Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqiperia, nga Marksi tek Engel-i

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 12 vite më parë

Andrea Stefani
Shqiperia, nga Marksi tek Engel-i

Tashmë është një fakt i rëndomtë të shohësh zyrtarë të veçuar të politikës apo diplomacisë në BE apo SHBA që, kohë pas kohe, të flasin gjëra krejt të paqena mbi gjoja mrekullinë politike dhe ekonomike që “i mahnit” ata gjatë ndonjë vizite në Shqipëri. E megjithatë, pavarësisht këtyre lëvdatave, vendi i shqiponjave këmbëngul të mbetet më i varfëri në Europë ndërkohë që kjo e fundit, ka tre vjet që ngurron t’i japë qoftë edhe statusin e kandidatit. Dhe jo për inat apo mungesë simpatie, por për një zinxhir mungesash ndër të cilat, evidentohen mungesa e gjyqësorit të pavarur, korrupsioni galopant, mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme, të gjitha dukuri të lidhura me një autokratizëm në ngjitje e qeverisë së dikur komunistit Sali Berisha.

Pa hedhur dyshim mbi qëllimet e mira të këtyre zyrtarëve apo diplomatëve dhe me shpresë se gabimi i tyre është produkt i injorancës për situatën në Shqipëri, duhet të nënvizojmë që në krye të herës, se me të tilla deklarime jo realiste, jo vetëm nuk e ndihmojnë Shqipërinë, por po i bëhen krah forcave diabolike që orvaten ta varrosin demokracinë dhe projektin europian të lirisë. Më i fundmi prej këtyre perëndimorëve të gabuar ishte edhe kongresmeni amerikan Eliot Engel, i shfaqur para pak ditësh në një intervistë me Janush Bugajskin në “Albanian Screen”.

Kongresmeni Engel është mjaft i njohur në qarqet shqiptare për mbështetjen që i ka dhënë çështjes së pavarësisë së Kosovës. Ai është edhe bashkëdrejtues i një komiteti që merret me punët e Shqipërisë në Kongresin e SHBA. Ndoshta sepse kongresmeni Engel ka qenë fort i përfshirë dhe ndikues në problemet e Shqipërisë, intervistuesi Bugajski deklaroi si me shaka se “mund të thuhet që Shqipëria ka kaluar nga Marksi tek Engeli”. Por çështja është se punët e Shqipërisë nuk po shkojnë aq mirë. Po është e vërtetë, çështja kombëtare në Kosovë ka bërë shumë përpara! Është fituar liria dhe pavarësia dhe, në varësi të kontributit, kongresmeni Engel mund të mburret. Por çështja e demokracisë dhe lirisë në Shqipëri nuk ka ecur si duhet. Fakti që ajo nuk ka mundur të marrë as statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, është një tregues sintetik mjaft domethënës. Dhe në këtë rrafsh kongresmeni Engel jo vetëm nuk ka arsye të mburret por edhe duhet të ndihet përgjegjës. Po përse konkretisht?

Shqipëria ndodhet në një udhëkryq historik ku ndahet Europa dhe Azia, Lindja dhe Perëndimi, demokracia dhe autokratizmi. Nga do t’ia mbajë ajo? Do aziatizohet apo do europianizohet, do shkrihet me Europën apo do kthejë prapë fytyrën nga Lindja, do demokratizohet realisht apo do tiranizohet, do afrohet me Europën dhe SHBA apo do imitojë modelet politike që ofrojnë Kina, Rusia, Turqia, Ukraina?

Ky është thelbi i vërtetë i ndeshjes politike në Shqipëri. Dhe Shqipëria nuk ndihmohet t’i afrohet Perëndimit, nëse nuk thuhet e vërteta për sa po ndodh, edhe nga politikanë të lartë si kongresmeni Engel. Në intervistën dhënë Bugajskit, ndër të tjera, Engel-i deklaroi se: “…kur në Shqipëri ka një ngërç të vazhdueshëm mes dy partive, kur ushtrohet dhunë, kur duket se bëhen përpjekje për një grusht shteti, kur një nga partitë kryesore bojkoton Parlamentin, atëherë për mua dhe për pjesën tjetër të botës është më se e qartë se Shqipëria s’është në rrugën e duhur për ta përmirësuar demokracinë e saj. S’dua të mbaj anën e asnjë partie politike shqiptare.

S’e kam bërë kurrë këtë gjë dhe s’kam ndër mend ta bëj”. Por këdo që është familjar me punët e Shqipërisë, është e qartë se kongresmeni Engel ka mbajtur anën e partisë politike në pushtet. Tezat se gjoja ka pasur një tentativë për grusht shteti nga ana e opozitës është kryekëput tezë e partisë në pushtet. Një shpifje e Kryeministrit Berisha në një përpjekje vanitoze për të përligjur vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm. Që Engel, ndryshe nga ç’betohet, ka marrë anën e partisë në pushtet duket edhe në faktin se ndërsa përmend me konotacione pezhorative bojkotin e opozitës, “harron” të përmendë si faktor përkeqësues të klimës politike krimin e vrasjeve më 21 janar.

Përse kështu? Nuk është aspak çudi, dhe ne shpresojmë të jetë kështu, që e kanë keqinformuar njëanshmërisht. Por pse të mos ndodhë kështu kur Engel duket se merr kontakt vetëm më njerëz të partisë në pushtet dhe jo me opozitën? Madje edhe në kronikën ilustruese të intervistës me Bugajskin, mund të shikoje sesi Engel-i takohej vetëm dhe vetëm me Berishën, me njerëz të Berishës dhe me ca figura politike nga Kosova. Rastësi?! Cilat janë faktet mbi të cilat ky kongresmen bazon deklarimin se qenkan bërë përpjekje për një grusht shteti?

Ato nuk janë askund përveçse në gojën e Berishës dhe përrallën e tij për pistoleta çadër apo thika me helm, përrallë që bëri dhe bën të gajaset edhe sot e kësaj dite tërë publikun shqiptar. Ndërkaq dikush duhet t’i sqarojë kongresmenit Engel se në Shqipëri, ndryshe ngas SHBA, nuk ka gjykata të pavarura që të mbrojnë me drejtësi votën. Në Shqipëri, ashtu si edhe prona, edhe vota nuk shkon tek i zoti. Sepse në Shqipëri pushteti i mikut të tij, Kryeministrit Berisha, ka kapur njëri pas tjetrit të gjithë pushtetet duke i bërë të veprojnë jo sipas Kushtetutës dhe ligjit, por sipas vullnetit të Kryeministrit. Së fundi, sapo u zgjodh njëanshmërisht Presidenti i Republikës. Pritet që të njëjtën gjë të bëjë së shpejti me Kryeprokurorin dhe kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky është dhe shkaku i atij bojkoti të organizuar nga opozita në mbrojtje të transparencës për votën e lirë dhe që Engel e kualifikon papërgjegjshmërisht dhe cektësisht, si akt të papërgjegjshëm të opozitës shqiptare.

Duam të besojmë se e gjithë kjo vjen nga injoranca. Madje vetë Engel ka dhënë një provë për këtë. Kohë më parë ai u deklarua se është dakord për heqjen imuniteteve të deputetëve në Shqipëri, megjithëse ndërkaq, pranonte që nuk e kish lexuar projektligjin në fjalë. Jam dakord meqenëse edhe në BE janë dakord për heqjen e imuniteteve – deklaroi në atë kohë Engeli-i. E si mund të merren seriozisht deklarime të tilla aspak serioze? Si mund t’i bëjë ato një politikan serioz që i dhemb fati i demokracisë dhe i një vendi? Për 45 vjet shqiptarët i mashtruan, i bënë të duartrokasin diktaturën proletare si demokraci në bazë të mësimeve të Marksit. Sot po thuhet se shqiptarët kanë kaluar nga Marksi tek Engel-i. Por përsëri nuk do jetë aspak më mirë për ta, nëse Engel-i do t’ju mbushë mendjen që të duartrokasin autokracinë si demokraci.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama