Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur Withers i thotë Berishës: Mos

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 15 vite më parë

Andrea Stefani
Kur Withers i thotë Berishës: Mos

"Mbi prokurorët nuk duhet të ketë kurrfarë trysnie politike". Kështu deklaroi para disa ditësh Withers, ambasadori amerikan në Tiranë, duke i bërë jehonë kryeproblemit të shtetit shqiptar, që është pavarësimi real prokurorisë dhe i pushtetit të drejtësisë nga prangat dhe presionet e botës së politikës. Si jo rrallë me diplomatët, gjuha e Withers qe paksa e rrumbullakosur por, nuk ishte e vështirë të kuptohej se, duke kritikuar trysninë e politikës mbi prokurorinë, shigjetat e diplomatit amerikan i drejtoheshin, në radhë të parë, Berishës dhe qeverisë së tij. Dhe jo më kot, por për faktin se qeveria dhe Kryeministri nuk po lënë gur pa lëvizur për të obstruktuar proceset e hetimit dhe gjykimit të disa superskandaleve, ku janë përfshirë ministra dhe familjarë të vetë Kryeministrit. Por pikërisht për faktin që Berisha dhe kabineti i tij kanë hyrë (për shkak të korrupsionit të tyre) në antagonizëm me drejtësinë, edhe thirrja e ambasadorit amerikan, ndonëse e drejtë si shqetësim apo e përligjur si alarm, tingëllon disi naive dhe e papërligjur si realpolitikë.

Ndoshta edhe vetë ambasadori Withers, ndërsa bën thirrje që "politika" të mos ushtrojë kurrfarë trysnie mbi prokurorinë, është koshient se po e njëjta "politikë" do të bëjë të kundërtën, do ushtrojë të gjitha presionet dhe shantazhet e mundshme për ta bërë prokurorinë të braktisë misionin e saj që sot, është fokusuar në zbardhjen e superskandaleve të errëta, e që ende kullojnë gjak qytetarësh të pafajshëm si ai i Gërdecit. Prandaj, vetëm nëse politikë ose diplomaci është të bësh thirrje për diçka që nuk ka fare gjasa të ndodhë, atëherë edhe thirrja e Withers është edhe politikë, edhe diplomaci. Ndërkaq, "Uliksi" Berisha ua ka mbyllur me dyllë veshët ministrave të "anijes" së tij, ngaqë e di se po t‘i dëgjojnë sirenat që i këshillojnë "inglisht" të heqin dorë nga presionet mbi prokurorinë, do të thoshte që të përgatisnin fundin me duart e veta.

Interesi i qëndrimit në pushtet i Berishës dhe klanit të tij, kërkon që skandali i tragjedisë së Gërdecit të mos zbardhet ose që ai të zbardhet përgjysmë, pra të ndëshkohen vetëm ata që zbatuan urdhrat dhe projektet e atyre që qëndronin shumë më lart në hierarkinë e shtetit, të ndëshkohet vetëm "grupi armiqësor i ushtarakëve" (nuk ka si mos na kujtohet Enveri) që zbatuan urdhrat e ministrit të Berishës, i cili, nga ana e tij, duket se zbatonte idetë e djalit të Berishës. Nuk ka si bëhet më diskredituese për Kryeministrin dhe qeverinë e tij të "duarve të pastra", botimi së fundi nga media i tabulateve të bisedave (bërë ditën e tragjedisë) të të birit të Kryeministrit me kryezbatuesin e punishtes fatale, Delijorgjin, dhe po ashtu, i tabulateve të bisedave, të bëra në të njëjtat orë tragjike, të vetë ministrit Fatmir Mediu, me po djalin e Berishës.

Edhe ç‘fakte të tjera duhet për të kuptuar më në fund se Berisha dhe njerëzit e tij kanë qenë të përfshirë kokë e këmbë në një aferë të ndyrë, që u përmbyt me flakë dhe gjak? Çfarë duhet më tepër për të kuptuar se ajo, që është thënë nga Diveroli në një bisedë të përgjuar me të ndjerin Trebicka për përfshirjen e djalit të Kryeministrit në këtë aferë të pisët, po del e vërtetë? Edhe çfarë faktesh të tjera do të duhen për t‘u bindur se pushteti i Berishës nuk mund të jetojë më gjatë, nëse drejtësia shqipton të vërtetën e tragjedisë, për të kuptuar, pra, se ai ka hyrë në antagonizëm dhe papajtueshmëri absolute me drejtësinë? Të pranosh të kundërtën do të thotë të luash përrallën e Andersenit, të shohësh mbretin lakuriq dhe të thuash se ai ka veshur rroba shumë të bukura, që në rastin në fjalë, do të thotë të shikosh qartë se duart e qeverisë nxijnë nga baruti e korrupsioni, dhe të thuash që ato janë të pastra. Prandaj, pyetja që shtrohet nuk është nëse politika do ta lerë të qetë drejtësinë por, a do ta lerë drejtësia shqiptare fatin e shtetit dhe të popullit të vet në duart e një kabineti kaq të korruptuar deri në mafiozim?

Nëse mundësia për hetime dhe gjykime të pavarura bazohen në shpresën se, politikanë thellësisht të korruptuar si Berisha e kompani, do t‘i binden thirrjes për të mos bërë presion mbi drejtësinë, në Shqipëri nuk do të ketë kurrë drejtësi. Eshtë njësoj si t‘u bësh thirrje ujqërve të mos shqyejnë delet. Korrupsioni e ka bërë këtë qeverisje në mënyrë të pakthyeshme, të pashërueshme antagoniste me drejtësinë e pavarur nga ajo. Po edhe pa skandalet e Gërdecit, Fazliçit, Rrëshen-Kalimashit, dihet botërisht tendenca e Berishës, që në nisje të tranzicionit, për të vënë nën hyqmin e tij prokurorinë dhe drejtësinë. Sepse, ndërsa dilte me hipokrizi në krye të njerëzve që brohoritnin rënien e diktaturës komuniste e bustit të diktatorit, Berisha planëzonte të bëhej vetë një sundimtar.

Jo rastësisht, ai ideoi të prodhonte juristë në inkubatorin e "Plepave", sepse donte të kishte, jo juristë të pavarur, por juristët e tij. Dhe jo pak nga ata vazhdojnë të punojnë për Berishën edhe sot e kësaj dite. Jo rastësisht Berisha shkarkoi kryeprokurorë si Maks Haxhia apo gjykatës si Zef Brozi, që nuk pranuan të përdoren. Jo rastësisht amendoi edhe Kushtetutën, duke e bërë më të mbifuqishëm Kryeministrin, duke bërë më të varur nga Kryeministri atë që është dhe kryetar i "qeverisë së gjyqësorit, Presidentin e Republikës, duke bërë më pak të pavarur prokurorinë. Të gjitha i bëri në kuadrin e strategjisë së tij për t‘u shndërruar në despot i dytë i Shqipërisë, pas Enver Hoxhës. Provohet kështu edhe një herë zgjuarsia afatgjatë e Monteskjë, që thoshte se të gjithë ata "që kanë dashur të bëhen despotikë, e kanë filluar kurdoherë nga përqendrimi në duart e tyre të të gjitha pushteteve".

Prandaj, nuk mund të ketë as edhe një fije shprese se Berisha do të ndryshojë, se do të heqë dorë nga kapja e prokurorisë dhe gjykatave. Tashmë dhe përfundimisht, autoritarizmi që polli korrupsion dhe korrupsioni që pjell autoritarizëm, e shtyjnë Berishën të ecë me vendosmëri drejt skllavërimit të prokurorisë dhe drejtësisë. E ndaj problemi nuk është se ç‘do të bëjë Berisha apo edhe politika në tërësi me prokurorinë dhe gjyqësorin, problemi i vërtetë dhe themelor është se ç‘do të bëjë prokuroria dhe pushteti i drejtësisë për të ruajtur lirinë e vet, pa të cilën nuk mund të ketë as luftë kundër korrupsionit dhe as liri për qytetarët e Shqipërisë. Liria dhe pavarësia nuk do t‘i vijnë prokurorisë e drejtësisë si dhuratë nga politika, as nga një qeveri tjetër, që mund të ndërrojë këtë të Berishës pas zgjedhjeve të qershorit. Në rastin e pushtetit të drejtësisë, thënia "liria nuk dhurohet, por fitohet", është sot më e vërtetë se kurrë. Sot është koha që drejtësia të ngrihet në mbrojtje të lirisë së vet dhe qytetarët në mbrojtje të lirisë së drejtësisë, pa të cilën do të jenë skllevër dhe viktima të dhunës së më të fortëve të lidhur me politikën. As punën, as pronën, as edhe jetën nuk do t‘ua mbrojë kush. Nëse drejtësia nuk mbron veten dhe qytetarët drejtësinë, atëherë politikanë të korruptuar si Berisha do bëjnë të vetën, do t‘ia mbyllin gojën prokurorisë dhe drejtësisë, edhe pse ambasadori Withers mund t‘i thotë përsëri: "Mos"! Por ata do ta bëjnë, sepse nuk kanë rrugë tjetër shpëtimi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama