Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Evropa në prag recesioni. Po Shqipëria?

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 16 vite më parë

Rexhep Meidani
Evropa në prag recesioni. Po Shqipëria?

Ritmet e zhvillimit ekonomik në Evropë po ngadalësohen më tepër se ç’ishin parashikimet fillestare, kurse Britania e Madhe është më në prag të recesionit krahasuar me vende të tjera të fuqishme të kontinentit. Ky është parashikimi i bërë publik këto ditë nga OECD (Organisation for Economic Co-operation and Development), edhe pse aty bëhej “kujdes” që të mos përdorej fjala “recesion”. Ekonomia amerikane, ku u shfaq për herë të parë “thyerja” ekonomike në grupin e vendeve të industrializuara ...rezultoi me njëfarë përmirësimi në tremujorin e dytë, edhe pse tronditjet në tregun financiar dhe atë të banesave vazhdojnë akoma ta mbajnë këtë ekonomi në një gjendje të sëmurë. Megjithatë, sipas OECD, parashikimi vjetor për rritjen ekonomike në SHBA është shfaqur relativisht optimist, duke kaluar nga 1%, i deklaruar në qershor, në 1.8%. Dhe ndërkohë, po kjo organizatë, bën një azhurnim në drejtim të kundërt për ekonominë evropiane dhe atë të Japonisë, nga 1.7% përkatësisht në afro 1.3% dhe 1.2%.

Po ashtu, për G7 apo grupin e shtatë vendeve më të industrializuara (SHBA, Japoni, Gjermani, Britani, Francë, Itali dhe Kanada) parashikimi mbetet tek një rritje mesatare e dobët, pothuajse si ajo e mëparshme prej 1.4%, por nënvizohet qartë përkeqësimi i situatës në Britaninë e Madhe në 6-mujorin e dytë, me potenciale të larta recesioni në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo justifikohet dhe me faktin e një “reduktimi” ekonomik prej përkatësisht 0.3% dhe 0.4% për dy tremujorë të njëpasnjëshëm, përkatësisht të tretin dhe të katërtin, duke mundësuar një rritje vjetore prej 1.2% në vend të 1.8%, të menduar fillimisht. Ndërkohë, sipas shenjave ekzistuese të krizës së kreditit, edhe ekonomia evropiane në tërësi pritet të rritet shumë më pak se ç’ka qenë parashikimi fillestar, pra dhe të shfaqë dobësi të ngjashme. Nuk përjashtohet që recensioni të shfaqet edhe në Spanjë apo Irlandë. Sidoqoftë, sipas specialistëve të OECD, jo ekuilibrat janë ende të mëdha për këtë situatë ekonomike, duke e bërë kështu “tablonë të paqartë”.

Në këtë situatë të brishtë, kryeministri Britanik Gordon Braun (Brown) ka shpalosur një plan prej 2 miliardë dollarësh për të stimuluar ekonominë, dhe në veçanti, për të “pompuar” tregun e banesave, në mënyrë të ngjashme me “pompimin” e administratës amerikane muaj më parë. Deri duke eliminuar taksën për blerësit e shtëpive, të njohur si “stamp duty”, duke ndihmuar familjet më të goditura, duke ndërtuar më shumë banesa sociale, etj. Ndër të tjera, lidhur me këtë situatë ekonomike të përkeqësuar, të vlerësuar dhe si më të keqen në 60 vjetët e fundit, Sekretari Britanik i Thesarit, A. Darling, midis të tjerash, ka deklaruar: “Ne po përballemi me kohë të vështira. Siç e dini, situata ku ndodhemi është një kombinim i kolapsit të kredit, i çmimeve të larta të naftës dhe i atyre të mallrave ushqimore, dhe akoma nuk është i qartë ky lloj kombinimi. Është një rast unik. Bile dhe vetë FMN ka deklaruar se një gjë e tillë nuk është parë që prej viteve 1930-të”.

Edhe parashikimi për Gjermaninë, Francën e Italinë nuk është aq optimist. Ekonomitë e këtyre vendeve pritet të manifestojnë vlera vjetore rritjeje krejt të vagëta. Bile, për Gjermaninë, vendi me ekonomi më ndikuese në BE, rënia e rritjes ekonomike për tremujorin e dytë vlerësohet me 0.5%. Në këto vende, tronditjet e tregjeve financiare, goditja e tregut të banesave dhe çmimet e larta për shumë mallra e shërbime do të vazhdojnë të reduktojnë më tepër se parashikimi fillestar rritjen e tyre ekonomike. Megjithatë, besohet se këto ekonomi do të arrijnë ta shmangin recensionin, ndërkohë që kriza britanike e tregut të banesave ka përfshirë tani Danimarkën, Spanjën, Irlandën dhe vende të tjera. Për më tepër parashikohet se 15 vendet e Eurozonës do të arrijnë ta shmangin një recension teknik, qoftë edhe pas dy tremujorësh kontraktimi ekonomik.

Sipas OECD: “Humbjet e mëtejshme potenciale në financat e banesave dhe të ndërtimit” janë po aq burime shqetësimi për sektorin financiar, sidomos kur shihet se “thellësia dhe shtrirja e krizës financiare shfaq ende pasiguri”. Edhe çmimi i lartë i karburantit dhe ai i mallrave ushqimore e ka kufizuar, në përgjithësi, konsumin e qytetarëve, duke goditur kështu një nga lokomotivat kryesore të rritjes ekonomike, qoftë edhe duke mbajtur një euro të fortë. Po ashtu, një ekonomi botërore e ngadalësuar dhe kostoja e rritur e transportit e ka frenuar eksportin në vende të tjera. Sidoqoftë, mendohet se më e keqja nuk është kaluar akoma, ajo ndodhet përpara, me gjithë disa lehtësime kohët e fundit nga rënia e çmimit të naftës.

Aq më tepër që besueshmëria e biznesit dhe e konsumatorit vazhdon të mbetet në nivele të ulëta. Për sa u përket vendeve jashtë Eurozonës, ato zyrtarisht nuk konsiderohen ende në recension (që, sipas përkufizimit, pranohet kur dy tremujorë të njëpasnjëshëm kanë rritje negative). Ende është e paqartë, por mund ta ketë këtë fat dhe Irlanda pas botimit të dhënave zyrtare për tremujorin e dytë. Problemi më i madh i euro-ekonomive është inflacioni i lartë, që është shoqëruar me uljen e shpenzimeve familjare. Po ashtu ky inflacion ka rritur kostot për kompanitë dhe eksportuesit, edhe nën trysninë e sindikatave dhe të punonjësve për rroga më të larta. Por kjo, nga ana tjetër, mund të “ushqejë” më tej spiralen e inflacionit. Pikërisht për të kontrolluar këtë inflacion të lartë Banka Qendrore Evropiane i rriti interesat e depozitave nga 4% në 4.25%, edhe pse mjaft specialistë mendojnë që një veprim i tillë rrezikon të ngadalësojë më tej rritjen ekonomike me shtimin e kostos së parasë së marrë hua në një treg krediti, që ende është në një gjendje të sëmurë.

Në këtë situatë ekonomike ende mjaft të zymtë, deri të pasigurt, euforia qeveritare shqiptare, po në gojë gjithmonë euforike kryeministrore, duket mjaft e dyshimtë për vitin e ardhshëm. Aq më tepër që nga goja e disa specialistëve të huaj janë emetuar pohime, shqetësime e parashikime për një goditje të fortë mbi ekonominë e brishtë shqiptare, në fillim të vitit të ardhshëm. Padyshim nuk mund të harrohet që ekonomia shqiptare ka specifikat e veta (apo më saktë nuk ka fare specifika!), por duke jetuar në një botë globale dhe tepër të ndërlidhur, bile dhe në mes të Evropës në prag recensioni, nuk ka sesi të mos pasqyrohet përkeqësimi ekonomik në vendet më të industrializuara të Evropës e botës edhe në ekonominë tonë.

Jo thjesht e vetëm në nivelin e konsumit, reduktimin e tij, por mbi të gjitha në sektorin e ndërtimit, i cili në kuadër të “specifikave” shqiptare, në pjesën më të rëndësishme, zhvillohet ende me metodën primitive të “shkëmbimit në natyrë”. Por po aq e rrezikshme në kuptimin e një kolapsi potencial mund të bëhet sot dhe një përfshirje gjithnjë dhe më e madhe e bankave të nivelit të dytë, me kreditimet e tyre, në këtë lloj tregu “Made in Albania”. Edhe premtimet e tjera për gjoja investime apo rritje page duhen parë me mjaft kujdes në kontekstin e kësaj situate, për të mos provokuar as rritje të mëtejshme të deficitit buxhetor, nëpërmjet marrjes së kredive të tjera akoma më të kushtueshme, apo dhe “provokimit” të ndonjë ngacmimi të pakontrollueshëm të spirales së inflacionit. Në këto kushte, e vetmja këshillë, që më dha në Londër një specialist amerikan (njohës shumë i mirë i Shqipërisë) mbetet kujdesi financiar maksimal, madje nikoqirllëku në shpenzimin e parasë, sidomos në tregun e banesave.

Sidoqoftë, nëse euforia kryeministrore ishte thjesht dhe vetëm për hapje fushate elektorale, kjo do të ishte gjysma e të keqes! Përndryshe, vaj halli! Sepse, për fat të keq, në ekonomi është lehtë ta shpalosësh euforinë në një ekran “satelit”, por është mjaft vështirë ta transmetosh atë në “xhepin” e qytetarit!...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama