Fëmijët dhe lajmet televizive

Fëmijët dhe lajmet televizive
 
Si e konstruktojnë fëmijët shprehjen solidaritet, në ç’mënyrë e identifikojnë ata veten e tyre me situatën e viktimës, kur fillojnë fëmijët të kuptojnë se një fotografi është “realitet” e tjetra “fantazi”. Janë këto disa nga pyetjet që dikush nga shtresa e intelektualëve tanë duhet t’u përgjigjet.
 
Te ne njohuritë pedagogjike për lajmin në TV janë relativisht të varfra. Në anën tjetër, ne shohim se si lajmet “e këqija” dhe ”të forta” po marrin kreun e vendit në media. Lufta mbi terrorin, vjedhjet e armatosura, katastrofat e natyrës, vrasjet për motive të dobëta etj. janë ndodhi me të cilat fëmijët dhe të rinjtë përballen çdo ditë. Transmetuesit e lajmit shqiptar emetojnë fotografi të tmerrshme dhe rrëqethëse.
Po, fotografia e lajmit televiziv është ”e fortë”, ka ndryshuar? Në këtë luftë komerciale për të përfituar gjithnjë e më shumë shikues, televizioni parapëlqen elemente të shpejta apo efekte të fuqishme dhe ndikuese. Kjo bën që fotografia e lajmit televiziv të jetë e karakterizuar nga dhuna, nga shpejtësia, nga emocionet dhe nga sensacioni. Jo rrallë, fëmija përdoret si rekuizitë e lajmit. Pamje të fëmijëve të uritur dhe duke qarë përdoren si ilustrim për shqetësimin, vuajtjen dhe tragjedinë e një shoqërie. Për lajmin televiziv fëmijët konsiderohen si viktimat më të çmuara për të zgjuar emocion e patos te shikuesi.
 
Shtrohet pyetja: Si e përjetojnë fëmijët dhunën autentike përmes lajmit televiziv? Çfarë fotografie ndërtojnë fëmijët dhe nxënësit për botën nga lajmi televiziv?         
 
Fëmijët nuk kanë mundësi të përballojnë kufirin mes fantazisë dhe realitetit.
 
Shumë hulumtues të mediave paralajmërojnë se do këtë pasoja negative për fëmijët në qoftë se as shkolla dhe as prindërit nuk kanë njohuri e aftësi të mjaftueshme për t’ua sqaruar fëmijëve fenomenin “lajm” dhe ndërtimin e tij.
 
Frika, injorimi, mërzia dhe depresioni janë përgjigje e zakonshme ndaj lajmit me fotografi ”të forta”. Shumë hulumtues këshillojnë gjithashtu se fotografitë “e forta”, të paraqitura në lajmet televizive, mund të reflektojnë te të rinjtë një bindje të pashpresë e të mbrapshtë të botës dhe të shoqërisë ku ata jetojnë. Po ashtu, afërsia gjeografike e dhunës përfton një reagim mjaft negativ te fëmijët. Këta e ndiejnë veten të pasigurt, sepse dhuna përjetohet si diçka që ndodh në afërsi dhe se herën tjetër kjo e keqe mund të përsëritet edhe ndaj tyre. Sipas hulumtuesit norvegjez Raundalen, të rinjtë në këtë mënyrë e përjetojnë ardhmëninë si kërcënuese dhe problematike. Dhe kjo në saje të lajmit që transmetohet nga TV-ja
 
Kriminaliteti në media

Se si ne e përjetojmë dhe e perceptojmë dhunën, kjo kryekëput "përcaktohet" nga mediat. Emisionet e lajmeve radiotelevizive dhe ato të emisioneve të "zakonshme" u paraqesin  dhe u ofrojnë pranueseve një laramani shumëdimensionale të akteve të dhunës, të agresivitetit dhe të fushëbetejave të përgjakshme të luftës, ku, jo rrallë, mungon pamja e përgjithshme, më e thellë dhe e logjikshme mbi shkaqet dhe pasojat e zhvillimit të kësaj dhune dhe agresiviteti. Ndodh të transmetohen vazhdimisht fotografi, shënime reportazhi e emisione televizive, pa ndonjë lidhshmëri logjike e shkencore, duke "bërë hope" sa nga aktiviteti dhe "syri" politik e deri te ndodhitë më të reja sportive. Njerëzimi, telashet, peripecitë për sigurimin e kafshatës së bukës dhe humania ofrohen megjithatë shumë sipërfaqësisht.


Prezantimi i kriminalitetit në televizion

1. Në emisionet, me përmbajtje të gjatë minutazhi (si p.sh. emisionet e lajmeve, reportazheve dhe filmit), raporti mbi vrasësit do të bëhet ekskluzivisht vetëm nga pikëvështrimi dhe ambienti policor, ndërsa në programet me një kohë të shkurtër emetimet do të jenë nga perspektiva e dorasit.
 
2. Televizioni, me përmbajtje të gjatë minutazhi, në të shumtën e rasteve i ofron pranuesit lajme dhe reportazhe spektakulare dhe frikëprodhuese, të cilat pa dyshim dhe "detyrimisht” do të prodhojnë dhunë dhe ngatërresa. Kriminaliteti "i butë", si thyerja e banesave, vjedhja e pasurisë private dhe deliktet në komunikacion paraqiten pak, të mos themi aspak, në emisionet miniminutëshe.

3. Programi dominues transmeton dhe paraqet delikuentët si shumë agresivë, vrasës, kërcënues dhe të rrezikshëm. Kështu, personaliteti dhe statusi social i delinkuentit vlerësohet qëllimisht dhe fuqimisht me sy negativ. Programi minor rrëfen për rrethanat sociale të delinkuentit, por vetëm sipërfaqësisht.

4. Në programin, me përmbajtje të gjatë minutazhi, kriminaliteti paraqitet si problem personal dhe jo si problem social. Pra, lë të kuptohet se delikuentët janë të lindur si hajna, vrasës dhe kriminelë, sepse "diçka nuk është në rregull" me personalitetin e tij. Emisioni minor, ndërkaq, në mënyrë jo të kënaqshme dhe përshpejtësisht, paraqet situatën dhe kushtet e tij jetësore, si papunësinë, jetën e çrregulluar familjare etj.  Institucionet pedagogjike e sociale, të cilat kanë qenë në "kontakt" me delinkuentin, nuk paraqiten në TV.
 
Po për fëmiun shqiptar a mendon ndokush, nëse ky frigohet e tmerrohet nga lajmet e "forta" e agresive të RTK-së e të TVSH-së?

- Le të kërkojmë falje, të turpërohemi e le të qajmë për këta fëmijë; Ne nuk patëm forcë, mundësi e ndoshta edhe as guxim të ndalim këtë krim mediatik. Sepse ishin dhe janë pikërisht gazetarucët partiak e “qobanët e PARTISË, UNMIK-ut dhe të EULEX-it”, ata që i helmuan dhe kontaminuan, me lajmet e “këqija”, “e të pista”, trurin e njomë e të padjallëzuar të fëmijëve e të rinisë sonë.

- Na falni se u vodhëm fëmijërinë!
- Na falni se u friguam ardhmërinë!

- Unë turpërohem për nivelin e çoroditur të gazetarisë “sonë”, e pranoj!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama