Për një republikë të re parlamentare

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 7 vite më parë

Rexhep Meidani
Për një republikë të re parlamentare

Të ndryshohet mënyra e bërjes politikë


Para pak ditësh, një mik i afërt më shtroi pyetjet e mëposhtme: A nuk duhet të jetë më parlamentare Republika jonë? A mund të vazhdohet më tej me republikën aktuale tepër kancelarike?!…

Përpara se të rreshtoj disa mendime personale mbi… këto pyetje, dëshiroj të prek edhe disa çështje me përmbajtje të ngjashme. Në gjykimin tim, në radhë të parë, duhet të thyhet “vazoja” e mbyllur e bërjes politikë. Mbi të gjitha, kërkohet debat publik i gjithanshëm në trajtimin e problemeve bazike të shoqërisë. Pra, kërkohet një raport tjetër më intim i politikës me qytetarin. E thënë ndryshe, partia politike ose koalicioni partiak nuk duhet kthehet në një makinë elektorale, as thjesht në një grup militantësh fanatikë e mbështetësish elektoralë, por duhet të shndërrohet në një aktor të rëndësishëm të hapësirës publike, në një pikë emancipimi në favor të demokratizimit kolektiv, pse jo dhe çlirimit individual në ushtrimin e lirisë së përbashkët. Vetëm kështu partia politike bëhet një hapësirë e çmuar, besnike e shpirtit të barazisë, dritare e depërtimit, thithjes dhe shpërhapjes së inteligjencës së shoqërisë. Po ashtu, një parti e emancipuar, që kërkon të demokratizojë qeverisjen e vendit, nuk mund dhe as duhet të konfiskojë vendimmarrjen politike, por ajo duhet të dijë të nxisë dhe gjallërojë debatin politik paraprirës.


Kjo pritet dhe nga PS-ja, nisur nga deklarimet paraprake programore. Këtë ndryshim thelbësor pret edhe qytetari shqiptar. Madje, që në ditët e para të nisjes së qeverisjes së majtë, ky ndryshim nuk duhet të jetë flakë kashte, por një shkëndijë emocionuese larg refleksioneve të nxehta paraelektorale dhe elektorale. Po ashtu, pritshmëria mbetet e madhe në realizimin e masave urgjente sociale, sidomos të atyre që lidhen me punësimin, asistencën sociale, pensionet, pagat, strehimin, edukimin, shëndetin, mjedisin etj. E thënë ndryshe, ajo që kërkohet nga qeverisja e re është mishërimi i parimit social “l’humain d’abord”, kalimi i qetë nga ultra-liberalizmi në social-liberalizëm, në një alternativë sociale e ekologjike, në një ndryshim afatgjatë socio-ekologjik.
      

Natyrisht, do të ndeshen jo pak vështirësi që në ditët e para të qeverisjes së re. Bile, mjetet fillestare demokratike e financiare për të prerë fijet mafioze të klanit politik dhe biznesit, të “aksionarëve” politikë dhe ekonomikë (që kanë bërë shiun e diellin gjatë këtyre viteve të fundit), do të jenë fillimisht të pakta. Për ta bërë më dinamik një veprim të tillë kërkohet një penetrim qytetar, duhen krijuar hapësirat e duhura sociale e popullore për t’u vendosur mbi forcat e parasë. Po ashtu, kërkohet një ndryshim thelbësor në teknologji, metoda e rezultate në ushtrimin e fuqisë, përndryshe koalicioni i majtë, po të ruajë të njëjtin stil qeverisës, do të mbetet një i burgosur i logjikës aktuale, një shërbëtor dhe ushqyes i modelit kryeministror të personalizuar. Përkundrazi, kërkohet një kalim i shpejtë dhe i mençur nga koncepti individual tek ai kolektiv dhe, mbi të gjitha, pa harruar se masat e rrepta ekonomike mund të provokojnë më tej recesion e zbythje sociale. Nga ana tjetër, kërkohet një politikë më elastike, që u duhet imponuar bankave në lidhje me kreditimin. Vetëm kështu mund të nxiten investimet, sidomos ato në fushën e prodhimit, pa neglizhuar kërkesat bashkëkohore në mbrojtje të mjedisit.

Kërkohet, po ashtu, një reformë e gjithanshme e kontrollit mbi paranë publike. Kjo bëhet e domosdoshme në fushën fiskale për të shmangur abuzimin dhe për të rritur efektivitetin, përfshirë këtu transparencën ndaj tenderimit dhe prokurimit, sidomos ndaj përfituesve të këtij kapitali publik. Por, pa mobilizim popullor, pa ndërgjegjësim, pa pjesëmarrje e ndërhyrje popullore, pa fuqizim të drejtpërdrejtë të qytetarit nuk mund të ketë rilindje apo ndryshim të shpejtë. Prandaj, kërkohen zgjidhje të guximshme dhe, mbi të gjitha, të krijohet një “vend për qytetarin”, një dalje e tij nga hija në dritë, një shndërrim i tij nga votë elektorale në një materie për t’u qeverisur dhe për të qeverisur.

Veçanërisht kjo për trajtimin, kontrollin dhe auditimin e fondeve publike!…Po ashtu, syri i drejtpërdrejtë duhet hedhur edhe mbi shpenzimet ose paranë e ndërmarrjeve. P.sh., auditimi social bëhet tepër i dobishëm në kontrollin e kushteve të punës, kohës së saj, pagesës, lejeve, pensionimit, etj. Duhet organizuar më shpejt informimi, sidomos në identifikimin e pengesave, propozimeve për zgjidhje, në nxitjen e një imagjinate kolektive administrimi, mobilizimi e krijimi, në funksion të ecjes përpara në bazë të një konvergjence të mjaftueshme qytetare, të angazhimit të ndërgjegjshëm rreth objektivave thelbësorë të ndryshimit. Çështje tjetër është dhe krijimi i besimit të ndërsjellë qeverisës – i qeverisur, sidomos në konsiderimin e grupeve të interesit apo në ndërtimin e “atelieve” legjislative për hartimin e ligjeve më adekuate për edukimin, shëndetin, ekologjinë etj…


Jo më “monarki” kryeministrore

 


Një çështje bazike është kapërcimi i krizës aktuale dhe reduktimi i borxhit publik në një kornizë humanizmi e drejtësie, madje duke e bërë transparente pjesën e mbuluar ose të fshehtë të tij! Veçse ky reduktim nuk mund të arrihet me masa permanente shtrëngese, as me “hakmarrje” sociale. Në të vërtetë, graviteti i krizës ekonomike në Shqipëri, niveli i ulët i masave me përmbajtje sociale, sidomos atyre shëndetësore, abuzimi ose mospërfillja e masave bazë në mbrojtje të bio-mjedisit etj., imponojnë një reformim radikal të institucioneve politike, një raport krejt të ri në binomin qeveritar – qytetar. Në radhë të parë kërkon një transformim të thellë modeli aktual kryeministror, praktikisht i profilizuar në mënyrë monarkike. Është ky personifikim (apo “personalizim”) kryeministror që ka eklipsuar, vitet e fundit, rolin e Kuvendit në një republikë parlamentare si kjo e jona.

Për më tepër, në një mënyrë apo tjetrën një personifikim i tillë, në shumicën e rasteve (përfshirë dhe modelin fillestar presidencial) është bërë pika kulmore e autokracisë, tensionit publik dhe përplasjes sociale, e vetë politizimit kombëtar. Pra, një problem më vete është se si të shmanget kjo “monarki” kryeministrore (fillimisht me pamje presidenciale) dhe të kalohet hap pas hapi te përfaqësimi real parlamentar. Aq më tepër që në vitet e fundit është përjetuar një modë qeverisje jo vetëm arrogante, por dhe tepër e ultra-centralizuar.

Ndërkohë, në mënyrë graduale, Parlamenti dhe institucionet e tjera të shtetit janë vendosur në radhë, nën një komandë partiake individuale, në vend që të nxitnin debatin, të gjallëronin procesin demokratik, të zbatonin detyrën kushtetuese me ndërgjegjshmëri ligjore e qytetare. Ky model paradoksal, tepër shqetësues, duhet eliminuar. Në një shoqëri demokratike, aq më shumë në një republikë parlamentare, ushtrimi i pushtetit ka nevojë për mendjen dhe inteligjencën kolektive të qytetarëve, dhe jo një përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme. Aq më keq që një qeverisje e tillë gati-gati monarkike e fokuson gjithë vëmendjen, energjinë, “servilizmin” te një njeri i vetëm, duke prekur në thelb shpirtin e Kushtetutës, parimet bazë të funksionimit të shtetit demokratik me një strukturë bazë atë parlamentare. Pikërisht, ky model i gabuar, në Shqipëri, i ka hapur portën një qeverisje të personalizuar, të ekspozuar qartë në këto dy mandate qeverisjeje, me një tejkalim të pragut kushtetues në degën ekzekutive, por dhe komandimit në hije të pushtetit në dy degët e tjera: legjislative dhe gjyqësore.

 

Tri fronte të veprimit politik e qytetar.


A nuk duhet të përmbyset një prirje e tillë? A nuk duhet të kalohet, më së fundi, në një logjikë të qartë kushtetuese e institucionale, në një qeverisje standarde parlamentare, në një Kuvend me iniciativa konkrete ligjore, me një zë të vetin të çdo deputeti në shërbim të interesit të qytetarit? Aq më tepër që ky lloj “hiper-kancelarizimi” i ushtruar nuk i pasqyron interesat e qytetarëve, nuk e ushqen dot debatin mediatik e qytetar (I tillë ishte dhe mbetet, p.sh., ai për importin e plehrave). Sidoqoftë, në këtë betejë politike – publike për pjesëmarrjen qytetare duhen dimensionuar tri fronte kryesore: 1. Fronti i reformimit të institucioneve kryesore, në radhë të parë shkëputja nga tutela kryeministrore në republikën tonë parlamentare (Në këtë drejtim, kantieret e investimit janë të shumtë, si: kontrolli apo reduktimi i fuqisë së Kryeministrit; rivlerësimi i fuqisë së Parlamentit; demokratizimi i sistemit proporcional me korrigjim kombëtar dhe lista të personalizuara për të pasqyruar larminë politike, etnike, barazinë gjinore etj.; fuqizimi i iniciativave ligjore nëpërmjet mobilizimit të grupeve të interesit, vetë qytetarëve, deri në përdorimin demokratik të referendumeve për çështje të ndryshme me interes popullor). 2. Fronti i demokracisë sociale në nivel qarku, qyteti, komune apo njësi të tjera publike e private, mbi të gjitha për realizimin e shërbimeve publike bazë (Në këtë front duhet të marrë një përmasë të re liria sindikale, sidomos për të mos lejuar ose shmangur abuzimin dhe shfrytëzimin – kancer ky që e gërryen demokracinë tonë të brishtë). 3. Fronti i tretë është më transversal. Ai ka të bëjë me mbështetjen, me favorizimin e pjesëmarrjes popullore, me reagimin qytetar (Për këtë qellim kërkohen masa të shpejta për të rritur ekspertizën nëpërmjet trajnimeve e formacionit të vazhduar, shkëmbimit të njohurive, reduktimit të disnivelit në shkallën e informimit dhe kualifikimit të qytetarëve. Pjesë e kësaj ndjeshmërie duhet të jetë dhe vigjilenca qytetare ndaj prirjeve individuale e kolektive për centralizim fuqie, siç ishte në vitet e fundit hiper-përqendrimi i pushtetit në duart e Kryeministrit në cenim të thelbit të demokracisë. Aq më tepër që me kalimin e kohës, me rënien e rezistencës kushtetuese, pushtetet e tjera iu nënshtruan vullneti të “monarkut”, pushtetit të tij. Madje, gradualisht, ky lloj pushteti krijoi trysninë, ndrydhjen jo vetëm në botën ekonomike e financiare, por dhe atë kulturore e akademike.


Politika ka nevojë për oksigjenin e shoqërisë


      

Përpunimi i propozimeve në funksion të mirëqeverisjes, i iniciativave ligjore, zgjedhja e kandidaturave, kontrolli i të zgjedhurve etj., luajnë një rol kardinal në thellimin e procesit demokratik. Nga ana tjetër, koncepti i mbipërqendrimit kryeministror të pushtetit ka lënë dhe vazhdon të lërë gjurmët e tij në jetën partiake shqiptare. Prandaj, një hap i rëndësishëm në reformën institucionale është dhe “konfiskimi” i kësaj fuqie, normalizim i këtij pushteti! Po ashtu, pasqyrë e këtij koncepti është dhe vetë procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike (i ndeshur më parë edhe në PS). Aty, në vend të futjes në lëvizje të një numri të madh kandidatësh për të rritur hapësirat demokratike të përzgjedhjes në raundin e parë, për të vazhduar me dy kandidatët më të votuar në raundin e dytë apo në balotazh, votimi ndalohet që në fillim ose te një kandidat i vetëm, ose te dy kandidatë. Në të vërtetë, konkurrimi me një numër shumë më të madh kandidatësh i jep një goditje diku të tërthortë, diku të drejtpërdrejtë karakterit monarkik të pushtetit partiak, duke i dhënë oksigjen anëtarësisë së partisë. Në përgjithësi e tillë ka vlerë të veçantë edhe në emërimin apo kontrollin parlamentar. Po ashtu, për këtë oksigjen shoqëror kemi nevojë edhe në intervalin kohor midis dy proceseve zgjedhore. Me këtë oksigjen duhet të lidhet debati politik dhe reagimi qytetar në funksion të interesit publik, paritetit, shtimit të radhëve me të rinj etj. Procesi i fundit është i domosdoshëm pikërisht në sajë të ritmit jetësor të të rinjve, dhe mbi të gjitha shfrytëzimit të kanaleve moderne të komunikimit, mbi të gjitha rrjeteve sociale. E parë me këtë sy, dominimi individual në gjirin e partisë e cenon thelbin e procesit demokratik, vetë betejën politike; por ai pasqyrohet më tej, pas zgjedhjeve, edhe në tipin e qeverisjes…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama