Plehrat, shpëtimi vjen nga industria jo nga moralistët laikë

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 9 vite më parë

Henri Çili
Plehrat, shpëtimi vjen nga industria jo nga moralistët laikë

Një panel simpatik prej 11 aktivistësh të shoqërisë civile dhe intelektualë na kumtuan dje kundërshtimin e tyre për të vendosur kundër ligjit për importin dhe përpunimin e mbetjeve industriale. Kauza duket e bukur, mbartësit simpatikë ose të paktën interesantë, moralizmi tërheqës, por përmbajtja është boshe.

Bartësve të kësaj lufte, kësaj beteje të re populiste të “të indinjuarve të Tiranës” mund t’u adresoheshin së paku dy kritika, njëra jo-kontekstuale parimore, tjetra lidhur me kontekstin e çështjes në Shqipëri, sot në këtë tetor të vitit 2011.

Lidhur me kritikën parimore mund të thuhej se, në tërësi çështja e plehrave është e njëjtë me kauzat e tjera, që një kategori e njëjtë me pjesëtarë të këtij paneli mbrojnë anekënd botës, anekënd historisë, siç janë pacifizmi, ambientalizmi, anti-industrializmi e mjaft të tjera.

Duke u kapur fort pas disa parimeve të moralit laik, kjo mënyrë e kundërshtimit të tendencave të caktuara të zhvillimit shoqëror e ekonomik të epokës sonë, i ngjan betejave të moralistëve fetarë, pra të Kishës kundër abortit apo prezervativit.

Për t’u kthyer te çështja jonë, ashtu si bomba bërthamore që nuk është as e mirë, as e keqe në vetvete, por të tillë e bën atë përdorimi nga ana e njeriut, edhe importi i mbetjeve nuk është as i mirë, as i keq në vetvete. Mënyra e përdorimit të tij përcakton gjithçka.

Shpikjen bërthamore të Oppenheimerit mund ta përdorim edhe për të shuar Hiroshimën, edhe për t’i dhënë një vendi si Franca 78 për qind të energjisë elektrike. E njëjta gjë mund të thuhet për mbetjet apo plehrat, siç është metafora e fundit që përdor opozita dhe qeveria në luftë me njëra- tjetrën. Po kështu, importi i mbetjeve në Shqipëri mund të përdoret ose për të shtuar plehrat në këtë vend, çka është vërtet gjë e keqe, ose si një mënyrë për të gjeneruar një sektor ekonomik, segment industrial, rritur punësimin, vjelë taksa etj, siç bëjnë sot rëndom vende si Gjermania.

Kritika e dytë është kontekstuale, pra dakord thonë kritikët e importit të mbetjeve, por Shqipëria nuk i ka kapacitetet për të ndërtuar një industri të pastër të përpunimit. Vërtet Shqipëria mund të ketë shumë defekte, por sipas kësaj mendësie, ne nuk mund të zhvillojmë asnjë sektor të zhvillimit të vendit, sepse risku është i madh. Jo pallate të larta se kemi mangësi në kontrollin sizmik, jo autostrada se kemi aksidente, jo universitete private se nuk kontrollojmë dot cilësinë, jo spitale private se nuk kontrollojmë dot mjekët dhe ilaçet, dhe mjaft të tjera si këto.

Këta adhurues të progresit, në vend që të bëjnë presion që t’i marrin progresit anët e tij të mira, dhe të gjithë do të bashkoheshim me këtë luftë për standarde më të larta të kontrollit për presion publik qeverisë për garantimin e këtyre standardeve, kërkojnë anulimin e progresit dhe industrializimit në total. Duhet thënë së fundmi se krijimi i një industrie të mbetjeve industriale dhe urbane mund të ishte një shans i mirë jo vetëm për të krijuar një sektor për të ardhura, por edhe për të pastruar ndoshta edhe plehrat tona, që i prodhojmë në këtë vend me shumicë. A e patë se si u hoqën për një ditë të gjitha varrezat e makinave sapo u krijua kërkesa në treg për këto tip mbetjesh?! Ndoshta kështu do të shpëtojmë nga plehrat e tjera sapo të krijohet industria e përpunimit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama