Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Win-win apo win-twin

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 17 vite më parë

Andrea Stefani
Win-win apo win-twin

Një nga synimet më të këqija të reformës zgjedhore të kryer sipas sistemit spanjoll dhe me "konsensusin" e vetëm dy të mëdhenjve PD-PS, është shfarosja e florës pluraliste. Rreth 18 vjet pasi shqiptarët panë te shpallja e pluralizmit politik shenjën e parë të lirisë dhe demokracisë, kanë dalë forca dhe politikanë që e shohin pluralizmin si një e keqe që duhet krasitur "për të mirën e demokracisë dhe stabilitetit". Pas kësaj bëhet gjithnjë e më të vështirë jo vetëm mbijetesa e partive më të vogla, por edhe lindja e partive të reja bartëse të mundshme të një frymëzimeve dhe politikave të reja. Dhe pikërisht këtë reformë që shfaros të vegjlit dhe fuqizon edhe më të mëdhenjtë e politikës, mbështetësit e saj këmbëngulin ta klasifikojnë si të tipit Win-Win (shqiptohet Uin-Uin) dhe që do të thotë se nëpërmjet saj, të gjitha palët dalin të fituara. Një gjë të tillë pretendonte edhe Kastriot Islami (me sa duket kryementari socialist i kësaj reforme) në artikullin e tij të djeshëm me titull "Uin-Uin".

Me këtë artikull cinizmi ka arritur përkryerjen e vet. Sepse është evidente protesta e partive më të vogla kundër kësaj reforme të imponuar nga të mëdhenjtë dhe që i dëmton dukshëm interesat e tyre, duke shkatërruar mbi të gjitha barazinë e votës në shumë zona. Por Islami bën sikur nuk i dëgjon këto protesta ndërsa orvatet t‘u shpjegojë qetësisht humbësve të vegjël, se edhe ata kanë dalë të fituar! Reforma zgjedhore ofron fitore për të gjithë, është e tipit Win-Win (fitore-fitore) - këmbëngul Islami. Por ky pohim nuk flet për asgjë më shumë, veçse për faktin e hidhur se dy të mëdhenjtë e politikës dhe kokat e tyre, i kanë fshirë nga lista partitë e vogla qysh sot, pra ende pa u parë në praktikë efektet e reformës spanjolle që pritet të veprojë mbi partitë e vogla më keq se gripi vdekjeprurës spanjoll. Duket se që sot Islami i sheh partitë e vogla të vdekura dhe prandaj shkruan e thotë se me reformën zgjedhore fitojnë të gjithë. Sepse me zbatimin e saj, "të gjithë" mund të jenë vetëm PS dhe PD. Të humbur nuk do të ketë sepse, pas fitores së dy të mëdhenjve, për të vegjlit nuk do të ketë më vend në botën e politikës. Ata nuk do të jenë më.


***

Për historinë e Shqipërisë është tipike që fitimtari u imponon humbësve edhe gëzimin e fitores. Fitimtari gjithnjë i ka marrë të gjitha, por ndërkaq e ka detyruar humbësin të duartrokasë fitoren e fitimtarit pra, humbjen e vet. Historikisht, fitimtarët në Shqipëri kanë vuajtur nga ankthi demagogjik për ta paraqitur fitoren e tyre absolute si fitore të të gjithëve pra, si një Win-Win. Ata vazhdimisht kanë këmbëngulur se edhe humbësit do të jenë të fituar madje (dhe këtu cinizmi arrinte në paroksizëm), se nuk do të ketë fare humbës. Dhe nuk gënjenin, sepse menjëherë pas fitores, fitimtarët nisnin të asgjësonin humbësit. Humbësit kishin dy alternativa të ikin ose të vdisnin. Këtë bëri Zogu, këtë bëri Noli, këtë bëri Enveri. Të njëjtën gjë premton në thelb edhe reforma e sotme zgjedhore e reklamuar nga Islami: Nuk do të ketë humbës. Vërtet nuk do të fitojnë të gjithë, por ama, humbës sigurisht që nuk do të ketë. Sepse ne mund të jemi të gjithë fitues edhe duke shfarosur humbësit. Sepse partitë e vogla do të nisin të bluhen në mokrën e dy të mëdhenjve të politikës, PD-PS. Por mos vallë po ecim në një shteg të rrezikshëm që pas krasitjes së pluralizmit mund të çojë deri edhe në shfarosjen e tij?

Cila është garancia që PS dhe Islami ofrojnë, përveç vetes, për pluralizmin dhe demokracinë kur të kenë mbetur në fakt ndoshta vetëm dy parti? Garanci e dytë e lirisë do të jetë PD dhe lideri i saj autoritarist Berisha, që nuk kanë lënë gur pa lëvizur dhe hedhur kundër lirisë dhe pluralizmit! Dhe ky Berisha është i kënaqur me reformën Win-Win të Islamit, sepse me anë të saj, ai synon që të jetë fituesi i vetëm që i merr të gjitha. Sepse Berisha ka synuar gjithnjë atë që Islami me të drejtë e cilëson si "tipike për lidershipin autoritar" pra, "për të fituar gjithçka në një ndeshje". Prandaj formulën Fitore-Fitore të Islamit dhe PS, Berisha do përpiqet ta kthejë në një Fitore-Humbje. Natyrisht, duke mbajtur fitoren për vete dhe duke ia lënë humbjen Islamit. Dhe nuk jemi të sigurt nëse do ta lejojë Islamin të quajë humbjen-humbje.


***

Që partive të vogla u bëhet një padrejtësi e madhe me sistemin spanjoll të miratuar nga dy të mëdhenjtë, kjo është tashmë e qartë. PS dhe PD kanë punuar vetëm për interesat e tyre ndaj është ekstremist cinike t‘i akuzojnë të vegjlit se po qahen "për interesa të vogla". Akuza të tilla janë produkt i një mendësie bolshevike që sakrifikon interesin "e vogël" për atë "të madh". Kush paska thënë se interesat e vogla, interesat e të vegjëlve, interesat e pakicave nuk qenkërkan të shenjta? Kush paska thënë se janë ca interesa të mëdha të cilave duhet t‘ju sakrifikohen interesat e vogla? PS dhe PD, pra të mëdhenjtë, janë të lira të mbrojnë interesat e tyre (të cilat nuk bëhen interesa të mëdha vetëm nga fakti që këto dy parti janë të mëdha) deri në fund, por jo në kurriz të interesave të të vegjëlve.

Më konkretisht, ato nuk kanë të drejtë që për hir të "përmirësimit të sistemit zgjedhor" të imponojnë, pa konsensusin e të gjithë aktorëve politikë, një formulë që e bën të pamundur konkurrimin e të vegjëlve në disa zona elektorale për faktin e thjeshtë, sepse e ngre pragun e marrjes së një vendi në Parlament deri në 20 për qind. PD dhe PS nuk kanë të drejtë të shkatërrojnë barazinë e votës së qytetarëve duke imponuar si një sistem proporcional (në të cilin votat konvertohen barazisht në karrige deputetësh) një sistem që nuk është në thelb proporcional sepse, në një zonë kandidati për deputet quhet fitues edhe me 3 për qind të votave, ndërkohë që në një zonë tjetër, del fatalisht humbës edhe me 15 apo 20 për qind të votave. Dhe këta humbës, do të jenë kandidatët e partive të vogla që me të drejtë ankohen për këtë padrejtësi që ju imponojnë me arrogancën e kartonit të shumicës së bashkuar, me arrogancën e tiranisë së shumicës, dy të mëdhenjtë. PS dhe PD nuk kanë të drejtë kur mashtrojnë opinionin publik, duke propaganduar se me sistemin spanjoll të sapomiratuar, zhduket fenomeni i "Dushkut". Sepse ndërsa me "Dushkun" e vjetër votat shkonin nga partitë e mëdha (sepse kështu ja donte interesi të mëdhenjve) tek ato të vogla, me Dushkun e ri apo spanjoll, votat (madje më saktë karriget në Kuvend) do shkojnë nga partitë e vogla te partitë e mëdha. Dhe përsëri e qartësisht, për interesat e vogla të partive të mëdha.


***

Asnjë logjikë nuk e përligj përfundimin se sistemi spanjoll ofron përfitim për të gjithë. Natyrisht, sofizmi banal politik bën gjithçka. Ai mund të ndërtojë një silogjizëm të mbështetur mbi këto premisa: Partitë e vogla kanë qenë e keqja më e madhe e demokracisë. Sistemi spanjoll zhduk partitë e vogla. Si konkluzion, sistemi spanjoll i shërben demokracisë. Por problemi është se ky silogjizëm është i ndërtuar mbi premisa të gabuara. E keqja më e madhe e pluralizmit dhe demokracisë në këto 18 vjet, kanë qenë pushtetet e ekzagjeruara të dy partive të mëdha dhe liderëve të tyre. Mjerisht reforma spanjolle synon t‘i forcojë edhe më tepër ato duke i monolitizuar shumicat e tyre nëpërmjet shfarosjes së të vegjëlve që kanë, si dhe duke e bërë të vështirë, thuajse të pamundur, lindjen e forcave të reja kundërshtuese. Që reforma e sapomiratuar në Kuvend nuk ofron fitore për të gjithë këtë Islami e di fare mirë. Jo rastësisht në fund të shkrimit të tij "Win-Win", ai pranon se pas kësaj reforme, mund të ketë kundërshtarë apo opinione që e konsiderojnë atë jo perfekte.

Por gjithsesi, sipas Islamit, "një shumicë mjaftueshmërisht e konsiderueshme aktorësh, ndihet "fituese". Përfundimi bëhet shumë elokuent nga simbioza e pazakontë e vlerësimit "mjaftueshëm" që priret nga minimumi, me atë "i konsiderueshëm" që priret nga maksimumi. Edhe për sa u takon kundërshtarëve, shpjegon Islami, kundërshtimet e tyre vijnë ngaqë reforma "heq një deformim të konsiderueshëm dhe prek interesa të ndërtuara gjatë një periudhe me shumë defekte". Shkruan tamam sikur aktorët dhe përfituesit kryesorë të kësaj "periudhe me shumë defekte" të kenë qenë partitë e vogla! Por a nuk është krejt e kundërta? A nuk janë partitë e mëdha ato që kanë komanduar gjithë deformimet dhe kanë ngopur në radhë të parë interesat e tyre gjatë gjithë tranzicionit? Ndaj a nuk kemi të drejtë të dyshojmë që reforma e imponuar përsëri nga dy të mëdhenjtë, nuk prek, por mbron "interesa të ndërtuara gjatë një periudhe me shumë defekte" nga dy të mëdhenjtë e politikës? Dy të mëdhenj, që në qëndrimin ndaj reformës dhe arrogancës së tyre të bashkuar kundër të vegjëlve, po na duken si dy vëllezër binjakë. Ndaj dhe reforma e tyre nuk mund të jetë Win-Win, sikundër pretendon Islami, por (për shkak se në anglisht Twin do të thotë binjakë) duhet quajtur Win-Twin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama