Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Imunitetet, kurthi i ri per opoziten

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 14 vite më parë

Andrea Stefani
Imunitetet, kurthi i ri per opoziten

Për të kuruar imazhin e dëmtuar rëndë nga denoncimi i korrupsionit deri edhe lidhjeve mafioze ministrash në kabinetin e tij, Berisha ka hedhur përsëri në qarkullim idenë e heqjes së imunitetit të deputetëve. Një ide që fatkeqësisht e mbështeti këto ditë edhe Presidenti i Republikës. Në fakt, qëllimi i Kryeministrit nuk është që me heqjen e imuniteteve të luftojë korrupsionin, por që t’i shtojë edhe një tjetër mjet arsenalit të tij të shantazhimit të opozitës. Kjo bëhet edhe më e mundur në kushtet kur në Shqipëri nuk ekziston një drejtësi qartazi e pavarur nga pushteti dhe kur pavarësia e institucionit të prokurorisë është reduktuar edhe më shumë pas amendimeve kushtetuese të prillit 2008. Janë këto dyshime të ngritura me kohë edhe nga Komisioni i Venecias në një opinion të dhënë për këtë çështje më shumë se 4 vjet më parë.

* * *

Heqja e imuniteteve të deputetëve është një ambicie e hershme e Berishës, e ngjashme me atë të ujkut të fabulës që i këshillon demit të heqë brirët, se ashtu “duket më bukur”. Prandaj që në vitin 2005, qeveria i bëri një kërkesë Komisionit të Venecias për një opinion mbi projektligjin “Për kufizimin e imunitetit të deputetëve”, për rastet e krimeve korruptive dhe abuzimit me detyrën. Opinioni mbërriti nga Venecia në mars 2006 dhe nuk qe aq optimist për iniciativën e Berishës që ende ruante imazhin e “princit blu që do vriste kuçedrën e korrupsionit”.

Sipas Komisionit të Venecias, imuniteti parlamentar është dizenjuar, para së gjithash, që të mos e lejojë pushtetin ekzekutiv (qeverinë) dhe shumicën parlamentare që ta pengojnë Parlamentin në funksionet e tij normale dhe veçanërisht duke dobësuar opozitën me hetime selektive. A mund të besohet se autoritaristi Berisha nuk mund të mos ushqejë ambicie të tilla kur qysh në fillim të karrierës së tij si pushtetar, një nga manipulimet e para që realizoi me anë prokurorësh dhe gjykatësish të kapur ishte burgosja e liderit të opozitës Fatos Nano? Imuniteti parlamentar është një element i rëndësishëm i organizmit të institucioneve të mbikëqyrura nga Kushtetuta dhe ka të bëjë edhe me pozicionin e Parlamentit në kornizën kushtetuese dhe me marrëdhëniet e tij me pushtetet e tjera të shtetit. Prandaj Komisioni i Venecias ka hedhur dyshime nëse vërtet ekziston një nevojë urgjente në Shqipëri për kufizimin e imunitetit të deputetëve. “Duhet nënvizuar se deri në ditën e sotme– theksohet në opinionin e Komisionit të Venecias -ka pasur vetëm një rast në të cilin është diskutuar heqja e imunitetit të deputetëve në bazë të Kushtetutës ekzistuese. Çështja nuk kishte të bënte me korrupsionin dhe nuk çoi në heqjen e imunitetit. Ky sfond historik hedh hije dyshimi nëse vërtet ekziston një nevojë urgjente për këtë reformë, sikundër pretendohet në shpjegimet e dërguara nga qeveria shqiptare”, shpjegonin ekspertët e Venecias. Sot, pas më shumë se 4 vjetësh, situata është po ajo. Vetë shumica dhe Berisha që stërbetohen se nuk do fshihen pas imunitetit, në prapaskenë kanë bërë dhe bëjnë lloj-lloj makinacionesh që ministra të akuzuar për korrupsion, si Fatmir Mediu apo Lulzim Basha, t’i shmangen përballjes me ligjin. Nëse vërtet do kish vullnet për të luftuar korrupsionin, Berisha duhej ta demonstronte këtë me të vetët. Dhe ekzistojnë të gjitha kushtet ligjore për një gjë të tillë. Imuniteti në fakt nuk përbën pengesë nëse shumica ka vullnet ta luftojë korrupsionin në radhë të parë aty ku ai është më prezent, në radhët e pushtetit dhe qeverisë. Edhe Komisioni i Venecias ka sqaruar se Parlamenti ka të drejtë t’ia heqë imunitetin çdo deputeti të tij, sepse imuniteti nuk është një privilegj privat i deputetit, por një rregull për të mbrojtur vetë Parlamentin dhe funksionimin e tij normal. Prandaj edhe Kushtetuta e Republikës i njeh Kuvendit të drejtën të heqë imunitetin për secilin nga anëtarët e tij. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë se Kushtetuta shqiptare i ka të gjitha standardet europiane lidhur me heqjen e imunitetit të deputetëve. Kjo do të thotë se heqja e imunitetit në tërësi jo vetëm nuk favorizon luftën kundër korrupsionit, por vë në rrezik funksionimin normal të Parlamentit, duke rrezikuar opozitën përballë një pushteti autoritarist dhe të korruptuar.

* * *

A duhet të hiqet imuniteti i deputetit rast pas rasti, apo në avancë për të gjithë deputetët? Ky është problemi që ngrihet dhe Komisioni i Venecias shqyrton rreziqet e një persekutimi të mundshëm politik të opozitës.

Dhe thekson se vërtet ka një praktikë të Bundestagut (Parlamentit) gjerman për heqjen e pjesshme të imunitetit për të gjithë periudhën e mandatuar parlamentare, por shton se edhe Gjykata Kushtetuese në Gjermani nuk ka mundur akoma të vendosë nëse kjo praktikë është me të vërtetë kushtetuese. Në literaturën gjyqësore janë shfaqur shumë dyshime për këtë problem. “Dyshimet bazohen pjesërisht në shqetësimin se heqja e përgjithshme e imunitetit mund të ndikojë në punën e Parlamentit, sepse mund të lejojë hetime selektive, arbitrare ose edhe politikisht të motivuara”, thuhet në opinionin e Venecias. Ndaj dhe sugjeron që çështja të shqyrtohet me seriozitet dhe në kontekstin shqiptar, sepse në Gjermani, krejt ndryshe nga Shqipëria, ekzistojnë ndërkaq masa mbrojtëse dhe mbi të gjitha një drejtësi shumë më e pavarur që mbrojnë deputetët nga hetime selektive me motive arbitrare.

“Një tjetër set rregullash që mbrojnë kundër hetimeve arbitrare dhe politikisht të motivuara janë ato që mbrojnë pavarësinë e prokurorisë nga ndikimet politike dhe marrjes së instruksioneve nga nivele të ndryshme politike”, thuhet në opinionin e komisionit. Kjo është tamam situata që shqetëson në Shqipëri. Nga instruksionet e Topallit për Kryeprokuroren Ina Rama në rastin e hetimit të Gërdecit e deri te presionet e kohëpaskohshme të Kryeministrit mbi Prokurorinë, si dhe projektet e tij për heqjen e imunitetit të prokurorëve dhe gjykatësve. Komisioni i Venecias sqaron se “në Gjermani prokurorët janë normalisht organe të shteteve Lande, që do të thotë se ata nuk varen nga shumica qeverisëse në nivel federal”. Një distancë e tillë nuk ekziston në Shqipëri dhe mundësitë e shumicës qeverisëse për të ndikuar mbi prokurorinë janë shtuar shumë tani që, pas ndryshimeve kushtetuese, Kryeprokurori nuk ka më një mandat të pakufizuar, por vetëm 5-vjeçar. Kështu, në kontekstin e Shqipërisë, ku mungojnë ende garancitë dhe balancat, dhe një tendencë e fuqishme autoritariste ekziston në kokën e politikës, heqja e imunitetit për të gjithë deputetët nuk mund të mos çojë në hetime selektive dhe politikisht të motivuara. Duhet të jesh i verbër të mos shohësh se ky është edhe qëllimi i kësaj “reforme” të iniciuar nga Kryeministri Berisha që në momentet e para të riardhjes së tij në pushtet. Një kurth i ri politik po projektohet përsëri në horizont për opozitën. Nuk është një rastësi që edhe Komisioni i Venecias ka konstatuar se drafti i qeverisë nuk parashikon plotësimin e ndonjë prej kushteve që do ta bënin të pamundur hetimin selektiv dhe të motivuar politikisht të deputetëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama