Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A mund të jetë referendumi një ide e gabuar?!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 16 vite më parë

Rexhep Meidani
A mund të jetë referendumi një ide e gabuar?!

P.sh., ai mund të organizohet për adoptimin e një kushtetute të re (si në Shqipëri, më 1994 dhe 1998), miratimin e disa amendamenteve kushtetuese (si p.sh. ai në Francë, në vitin 2000, për reduktimin e mandatit të presidentit nga 7 vjet në 5 vjet), zgjedhjen e një zyrtari të lartë, në veçanti kryetarin e shtetit (në mjaft vende, përfshirë dhe demokracitë e reja në Ballkan), aprovimin e ndonjë ligji apo traktati, i disa masave me karakter administrativ, social apo ekonomik, etj. (p.sh., referendumi i vitit 2005, në Brazil, për të vazhduar lejimin e tregtimin të armëve të zjarrit, apo ai i vitit 1967 në Australi për popullsinë autoktone të Australisë). Tipike janë rastet që lidhen me shkëputjen apo vetëvendosjen (si p.sh., referendumi i vitit 2006 në Mal të Zi, ai i vitit 1991 në Kroaci, referendumet e përsëritura në vitin 1980 dhe 1995, në provincën e Kebekut në Kanada etj.), përfshirë dhe ato që lidhen me ndryshimin e sistemit politik, si ai i vitit 1976 në Spanjë, pas vdekjes së Frankos (për të ruajtur apo ndryshuar sistemin politik: “Referéndum para la reforma política”). Një tip tjetër referendumi është dhe ai i miratimit popullor të një vendimi integrimi, si p.sh., ai i Spanjës i vitit 1986 për anëtarësimin në NATO. Po kjo skemë u ndoq në disa vende të Evropës dhe për anëtarësimin e tyre në BE, ose për projekt-kushtetutën evropiane. Mjaft të njohura janë referendumet e organizuara në vitin 2005, në Francë dhe Holandë, që hodhën poshtë atë traktat apo projekt-kushtetutë evropiane. Por le ta ndalojmë këtu përshkrimin e varianteve të ndryshme dhe të larmishme të referendumeve të organizuara në botë...


* * *


         Kampione në lidhje me referendumet është Zvicra, e cila që nga kushtetuta e vitit 1848 deri në vitin 2006 ka organizuar 540 referendume federale (pra, në mesatare, 3-4 referendume në vit). Kurse, në nivel kantonal e lokal arrihet në një shifër mesatare të 10 referendumeve në vit. Por jo vetëm Zvicra, por dhe shumë vende me një histori të gjatë demokratike si Franca, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Gjermania, Australia etj., kanë mbajtur, sipas problematikës, mjaft referendume në nivel kombëtar apo vendor. Këtë shembull e kanë ndjekur dhe shumë demokraci të reja të Evropës Lindore apo Vendet Baltike. Por referendumet janë të hershme dhe në Amerikën Latine. Kështu, p.sh., në historinë e Kilit referendumi ndeshet që në vitin 1925. Në shumë raste referendumet kanë kontribuar jo pak edhe në shërbim të paqes rajonale, të pajtimit etnik e fetar etj. Kështu p.sh., në zgjidhjen e konfliktit në Irlandën e Veriut, një referendum i mbështetur me sukses nga populli, detyroi udhëheqësit politikë e ushtarakë të ulnin armët për të realizuar marrëveshje në shërbim të paqes dhe pajtimit.

 
 
* * *


       Referendumi apo plebishiti është një formë e ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë. Në këtë kuptim mund të thuhet se vetë referendumi mishëron realizimin e vlerave demokratike universale. Ai mund të iniciohet nga autoritetet politike si legjislativi, presidenti (Francë, Rumani etj.), nga qeveria (Greqi, Spanjë etj.) apo nga vetë qytetarët. Në SHBA përdoret, më shpesh, termi referendum kur burim i tij është legjislativi dhe fjala iniciativë kur pikënisja është një peticion i një numri të dhënë qytetarësh. Në Kushtetutën tonë referendumi nënkupton të dy rastet.


        Në ditët tona, iniciativat popullore dhe referendumet po kthehen në instrumente çelës të demokracisë së drejtpërdrejtë, në ndryshim nga asambletë e qytetarëve që nuk po i përgjigjen më ashtu si duhet ndryshueshmërisë dhe ndërlikueshmërisë së botës moderne. Nga ana tjetër, shihet se sa më përfaqësuese, më e suksesshme të jetë një qeverisje, aq më i lehtë është dhe kombinimi i saj me demokracinë e drejtpërdrejtë. Dhe anasjelltas, sa më pak përfaqësuese është një qeverisje, aq më tepër efekte populiste mund të prodhohen nga procedurat e drejtpërdrejta. Dhe faktet për këtë nuk mungojnë. Në këtë kuptim një qeverisje përfaqësuese dhe procedurat e demokracisë së drejtpërdrejtë plotësojnë njëra-tjetra, duke përfshirë mjaft probleme konkrete në agjendën politike. Dhe po ashtu, demokracia e drejtpërdrejtë e rrit angazhimin e qytetarëve në çështje të legjislacionit, politikës, ekonomisë, mjedisit etj., duke shkundur apatinë e tyre. Pra, demokracia e drejtpërdrejtë është jo vetëm pjesë përbërëse e edukimit politik dhe e vendimmarrjes qytetare, por dhe “ushqim” inkurajues i autonomisë sociale dhe individuale. Në librin e tij “L’avenir de la liberté, la démocratie illibérale aux Etats-Unis et dans le monde” (Paris: Odile Jacob, 2003), Zakaria (Fareed Zakaria) analizon dhe faktin pse përmbajtja e iniciativave popullore në Kaliforni ka ndryshuar në mënyrë radikale.  Sipas tij, në fillimet e viteve ‘60-të ato iniciativa lidheshin kryesisht me konceptin e një shteti për mirëqenie më të madhe, ndërsa në vitet ‘80-të shfaqet një prirje tjetër e të menduarit social, me bazë luftën kundër rritjes së taksave (d.m.th. duke prekur, në njëfarë mënyre, dhe elementë të përkujdesjes sociale).


* * *


     Megjithëse disa avokatë të demokracisë së drejtpërdrejtë ngulin këmbë që referendumi duhet të jetë një institucion mbizotërues i qeverisjes, në praktikë, por dhe në parim, ai mbetet vetëm një variant plotësues, jo permanent, në sistemin politik të demokracisë përfaqësuese, ku shumica e vendimeve merren nga legjislativi. Kjo edhe për arsye teknike apo kohore. Pra, sipas legjislacionit të shumë vendeve, referendumet janë relativisht të rralla dhe të kufizuara vetëm për çështje të rëndësishme. Në to futet jo vetëm miratimi i kushtetutës apo i amendamenteve parimore të saj, por dhe procedura ndarje-shkëputjeje e ndryshime kufijsh. Madje, insistimi i fortë në këtë kërkesë lidhet ngushtë me respektimin e principit të sovranitetit të popullit. Nga ana tjetër, dërgimi në popull u jep mundësi politikanëve realisht demokratë që të shmangin vështirësitë e natyrave të ndryshme, konfliktet e panevojshme apo dhe vendime “kontraversale”.


      Parë në këtë frymë, partitë që miratuan së bashku ndryshimet e fundit kushtetuese, po të ishin krejtësisht të ndërgjegjshme për domosdoshmërinë e tyre, për të mishëruar dhe një vullnet popullor, në mënyrë të natyrshme duhet të ishin po ato, që të kërkonin të miratoheshin dhe nga populli ndryshimet e fundit kushtetuese. Aq më tepër, që prekja e kushtetutës në të gjitha vendet serioze demokratike shoqërohet me miratim popullor. Pra, vetë ato parti duhet të ishin pioniere, flamurtare të referendumit. Dhe aspak të pritnin që një iniciativë të tillë të tentonin ta merrnin të tjerë. Apo të përkrahnin e zhvillonin teori nga më të ndryshmet, deri kontradiktore, përfshi dhe “shitjen” e referendumit si një “ide e gabuar”!...
* * *
Pozicioni refraktar i PD-së në lidhje me zbatimin e demokracisë së drejtpërdrejtë deri diku mund të shpjegohet. Kjo parti deri më sot ka zbatuar demokracinë përfaqësuese në zgjedhjen e forumeve të saj. Bile dhe atë me një “përzgjedhje të kujdesshme”! Diku është përmendur dhe zbatimi i parimit “një anëtar, një votë” në këtë parti, por sikur, kohët e fundit, nuk po flitet më për këtë lloj procesi. Të paktën, unë nuk kam dëgjuar apo lexuar, në këtë periudhë, ndonjë fjalë e rresht për një zhvillim të tillë...


Por, ç’ne PS-ja të “notojë” në këto ujëra? Sjellja apo propaganda e saj në nivel parlamentar, nga ana parimore, është në kontradiktë me sjelljen dhe propagandën e saj partiake. Kjo parti, në vitet e fundit, ka propaganduar si një ndryshim mjaft të thellë politik zbatimin e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe jo të asaj përfaqësuese. Për më tepër, një procedurë e tillë është zbatuar tashmë në mjaft raste, përfshi dhe zgjedhjen e kryetarit të partisë, të kryetarëve të rretheve etj. Atëherë, si mund ta pranojnë forumet e partisë këtë standard të dyfishtë?! Bile, kur kudo, në çdo cep të Shqipërisë, flitet pa pushim për ndryshim të madh, për politikë të qytetarit, për qeverisje të re për qytetarin, në përputhje me interesin e vendimmarrjen e tij!...


* * *


Kritikët e demokracisë së drejtpërdrejtë apo të referendumeve si argument kundërshtues nxjerrin, në radhë të parë, aspektin “populist” të këtyre rrugëve. Sipas këtyre kritikëve votuesit në referendum nuk janë aq të informuar për të marrë vendimin e duhur në çështje të ndërlikuara apo shumë teknike, prandaj dhe mund të manipulohen lehtë nga personalitete të forta, të ndikohen fuqishëm nga ana propagandistike e mediatike etj. Bile, shpesh citohet dhe politikani (ish-presidenti amerikan) Xheims Medison (James Madison), sipas të cilit demokracia e drejtpërdrejtë mund të shfaqet dhe si “tirani e shumicës”. Po ashtu, kundërvënie ideore ndaj referendumeve ngrihen edhe duke pasur parasysh “marifete” të viteve të shkuara, të përdorura prej diktatorëve të tillë, si Hitleri apo Musolini, që shfrytëzuan plebishitet për të fuqizuar politikat e tyre shtypëse nëpërmjet populizmit apo “la Voce del Popolo”. Dhe jo vetëm kaq. Madje, është ende i freskët dhe referendumi i vitit 1978 në Kili, pas protestës së OKB-së ndaj regjimit të Pinoshetit (Pinochet). Në atë kohë, klika ushtarake në qeverisje gjoja pyeti popullin në se e mbështeste këtë lloj qeverisjeje dhe rezultati doli 94-95% pro saj. Një plebishit kushtetues, që preku kushtetutën e vitit 1925, u organizua, po aty, në vitin 1980 dhe përsëri me një votë pro prej 68.5% iu zgjat mandati Pinoshetit deri në vitin 1989. Ndërsa, në vitin 1988, u mbajt një plebishit historik, që me 56% vota pro i dha fund regjimit ushtarak. Një vit më vonë u organizua një referendum tjetër për ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për të kaluar në një qeverisje demokratike (Lavjerrësi kaloi tërësisht në anën tjetër. Vota pro në këtë rast arriti 91%).


Pra, nuk mund të thuhet se nuk ekzistojnë fakte historike, ku është shfrytëzuar plebishiti apo referendumi për të fuqizuar pushtetin e individit, për të shkatërruar demokracinë dhe të ndërtuar diktaturën. Madje, në njëfarë mënyre, një tentativë e tillë ishte dhe ajo e vitit 1994 në Shqipëri, që u hodh poshtë fuqishëm nga populli shqiptar! Por, të mos harrojmë se kjo mund të arrihet, në mungesë të vigjilencës dhe emancipimit qytetar, dhe me rrugë të tjera. P.sh., Putini në Rusi, edhe pse i “luteshin” deri “kundërshtarët opozitarë” që të ndryshonte kushtetutën ruse për të vazhduar “mbretërimin” e tij në Kremlin, ndoqi një rrugë tjetër pushteti. Thjesht për fasadën apo “lukun” e tij. Sepse, nga shumë analiza, rezulton se ai nuk e kishte fare problem që ta ndryshonte kushtetutën brenda një nate në parlament dhe ta miratonte atë pa shqetësim në një referendum popullor!...


Por, përsëri, edhe me këto fakte, është jo vetëm pa kuptim, por dhe parimisht jo demokratike, të deklarohet se referendumi është një ide e gabuar. Pa përjashtuar kushtet shqiptare!...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama