Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Për një zhvendosje drejt orientimit social-demokrat

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 11 vite më parë

Rexhep Meidani
Për një zhvendosje drejt orientimit social-demokrat

Një analizë e gjithanshme është e nevojshme jo vetëm kur humben zgjedhjet por edhe kur fitohen ato është me vlerë  një analizë e mirëfilltë e fitores, një ballafaqim i detajuar i epërsive dhe veprimeve konkrete, programit dhe kandidatëve, forcave përbërëse të koalicionit, organizmit të fushatës dhe tipit të saj etj. Në fakt, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, në vend të një analize të plotë, PD-ja, përveç disa vërejtjeve e kritikave minimale, e mbuloi humbjen me dorëheqje të kryetarit dhe tërheqje të disa figurave kryesore nga gara partiake. Pra, PD-ja u përqendrua, kështu, te fushata partiake dhe zgjedhja e kryetarit të ri duke e lënë analizën, ndoshta, për një kohë tjetër. Kurse koalicioni fitues, sidomos dy partitë kryesore të tij, PS-ja dhe LS-ja, ende të entuziazmuara nga fitorja plebishitare, u morën me hartimin e programit, me ndërtimin dhe prezantimin e ekipit qeverisës, duke e konsideruar të panevojshme analizën e fitores. Ndoshta edhe duke e lënë atë në një kohë tjetër…


Koalicioni parazgjedhor rezultoi i domosdoshëm.


Në zgjedhjet e 23 qershorit koalicioni fitues (brenda klasifikimit shqiptar) mund të konsiderohet si një aleancë politike, përgjithësisht, me anësim të majtë apo të qendrës së majtë. Në periudhën 1997-2001, koalicioni qeverisës, me forcë kryesore PS-në, përmbante edhe formacione të qendrës apo tej saj. Ai nuk ishte numerikisht i nevojshëm, por ishte politikisht i arsyeshëm, madje “dhurohej pushtet për të bërë shtet”. Ky koalicion ishte inkurajues e pozitiv në ato kushte krize të gjithanshme, ku mjaft institucione të shtetit shqiptar ishin shkatërruar e djegur. Drejtues të tyre, duke i braktisur ato institucione, ishin larguar jashtë vendit. Pra, në kushte të tilla, një koalicion i tillë që përfshinte dhe aleanca tej qendrës, ishte më se i domosdoshëm. Krejt ndryshe ishte aleanca paszgjedhore PD-LS në vitet 2009-2013. Ajo nuk përfaqësonte një koalicion natyror. Siç u pa dhe nga rezultati, PS-ja me aleatët e saj, do të rezultonte fituese në ato zgjedhje nëse pjesë e aleancës parazgjedhore të kampit të majtë do të ishte dhe LSI-ja. Në refuzim apo shmangie të këtij koalicioni tërësor në të majtë (konkretisht me paraqitjen në zgjedhje me dy aleanca, rreth PS-së dhe rreth LSI-së) u arrit një rezultat i barabartë midis dy krahëve, gjë që detyroi (mundësoi) qeverisjen gati 4-vjeçare PD-LSI. Ngjarje të ngjashme, me përzierje krahësh janë ndeshur dhe në vende të tjera. Një koalicion i tillë jonatyror ka qenë, p.sh., koalicioni i Unionit Kristian-Demokrat (qendër e djathtë) me Partinë Social-Demokrate (qendër e majtë) në Gjermani, në periudhën 2005-2009. Gabimi i vitit 2009 u korrigjua, u ndërtua një aleancë e plotë në krahun e majtë dhe fitorja nuk vonoi, madje rezultoi plebishitare. 
Një hapje drejt qendrës.


Me gjithë fitoren e arritur, PS-ja, pas dekantimit aktual në kampin e djathtë, duhet të ndërtojë në vazhdimësi një taktikë perspektive, një strategji më të plotë aleancash, një cikël të ri bashkimi forcash politike në të majtë dhe në qendër të majtë. Kërkohet, pra, një hapje tjetër drejt qendrës.


Në të vërtetë, sot, nga pikëpamje e bazimit “ideologjik”, pas zbehjes apo hedhjes poshtë të pikëpamjeve marksiste, janë bërë të papërfillshme diferencat teorike e praktike midis socialistëve dhe centristëve. Po ashtu, nuk janë më bindjet ideologjike të dikurshme, bazike në ndërtimin e një qeverie koalicioni, por janë shifrat elektorale konkrete, është nevoja numerike për një afrim të tillë politik drejt qendrës, në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të qeverisjes. Një gjë e tillë ndeshet aktualisht në mjaft vende të Europës (si Belgjika, Holanda, Italia, Gjermania etj.), ku parti të majta të tipit social-demokrat ndërveprojnë normalisht me qendrën politike. Aq më tepër, që, në këto vende, sistemi politik dhe ai zgjedhor e diktojnë diçka të tillë. P.sh., sistemi proporcional në Itali apo në Izrael i detyrojnë forcat politike të jenë të fragmentuara. Aty koalicionet bëhen të domosdoshme. Kjo po vihet re edhe në Shqipëri me kalimin në sistemin proporcional (rajonal), ku partitë e vogla po rezultojë dhuruese votash, por jo fituese mandatesh. Ndryshe është puna në Angli. Aty, sistemi maxhoritar, përgjithësisht, e imponon një jetë politike bipartizane. Përjashtim bën qeverisja e David Kameronit (Cameron). Kështu, pas zgjedhjeve të vitit 2010, ajo u ndërtua si qeveri koalicioni midis një partie të qendrës së djathtë (Partisë Konservatore) dhe një partie centriste (Partisë Liberal-Demokrate)… 


Por, a ka një qendër  autonome?


Qendrën politike, në mjaft vende, e pretendojnë shpesh parti të vogla. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë edhe në Shqipëri. Por, nisur nga rezultatet, vihet re në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera europiane, njëfarë “dekadence” e qendrës, aq më pak një neutralitet apo autonomi e saj. Nga ana tjetër, gabimisht, si karakteristikë specifike e social-demokracisë konsiderohet aleanca e saj me qendrën. Kjo, edhe pse, në Europë, ka parti social-demokrate që nuk janë në aleancë me qendrën. Madje, në disa raste, ato nuk kanë nevojë për aleanca të tilla në qeverisje. P.sh., në vendet nordike ajo që është mbizotëruese është tradita bipartizane. Kjo gjë, me përjashtim, të rastit të fundit, vlen dhe për Britaninë e Madhe, ku Partia Laburiste ka qeverisur vetëm. Po ashtu, kjo parti lindi si një lëvizje punëtore prej lëvizjes sindikaliste, derisa, pas viteve 1920 ajo u bë kundërshtarja kryesore e Partisë Konservatore. Më tej ajo iu nënshtrua një ndryshimi thelbësor nën udhëheqjen e Toni Blerit (Blair). Sidoqoftë, një parti social-demokrate mbetet një formacion politik i lidhur ngushtë me lëvizjen sindikaliste. Por, kjo kërkon, nga ana e saj, sindikata sa më të unifikuara, që nuk është rasti aktual shqiptar.


PS-ja, nga ana organizative, nuk është një formacion social-demokrat.


Si organizim partiak, PS-ja nuk është një formacion partiak social-demokrat. Ajo e respekton vullnetin sindikalist, pavarësinë e vetë sindikatave prej partive politike. Në këtë pikëpamje, pavarësisht perceptimit aktual, PS-ja nuk mund të konsiderohet si parti e masave. Madje, deri diku, në fillimet e saj këtë sjellje ka shpalosur PD-ja. Pra, që një parti të konsiderohet si parti e masave nevojitet një ndryshim thelbësor në natyrën e marrëdhënieve sindikata – parti. Në një shikim më të thellë, një unifikim social-demokrat i së majtës kërkon dhe një unifikim sa më të plotë të lëvizjes sindikaliste. E thënë ndryshe, e majta shqiptare, nga ana organizative nuk mund të konsiderohet ende social-demokrate (të paktën për një farë kohe), sepse lëvizja sindikaliste, aktualisht, jo vetëm është e shpërndarë, por dhe tepër e vagët, krejt e pafuqishme, me organizim të dobët dhe jo pasqyruese të ndryshimeve ekonomike, me probleme serioze drejtimi, sidomos të korruptimit të tij në rrafshin ekonomik.


PS-ja, nga ana “ideologjike”, është social-demokrate     


Por, PS-ja është ideologjikisht social-demokrate. Ajo mbështetet në dy kolona kryesore: në demokraci dhe në socializëm. Edhe programi elektoral e pasqyroi qartë një gjë të tillë. PS-ja, në radhë të parë, është tepër e lidhur me liritë kryesore, me përmirësimin social të sistemit kapitalist që në hapësirën shqiptare shfaq akoma pamje arkaike. arrogante dhe antagoniste. Pra, kërkohet një ndërhyrje e mëtejshme, më e qartë, më sociale dhe rregulluese e shtetit në ekonomi. Po ashtu, krahas shërbimeve private, kërkohet një përmirësim e fuqizim i shërbimeve publike, një shpërndarje më e mirë e të ardhurave midis punës dhe kapitalit, reformim e përmirësim në thellësi i masave sociale, përkujdesjes shëndetësore, respektimit të plotë të drejtës së punës etj. Pa dyshim, kjo nuk arrihet brenda një nate, por me reforma të njëpasnjëshme, me rregullime legjislative apo akorde zyrtare midis partnerëve socialë. Por, aty qëndron dhe vullneti politik për të plotësuar premtimet elektorale!


Gjithashtu, ndryshe nga propaganda bajate e deritanishme, socialistët shqiptarë ishin ata që morën reforma serioze në ekonomi, duke hedhur poshtë prej kohësh ekonominë e administruar, të planifikuar dhe të centralizuar. Si mbështetëse e gjithanshme e ekonomisë së tregut, PS-ja, në programin e saj politik dhe qeverisës, përpiqet njëkohësisht të mbrojë të punësuarit. Pikërisht, këtu qëndron diferenca midis social-demokracisë dhe liberalizmit. Sipas modelit liberal, sjellja e individit dhe loja e lirë e tregut, nëse jo prosperitetin e gjithsecilit, sigurojnë të paktën një vlerësim adekuat të përpjekjeve individuale dhe një ekuilibër të mundshëm sa më të pranueshëm. E thënë ndryshe, sipas konceptit liberal, pabarazitë dhe padrejtësitë janë një çmim i paevitueshëm për t’u paguar, ndërsa reformat në vetvete si synim kryesor kanë lirinë e ndërhyrjes së aktorëve ekonomikë. Kurse, sipas modelit me aspiratë social-demokrate, tregu është i domosdoshëm, por jo duke pushtuar në mënyrë absurde çdo sferë të veprimtarisë njerëzore. Madje, edhe në fushat kryesore të këtij tregu duhet ruajtur disiplina e kontrolli, natyrisht duke reflektuar modifikimet e njëpasnjëshme në procesin e globalizimit.


Po ashtu, jeta politike dhe civile, sfera e kulturës apo e shëndetit, që lidhen ngushtë me integritetin moral dhe fizik të individit, nuk duhet të dominohen në mënyrë të egër nga mekanizmi i kërkesë-ofertës, nga motive të pastra tregtare. Në të vërtetë, edhe aty ekziston tregu, sepse dhe një vepër arti shitet e negociohet; sondazhet e opinionit publik kërkojnë shpenzim parash, klinikat e laboratorët mjekësorë i faturojnë punët e tyre etj. Por, nisur nga vlera fondamentale njerëzore: dija, kultura, edukimi, shëndeti nuk mund të jenë nën pushtetin ekskluziv të parasë, aq më keq jashtë kontrollit publik. Në këtë kuptim, PS-ja e mbështet në mënyrë të gjithanshme ekonominë e tregut, konkurrencën e lirë dhe të drejtë, por ajo duhet të mbetet thellësisht social-demokrate, pra, kundër një shoqërie tregu, kundër konceptimit mbi botën ku gjithçka është thjesht mall!…


Nuk mjafton “pagëzimi” social-demokrat.


Pra, nuk mjafton një pagëzim social-demokrat, por kërkohet dhe një përshtatje e këtij përafrimi në realitetet e reja të ekonomisë në nivel kombëtar, rajonal e ndërkombëtar. Krahas përkujdesjes, lidhjes së ngushtë me botën punonjëse, qeverisja e majtë duhet të ruajë në përmasën e duhur, pa prekur lirinë e tregut, disiplinimin e kontrollin, rregullimin e ndërhyrjen ekonomike të shtetit në nivel kombëtar, garantimin e një kompromisi social midis shtresimeve të ndryshme për të përmirësuar përkujdesjen sociale dhe për ta përafruar atë me stadin e vendeve të tjera anëtare të BE-së.  Dhe, po ashtu, kërkohet një politikë ekonomike që duhet të “muskëlojë” prodhimin, aparatin e tij, që të zhvillojë dhe fuqizojë më tej ekonominë në ndërlidhje të ngushtë me ekologjinë, në mbrojtje të natyrës dhe në ruajtje të mjedisit.


Në të vërtetë, socializmi demokratik nuk është një ideologji, nuk është një konceptim mbi një botë të fiksuar apo të mbyllur në vetvete. Ai përfaqëson një rrymë të mendimit politik në evolucion, i aftë për të sjellë ndryshimin dhe për ta ushqyer atë, mbi të gjitha në funksion të mirëqeverisjes. Në kushtet e sotme, ai përpiqet të çiftëzojë midis tyre sa më drejt lirinë e solidaritetin, individualizmin e identitetin kolektiv, efektivitetin ekonomik e drejtësinë sociale, iniciativën individuale e rregullimin kolektiv, nevojën për stabilitet e dëshirën për ndryshim. Në këtë kuptim, jo vetëm tek e majta shqiptare, por kudo në botë, derregullimet shoqëruese të globalizimit, prania e dukshme e pabarazive dhe e padrejtësive e bëjnë të domosdoshëm vullnetin për ndryshim, korrigjim, reforma që bashkëshoqërojnë socializmin bashkëkohor, që e frymëzojnë paralelisht humanizmin e universalizmin.


Projekti i një partie (federate) që bashkon të majtën në një orientim më social-demokrat.


Zhvillimet e deritanishme e bëjnë të mundur realizimin e këtij projekti. Sepse kërkohet një dinamikë e re, pra dhe një bashkim më tërësor në të majtë, një unifikim më i qëndrueshëm, pa oscilime. Por, nuk mjafton thjesht bashkimi, shumë i rëndësishëm është dhe realizimi i unitetit brenda tij. Sidoqoftë, në asnjë mënyrë, nuk duhet menduar apo që po bëhet fjalë për një lëvizje populiste rrotull individësh të pompuar në mënyrë mediatike. Përkundrazi! Për të arritur këtu, PS-ja duhet të vazhdojë më tej rrugën e freskimit të radhëve të saj, duke u hapur më me kurajë drejt formacioneve të tjera. Po ashtu, nga pikëpamja organike, PS-ja duhet të zhvillojë debate javore mbi çështje e vendimmarrje me peshë. Madje, gjenerata e re e socialistëve duhet të jetë bërthama e atij rinovimi. Pjesë e këtij debati duhet të jenë jo vetëm qeveria, por dhe asambleja, komisionet partiake e parlamentare. Ndërkohë, për orientime kryesore politike debati duhet të shtrihet deri në nivel kongresi. Vetëm kështu, gradualisht, mund të arrihet në projektin e bashkimit, të ndërtimit të një parti (që i pranon fraksionet e origjinës) apo të një federate me orientim në spektrin e majtë dhe të qendrës së majtë. Një zhvillim i ngjashëm do t’i shërbente dhe krahut politik opozitar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama