Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Miti si model krenarie, sjellje e veprimi

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 11 vite më parë

Rexhep Meidani
Miti si model krenarie, sjellje e veprimi

Para pak ditësh takova në Strugë një mik të vjetër, koleg të Universitetit të Prishtinës me origjinë nga Struga. Më ftoi për kafe. Aty, gjatë bisedës, nisur dhe nga debati i nxehtë i kohëve të fundit në media në pasqyrim të dy konceptimeve të ndryshme (njëri kozmopolit dhe tjetri kombëtar) mbi mitin, ai nuk hezitoi të shpaloste disa mendime mbi ndërtimin, vlerën, rolin dhe ndikimin e mitit në shoqërinë shqiptare. Pikërisht në rreshtat e mëposhtëm do të përpiqem të përmbledh thelbin e asaj ekspozeje (pjesën e përgjithësuar të saj), pa ndalur te ndonjë emër i përveçëm.

Por, ç’është miti?


Shoqëria shqiptare, ashtu si shoqëri të tjera në transformim të shpejtë, ka nevojë për mite, qofshin ato të vjetra  ose të reja.  Janë ata që synojnë të “kalibrojnë” një formë të treguari mbi evolucionin shoqëror, të natyrës e njeriut, një shikim bazik mbi botën, njëfarë historie të transmetuar në breza, një rrënjëzim kulturor të disa aspekteve natyrore dhe praktikave fetare, ndryshimeve kryesore psikologjike e sociale, idealeve të larta njerëzore, modeleve për t’u ndjekur. Me pak fjalë, mitet sendërtojnë besimet e përjetimet tona mbi origjinën, funksionimin e botës e shoqërisë, mjaft tradita historike etj. Burim në ndërtimin e miteve ka qenë edhe “personifikimi” i objekteve jo të gjalla, i forcave të ndryshme natyrore. Nëpërmjet miteve përshkruhen në trajtë alegorike natyra e dukuri të saj, por dhe mjaft koncepte shpirtërore e filozofike. P.sh., miti i Apolonit pasqyron dritën, diellin; ai i Pozeidonit – ujin; ai i Athinasë – gjykimin e mençur, i Afërditës – dashurinë, dëshirën, bukurinë etj. Duke klasifikuar mitet, disa studiues i ndajnë ato në mite: primitive (histori mbi natyrën), pagane (tregime greke e romane në ndërveprimin njeri – perëndi); të shenjta (të lidhura me fetë kryesore), shkencore (të lidhura me krijime shkencore); kurse studiues të tjerë flasin për: mite kozmike (mbi lindjen apo fundin e botës); mite fetare (si portretizime perëndish); mite për heronj të veçantë (si himnizime individësh të tillë, p.sh., Akili); mite që lidhen me vende të caktuara, p.sh., Teba, Kamelot (Camelot) etj… 


Miti shpesh identifikohet me legjendën (që nuk ka përmbajtje fetare e mbinatyrore, që i mëshon historisë më shumë se kuptimit ose vlerave filozofike e morale); me folklorin (që ka të bëjë më shpesh me ngjarje fiktive me shtrirje të kufizuar gjeografike); me fabulën (që për mishërimin e një morali, si te fabulat e Ezopit, përfshin deri të folurën e kafshëve). Së fundi, krahas miteve më universale, ndërtohen edhe mite të tjera që mishërojnë veprimtarinë tonë ditore, dashuritë e kënaqësitë, xhelozitë e urrejtjet, inatet e ambicien, intrigat e përplasjet, grindjet e betejat tona. Ata, gradualisht, mund të bëhen pjesë e “ushqimit” dhe shoqërizimit tonë!


Miti, legjenda e rrëfenja


Miti i jep vlerë një sistemi fetar, praktikave të kultit, leximit njerëzor të dukurive natyrore, shkallëzimit episodik historik, evolucionit shoqëror etj. Në një farë mënyre, ai mund të konsiderohet si “ideologji” e treguar, një transmetim popullor brez pas brezi (pra dhe i përpunuar i ngjarjeve historike), një personifikim alegorik i një dukurie njerëzore e natyrore, një tipizim perëndie ose heroi mbinatyror, një shpjegim rituali (Në fakt, njeriu primitiv besonte në magji por, me humbjen e besimit ndaj tyre, ai shpiku mitin mbi perëndinë dhe ritualet e mëparshme të magjisë u shndërruan në rituale fetare, kurse mitet u shpikën për ruajtjen e tyre). Vetë miti si një transmetim i idealizuar përvojash, ndihmon në ndërtimin e një modeli veprimi dhe sjellje. I ndeshur në dy pamje të ndryshme – si histori tradicionale apo si diçka imagjinare – ai lidhet ngushtë me legjendën e rrëfenjën popullore. Veçse, ndryshe nga miti, rrëfenja nuk ka përkatësi konkrete vendi e kohe, madje në shoqëritë që e tregojnë atë ajo nuk konsiderohet as e vërtetë, as e shenjtë.  Kurse legjenda, njëlloj si miti, konsiderohet si histori e vërtetë, edhe pse shumë më e hershme. Ajo mishëron më tepër veçori njerëzore, ndryshe nga tipizimi mitik që është më tepër mbinjerëzor. P.sh., kur një mit e humb “statusin” fetar dhe merr pamjen e një rrëfenje, karakteret më parë të shenjta shndërrohen në gjigantë, në zana, në heronj me pamje njerëzore. Në shumë kultura është e vështirë vendosja e një vije ndarëse midis mitit e legjendës, deri duke bërë një klasifikim më të thjeshtë: në rrëfenjat popullore dhe në kombinimin mit-legjendë. Po ashtu, një histori (e parë si mit) e konsideruar si e vërtetë në një bashkësi, në një bashkësi tjetër ajo mund të  vlerësohet fiktive (si rrëfenjë). Kjo dhe për arsyen e thjeshtë se mitet, si tregime me origjinë në ngjarje reale, në transmetimin oral të tyre e deformojnë, e zbukurojnë të vërtetën, deri duke u dhënë disa figurave njerëzore “statusin e perëndisë”…   


Mitet garantojnë stabilitet e vazhdueshmëri në kulturë       


Mitet garantojnë stabilitet e vazhdueshmëri në një kulturë. Ata farkëtojnë vlera e kohezion, gjenerojnë lidhje e perspektiva. Nëpërmjet tyre ne bashkohemi me njëri-tjetrin, me historinë tonë dhe të parët tanë, me natyrën që na rrethon, me bashkësinë e shoqërinë ku jetojmë. Kurse mitet me tematikë dhe arketipa më universalë na kontaktojnë me kultura të tjera, mundësojnë ndërveprimin midis tyre. Prandaj, mitet justifikojnë dhe mjaft veprimtari kulturore. Ato sendërtojnë edhe linja orientuese në jetë, krijojnë modele. Kështu, jo vetëm fëmijët ndërtojnë heronjtë e tyre apo karaktere arketip si p.sh. supermeni, por dhe të rriturit, në mite, gjejnë prototipat ose modelet e tyre mbi vendosmërinë, kurajën, gatishmërinë etj. Nuk është e rastit që mite antike, duke u përjetësuar në kulturën tonë apo në ndërveprimin e saj me kultura të tjera (p.sh. atë greke) mishërohen edhe në shprehje të tilla si: kutia e Pandorës, kompleksi i Edipit etj. Pra, kur një mit bën fjalë për veprimtarinë apo sjelljen e Zotit (ose të superheroit) përmbajtja morale e këtij miti sendërton edhe pritshmërinë shoqërore për një veprimtari apo sjellje të ngjashme, deri duke ndërtuar standarde konkrete, që duhen respektuar në shoqëri. Pra, një nga funksionet e mitit është ndërtimi i një modeli sjelljeje. E thënë ndryshe, miti jo vetëm pasqyron disa situata arketip, por dhe mishëron opsione konkrete, që sugjerohen të përzgjidhen në ato situata. Të rëndësishme janë perceptimet, vlerësimet dhe nderimet e duhura, përfshirë dhe pasojat konkrete të lidhura me këto përzgjedhje. Mbi të gjitha, nëpërmjet një autoriteti të krijuar dhe transmetuar në breza, mite të caktuara, së bashku me karakteret bashkëshoqëruese, krijojnë e ndërtojnë zakone, rituale, rregulla, struktura sociale, hierarki fuqie, pretendime ose synime territoriale, krijime arti, deri dhe ngjarje të veçanta e festa, forma konkrete në gjueti, luftë etj.


Mitet i japin kuptim jetës duke e parë individin në një ndërveprim dinamik me qeniet e tjera, madje, në raste të veçanta, duke i “lexuar” veprimet tona brenda skemave mbinatyrore ose hyjnore. Kështu p.sh., një individ në vështirësi bëhet supersticioz, madje në rastin e ndonjë sëmundjeje të rëndë, aksidenti etj., e konsideron atë si pasojë të një magjie, syrit të lig apo fuqisë së djallit, dhe jo si pakujdesi, mungesë përkujdesjeje shëndetësore, mosrespektim rregullash etj.


Mitet, po ashtu, janë metaforike, madje, në disa raste, vlera e tyre nuk lidhet patjetër me saktësinë historike e shkencore, por me atë metaforike. Edhe mitet kulturore janë shpesh pjesë e kulturës, të pasioneve, ëndrrave e vizioneve tona. Si arketipa me forcë universale ato shfaqin ndikimin e tyre në formësimin tonë. Po ashtu, në mungesë të një shpjegimi shkencor, mitet tentojnë të shpjegojnë të pashpjegueshmen, të ndërtojnë mistere për fatin përtej vdekjes, të krijojnë arsye për kriza e mrekulli apo gjëegjëza të tjera. Ata kënaqin, kështu, nevojën tonë për të kuptuar botën. Natyrisht, në shkencën e sotme, ofertat shkencore, si p.sh. teoria e Big Bang-ut, teoria e evolucionit, i pakësojnë mundësitë për të ndërtuar mite të ngjashme me ato të dikurshmet. Nga ana tjetër, edhe shkenca gjeneron mitet e veta. Pra, edhe në botën e sotme tentohet të krijohen mite, sepse pa mite bota bëhet e pakuptimtë, e largët, e huaj, e shpëlarë, me një ndriçim të ftohtë. I tillë është sot miti i Nënë Terezës si një shenjtëri e bamirësisë, ai i Albert Ajnshtajnit (A. Einstein) si perëndi e intelektit dhe imagjinatës, ai i Bill Geit (Bill Gate) si zot i internetit etj. Edhe media luan rolin e saj në zgjerimin e proporcionit mitik për disa individë.

Mitet janë të nevojshme në çdo bashkësi.


Nuk mund të mohohet se mitologjia është e pranishme në çdo bashkësi (familje, klub social e profesion, kulturë e nënkulturë, organizim fetar, grup etnik e nacional etj.). Ajo ndryshon me ndryshimet kulturore, nga një gjeneratë në tjetrën, nga një administratë në tjetrën, nga një dekadë në tjetrën. Pra, me ndërgjegje ose pa ndërgjegje, ne krijojmë mitet tona, ndërtojmë modelet, heronjtë e perënditë tona. Sidomos në situata ndryshimesh të thella, çdo bashkësi ka nevojë që të projektojë dhe propagandojë arketipin e heroit, t’i bëjë më frymëzuese e romantike pengesat dhe sakrificat, të tipizojë ngjarje të rëndësishme – kapitale për këto ndryshime. Mite të këtij lloji janë krijuar, p.sh., në ndërtimin e SHBA-ve apo për rolin e Uashingtonit (George Washington) si themelues dhe President i parë i SHBA-ve, në çlirimin e Francës nga ushtria naziste dhe për gjeneral De Golin (Charles de Gaulle), në çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për mitin e Adem Jasharit si një nga arkitektët e UÇK-së, të sakrificës së tij sublime, individuale e familjare etj…


Kundër këtij mitizimi historik, në një shtrat tejet kozmopolit, diku anarkik e diku liberal-demokratik, ndeshen edhe dy patologji. Njëra është ajo e të hedhurit poshtë apo të interpretuarit pseudo-shkencor të mitit (jo rrallë edhe me nuanca fyese), dhe tjetra e tejdeformimit apo të interpretuarit të skajshëm politik të tij (jo rrallë edhe për të krijuar avantazh të një grupi brenda shoqërisë, apo të një shoqërie brenda një grupi kombesh). Në fakt, edhe mitet e kohës sonë duhen vlerësuar përtej këtyre patologjive, duke i shërbyer historisë, shpjegimit të ngjarjeve, dhe jo interpretimeve individuale dhe, mbi të gjitha, duke i dhënë përmbajtje, pse jo dhe shpirt, botës rrethuese në të cilën jetojnë. Madje, me këtë sy, ato duhet të shihen më shumë si të vërteta morale e piedestale simbolike, sesa ligjshmëri e fakte aktuale të historisë. Prandaj, vlen të mbështeten, të amplifikohen, të propagandohen, të jenë pjesë e emisioneve televizive, e kinemasë, teatrit, lojërave elektronike etj. Sepse, në kushtet e sotme, ndryshe nga tradita e dikurshme orale e transmetimit të mitit në hapësira të vogla, transferimi i tij sot duhet të kapë audienca gjithnjë e më të gjera. Në këtë mënyrë, jashtë përfitimit kohëshkurtër politik, çdo mit bëhet, gradualisht, pjesë e bashkësisë, e kulturës së saj; një shprehje konkrete e qëllimeve të asaj shoqërie, projeksionit dhe ambicieve, ëndrrave, evolucionin konkret, preokupimeve kryesore, optimizmit, ngërçit apo frikës etj. Nëpërmjet tij sendërtohet një pjesë tjetër e jetës dhe historisë së kësaj bashkësie të veçantë, duke ndihmuar në kohezionin kolektiv të saj. Parë me këtë sy, a nuk duhen mbështetur mitet e reja në bashkësi apo organizime të sapondërtuara, siç është p.sh. shteti i Kosovës? Pa dyshim që po!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama