Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ambasadori Danez dhe rrobat e reja te "Perandorit"

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 13 vite më parë

Andrea Stefani
Ambasadori Danez dhe rrobat e reja te "Perandorit"

U bënë më shumë se dy dekada që shqiptarët po jetojnë si në përrallën “Rrobat e reja të Perandorit” të shkrimtarit danez Hans Kristian Andersen. Dhe si në përrallën e shquar, në Tiranë, ka dalë një politikan që u thotë shqiptarëve se ka veshur rroba demokrati. Në fakt, të gjithë e shohin që nuk është fare ashtu. E shohin që rrobat demokratike nuk ekzistojnë dhe se ai që shitet për demokrat është një autokrat i thekur, që nuk synon të qeverisë përkohësisht Shqipërinë, por ta sundojë përjetësisht atë. Autokrati i veshur me rroba demokratike u thotë shqiptarëve se ka synim që ta çojë Shqipërinë në Europë. Ka 20 vjet që e premton një gjë të tillë dhe shumë shqiptarë bëjnë sikur e besojnë, e mbështesin dhe e duartrokasin. Sepse politikani në fjalë nuk ka fare për qëllim europianizmin dhe integrimin e Shqipërisë me Perëndimin. Ai vetë është pengesa kryesore e realizimit të idealit për “Shqipërinë si gjithë Europa” të brohoritur 20 vjet më parë.

Prova? Po të qe ndryshe, Shqipëria do qe sot shumë më afër Europës. Por megjithëse ka qenë në krye të punëve në Shqipëri, politikani akuzon të tjerët se nuk po e lejojnë ta çojë Shqipërinë në Europë! Dhe përsëri shumë shqiptarë bëjnë sikur e besojnë këtë gënjeshtër. Por befas, në mesin e kësaj turme shqiptarësh të vetëqorruar, mbin një njeri, që tamam si në përrallën e Andersenit, guxon t’u thotë shqiptarëve të vërtetën lakuriq, t’u thotë se ky zhgan politikanësh, pra dhe ai që i drejton, nuk po e afrojnë, por po e largojnë Shqipërinë nga Europa, po ia djegin shansin historik të europianizmit. Dhe ky është përsëri një danez, Karsten Ankjaer Jensen, ambasadori i Danimarkës në Tiranë.

Po përse shumë shqiptarë nuk guxojnë ta shikojnë të vërtetën që bredh lakuriq para syve të tyre, përse aty ku shihet qartë autokratizmi duartrokasin demokracinë, përse turpin e brohorasin si nder, korrupsionin si ndershmëri, vesin si virtyt, tradhtinë si atdhetari? Për të njëjtat shkaqe që në përrallën daneze njerëzit përgëzonin “rrobat e bukura” të Perandorit lakuriq. Dhe në përrallën e Andersenit, thuhet se, sipas një rregulli të shpallur publikisht, kush deklaronte se nuk i shikonte rrobat e mbretit, faktonte se ose nuk ishte i denjë për postin që mbante, ose se ishte budalla.

Duke ardhur në ditët e sotme, jo pak shqiptarë kanë në thelb të njëjtat shkaqe për “ta parë” perandorin jo ashtu siç është, jo lakuriq ose, sikundër thotë një shprehje e moçme, “t’i thonë derrit dajë”. Sepse ata mund të humbasin vendin e punës, mund t’u rrënohet biznesi, mund të mos arrijnë disa privilegje, deri pasurimin e lakmuar, apo mund të vuajnë privacione nga më të ndryshmet, nëse pohojnë të vërtetën se “perandori” i tyre nuk lakmon integrimin e Shqipërisë në Europë, por distanicmin nga Europa, se nuk punon për zbatimin e ligjit, por të vullnetit të tij arbitrar, se nuk e lufton, por e mbron korrupsionin e ministrave të tij, se nuk synon ndarjen e pushteteve por kapjen e gjithë pushteteve, se nuk e respekton, por e shtyp, shantazhon dhe nëpërkëmb opozitën, se nuk e ka mendjen si të pasurojë Shqipërinë dhe shqiptarët, por si të pasurojë familjen dhe klanin e tij politik, se ndërsa bërtet për lirinë në forume ndërkombëtare, dhunon në vendin e tij lirinë e institucioneve dhe bashkë me të, edhe liritë e të drejtat e njerëzve mbi të gjitha, të drejtat e punës dhe të pronës. Perandori i Tiranës i ka rregulluar punët që njerëzit t’i ngopin interesat jo duke e parë të vërtetën në sy, por duke mos e parë atë.

Shqiptarët po arrijnë përsëri në pikën kur si në “Qorrfermanin” e mrekullueshëm (por edhe të tmerrshëm) të Kadaresë, kanë nisur të qorrojnë vetveten për të treguar besnikërinë ndaj regjimit, ndaj liderit, ndaj pushtetit, ndaj partisë. Dhe a nuk ju kanë mësuar 45 vjet diktaturë komuniste se sa tragjike është braktisja e së vërtetës për një shoqëri? Sepse do të thotë të braktisësh arsyen, e cila nuk është gjë tjetër, veçse liria e të vepruarit në përputhje me dijen që buron nga e vërteta. Prandaj të braktisësh të vërtetën do të thotë të braktisësh përsëri lirinë.

Nuk janë vetëm shqiptarë ata sot që i kanë kthyer shpinën së vërtetës (pra edhe arsyen e lirisë) dhe refuzojnë ta shohin të frikësuar se një gjë e tillë i prek interesat. Janë edhe jo pak diplomatë perëndimorë në Tiranë që, ndryshe nga ambasadori Jensen, vazhdojnë të admirojnë “rrobat e reja të perandorit”. Pse? Nuk dihet ende me qartësi. Por edhe rrënjët e këtij vetëqorrimi nuk mund të ndryshojnë shumë nga ato të jo pak shqiptarëve. Është gjithsesi një lloj skllavërimi nga gënjeshtra, frikësim nga kërcënimet që vijnë prej saj. Gënjeshtra më e fundit që refuzojnë ta denoncojnë është (tani po dalim nga faqet e përrallës) ajo që Kryeministri Berisha po ulërin këto ditë në mitingje populiste se gjoja është opozita ajo që pengon integrimin e Shqipërisë në Europë, se fajin për mosmarrjen e statusit të kandidatit nga Shqipëria e ka opozita dhe jo qeveria. E vërteta është krejt ndryshe.

Dhe atë po e thotë edhe ambasadori danez me dëlirësinë e fëmijës së përrallës, larg dredhive të një gjuhe diplomatike që i bën të gjithë dhe askënd fajtor për dështimin. Sipas ambasadorit Jensen, Shqipëria nuk e mori statusin e kandidatit, sepse ka dështuar thuajse në çdo fushë dhe jo thjesht për shkak të krizës politike. Ashtu besojmë edhe ne se është e vërteta. Edhe mosmarrja e statusit, edhe vetë kriza janë rrjedhoja të dështimit dhe jo e kundërta sikundër tenton të mashtrojë Berisha shqiptarët. Dhe përgjegjësja kryesore për dështimin në luftën kundër korrupsionit, korrektimin e punës së Kuvendit, në shëndoshjen e administratës publike apo në pavarësinë e gjyqësorit, është e qeverisë Berisha që gjeneron korrupsion galopant, që rrënon administratën duke punësuar militantë dhe duke flakur profesionistë, që sulmon prokurorinë dhe refuzon kandidaturat e gjyqtarëve me synon kapjen e gjyqësorit, që sundon tiranikisht në Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo është e vërteta. Është e rëndësishme që ajo të thuhet, sikundër sapo bëri edhe ambasadori Jensen. Ndryshe gënjeshtra e sundimit dhe tiranisë antieuropiane, do vazhdojë përsëri të marshojë rrugëve të Shqipërisë, do vazhdojë të ulërasë mitingjeve për lirinë dhe Europën dhe do të duartrokitet nga shqiptarët e skllavëruar e trembur nga gënjeshtra, derisa ta mbysë përfundimisht edhe lirinë, edhe shansin e Shqipërisë për t’u bërë si Europa! Ndaj është koha që të gjithë, shqiptarë e ndërkombëtarë, të thonë atë që shikojnë. Natyrisht, nëse janë të lirë ta bëjnë këtë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama