Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Varkar

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 17 vite më parë

Andrea Stefani
Varkar

Dhe premtoi se ai vetë, Berisha, do të provojë me fakte të kundërtën. Por, është pikërisht kjo deklaratë, në formë garancie e Kryeministrit, që jo vetëm nuk e fashit, por e shton edhe më shumë skepticizmin. Prej saj mund të nënkuptohet se garanci për pavarësinë e institucionit të Presidentit të Republikës nuk do të jetë vetë Topi (ashtu sikundër deri dje ishte vetë Moisiu), por Kryeministri Berisha. Ky është një absurd politik, sepse ofron si garanci për pavarësinë e institucionit të Presidencës nga institucioni i Kryeministrit, pikërisht këtë të fundit. Në thelb është njësoj si t‘i besosh premtimit të "ujkut" se nuk do t‘i hajë mëlçitë që ia kanë varur në qafë. Që nga momenti kur lind nevoja që Kryeministri të bëjë publikisht një premtim të tillë, kuptohet se sistemi i institucioneve të pavarura ka rënë. Nënkuptohet pra se Kryeministri e ka në dorë pavarësinë e Presidentit, ashtu si një njeri mund të ketë në dorë lirinë e një zogu të kapur. Por, pavarësia e institucionit të Presidencës nga institucioni i Kryeministrit nuk duhet të varet qoftë edhe nga vullneti i mirë i Kryeministrit. Pavarësia e Presidentit duhet të jetë e garantuar, edhe sikur Kryeministri të mos jetë vullnetmirë. Shkurt, me demokracinë nuk ndodh kështu si po ndodh këto ditë në Shqipëri. Në demokraci nuk janë kryeministrat që garantojnë pavarësinë e institucioneve, por institucionet e pavarura që nuk lejojnë kryeministrat të skllavërojnë institucionet dhe demokracinë. Mjerisht, me zgjedhjen President të nënkryetarit të partisë në pushtet që ka për kryetar të saj Kryeministrin, është hedhur një hap tjetër drejt kapjes së gjithë institucioneve nga Kryeministri. Kjo nuk do të ndodhë vetëm për shkak të ndonjë mrekullie. Dihet që mrekullitë janë një gjë shumë e rrallë në këtë botë dhe në këtë rast, si për ironi, mrekullia mund të fshihet pikërisht aty ku është përqendruar edhe dyshimi më i madh, te Bamir Topi. *** Gjatë viteve të monizmit mes fëmijëve qarkullonte një fabul me ujk, dele, lakër, varkar dhe lumë. Varkari kuptohet që kishte një varkë me të cilën donte të kalonte në anën tjetër të lumit së bashku me të tre "pasagjerët". Por ishte në hall. Sepse varka mund të mbante njëherazi vetëm varkarin dhe një nga ngarkesat pra, ose varkarin dhe delen, ose varkarin dhe lakrën, ose varkarin dhe ujkun. Problemi ishte se në asnjë rast ujku nuk duhet të lihej vetëm me delen, sepse varkari e dinte që ujku do ta hante delen edhe sikur t‘i premtonte për të kundërtën. Por, edhe delja do ta hante lakrën nëse varkari do të bënte gabim ta linte vetëm me të, ndërkohë që merrte ujkun për ta kaluar në anën tjetër të lumit. Si zgjidhej ky problem? Shumë fëmijë arrinin ta zgjidhin atë për bukuri, duke "udhëzuar" varkarin që të mos lejonte në asnjë rast që ujku të mbetej vetëm me qengjin apo delja vetëm me lakrën. Askujt nuk ia merrte mendja se pikërisht zgjidhja që i jepnin atij rebusi, do të qe pikërisht edhe thelbi i një sistemi politik që do të vinte pas përmbysjes së komunizmit. Dhe ky thelb i demokracisë është që t‘i ndajë pushtetet dhe të mos lërë bashkë dhe pa arbitër dy pushtete, kur ekziston rreziku që njëri mund ta hajë tjetrin. Por, pikërisht këtë mësim të dalë nga një lojë fëmijësh, shqiptarët nuk kanë mundur ta zgjidhin politikisht asnjëherë si duhet në këto 17 vjet tranzicion jo thjesht drejt Evropës, por drejt demokracisë. Sepse, të thuash që po shkojmë drejt Evropës, i jep tranzicionit më shumë konotacionin e një rravgimi gjeografik, duke lënë disi në surdinë thelbin e vërtetë të procesit, që është tranzicioni politik nga një sistem i mbyllur, në një sistem të hapur, nga një sistem pa liri, në një sistem me liri, nga totalitarizmi në demokraci, nga një sistem ku pushtetet dhe institucionet janë në një dorë, në një sistem ku ato janë të ndara dhe jo në një dorë. Me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri nuk erdhi demokracia, sikundër rëndom thuhet, por u hap shtegu për të udhëtuar drejt saj. Dhe që të vijë demokracia shqiptarët duhet të bëjnë çmos për të mos lejuar që "ujku" të mbetet vetëm me "delen", por edhe as "delja" vetëm me "lakrën". Mjerisht nuk e arritën as tani. *** Shqiptarët nuk kanë arritur t‘i ndajnë asnjëherë sa dhe si duhet pushtetet dhe institucionet nga njëri-tjetri. Edhe sot në "demokraci". Inteligjenca e tyre demokratike është ende poshtë asaj të një fëmije dhe shqetësimi i tyre për liritë e tyre politike mjaft i pakët. Ky mbetet një avantazh i madh për liderë të përjetshëm të tipit Berisha apo Nano, që prej vitesh ushtrojnë presione nga më të ndryshmet që t‘i mbajnë të gjithë pushtetet, institucionet dhe partitë, hapur ose fshehtazi, nën kontrollin e tyre. Edhe sabotimi që Nano dhe Berisha i bënë një konsensusi të mundshëm që do të nxirrte President konsensual Neritan Cekën, duke vënë në lëvizje deri edhe pazare të turpshme votash (Nano sapo e pranoi publikisht me krenari autorësinë e një poshtërsie të tillë), është një përsëritje e kësaj sindrome të rrezikshme sadisto-autoritare për të kontrolluar gjithçka. Prandaj, edhe skepticizmi ndaj premtimeve të Berishës (po të donte vërtet një President të paanshëm përse sabotoi konsensusin?) është gjëja më e natyrshme, më normale për një qytetar që e çmon lirinë e vet dhe të institucioneve që mbrojnë këtë liri, që kërkon ta mbrojë këtë liri nga vullnetet e politikanëve të ndryshëm, të cilët vërtet ka raste kur mund të jenë të mira, por ka edhe më shumë raste të tjera, kur mund të jenë të këqija. Dhe kur arrin puna që Kryeministri premton (qoftë edhe butë si një dele) se Presidenti do të jetë i pavarur, kjo duhet t‘u japë të kuptojë qytetarëve se "lakra" e lirive të tyre nuk do të mbrohet më nga një "institucion" i pavarur, si për shembull "varkari", por nga vetë institucioni i "deles" në këtë rast, i "buti" Kryeministër. Dhe besojeni se institucioni i "deles" i mbetur vetëm me lakrën është po aq i egër dhe gllabëronjës sa edhe institucioni i "ujkut" i mbetur vetëm me delen. Madje, ndonjëherë "delja" mund të dalë më e egër se "ujku". Në këtë kuptim tani mund të shpresohet se liritë e qytetarëve nuk do të preken në atë masë që mund të shpresohet se delja nuk do ta prekë lakrën. Kjo do të qe një mrekulli. Ndërkaq, një shpresë e mbytur në dyshime është roli që do të luajë "varkari". Rregulli bazë i demokracisë është: ndaji gjithnjë institucionet, duke futur varkarin në mes të ujkut dhe deles apo deles dhe lakrës, vendos në mes tyre gjithnjë një varkar, por që është i pavarur, që nuk është i varur as nga delja dhe as nga ujku. Sepse nëse është i varur nga ujku, do ta lërë atë ta shqyejë delen dhe nëse është i varur nga delja, do ta lërë të hajë lakrën. *** Në veprën e tij të famshme, "Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj", Karl Poper, një nga filozofët më të shquar të Perëndimit, kritikon filozofinë e Platonit si një nga tri burimet filozofike të mendësisë totalitare. Sipas Poperit, filozofi i madh i antikitetit ka bërë një përqasje të gabuar, kur e ka përmbledhur problemin e politikës në pyetjen: Kush duhet të qeverisë? Sepse, kjo të çon në përgjigje të tilla si "më i miri", "populli", "më i zgjuari", që në fakt nuk japin një përgjigje. Kjo, për faktin se, sikundër sqaron Poperi, sunduesit apo qeverisësit nuk janë asnjëherë mjaftueshmërisht "të mirë" dhe "të zgjuar" dhe se nuk është fare e lehtë që njeriu të gjejë një qeveri për t‘u mbështetur thelbësisht në mirësinë apo zgjuarsinë e saj. Prandaj, kur punët janë kështu, mendimi politik demokratik i ka dhënë me kohë përgjigje edhe një situate, kur nga zgjedhjet mund të dalë një qeveri e keqe. Përse të mos përgatitemi për liderë të këqij, ndërkohë që shpresojmë për më të mirët? - pyet Karl Poper. Kjo kërkon që më shumë se për problemin kush duhet të qeverisë, qytetarët dhe demokracia e tyre duhet të fokusohen në një tjetër problem: "Si mund t‘i organizojmë institucionet tona politike në mënyrë që qeveritarë të këqij dhe inkompetentë të parandalohen të bëjnë shumë dëm"? Dhe përgjigjja e këtij problemi thelbësor për politikën e demokracisë gjendet te gjëegjëza e varkarit, te liria e varkarit, te pavarësia e varkarit. Në varkën e demokracisë roli i "varkarit" është shumë i rëndësishëm, prandaj çështja e pavarësisë së tij reale nuk mund të neglizhohet sikundër po bëjnë sot jo vetëm ca shqiptarë, por edhe ca "ndërkombëtarë", duke thënë: Varja!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama