Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kryengritja e prokurorise dhe liria jone

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Kryengritja e prokurorise dhe liria jone

Reagimi i ashpër i Kryeministrit Berisha kundër një vendimi të Prokurorisë, për të marrë në pyetje një biznesmen boshnjak, që sapo e kish shpallur publikisht mik të tij, përbën në vetvete një revolucion, lidhur me marrëdhëniet e prokurorisë me klasën politike dhe në veçanti me qeverinë. Në gjithë këto vite tranzicioni, asnjëherë prokuroria (por edhe më gjerë drejtësia) nuk ka qenë e lirë nga vargonjtë e politikës.

Dhe jo vetëm kaq. Organi i hetimit dhe prokurorët janë skllavëruar nga politika, kanë hetuar dhe pushuar hetimet me urdhër të politikës apo të të parit të partisë në pushtet. Shkurt, përmbysja e monumentit prej bronzi të Enver Hoxhës, që ishte simbol i diktaturës komuniste të një lideri të vetëm, nuk u pasua edhe nga përmbysja e atyre raporteve të partisë-shtet me prokurorinë dhe gjykatat, që kishin ngjizur armën e tmerrshme të kësaj diktature, "drejtësinë" e Partisë. Ligjet e reja demokratike mbetën vetëm në letër, ndërsa prokuroria vazhdoi të mbahej e lidhur fort pas pushtetit politik të radhës. I vetmi "ndryshim", që duket se solli pluralizmi, ishte pluraliteti i zinxhirëve. Ndryshe nga e kaluara komuniste, kur prokuroria ishte tërësisht në shërbim të Partisë së Punës, tani u shfaqën prokurorë dhe gjykatës, që i shërbenin ose pushtetit të PD, ose pushtetit të PS, ose të dy pushteteve sipas radhës. Partia e Punës u zhduk nga skena politike por punizmi, si skllavërim i prokurorisë nga politika, mbeti.

 Kjo shpjegon edhe reagimin e sertë të Kryeministrit Sali Berisha kundër prokurorisë në rastin e çështjes "Fazliç". Eshtë reagimi i sulltanit të pushtetit "demokratik" kundër një "province", që ka guxuar të dalë hapur kundër vullnetit të tij. Eshtë reagimi i Kryeministrit dhe ish-Presidentit, që është mësuar ta shohë prokurorinë vetëm në shërbim të tij, duke hetuar vetëm armiqtë dhe kurrsesi miqtë e tij. Eshtë reagimi i një pushteti të korruptuar kundër një prokurorie, që, më në fund, ka ngritur flamurin e pavarësisë së saj, një prokurorie që ka vendosur të mos heshtë, të mos i bindet më pushtetit të kujtdo, por vetëm ligjit.

Konflikti i Berishës, qeverisë dhe shumicës parlamentare me prokurorinë është në thelb politik dhe nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me faktin nëse boshnjaku Fazliç ka pastruar apo jo para në Shqipëri. Kjo e fundit mbetet të provohet nga hetimet. Por, fakti që Kryeministri dhe ca ministra të tij reaguan ashpër kundër thjesht shoqërimit të një "miku" të tyre, pa pritur ende rezultatet e hetimit, fakti që policia pengoi në mënyrën më skandaloze dhe të jashtëligjshme marrjen në pyetje nga prokuroria të një personi, tregon qartë se këtu lufta bëhet për një marrëdhënie, se pushteti po i bën rezistencë këputjes nga prokuroria të vargonjve që e lidhin me qeverinë dhe pushtetin politik.

Me të drejtë, deputeti Ngjela e cilësoi këtë akt të policisë si një grusht shteti të qeverisë kundër pushtetit të pavarur të prokurorisë. Akti është shumë i rëndë dhe më e pakta që mund të bënte opozita politike (dhe në radhë të parë PS, ajo që Edi Rama e quan lokomotiva e Shqipërisë) ishte të kërkonte dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Nishani. Po ashtu, edhe për ministrin e Drejtësisë, Alibeaj, që thuajse organizoi një reprezalje në zyrat e prokurorisë me inspektorët e tij.

Asnjë ministër, madje as edhe një kryeministër nuk do të guxonin të frymëzonin dhunime të tilla pushtetesh në një shtet me demokraci liberale. Por, Shqipëria nuk është ende një i tillë shtet. Në Shqipëri vërtet u rrëzua diktatura e proletariatit, por mbeti diktatura e politikës. Diktatura e një oligarkie mbi prokurorinë dhe gjyqësorin, që po e mbyt ligjin dhe demokracinë. Gjithsesi, akti i prokurorisë jep shpresë se dita e çlirimit të drejtësisë nga politika po afron. Jep shpresë gjithashtu edhe mbështetja e fuqishme që SHBA, OSBE dhe BE po japin në sinkron për pavarësinë e prokurorisë.

Tashmë shihet qartë se pushteti politik dhe qeveria "Berisha", kanë hyrë në një konflikt që nuk mund të moderohet në heshtje, por duhet zgjidhur. Sepse ata kanë hyrë në konflikt me ato parime që bëjnë të mundur demokracinë liberale dhe drejtësinë në një shtet. Ambicia e sundimit dhe korrupsioni i dukshëm e ka futur Kryeministrin, qeverinë dhe shumicën në konflikt me parimet e ndarjes, kufizimit dhe balancës së pushteteve, i ka konfliktuar me parimin e pavarësisë së prokurorisë dhe gjyqësorit. Pa zbatimin e rreptë të këtyre parimeve nuk mund të ketë as demokraci, as integrim, as NATO dhe as lëvizje të lirë për shqiptarët. Qeveria "Berisha" nuk ka hyrë në sherr thjesht me prokurorinë dhe ndërkombëtarët. Ajo ka hyrë në konflikt me shpresën e shqiptarëve, pavarësisht se disa prej tyre, për shkak të padijes dhe fanatizmit të verbër politik, nuk e kuptojnë ende një gjë të tillë.

Guximi i prokurorisë për të marrë në pyetje një mik të Kryeministrit është një kryengritje e ligjit kundër një skllavërimi poshtërues, të paligjshëm dhe mbi të gjitha të rrezikshëm. Spartak Ngjela e ka shumë saktë kur thotë se edhe sikur, për rastin në fjalë, hetimet të mos e faktojnë dot pastrimin e parave, në vetvete akti i prokurorisë është liberator, çlirues.

Eshtë një akt që mund të sjellë një revolucion, i cili do ta çlironte shtetin shqiptar nga prangat e pushteteve politike të imunizuara nga drejtësia dhe pikërisht për këtë, të ngjizura me një mal korrupsioni dhe krimesh të pandëshkuara që rrezikojnë të helmojnë, ose hedhin në erë shtetin si një Gërdec. Sepse tragjedi si ato të Gërdecit nuk janë gjë tjetër veçse dalja në sipërfaqe me gulçe e një korrupsioni të pandëshkuar që ka kaluar çdo masë. Gërdeci nuk u gatua në dy apo tre vjet. Gërdeci është sinteza e përgjakshme e 18 vjet qeverisjeje pa ligj, 18 vjet qeverisjeje pa drejtësi, 18 vjet qeverisjeje pa prokurori. Në Gërdec shpërtheu llava e arrogancës mbiligjore të pushtetit, "baruti" i heshtjes totale të institucioneve të trembura ndaj paudhësive të një pushteti kërcënues, shpërthyen predhat e epshit për fitime të paligjshme.

Në Gërdec u hodh në erë shteti. Por mbeti pushteti. Dhe një Kryeministër që betohet të bëjë "drejtësi" dhe "antikorrupsion" duke i futur duart në fyt prokurorisë dhe drejtësisë. Ka mbetur në pushtet një klikë, që nuk ka asgjë të përbashkët me shtetin ligjor, me demokracinë liberale, me lirinë. Ka mbetur një pushtet që për shkak të korruptimit, mund të mbijetojë vetëm duke shtypur "kryengritjen" e prokurorisë (dhe për këtë do përpiqet deri në fund) duke e detyruar atë të heshtë.

Ka mbetur një pushtet që nuk mund të udhëheqë antikorrupsionin, sepse nxitet kundër drejtësisë jo vetëm nga instinkti autoritarist i sundimit, por edhe nga instinkti i vetëmbrojtjes i një pushteti të korruptuar. Prandaj, sot, prokuroria ka një mision historik për të kryer në emër të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë. Sot fati i demokracisë liberale është më shumë se kurrë në duart e prokurorëve. Më shumë se kurrë e ardhmja jonë varet nga dedikimi i prokurorëve (dhe më pas edhe e gjykatësve) ndaj ligjit dhe vetëm ligjit. Sot, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, prokuroria ka guxuar të sfidojë në emër të ligjit dhe barazisë së të gjithëve para ligjit "pushtetin suprem", Kryeministrin, qeverinë. Vullneti për drejtësi është vënë përballë vullnetit për pushtet. Pas kësaj sfide, a do të ketë një vend në historinë e Shqipërisë për Kryeprokuroren dhe kolegët e saj, një vend në një histori të stërmbushur me emra politikanësh?

Ajo që ambasadori Withers i tha Kryeprokurores Ina Rama, nuk ishte një lëvdatë, por saktësimi i këtij vullneti thuajse fatal. Përballja do të jetë e ashpër. A do të ketë më në fund triumf të drejtësisë kundër pushteteve të korruptuara dhe pa lavdi të politikës? Kjo mbetet të shihet. Por, nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, prokuroria do të udhëheqë me sukses një hetim kundër korrupsionit të qeverisë, ky do të qe padyshim një akt që do të mbetet në historinë e shtetit tonë, si një akt shpëtimtar emancipimi dhe lirie.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama