Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

E djathta, nje rikthim ne liberalizim?

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 15 vite më parë

Andrea Stefani
E djathta, nje rikthim ne liberalizim?

Veçori e kësaj fushate elektorale është se për herë të parë në këto 18 vjet, në gjirin e së djathtës janë shfaqur disa parti jo satelite të bindura të Sali Berishës. Pra, për herë të parë e djathta nuk përbëhet më vetëm nga PD dhe parti kukulla të nënshtruara të saj, por ka edhe një grupim si "Poli i Lirisë", i përbërë nga Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) e Dashamir Shehit, Demokristianët e Leonard Ndokës, të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët, që shfaqin mjaft zhgënjim dhe papajtueshmëri me pseudodjathtizmin apo kriptokomunizmin berishist, me rrjedhojat katastrofike të qeverisjes së tij, duke dalë me premtimin e një të djathte reale. Në këtë linjë të një të djathte të vërtetë liberale, kundër punizmit autoritarist të fshehur nën maskën e emblemën e "demokratëve", ka dalë edhe partia "Ligj dhe Drejtësi" e Spartak Ngjelës.

Duket se kampi blu nuk është më në unitet monolit rreth partisë dhe liderit Berisha. Një dukuri që, nëse ka mbështetje nga elektorati i djathtë, mund të rikrijonte shanset për ta riorientuar busullën e së djathtës drejt polit të saj tradicional politik, lirisë dhe demokracisë liberale. Orientim që u braktis menjëherë pas përmbysjes së komunizmit për shkak të monopolizimit totalitarist të së djathtës nga pushteti autoritarist i Sali Berishës.

Është thuajse një paradoks, por është e vërtetë. Ata që kanë mbrojtur idealet liberale në Shqipëri, menjëherë pas rënies së komunizmit, nuk kanë qenë demokratët, por komunistët që nuk kishin arritur ende të bëheshin as ish-komunistë. Kjo ndodhi për shkak se menjëherë pas ngjitjes në pushtet, PD e komanduar me dorë të hekurt nga Berisha u orientua drejt instalimit të një demokracie autoritariste, ku nuk kishte vend më për politika dhe infrastrukturë institucionale liberale. Parimet liberale të ndarjes, kufizimit dhe baraspeshimit të pushteteve u braktisën nga "sjellësi i demokracisë", që i mbrujtur me epsh të pakufishëm për pushtet absolut e sundim, u bë sjellës i fatkeqësisë.

Berisha bëri gjithçka që të përqendronte (këtë pati për qëllim edhe projekti i tij i Kushtetutës, që dështoi në referendumin e vitit 1994) të gjitha pushtetet në duart e tij, për të pasur prokurorë dhe deri gjykatës në shërbim të tij. Shansi i demokracisë liberale, që ishte një farë e hedhur por e pa mbirë në truallin politik të vendit, u vu përballë rrezikut të shuarjes. Dhe ka qenë vetëm rezistenca kryesisht e opozitës së majtë socialiste që Berisha, me parullën e "antikomunizmit", tentoi ta shfaroste ose ta degradonte në opozitë konvencionale të demokracisë së tij autoritariste, që për të mbrojtur ekzistencën e saj u vu në mbrojtje edhe të parimeve dhe ideve të demokracisë liberale. Edhe në rastin shqiptar u vërtetua edhe një herë se e mira publike është jo pak herë rrjedhojë e veprimeve egoiste, e luftës për jetën e individëve dhe partive politike dhe jo se kjo e mirë publike (në këtë rast liberalizmi dhe liria) ka qenë ideali i tyre.

Kohët provuan se me gjithë reformimin që solli në radhët e së majtës rezistenca kundër autoritarizimit berishist, parimet e ndarjes, kufizimit, balancës së pushteteve, të drejtësisë apo medias së pavarur, që janë thelbësore për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të individit, nuk ishin bërë ende fryma sunduese në gjirin e së majtës. Ndonëse aspak agresiv, pushteti socialist i Fatos Nanos, që zëvendësoi atë berishist pas katastrofës së vitit ‘97, nuk bëri dhe aq shumë për pavarësimin real të pushtetit të drejtësisë nga politika, nuk preu tentakulat e ekzekutivit mbi legjislativin, nuk e fshehu dot epshin për të komanduar në prapaskenë, pa zhurmë, më butësisht por edhe më skllavërisht mediat.

Autoritarizmi rozë i socialistëve, sado i fshehtë dhe i kujdesshëm, nuk mundi të censurojë disa incidente të hapura dhe mbi të gjitha papërgjegjshmërinë dhe korrupsionin që i dhanë mundësi opozitës tejet destruktive të Berishës (opozitë që me grushtin e shtetit në ‘98, me hedhjen në erë të shtyllave të tensionit apo ujësjellësve, qe thuajse një guerilje) të rishfaqet si "mbrojtëse" e parimeve të lirisë, ligjit dhe drejtësisë. Dhe të rikthehet përsëri në pushtet.

Por ndryshe nga hera e parë, opozita e dytë socialiste kundër Berishës nuk i qëndroi deri në fund mbrojtjes së parimeve të demokracisë liberale, të shkruara edhe në Kushtetutën e vendit. Në aleancë me segmente të shoqërisë civile dhe Presidentin e Republikës së asaj kohe, Moisiu, ajo kundërshtoi me sukses në dy vitet e para përpjekjet e Kryeministrit Berisha për të shtënë në dorë institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Por më pas filloi të zbythet nga ky pozicion, duke u bërë me PD-në bashkautore e disa "reformave" me theks autoritarist.

Kryesorja ndër to është amendimi skandaloz, jo transparent i Kushtetutës në prill 2008. Përse ky ndryshim kursi nga PS? Përse ndryshe nga opozita e parë, kur ende e pareformuar sa duhet, mbrojti demokracinë liberale nga autoritarizmi, në opozitën e saj të dytë PS u bashkua në një moment me autoritarizmin kundër demokracisë liberale dhe pluripartitizmit? Përse kjo ndodhi në një kohë kur PS dukej më e reformuar, më liberale? Dy janë shpjegimet më thelbësore. Së pari, sepse PS nuk i kish bërë frymë të vetën, bindje, parimet e liberalizmit kushtetues.

Dhe ato u braktisën menjëherë, sapo katastrofa e Gërdecit e bëri lidershipin socialist të Edi Ramës, t‘i fanepsej ngjitja në pushtet shumë afër. Tashmë parimet e liberalizmit dhe pluralizmit nuk ishin më ato që mbronin opozitën nga autoritarizmi berishist, por ato që vështirësonin "mirëqeverisjen" e nesërme të Ramës, "stabilitetin" e qeverisë së tij, ose më saktë absolutizmin. Ende duke qenë në opozitë, Rama nisi të mendojë sikur qe në pushtet. Dhe dihet se ndryshe mendohet në opozitë dhe ndryshe në pushtet. Te kjo mendësi dhe shqetësimet prej pushtetari të liderit të opozitës, duhet kërkuar baza "ideologjike" e "reformave" me Berishën.

Këto "reforma" u përshëndetën edhe nga "ndërkombëtarët", si konsensusi më i gjerë i pushtetit me opozitën, me një verbëri "diplomatike" që nuk donte të shikonte se në thelb kishim të bënim me një konsensus të pushtetit me pushtetin, të pushtetit të sotëm me atë të nesërm, të pushtetit real me atë potencial dhe mbi të gjitha, të autoritarizmit me autoritarizmin. Edi Rama u bashkua me Berishën në disa reforma autoritariste, duke shpresuar se ja kish arritur ta bënte autoritarizmin e sotëm të investohej për fuqizimin e atij të nesërm, autoritarizmin blu të punonte për autoritarizmin rozë.

Tashmë në vigjilje të datës së zgjedhjeve, kemi një situatë ku dy partitë më të mëdha, në të majtë dhe në të djathtë, PS dhe PD, kanë përqafuar qeverisjen e vendit nëpërmjet një formule të "demokracisë autoritare" dhe jo të demokracisë liberale. Në fakt, formula më e keqe dhe aspak emancipuese për një shoqëri me tradita të forta patriarkale dhe autoritariste dhe krejt e kundërta e asaj që po shpallet nga dy të mëdhenjtë e politikës si "ndryshim".

Sepse është rikthim te një traditë e stërvjetër. Është një orientim i rrezikshëm për lirinë, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një pushtet si ky berishist, jo vetëm të korruptuar, por edhe deri të mafiozuar, për të cilin demokracia liberale dhe drejtësia e saj e pavarur janë vdekje. Nëse qëndron në pushtet, Berisha do ta mbysë drejtësinë për të shpëtuar veten dhe bashkë me të do mbysë edhe demokracinë liberale. Ndërkaq, nëse vjen në pushtet, nuk është e sigurt nëse Rama do ta toleronte një drejtësi të pavarur që të hetonte dhe gjykonte korrupsionin si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë. Në këto kushte merr rëndësi të madhe për mbijetesën e demokracisë liberale, drejtësisë dhe lirisë, rezistenca e partive "të vogla", që jo domosdoshmërish fryma e parimeve liberale, por pa dyshim nevoja politike e mbijetesës, i ka detyruar t‘i kundërvihen autoritarizmit të dy dinozaurëve të vjetër të politikës. LSI dhe aleatët e saj në të majtë dhe Poli i Lirisë dhe PLD në të djathtë, janë sot përballë një autoritarizmi me dy kokë, që i akuzon dhe kërkon t‘i shfarosë partitë e vogla, në emër të një pushteti gjithnjë e më absolut, duke e prezantuar këtë si "shpëtim". Tamam si pushteti i parë berishist akuzonte dhe kërkonte të shfaroste në emër të "antikomunizmit" opozitën e majtë socialiste, duke e paraqitur po si "shpëtim".

Por në sipërfaqe situata shfaqet mjaft e ndërlikuar. Emra të vjetër u janë bashkuar synimeve të reja dhe emra të rinj synimeve të vjetra. Liderë të stërvjetër flasin për "ndryshimin" të mbështetur nga figura të reja, ndërkohë që figura vërtet të vjetra duket se kanë përqafuar një aspiratë të re. Në këto kushte, kur e reja shfaqet si e vjetër, dhe e vjetra si e re, kur rreziku i shndërrimit të premtimeve në mashtrime rritet në përpjesëtim të drejtë me shkallën e premtimeve të liderëve, votuesit kanë vetëm një rrugë për të minimizuar zhgënjimin që mund të pasojë pas zgjedhjeve: duke mos i përqendruar votat si tradicionalisht vetëm te dy të mëdhenjtë, por duke votuar edhe "të vegjlit" josatelitë të të mëdhenjve. Pikërisht duke votuar ato parti që PD dhe PS i kanë shpallur antipluralisht si e keqja e të këqijave. Të votojnë më të vegjlit, me besimin se kobet politike i kanë ardhur Shqipërisë jo nga pluralizimi i pushtetit, por nga monopolizimi apo nga pluralizimi satelitist dhe jo real i qeverisjeve. Të votojnë edhe më të vegjlit, me besimin se stabiliteti i qeverisjeve nuk vjen nga monizmi autoritarist, por nga drejtësia e pavarur që ndëshkon korruptimin e qeverisjeve. Shqiptarët kanë nevojë të rikrijojnë të djathtën reale e jo të arratisen tej së djathtës për shkak të abuzimeve berishiste me "të djathtën".

Kjo vlen edhe për të majtën që nuk duhet braktisur për shkak të abuzimeve nanoiste me të majtën. Politika e re nuk mund të jetë një arratisje tej së majtës dhe së djathtës (sepse në fakt atje kemi qenë dhe jemi), por një rikthim në kursin që na çon te majta dhe e djathta e vërtetë evropiane. Dhe meqë jemi në pluralizëm, kjo politikë e re nuk mund të jetë atribut vetëm i një partie apo lideri. Ndaj duhet shpresuar dhe bërë çmos që edhe elektorati i djathtë të imitojë elektoratin e majtë, dhe ashtu si një depozitues i kujdesshëm që nuk i hedh të gjitha kursimet në një bankë të vetme, të mos i hedhë të gjithë votat në llogaritë personale të Sali Berishës, por të votojë në mënyrë më të shtuar edhe për "Polin e Lirisë" apo PLD. Vetëm kështu mund të krijoheshin premisat që në pushtet apo opozitë, e djathta shqiptare të braktiste kursin berishist të autoritarizmit dhe t‘i rikthehej demokracisë liberale për t‘u bërë një e djathtë reale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama