Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Levizja qytetare pa qytetare?

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 12 vite më parë

Andrea Stefani
Levizja qytetare pa qytetare?

Përse lëvizja qytetare në Shqipëri mbetet në stadin e disa miniprotestave sponsorizuar, më së shumti, nga donatorë të huaj? Mos vallë problemet që shqetësojnë nuk janë aq gjithëpërfshirëse? Nuk mund ta thuash. Papunësia, varfëria, kriminaliteti, korrupsioni, gjakmarrja, rrënimi i mjedisit etj., në një formë ose në një tjetër, na afektojnë të gjithëve. Atëherë përse nuk protestojnë qytetarisht dhe masivisht shqiptarët që këto plagë të gjejnë shërim? Sot, kritikët, me të drejtë flasin për letargji, për pasivitet dhe indiferentizëm masiv. Por të gjitha këto janë shfaqje të mungesës së qytetarisë. Është e hidhur, por duhet thënë: shqiptarët janë shumë pak ose aspak qytetarë. E si mund të ketë protesta qytetare pa qytetarë?

Rusoi bënte thirrje: Krijoni qytetarin dhe do të keni gjithçka ju duhet! Mjerisht në këto 20 vjet tranzicion është bërë shumë pak për të krijuar qytetarin, për të realizuar atë proces evolucioni në mendjen e “njeriut të ri” të krijuar nga diktatura komuniste. Dhe cili është një nga tiparet më të qenësishme të njeriut të ri të dalë nga diktatura? Mungesa e mendimit personal dhe bindja e verbër ndaj partisë dhe liderit të përjetshëm. Është partia lideri që mendojnë për “popullin” dhe automatikisht, ajo që do partia e lideri është dhe ajo që do “populli”. Ky nënshtrim ndaj një autoriteti të jashtëm krijon një gjendje gjumi, letargjie që shqiptarët e trashëgojnë edhe sot e kësaj dite. Ai krijon edhe fanatizëm pra, edhe urrejtje për këdo që mendon e vepron ndryshe nga lideri. Në këtë kuptim, shqiptarët, edhe pse kanë fituar lirinë e fjalës, por nuk kanë fituar lirinë e mendimit, sepse nuk janë të aftë të mendojnë tej asaj që diktojnë autoritetet e jashtme. Por aftësia për vetëmendim si arsye, është esenca e qytetarit. Pa aftësinë për të reflektuar, liria e fjalës nuk vlen një grosh. Prandaj dhe avokatët e pushtetit nxitojnë ta reklamojnë si gjë të madhe faktin qe sot mund ta kritikosh qeverinë, por nuk të ndodhë asgjë. Është e vërtetë. Por nuk i ndodh asgjë as qeverisë. Dhe në prani të fanatizmave të verbër si dhe në mungesë të një mase kritike të popullatës me aftësi për të arsyetuar, liria e kritikës bëhet garniturë e sundimit.

Po përse këto 20 vjet nuk kanë shërbyer për ta nxjerrë shqiptarin nga letargjia e skllavërisë mendore? Mbi të gjitha, sepse nuk ka marrë fund monopoli i partive mbi jetën politiko-shoqërore si dhe ai i liderëve mbi partitë politike. Si edhe në të kaluarën komuniste, lideri, partia, pushteti partiak vazhdon të luajë një rol mbizotërues në formësimin e fatit të njeriut. Nëse i bindesh partisë, ke përfitime. Nëse nuk i bindesh ke privacione. Dhe në shumicën e rasteve bëhet fjalë për bukën e gojës, për vendin e punës, për çatinë e shtëpisë, për mbijetesën biologjike të personit. Natyrisht ka edhe një shtresë shumë të vogël që me partinë në pushtet, e lidhin biznese dhe milionat e një pasurimi korruptiv dhe përrallor. Dhe nuk mund të mos pyesim përsëri: Po përse partitë, liderët ruajnë një ndikim kaq të madh mbi jetën e shqiptarit, ndikim që është fatal në jetën e tyre si në kohën e PPSH? Sepse nuk ka drejtësi – është përgjigjja. Pushtetet politike absolute formësohen kudo ku mungon drejtësia. Gjithë favoret që i krijojnë pushtetet politike mbështetësve të tyre, votuesve të tyre, bazohen në dhunën mbi kampin kundërshtar, mbi dhunimin e së drejtës për ata që nuk janë me partinë dhe pushtetin e radhës. Në mungesë të drejtësisë, shqiptari nuk e shikon mbrojtjen e të drejtave dhe lirive te ligji, te gjykata, por te paria dhe pushteti i radhës që kanë vënë nën thundër edhe gjykatën. Edhe ai që është në opozitë dhe vuan padrejtësitë nuk shpreson te ligji dhe drejtësia. Shpresa e tij është që një ditë, partia e tij të rikthehet në pushtet. Shpresa e tij nuk është drejtësia por hakmarrja, rivendikimi i të drejtave të dhunuara që në mungesë të drejtësisë mund të rivendikohen vetëm me anë të një padrejtësie të re. Dhunim i pushtetit të drejtësisë, kapja e tij, është mjeti me anë të cilit partitë mbajnë shqiptarët të lidhur pas karrocës së tyre, duke mos i lejuar të bëhen qytetarë të lirë, krenarë dhe kurajozë. Prandaj edhe të aftë për të protestuar për liritë dhe të drejtat. Është naivitet që këtë zbrazëti qytetarie, këtë pasivitet dhe mungesë proteste, të mos ta shikosh si një nga rrjedhojat më katastrofike të mungesës së pushtetit të drejtësisë në këto 20 e kusur vjet! Qytetari është njeri i lirë dhe rrënja që ushqen lirinë dhe të drejtat e qytetarit është drejtësia. Pritja këtë rrënjë dhe nuk do ketë më qytetarë, por skllevër të bindur. Mbille dhe rrite drejtësinë e pavarur dhe ajo do ushqejë e rritë qytetarë! Mjerisht këtë të vërtetë, më mirë se kushdo, e dinë sundimtarët!

 

***

Mungesa e pushtetit të drejtësisë së pavarur është kryerrënja e mungesës së qytetarit. Por ka edhe të tjerë faktorë. Politikanët sundimtarë janë treguar të kujdesshëm. Ata kanë rrafshuar të gjithë ato struktura që e organizojnë protestën qytetare. Në Shqipëri nuk ka sindikata të vërteta, por thjesht ca kopje të zbehta të rripave të transmisionit të Partisë Komuniste të Punës. Prandaj në Shqipëri nuk protestohet kundër kancerit të tranzicionit, kryerrënjës së mjerimit që është papunësia. Në Shqipëri nuk protestohet kundër korrupsionit, sepse Sali Berisha pati kujdes që të shfarosë ato struktura të shoqërisë civile si Koalicioni Shqiptar kundër Korrupsionit (ACAC)) që kishin nisur të ngrinin zërin kundër korrupsionit. Berisha i shfrytëzoi këto struktura sa për t’u rikthyer në pushtet. Por pastaj ato u bënë të rrezikshme për të. Duket “loboi” edhe pranë donatorëve ndërkombëtarë (si p.sh. USAID) që të mos financohen më tej. Dhe ACAC u zhduk nga skena me “logjikën” se në pushtet kishte ardhur një qeveri e “duarve të pastra”, me në krye kalorësin blu që do vriste kuçedrën e korrupsionit. Rreth 8 vjet më pas, kuçedra e korrupsionit berishist është shumë herë më e fuqishme dhe më tmerruese se ajo që ushqyen qeveritë socialiste te Fatos Nanos apo Ilir Metës.

Intelektualët janë dukuria më e sofistikuar e protestës qytetare, elita e kësaj proteste. Por në Shqipëri nuk ka intelektualë. Ka vetëm njerëz të punës mendore. Sepse thelbi i intelektualit është protesta në mbrojtje të parimeve. Prandaj shumë njerëz pyesin: ku janë intelektualët pse nuk protestojnë? Përgjigjja është: sepse nuk ka intelektualë. Një grup fizikanësh që punojnë në laborator për zbulimin e energjisë bërthamore nuk janë akoma intelektualë. Por ata bëhen të tillë kur nisin të protestojnë kundër përdorimit të energjisë bërthamore për qëllime antihumane – shkruan Zhan Pol Sartri. Mungesa e intelektualëve është një nga format e shfaqjes së mungesës së qytetarëve. Njerëzit e punës mendore në Shqipëri, ata që rëndom quhen intelektualë, vazhdojnë të shfaqin simptomën e frikës dhe të heshtjes si nën diktaturë. Ndërkohë që ka edhe një segment që i konformohet pushtetit “demokratik” me solidaritete të pështira puthadorësh. Pra në Shqipëri nuk ka protesta qytetare, sepse nuk ka qytetarë. Një problem tepër i vështirë për t’u zgjidhur me shkop magjik. Si për shembull, me disa thirrje drejtuar shqiptarëve. Qytetari është produkti i institucioneve të lirisë që në aleancë me to, ngrihet çdo ditë të mbrojë liritë dhe të drejtat e tij, në gjykatë, në politikë, në punë të ndershme, në aktivizëm komunitar, në kutinë e votimit. Dhe kur këto nuk mjaftojnë, edhe në protestë. Sfida është të krijohet ky njeri i lirë dhe krenar, ky qytetar. Por a mund të ndodhë kjo në një kohë kur autokratizmi po gllabëron institucionet e fundit të mbetura jashtë thundrës së tij? Kështjella e Presidencës sapo ra. Tani i janë vërsulur imunitetit. Për të vazhduar më pas me Kryeprokurorin… Më pak institucione që mbrojnë lirinë qytetare nga thundra e pushtetit dhe më shumë qytetari?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama