Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bojkoti i Opozites si Intolerance Ekstreme e Pozites

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 15 vite më parë

Andrea Stefani
Bojkoti i Opozites si Intolerance Ekstreme e Pozites

A është bojkoti një mënyrë europiane e të bërit politikë? Kohët e fundit kanë dalë shumë zëra, edhe nga zyrtarë të lartë të BE si, Olli Rehn, që kanë deklaruar, referuar zhvillimeve politike në Shqipëri, se bojkoti nuk është "një formë europiane e garantimit të stabilitetit dhe pjekurisë politike". Mediat dhe propaganda e pozitës po përpiqet t‘i bëjë sa më shumë jehonë këtyre deklaratave në një përpjekje për ta shpallur bojkotin thuajse një veprimtari armiqësore të opozitës ndaj demokracisë dhe integrimit të Shqipërisë. Por ndërsa bojkoti mund të jetë dëshmi e papjekurisë së politikës në tërësi, dhe këtu biem dakord me Olli Rehn, ai, si një formë e lirisë politike, nuk mund të jetë kurrsesi me demokracinë, integrimin dhe lirinë. Përkundrazi, në një stad kur ekzistojnë tendenca të fuqishme autoritariste në pushtet dhe kur mungojnë barrierat institucionale ndaj këtij autoritarizmi, bojkoti me format e shumta të tij, mund të bëhet shpëtimtar për demokracinë, integrimin dhe lirinë. Pikërisht ky është stadi që kalon Shqipëria sot. Shkaku rrënjësor i bojkotit të opozitës është intoleranca ekstreme e pushtetit ndaj kërkesave të saj, në kushtet kur nuk ekziston asnjë mjet tjetër parlamentar dhe institucional, për të mposhtur këtë intolerancë. Bojkoti i opozitës është pohimi i dështimit të sistemit që prodhon stabilitet të bazuar në të drejtën dhe jo dhunimin e saj. Dhe nuk mund të mos konstatosh me keqardhje që dalja jashtë loje e sistemit është shkaktuar edhe nga disa reforma "kushtetuese" të paradokohshme që të njëjtët zyrtarë të lartë të BE-së që sot ankohen për bojkotin, i shpallën si shpëtimtare dhe historike. Prandaj, bojkoti shfaqet si një rezistencë paqësore dhe europiane kundër autoritarizmit joeuropian, aty ku nuk është akoma Europë.

***
Përgjithësisht shkak për bojkotin si dukuri nuk kanë organizatorët e bojkotit, por arroganca e palës kundër të cilës është organizuar bojkoti. Arroganca e kapiteni Çarls Bojkot ishte shkaku i reagimit të gjithë komunitetit kundër tij me mosbashkëpunim, taktikë që u pagëzua pikërisht me mbiemrin e atij ndaj të cilit u organizua bojkoti. Dhe ishte një zgjedhje për të shmangur zgjidhen e mosmarrëveshjes me dhunë. Pra bojkoti është gjetur si një mënyrë paqësore reagimi aty ku njëra palë, në këtë rast pushteti, nuk ka veshë të dëgjojë kërkesat e opozitës. Janë rastet kur tirania e shumicës apo e pushtetit maksimalizohet dhe toleranca ndaj kërkesave të opozitës i afrohet zeros. Në fakt, edhe ndërkombëtarët ndërsa shprehen të pakënaqur me zgjatjen e bojkotit nuk është se e kanë shkarkuar gjithë përgjegjësinë te opozita. Jo pak mesazhe për gjetjen e rrugëve të zgjidhjes, të cilat trukohen me kujdes nga mediat e pushtetit, i janë drejtuar vetë pushtetit. Kur Elizabet Stam, përfaqësuese e Suedisë në Tiranë, thotë që "i kemi kërkuar lidershipit politik në vend, të dy palëve që duhet gjetur dialogu, sepse në të kundërt kjo do të ishte diçka jo e mirë për Shqipërinë", kuptohet qartë që në tavën e përgjegjësisë është edhe pushteti me intolerancën e tij. Kur përsëri Stam pohon se "që prej disa muajsh nuk po shohim asnjë efekt pozitiv të këtij bojkoti", pyetja që duhet shtuar është: pse? Dhe përsëri përgjigjja është thuajse evidente, intoleranca ekstreme e pushtetit. Por çfarë është i vendosur pushteti të mos tolerojë as edhe një fije? Është i vendosur të mos tolerojë kërkesën e opozitës për hapjen e kutive dhe rinumërim të votave në disa zona. Dhe një intolerancë e tillë i ngjason sjelljes së një hajduti që fsheh krimin. Ndryshe përse pushteti është kaq i vendosur të mos qetësojë me transparencë shqetësimin e opozitës për vjedhjen e votës në një kohë kur dihet se kanceri i të gjithë proceseve zgjedhore në Shqipëri ka kenë vjedhja e votave? Ky qëndrim ka edhe një kosto tjetër jo vetëm për zgjedhjet që kaluan, por edhe për ato që do të vijnë. Bllokimi i transparencës pengon t‘i jepet goditje ligjore të gjithë atij sistemi hajdutësh fanatikë e militantë që të gjitha partitë kanë angazhuar në vjedhjen e votës. Por sipas liderit të pozitës, Sali Berisha, një transparencë si premisë drejtësie bie në kundërshtim me vendim të Kolegjit Zgjedhor që në fakt, është qartazi në shkelje të Kodit Zgjedhor. Dhe a duhet opozita të pranojë këtë kurth politik, me anë të të cilit vjedhja e votës gjen alibi për t‘i shpëtuar transparencës demaskuese, me anë të një vendimi gjykate? A duhet opozita të tolerojë bllokimin e transparencës, si i vetmi mjet për të provuar vjedhjen e votave, me anë të dhunimit të ligjit, të Kodit Zgjedhor, nga organe të kapura si KQZ apo Kolegji Zgjedhor? Kjo do të thoshte tolerim i një pushteti që ka arritur të montojë mekanizmin e vjedhjes së pushtetit me anë të institucioneve dhe gjykatave, të pranojë deformimin e vullnetit të sovranit, të pranojë jo demokracinë, por farsën e saj. Pas 20 vjet vjedhjeje të votës është koha që e vërteta të dalë në shesh. Të vërtetat e fshehura kthehen në helme për një shoqëri, thoshte Rusoi. Janë helme që e kanë zvarritur dhe bllokuar 20 vjet integrimin e Shqipërisë, kanë kriminalizuar pushtetet e saj dhe rrezikojnë ta bëjnë të dështojë përfundimisht afrimin e saj me Europën. Nëse nuk denoncohen me transparencë dhe nuk ndëshkohen me ligj.

***
Pa asnjë dyshim do të qe shumë mirë që opozita ta kishte mundësinë ta zhvillonte efektshëm rezistencën e saj në Parlament. Por e kemi thënë edhe tjetër herë, falë disa ndryshimeve të Kushtetutës, asaj nuk i ka mbetur asnjë mjet i efektshëm parlamentar për të ndëshkuar arrogancën ekstreme të pushtetit. Edhe detyrimi për të zgjedhur me konsensus të gjerë Presidentin e Republikës me riskun që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme, pas ndryshmeve të Kushtetutës nuk ekziston më si kërcënim politik mbi pushtetin. Kjo e ka bërë atë dhe më arrogant. Po a nuk qe PS që i miratoi ndryshimet e Kushtetutës në konsensus të gjerë me PD e përshëndetur nga të gjithë "Olli Renët" e BE? Pa dyshim, përgjegjësia e saj dhe e Edi Ramës është evidente ashtu sikundër është evidente kostoja që ajo, vendi dhe demokracia po paguajnë nga ky përforcim që i kanë bërë pushtetit të një Kryeministri tejet autoritarist si Berisha. Me çfarë mjeti parlamentar mundet sot opozita të përkulë arrogancën e tiranisë së shumicës, me çfarë mund ta "kërcënojë"? Me mocion mosbesimi suksesi i të cilit është bërë edhe më i pamundur pas amendimeve të Kushtetutës? Apo me mosmiratimin e disa ligjeve për reforma që kërkojnë shumicë të cilësuar duke i dhënë pretekst shumicës ta akuzojë si antireformiste? Është e qartë se pas ndryshimeve të Kushtetutës opozitës nuk i ka mbetur më as edhe një mjet parlamentar për t‘i dhënë ndonjë shuplakë tiranisë së shumicës. Mos vallë duhet të besojmë se demokracia në SHBA do të mund të kish jetuar kaq gjatë, nëse opozita nuk do të kishte në Senat të drejtën e obstruktimit (filibaster, që në fakt është një veto në duart e opozitës) të një iniciative legjislative të shumicës? Por opozita shqiptare, veçanërisht pas ndryshimit të Kushtetutës, nuk ka asnjë "veto" të tillë. Në këto kushte ajo jo vetëm nuk e bllokon dot, por mund t‘i bëhet vetëm garniturë pluraliste tiranisë së shumicës në Parlament. Prandaj themi se nuk është bojkoti i opozitës ai që kërcënon demokracinë në Shqipëri, por lënia e opozitës pa asnjë mjet efektiv parlamentar që do të detyronte shumicën dhe pushtetin e saj të binte në konsensus me të. Në një vend, aq më tepër në një vend me klasë politike të papjekur si Shqipëria, më shumë se nga vullneti i mirë i liderëve, konsensusi gatuhet nga sistemi i rregullave që ja u imponon liderëve konsensusin si nevojë politike. Më shumë se një vullnet i mirë i liderëve, më shumë se një bashkëndjerje, konsensusi shfaqet si një mjet për mbrojtjen e interesave partiake që atyre ja u imponon sistemi. Pikërisht këtë tërësi rregullash dhe kushtëzimesh që përmbajnë farën e konsensusit si domosdoshmëri, kanë rrënuar amendimet e Kushtetutës. Dhe ky është një problem jo vetëm për sot, por edhe kur në pushtet të vijë opozita. Vështirë se mund të ketë normalitet politik në Shqipëri nëse nuk rivendosen ato rregulla kushtetuese dhe institucionale që i imponojnë klasës politike konsensus. Gabimi fatal i ndryshimit të rregullave të një natyre të tillë, mjerisht i mbështetur edhe nga disa "ndërkombëtarë" që po kërkonin vendosjen e një "stabiliteti" në Shqipëri me anë të një "dorë e fortë", ka nxjerrë jashtë loje konsensusin duke e bërë Kryeministrin Berisha vërtet një "dorë të fortë" që nuk ka nevojë për konsensus real. Dhe është pikërisht kjo që e ka detyruar opozitën që t‘i drejtohet bojkotit si protestë ndaj një arrogance dhe intolerance ekstreme të pushtetit që, shihet përditë e më qartë, se kërkon të mbrojë grabitjen e votës "me ligj" dhe kuti të mbyllura.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama