Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Perse duhet te largohet Berisha

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 15 vite më parë

Andrea Stefani
Perse duhet te largohet Berisha

Arsyet që mbështesin një rotacion të pushtetit më 28 qershor në të mirë të demokracisë janë të shumta. Një nga më evidentet është se Berisha po bën 20 vjet në politikë nga të cilat, 10 i ka pasur në pushtet. Bonaparti qëndroi 10 vjet në pushtet, ndërsa Hitleri vetëm 11. Sikur Berisha të fitonte edhe një mandat tjetër do regjistronte (ndoshta jo përfundimisht) 14 vjet në pushtet dhe rreth XXIII në politikë. Po detyrohemi t‘i shënojmë piketat e karrierës politike të Berishës, ashtu sikurse shënoheshin dikur përvjetorët e Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës në malin e Dajtit, me numra romakë dhe musolinianë.

Pra, kemi hyrë në një fazë kur jetëgjatësia e mëtejshme në pushtet, madje edhe në politikë e një politikani si Berisha, do të qe në thelb antisistem. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se gjërat nuk po zhvillohen normalisht brenda një sistemi që ka si dallim thelbësor nga komunizmi dhe të gjitha monizmat, rotacionin e pushtetit dhe të elitave. Por gjithsesi, jetëgjatësia e pazakontë politike, shihet jo pak si një diçka konvencionale që shpesh nuk ka të bëjë me thelbin e gjërave. Prandaj ajo që duam të shtjellojmë në këtë shkrim, është nevoja e largimit të Berishës në emër të një diçkaje më thelbësore, në emër të drejtësisë së pavarur. Në emër pra, të asaj, që e bën demokracinë liberale, një sistem ku jo vetëm zhvillohen zgjedhje por edhe ku liritë dhe të drejtat e njerëzve mbrohen nga arroganca e qeverive dhe e politikës me anë të një pushteti gjyqësor të pavarur. Dhe Berisha duhet larguar me votë sepse me të në qeveri, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur nga qeveria që do të thotë, se nuk mund të ketë drejtësi dhe shtet të së drejtës.

Që në ditët e para të qeverisjes pas rënies së komunizmit, Berisha u shqua si një autoritarist që donte të kapte dhe keqpërdorte pushtetin e drejtësisë. Me këtë ai i bëri një të keqe të madhe Shqipërisë. Bëri që ajo të humbiste shansin e shkëputjes nga tradita e shëmtuar komuniste e partisë-shtet që kontrollon dhe vendos për gjithçka. Në sajë të këtij devijimi që mban ekskluzivisht markën politike të Berishës e kompani, Shqipëria hyri në rrugën e pluralizmit dhe të demokracisë, por jo në atë të lirisë. Mungesa e drejtësisë së pavarur, bëri që demokracia në Shqipëri të distancohej shumë shpejt nga liberalizmi, zgjedhjet nga drejtësia dhe pushtetet e dala prej tyre nga ligji dhe liria. Ishte ky zhvillim fatal që e ka bërë sot Shqipërinë një shtet aq të korruptuar sa po bëhet gjithnjë e më e vështirë të ndash kufijtë mes mafies dhe politikës.

E keqja është se me kalimin e viteve, me ndërthurjen e lidhjeve mes politikës dhe korrupsionit, janë shtuar ato shkaqe që e bëjnë Berishën si pushtetar e politikan, të tentojë edhe më fuqishëm në kapjen e drejtësisë. Tashmë nuk janë vetëm impulset patriarkale dhe autokratike, por edhe interesi për të penguar me çdo kusht që një drejtësi e pavarur prej tij të godasë me forcën e ligjit, korrupsionin dhe skandalet e qeverisë së tij, të afërmve, familjarëve dhe klanit të tij politik, që e bëjnë Berishën përfundimisht të vendosur për të mos lejuar lirinë e drejtësisë dhe drejtësinë e lirisë. Dhe mjerisht, për shkak të fuqizimit të Kryeministrit pas amendimeve të Kushtetutës, një Berishë fitues pas 28 qershorit, do të kishte më shumë shanse se ç‘kishte në korrik 2005, për ta realizuar një kob të tillë. Tashmë mbi Kryeprokuroren Ina Rama, qëndron kosa hakmarrëse e shkarkimit e një pushteti të zemëruar me të. Dhe falë ndryshimeve të Kushtetutës, Berisha do të ketë mundësi të marrë hak sepse mandati i Kryeprokurores, përfundon brenda mandatit të një qeverisjeje tjetër berishiste.

Ndryshe nga vitit 2005, Berisha do ta fillonte më me hov dhe pa humbur kohë, sulmin e tij të radhës për të mbërthyer hetuesinë dhe drejtësinë. Një nga rrjedhojat më të pritshme të një pushtetit berishist me mandat të rinovuar, do të qe sabotimi i hetimit dhe gjykimit të skandaleve të Gërdecit, Rrëshen-Kalimashi, Fazliçit që prekin drejtpërdrejt kupolën e këtij pushteti. Shanset që këto gjykime, në sajë të presionit në rritje të një pushteti arrogant që "ka marrë votën e popullit", të përfundonin në farsa ku do të ndëshkohen biznesmenë dhe kolonelë dhe jo ministra e qeveritarë, do të ishin maksimale. Por kostoja reale nuk do të ishte mosdënimi i një ministri si Fatmir Mediu apo kushdo tjetër i përfshirë në këtë aferë. Kostoja reale, e pariparueshme do të qe vrasja e frymës së të drejtës, thellimi i mosbesimit në mundësinë e barazisë së të gjithë njerëzve para ligjit.

Mbërthimi i drejtësisë nga pushteti mund të bëjë që, për garniturë, të ndëshkohet edhe ndonjë ish-ministër kundërshtar ose jo i pushtetit, por ndërkaq të gjithë do ta dinë se ka në këtë shtet një kupolë, një bunker, brenda të cilit janë strehuar ca zyrtarë që qëndrojnë mbi ligjin dhe janë të paprekshëm nga ai. Por jo vetëm kaq. Qytetarët do ta ndjenin në jetën e përditshme, koston e një mbërthimi më të fortë apo paralizimi të drejtësisë nga pushteti politik. Ajo do të përkthehet edhe më, sikundër deri më sot, në padrejtësi të shumta për shumë qytetarë, në largime të padrejta nga puna për të ngopur militantët apo ata që paguajnë, në mohim të së drejtës së pronës, në grabitje të pronës nga njerëz me pushtet, në më shumë korrupsion dhe forma të ndryshme arrogance dhe dhune që ai pjell mbi liritë e të drejtat e tyre.

Prandaj të votosh për rotacionin politik sot nuk do të thotë të sjellësh në pushtet liderin "shpëtimtar", Mesian, apo një mrekulli rozë, por do të thotë që të shmangësh nga pushteti një të keqe të madhe, të shmangësh rrezikun e asgjësimit, të paktën në një periudhë afatmesme, të aspiratës për shtet ligjor me liri e të drejta të garantuara për qytetarët në Shqipëri. Të mbështetësh me votë rotacionin politik në këto zgjedhje, thotë të mbash ende të hapur perspektivën e ligjit dhe lirisë në Shqipëri.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama