të drejtë dhe të paanshëm të cilësisë në të gjithë sistemin tonë universitar privat, shtetëror dhe jopublik, duke përdorur parimin “një kut, një masë”. Ka ardhur koha e një sistemi pikëzimi e renditjeje të qartë, që orienton publikun, por edhe u hap rrugën përmirësimeve që rrjedhin nga politikat publike. Ka ardhur koha për një konkurs real të administratës publike, pasi punësimet e pamerituara dhe politike në administratën shtetërore dhe sektorin publik janë shkaku kryesor i deformimit të tregut të edukimit (a nuk e donte Renzo Bossi diplomën për të filluar punë në Komunë?). Ka ardhur koha për profesionet e rregulluara dhe provimin e shtetit si filtrin final për profesionistët e nesërm, që përgatisin universitetet për tregun e punës.

Ka ardhur koha për reformën e financimit të arsimit të lartë, për të vënë në kushte autonomie reale kolegët e universiteteve shtetërore që punojnë me kufizime të mëdha dhe kushte të vështira dhe për të sjellë në konkurrencë reale të gjithë aktorët e sistemit. Ndryshe nga sot, ku universiteti privat duhet të luftojë për mbijetesë e universiteti shtetëror ka gjithçka të subvencionuar. Studenti shqiptar duhet të vihet në qendër, paraja publike duhet të ndjekë studentin dhe të jetë ai zot për të zgjedhur se ku duhet të studiojë. Nëse për këtë duhet shndërruar statusi i universiteteve nga shoqëri tregtare, sepse kështu ndihet më mirë një shoqëri si e jona me mentalitet anti-treg, pse jo, ta bëjmë reformën e financimit dhe ta vëmë sistemin në konkurrencë reale, duke kushtëzuar edhe statusin jofitimprurës të këtyre institucioneve të reja. Ne si UET të paktën e kemi shpallur se jemi të gatshëm ta bëjmë këtë.

Tregu nuk mund të dështojë. As tek universitetet. Ai tashmë e ka treguar veten.

*Një prej themeluesve dhe Adminstrator i UET.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama