Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A ndryshon më opinioni nga një fushatë inaugurimesh?!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 16 vite më parë

Rexhep Meidani
A ndryshon më opinioni nga një fushatë inaugurimesh?!

Edhe në gjuhën shqipe fjala inaugurim ka po atë kuptim si në mjaft vende të tjera. Ajo nënkupton, nga njëra anë, një ceremoni që lidhet me transferimin e pushtetit nga një forcë politike e individ në një tjetër (kryetar shtetit, kryeministër etj.), nënshkrimin e një marrëveshjeje (p.sh., të anëtarësimit në NATO), deklarimin e një vendimmarrjeje (p.sh., të pavarësisë) apo hapjen e një takimi të rëndësishëm etj., dhe, nga ana tjetër, fillimin ose mbarimin e një investimi, të një vepre publike (rrugë, shkollë, teatër, spital, stadium, ujësjellës, central elektrik etj.) apo të një investimi privat (fabrikë, universitet, kompleks turistik, ndërmarrje bujqësore etj.), pse jo dhe shpalosjen e një iniciative ose strategjie, që jo patjetër lidhet me investime të drejtpërdrejta. Sidoqoftë nëse varianti i parë i inaugurimeve është mjaft i “kopsitur”, protokollar e ligjor, në shumë vende, sidomos në ato me demokraci të zhvilluar, varianti i dytë ka një përdorim mjaft më të kufizuar, sidomos kur bëhet fjalë për personat VIP të pranishëm apo për atë që “pret shiritin”. Fare ndryshe nga rasti shqiptar! Aq më shumë, krahasuar me këtë që po ndodh muajt e fundit në Shqipëri, me shpalosjen e inaugurim-manisë në nivelet më të larta të hierarkisë politike dhe qeverisëse (në nivel qendror apo vendor). Bile, deri dhe duke inauguruar të njëjtën vepër më shumë se një herë, njëherë me mjaft zell në fillim, njëherë ose disa herë në mes dhe njëherë në fund!...

    Nuk përjashtohet që një ndjekës i vëmendshëm i ngjarjeve ndërkombëtare mund të mendojë dhe të kundërtën e asaj, që shkruhet më sipër. Ai, p.sh., mund të na sjellë në vëmendje inaugurimin e para disa viteve të urës (viaduktit) më të lartë në Francë (dhe në Evropë) nga vetë presidenti i kohës, Zhak Shirak. Kjo urë, me pikën më të lartë të saj prej 343 m, gjatësi 2.46 km dhe një kosto prej 390-400 milionë euro (të financuar nga sektori privat), përbën një pikë tjetër reference të krenarisë së inxhinierisë civile franceze, por dhe një mundësi të madhe lehtësuese për qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave në pjesën jugore të Francës. Pikërisht, motivin e krenarisë dhe të dobishmërisë së jashtëzakonshme, vlerësoi Shiraku për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje të përmasave historike. Por, jo për ndonjë fushatë politike, në mbyllje të karrierës së tij si president shumë vjeçar i Francës!... Ky ishte thjesht një shembull. Dhe, pa dyshim, nuk do të mungonin as shembuj të tjerë të shumtë nga çdo qoshe e botës. Nuk ia vlen, madje është pothuajse e pamundur, të konsiderohen e numërohet ata, por mund të sillet këtu një shembull tjetër, që lidhet me një revolucion të vërtetë teknologjik, me një vizion drejt të ardhmes. Kështu, një vit më parë, guvernatori i shtetit të Kalifornisë, Shvarceneger, mori pjesë në ceremoninë publike të organizuar nga një kompani private me rastin e prodhimit të automobilit elektrik. Sepse aty bëhej fjalë për diçka tepër të veçantë, për një “thyerje” teknologjike, në mbrojtje të mjedisit dhe të pastërtisë së tij, për një sfidë vizionare ndaj vetë ndryshimit problematik të klimës dhe ngrohjes së planetit. Megjithatë dhe aty u ndalua vetëm tek guvernatori!...

   Shembuj inaugurimesh ka me tepricë dhe Shqipëria. Bile me tepricë e tej-tepricë. Apo, siç thuhet ndryshe, me hiperinflacion. Kjo edhe më parë. Madje, në fund të periudhës së komunizmit, shqiptarët e vëmendshëm u çuditën pa masë kur në inaugurimin e një magazine të zakonshme rrobash në Tiranë mori pjesë vetë kryeministri i kohës!...
    Ndërsa, në tranzicion, sidomos para e gjatë fushatave elektorale, inaugurimet u bënë preokupimet kryesore të mjaft politikanëve qendrorë e lokalë. Përfshirë dhe ato më të rëndomtat! Natyrisht, që fillimisht dhe ato kanë shfaqur ndikimet e tyre, sidomos inaugurimi i ndonjë segmenti autostrade, apo rimëkëmbjet infrastrukturore të shumë institucioneve pas krizës së piramidave. Bile, ato, në jo pak raste, më shumë se për ndonjë votë, shërbyen për të kthyer apo e rindërtuar shpresën e humbur të qytetarëve. Pra, pavarësisht ndonjë përpjekjeje individuale për efekte fushate, logjika e tyre përkonte në mënyrë shumë më përpjesëtimore me ndërtimin e besimit të një “Shqipërie që mund të bëhet dhe që po bëhet”... Por, sot, pas 18 vjetësh të shfrytëzimit pa asnjë kriter “protokollar” të kësaj teknologjie, duket se shqiptarët ia “kanë pirë lëngun” këtij “marifeti”. Aq më tepër kur bëhet fjalë për investime disa mijëra apo dhjetëra mijëra euro dhe “hierarkia VIP” kalon çdo kufi të imagjinueshëm me shirit-prerjet e saj! Apo, kur bëhet fjalë për rikonstruksione modeste apo mirëmbajtje të domosdoshme, bile të nënkuptueshme, për çdo investim të mëparshëm. Kjo po bëhet tashmë akoma më e “ithët”, sepse qytetarët e kanë më se të qartë “përmbajtjen”: se ajo, që po shpenzohet dhe paraqitet si dhuratë e pushtetit qendror apo vendor, është mbi të gjitha djersa e mundi, paraja e tyre, bile jo patjetër e harxhuar me nikoqirllëk e ndershmëri! Pse jo dhe politikisht e korruptivisht!...

     Në këto kushte, çudia që shfaqet apo pyetja që shtrohet është po ajo e fillimit: A ndryshon më opinioni publik nga një “fushatë intensive” inaugurimesh, gjysmë-inaugurimesh apo para-inaugurimesh?! Sidomos, kur në to konstatohet një inflacion i lartë, dhe gjithçka ekspozohet në mënyrë gati-gati bajate, pa më voglin “stil” e fantazi! Sepse për vizion as që mund të bëhet fjalë! Apo akoma: a ngjall apo prodhon një veprimtari e tillë ndonjë emocion elektoral e votë shtesë? Vështirë të jepet ndonjë përgjigje pozitive, edhe pse gjithmonë mund të gjenden individë thjesht e vetëm në funksion të interesit të tyre politiko-financiar (p.sh., në politikë, media e biznes) apo qoftë dhe në kërkim të justifikimit të zhgënjimeve të tyre...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama