Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dy amendamente që vonuan thirrjen e Kuvendit

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 11 vite më parë

Rexhep Meidani
Dy amendamente që vonuan thirrjen e Kuvendit

Një proces pa vonesa të tjera!

Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, vetë procesi kohor i transferimit të pushtetit politik shpalosi një ngërç tepër serioz. Aq më tepër, në kushtet shqiptare dhe për një ekonomi që ka shfaqur simptoma të brendshme shqetësuese! Po ashtu, kjo periudhë pritjeje u shoqërua, ndërmjet të tjerash, me abuzime jo të pakta, me paradokse e gjenerime të pakuptimta politike, në koncept dhe praktikë, me pasoja në procesin qeverisës. Dhe kjo vlen të korrigjohet sa më shpejt! Nga ana tjetër, pas gati 3 muajsh shpalosje fitoreje, duhet të përshpejtohet procedura kushtetuese e miratimit dhe funksionimit të qeverisë së re (miratimi në mënyrë “honorifike” i Kryeministrit, dekretimi i qeverisë, debati në Kuvend i programit qeverisës, votimi dhe miratimi i kabinetit qeveritar, betimi i anëtarëve të qeverisë para Presidentit, fillimi i detyrës në të gjitha dikasteret). 

Korrigjimi është i domosdoshëm.       

Transferimi politik i pushtetit pas zgjedhjeve rezultoi jo vetëm i stërzgjatur, por edhe me rënie serioze të veprimtarisë administrative, me zvarritje e braktisje të ritmit të punës, të angazhimit publik etj. Po ashtu, janë konstatuar, gjatë kësaj kohe, vendimmarrje arrogante e shqetësuese në nivelin ekzekutiv, në disa raste me shkelje ligjore, me veprime të pamenduara e arbitrare, me elemente të dukshme favorizimi, deri korrupsioni. Dhe, e gjithë kjo, po të analizohet me kujdes, jo vetëm e ka rritur pakënaqësinë dhe perceptimin negativ qytetar të abuzimit qeveritar, por ka lënë dhe do të lërë gjurmët e veta në mbarëvajtjen e veprimtarisë së mëtejshme publike, të vetë procesit qeverisës, të besimit ndaj tij. Aq më keq, që kjo periudhë “lajthitjeje” nuk ka rezultuar dhe aq kohëshkurtër! Prandaj, diçka e tillë duhet eliminuar patjetër në kuadrin tonë kushtetues-ligjor!

Në fakt, në këtë stërzgjatje të tepruar kohore shërbyen pikërisht ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Të paktën, bashkëshoqëruese të atyre “prodhimeve të natës”, duhet të ishin edhe disa kufizime ligjore-kushtetuese të vendimmarrjes ekzekutive në periudhën e pritjes për kryerjen e rotacionit politik. Ndoshta, diçka e ngjashme me kufizimet parlamentare të theksuara qartë në paragrafin 4, të nenit të ndryshuar 65. Siç shihet dhe pak më poshtë, aty theksohet në mënyrë eksplicite se: “Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme”.

Megjithatë, edhe pa ka këto kufizime qeverisëse, një qeverisje standarde etike-morale do të duhej ta vetëkuptonte një gjë të tillë. Por, me sa duket, për të ardhur deri aty kërkohet një pjekuri tjetër e demokracisë shqiptare. Prandaj, në kushte të tilla, si sugjerim i parë mbetet rishikimi dhe korrigjimi i ndryshimeve të vitit 2008, pse jo dhe rikthimi i Kushtetutës në tekstin e origjinës (në tekstin e para këtyre amendamenteve). Ndërsa, po të vendoset që të ruhen këto amendamente për më tej, kufizimi i kuadrit qeverisës në periudhën paszgjedhore bëhet më se i domosdoshëm… 
Një krahasim i drejtpërdrejtë. 

Në variantin fillestar të Kushtetutës, neni 65 dhe 67 formuloheshin si më poshtë:

Neni 65:  1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet. 2. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij. 3. Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Në këtë ndërkohë Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje ose të marrë vendime, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.

Neni 67: 1. Kuvendi i porsazgjedhur thirret në mbledhjen e parë nga Presidenti i Republikës jo më vonë se 20 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve. 2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi duhet të mblidhet vetë brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.


Siç shihet, këto formulime janë shumë më të studiuara, pa ngërçe të panevojshme, me dallime të qarta në planin kohor. Konkretisht, aty, periudha 4-vjeçare e Kuvendit është “numerikisht” e përafërt, e përafruar apo e rrumbullakosur (pra, relative, jo absolute), ndërkohë që afatet e tjera janë tërësisht numerike (absolute). Në atë variant kushtetues, miratimi i qeverisë së re do të ishte realizuar kohë më parë, me thirrjen e Parlamentit të ri menjëherë pas zgjedhjeve, duke shmangur situatën e pakuptimtë verore me “kapardisjen” e një qeverie që i kishte humbur zgjedhjet.
Në fakt, pas amendamenteve kushtetuese të vitit 2008, nenet e cituara më sipër kanë këtë pamje: 


Neni 65 (ndryshuar me ligjin Nr. 9904, datë 21.04.2008): 1. Kuvendi zgjidhet çdo katër vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur. 2. Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. 3. Në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të plotë, zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij. 4. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.
      

Neni 67 (ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008): 1. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. 2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.

Janë pikërisht paragrafi 1 i nenit 65 dhe paragrafi 1 i nenit 67, me formulimet përkatëse: “Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë”, dhe “Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës…”, që kanë mundësuar dhe ligjëruar këtë lloj vonese të pakuptimtë të rotacionit politik, vonesë kjo që, siç shihet nga krahasimi i mësipërm, në formulimet fillestare kushtetuese ishte tërësisht e mënjanuar. Madje, brenda një ngjeshmërie logjike kushtetuese, me një rendiment të dukshëm në paragrafë, në fjalë e germa!…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama