Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sepse Sarkozi qe thjesht brilant!

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 17 vite më parë

Henri Çili
Sepse Sarkozi qe thjesht brilant!

Një 52-vjeçar, lindur pas Luftës së Dytë Botër fëmija i një emigranti hungarez, politikan që nuk ka dalë nga “grandes ecoles” franceze, rivali brenda të djathtës i Zhak Shirakut, liderit historik të së djathtës franceze, Nikolas Sarkozi do të jetë presidenti i ri i Francës, në 5 vitet, që do të vijnë. Për më tepër një liberal i së djathtës, me bindje dhe aksione politike, do të drejtojë Francën në rrugën e një reformizmi liberal, koha e të cilit kishte ardhur me kohë në vendin e revolucionit të 1879-tës. Ky qe epilogu i një fushate elektorale të gjatë, që pati mbërthyer median botërore si asnjëherë tjetër me një vëmendje të tillë të rangut të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Shtëpinë e Bardhë.

Në asnjë çast përgjatë këtyre muajve e viteve të fushatës elektorale, Sarkozi nuk e humbi vetëbesimin se koha e ideve të të tij kishte ardhur dhe se francezët do ta votonin për vizionin e tij për Francën e së nesërmes. Reformizmi me sens djathtas, kishte dështuar shpeshherë në Francë në Republikën e Pestë, në një vend ku “barazia” është një mit shoqëror, edhe kur qeveritë e së djathtë kishin ardhur në pushtet. Ato kishin dështuar në reformimin e vendit, në liberalizimin e ekonomisë franceze, e cila mbetet sot e kësaj dite me një prani të pazakontë, tej çdo mase e proporcioni, të shtetit në ekonomi, me ekonomi shtetërore, me një rregullarizim të imët të ekonomisë dhe marrëdhënieve kontraktuale, me aq pak “laissez faire et laissez paser”.

Fitorja e Sarkozi mund të kualifikohet e një rëndësie të dorës së parë për modelin politik evropian apo kontinental, model që ka aftësinë të shtrihet dhe të ndikojë në formën e një vage edhe në vende të tjera evropiane, për të paktën tre arsye.

Së pari: Fushata politike në Francë shënon përfundimisht “amerikanizimin e politikës” në kontinentin evropian, që në historinë e tij të pas Luftës së Dytë Botërore mbeti i ngërthyer, i bllokuar tek “liderët historikë”, duke mos lejuar përtëritjen e elitës politike. Për pasojë duke pamundësuar daljen në pah dhe kalimin në garë të projekteve politike të reja e konkurruese. Pas disa shenjash që dhanë vende të tjera në përqafimin e modelit amerikan të sistemit të përzgjedhjes së garuesve në secilin kamp, jo nga strukturat e partisë, por nga sistemi i “primary”, siç ka bërë Italia, Spanja apo ndonjë vend tjetër, Franca me zgjedhjet e fundit vulosi këtë model. Kjo i dha pushtet dhe liri kandidatit të secilit kamp, qoftë zonjës Royal, qoftë Sarkozisë të ndërtojnë ekipet e tyre, programet e tyre, betejën dhe luftën e tyre, por dhe të mbajnë përgjegjësinë e zgjedhjes së vet. Pas kësaj, është e natyrshme që kandidatët të projektohen në publikun e gjerë të secilit krah para se të dalin në garën mes palëve, duke i dhënë fund kulisave politike të partisë. Po të kishte qenë për strukturat e partisë sigurisht presidenti Shirak do të kishte preferuar të “emëronte” një kandidat tjetër, një beniamin të tij në garë. Sarkozi konkurroi fort për të marrë në dorë drejtimin e partisë “Lëvizja Popullore” dhe po aq fort për t’u shndërruar në kandidatin e përbashkët të të gjithë së djathtës.

Së dyti: Fitorja e Sarkozisë, i cili brenda kampit të së djathtës profilohet si “rivali” dhe jo si “pasardhësi” i liderit historik të së djathtës franceze, Zhak Shirakut ngulit një model të ri. Ai me kapacitetin dhe cilësitë e tij, bëri të dështojnë të gjitha skemat e Shirakut për të “emëruar” në garën presidenciale një të besuarin e vet, pasardhësin e vet. Edhe pse Shirak nuk i dha asnjëherë detyrën e kryeministrit, por e “hodhi” nëpër sektorët më të vështirë, tek financat dhe Ministria e Brendshme ku shumëkush do të kishte dështuar me siguri, Sarkozi tregoi performancë të lartë në këto detyra, duke sfiduar “kryeministrat” e Shirakut, Rafarin dhe De Vilepin, për nga autoriteti dhe reputacioni publik, për nga fama dhe pesha politike.
Modeli i konkurrimit në shkallë të gjerë, i fushatës permanente, i fushatës mediatike, i dha fund një mutacioni që po shfaqte demokracia perëndimore së fundi, një mutacioni të tipit monarkik, ku lideri “emëron” pasardhësin.

Sarkozi u votua prej francezëve, edhe sepse ishte “sfidanti” dhe jo “prodhimi” i Zhak Shirakut apo pasardhësi i tij. Përkundër tij, Segolen Royal kishte qejf të shfaqej si “trashëgimtarja e miterandizmit”.
Së treti: Pas gati 20 vjetësh, liberalizmi ekonomik i tipit “Regan – Thacer”, duket se po gjen terren edhe në kontinent, pas një rezistence të dështuar që i është bërë ideve liberale në ekonomi apo në drejtimin e shtetit. Shpesh apo përgjithësisht i kryqëzuar si “liberal”, Sarkozi diti t’i bënte të pranueshme dhe të votuara idetë e tij për një shtet më liberal, më të lehtë, për një shtet me politika të reja për punën, kapitalin, taksat dhe zhvillimin. “Duhet thënë gjithçka përpara, në mënyrë që të mund të mos ndalesh në asgjë më pas” – ishte kredoja e Sarkozisë. Në ndryshim nga tradita hipokrite e të djathtës franceze të republikës së pestë, Sarkozi shënon një “rupture tranquille”, pra një “shkëputje të butë” nga etatizmi dhe shteti social që po i merrte frymën Francës. Ai foli hapur për idetë e tij, duke filluar nga puna deri tek eutanazia, nga taksa e trashëgimisë apo tek Ministria e Emigracionit dhe Identitetit Kombëtar, duke shpalosur ide dhe debate heretike deri më tani në mjedisin politik francez. Prandaj, derisa u votua ai ka duart të lira për të bërë reformat e tij. Me fitoren e Sarkozisë, idetë e liberalizmit ekonomik marrin dhe kalanë e fundit të etatizmit dhe derivative të ekonomisë së planifikuar, që ishte Franca. Nikolas Sarkozi jo vetëm e kuptoi “momentin e ri francez” por dhe i dha formë atij. Për të gjitha këto Sarkozi fitoi, sepse qe thjesht brilant!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama