Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Antishteti

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 25 vite më parë

Andrea Stefani
Antishteti

Kushtetuta është vullneti i shkruar i popullit. Pikërisht këtë vullnet kanë dhunuar Berisha dhe Topalli duke mos respektuar një nga institucionet më të larta të shtetit. *** Vetë Berisha dëshiron që kjo ngjarje e shëmtuar, të trajtohet me lehtësi, sikur nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe. Madje, shpreson që të korrë edhe duartrokitje për këtë harbutëri politike. Në fund të fundit, sipas Berishës, njeriu më i rëndësishëm i vendit që është Berisha, nuk pati kohë dhe dëshirë të jetë prezent në një ceremoni të kryesuar nga Presidenti i Republikës që po sipas Berishës, është askushi. Po sipas psikologjisë së Berishës të virusuar rëndë nga arroganca e më të fortit, Moisiun e ka pjellë konsensusi Nano-Berisha prandaj, ai do të jetë gjithnjë një nënprodukt i politikës së Berishës dhe asgjë më shumë. Dhe i verbuar nga mllefi që ky "nënprodukt" ka guxuar të mos i bindet, madje ta kundërshtojë "Atin" e tij politik, në realizimin e planeve më të zeza antishtet, nuk kupton se ai, Berisha dhe politikanët e tjerë, janë mandatuar nga populli që t‘i hapin rrugën prodhimit të një institucioni, që është Presidenti i Republikës. Dhe sipas vullnetit të popullit të stampuar në faqet e Kushtetutës, ky institucion, duhej të bënte pikërisht atë që ka bërë dhe që Berisha e urren kaq shumë: të mos u nënshtrohej planeve dhe intrigave për pushtet absolut të Berishës dhe të askujt, por në frymën e Kushtetutës të mbronte institucionet e pavarura nga kthetrat që janë zgjatur dhe duan t‘i shqyejnë. Berisha nuk kupton se si politikan ai nuk ka pjellë një Alfred Moisi, një individ, po një institucion, dhe më të lartin e shtetit, atë të Presidentit të Republikës që me Kushtetutë, përfaqëson unitetin e vendit. Ndaj, të konfliktohesh me Presidentin e vendit do të thotë t‘i bësh sfidë ndjenjës së përbashkimit që është palca e një shteti dhe shoqërie. Dhe të konfliktohesh nuk do të thotë të mos biesh dakord. Të konfliktohesh do të thotë të mos respektosh, të përbuzësh, të urresh, të poshtërosh, shkurt të bësh pikërisht atë që bëri Kryeministri. *** Duke mbetur shumë primitiv në mentalitetin e tij politik, Berisha nuk kupton asgjë nga procesi i shenjtërimit të institucioneve. Ai sheh te Presidenti i Republikës individin Moisi në vend që te individi Moisi të shohë të mishëruar Presidentin e Republikës. Me qëllime të mbrapshta ai kërkon që njerëzit të shohin te Presidenti i Republikës jo institucionin e lartë të shtetit, po pensionistin që Berisha e mori nga rruga dhe si me magji e bëri President. Ky denigrim bëhet sepse psikologjia e sëmurë e Berishës, nuk duron dot që dikush të jetë më lart se ai. Edhe nëse këtë e thotë Kushtetuta, ky njeri që bërtet se nuk e respekton Moisiun, se gjoja ka shkelur Kushtetutën, do të bëjë gjithçka që ajo që thotë Kushtetuta, të mbetet vetëm në letër. Ndërkaq, do të përpiqet që të gjithë ta mësojnë se "de facto" mbi të gjitha dhe mbi të gjithë, është Berisha. Asnjë diktator nuk ka shpalosur kaq hapur dhe kaq patologjikisht, madje as Enver Hoxha që deri në fund të jetës fshihej pas partisë dhe popullit (jeni ju, pa jemi ne) pra, asnjë diktator nuk ka guxuar të shfaqë kaq hapur një arrogancë dhe epsh të tillë për të sunduar gjithçka dhe këdo. Dhe një epsh i tillë është bërë gjithnjë e më shumë patologjik (ato që thuheshin mbi Berishën e zbutur apo të ndryshuar dolën pallavra) sa nuk mund të frenohet nga asnjë lloj arsyeje. Sepse arsyeja e shtetarit duhet t‘i thoshte Berishës se pavarësisht që Moisiu u bë President edhe me pëlqimin e Berishës, nga ai moment, Moisiu është mishërim i një institucioni që nuk ka asnjë detyrim t‘i bindet Berishës. Sepse një detyrim të tillë nuk e ka as edhe një ministër i zakonshëm. Dhe populli nuk i ka dhënë mandate Berishës që të abuzojë me to dhe të zgjedhë një President skllav apo kukull të Berishës. Popullit dhe demokracisë i duhet një President, që kur është fjala për të mbrojtur Kushtetutën, vullnetin e shkruar të popullit, duhet t‘i thotë jo edhe Berishës edhe gjithkujt. Nuk është krim që një President t‘i thotë jo planeve që synojnë tredhjen e lirisë së sistemit. Krim do të qe po të ndodhte e kundërta. Populli nëpërmjet Kushtetutës, e ka mandatuar Presidentin të bëjë pikërisht atë që edhe ka bërë, të mbrojë pavarësinë e institucioneve. Dhe Berisha tenton ta poshtërojë institucionin e Presidentit, jo se Moisiu nuk ka zbatuar Kushtetutën sikundër e paraqet, por pikërisht sepse e ka zbatuar Kushtetutën duke u thënë jo planeve absurde dhe autokratike të Berishës. Dhe nuk ka asnjë anomali në këtë diskordancë institucionale. Pluraliteti, ndarja e pushteteve dhe pavarësia e tyre e presupozojnë atë. Nuk paska të drejtë Presidenti të mendojë ndryshe nga Kryeministri dhe për rrjedhojë, të vendosë edhe ndryshe dhe jo në përputhje me dëshirat e një Kryeministri? Nuk gëzuaka institucioni i Presidentit, i qytetarit të parë të këtij vendi, atë të drejtë sa elementare aq edhe themelore kushtetuese që e gëzon çdo qytetar, të drejtën e mendimit dhe shprehjes ndryshe? A i jep ushtrimi i kësaj të drejte nga Institucioni i Presidencës të drejtën Kryeministrit që të hakmerret duke shpalosur mungesë respekti dhe përbuzje publike ndaj tij? Askush nuk ia ka dhënë Berishës një mandat të tillë kanunor. Berisha mund të mos e pëlqejë qytetarin Alfred Moisiu, por është i detyruar që në personin e tij, të respektojë institucionin e Presidentit të Republikës, sepse ky institucion, nuk është pjellë e kapriçiove të Berishës, por një krijesë e Kushtetutës dhe pikërisht, për të balancuar dhe kontrolluar edhe vullnete të mbrapshta si këto të Berishës kurdoherë që të shfaqen. Institucioni i Presidentit është simbol i unitetit dhe një Kryeministër duhet të ketë pjekurinë minimale politike për të mos manifestuar një karshillëk foshnjarak duke u "allnuar" me Presidentin sa herë që i prishet qejfi. Shfaqja që dha Kryeministri (më saktë që nuk dha) është komike dhe me siguri ka bërë të nënqeshë çdo diplomat perëndimor. Por për ne, shqiptarët, është një dukuri tragjike, është një metastazë e kancerit të shtetit. *** Në thelb, edhe kjo hataja e fundit e Berishës, nuk është gjë tjetër veç një tjetër shfaqje e strategjisë, e amokut berishian për kapjen e institucioneve. Berisha dhe skllevërit e tij, përhapin lloj-lloj legjendash mbi gjoja faktin që Kryeministri është më i rëndësishëm se Presidenti, sepse ky i fundit, nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Kjo është leva autoritariste e Berishës e zhytur në themelet e institucioneve pra, të shtetit. Sepse populli të fal mandate që të prodhosh gjëra të shenjta, të paprekshme dhe të respektueshme sikundër janë ligjet dhe institucionet. Ligjeve dhe institucioneve duhet t‘u nënshtrohet jo vetëm populli, por edhe vetë politikanët që i prodhojnë. Kjo është çudia e alkimisë së shtetit. Politikanët prodhojnë institucione të cilave u nënshtrohen edhe ata vetë. Institucionet, këto krijesa të politikës, më pas kontrollojnë, balancojnë, korrektojnë sjelljen e gjithkujt, edhe të politikanëve. Ndryshe populli nuk do të mandatonte politikanë, por diktatorë dhe tiranë. Dhe detyra e parë e një politikani që i qëndron besnik mandatit të tij dhe Kushtetutës, është që të përpiqet me të gjitha forcat të shenjtërojë produktin e tij të parë, që janë ligjet dhe institucionet që ai kontribuon të vijnë në jetë. Politikanët mund të bëhen mami, por nuk janë as etër dhe as gardianë të institucioneve të lira. Dhe si ndihmon një politikan për të shenjtëruar institucionet? Minimumi është që të respektojë vendimet e tyre edhe kur ato nuk përkojnë me ambicien e tij politike. Një institucion mund të gabojë? Sigurisht! Por politikani nuk duhet të zemërohet dhe t‘i erren sytë si ai fshatari që i gërmushet për ledhin apo vijën e ujit komshiut. Ai nuk ka tagër të urrejë e aq më tepër të shajë apo fyejë publikisht institucionin. Sepse kështu mbjell përçarjen. Nëse një lider mallkon një institucion gjithë pasuesit e tij do ta mallkojnë dhe urrejnë. Atëherë, në rastin konkret, ç‘bëhet me bashkimin, simbol i të cilit është Presidenti? Në momente mospajtimi, arsyeja e politikanit i drejtohet Kushtetutës dhe institucioneve që monitorojnë zbatimin po nga institucionet të vullnetit të popullit të shprehur në Kushtetutë. Duke bërë këtë, politikani tregon respekt ndaj institucioneve edhe kur nuk bie dakord me vendimet e tyre. Dhe ç‘tregojnë faktet? Tregojnë që pikërisht "Zeusi" Berisha, që fyerjen që i bëri institucionit të Presidentit kërkon ta maskojë me gjoja shkeljen e Kushtetutës nga ky i fundit, është vetë dhunuesi më recidivist dhe më këmbëngulës i Kushtetutës. *** Mirë Berisha që dihet tashmë, po Jozefina ç‘pati? Kur u ngjit në podiumin e lartë të folëses së Kuvendit, ajo premtoi se do të bëhej mbrojtësja më e vendosur e zërit të opozitës. Shumë vetë e ndien që në atë kohë hipokrizinë e këtij betimi. Dhe nuk gabuan. Topalli manifestoi më pas, një arrogancë kundër opozitës që asnjë kryetar mashkull nuk kish mundur ta shpaloste deri në atë kohë. Jo rastësisht nisën ta quajnë "burrneshë". Topalli nuk mundi të bëjë dot transformimin e vetes nga partiake në kryeparlamentare. Dhe ky është një proces po aq i vështirë sa ai që në kimi quhet sublimim, kalimi i një lënde nga një gjendje agregate në një tjetër, nga gjendja e gurtë në të gaztë. Mjerisht, Topalli nuk u sublimua dot dhe mbeti një partiake e gurtë. Duke mos respektuar institucionin e Presidentit të Republikës, ajo shkeli një etikë që imponon Kushtetuta dhe vetë arsyeja e shtetarit. Topalli edhe si kryeparlamentare, vazhdon t‘i bindet verbërisht urdhrit të partisë, urdhrit të liderit. Instinkti partiak mbetet tek ajo shumë herë më i fuqishëm se arsyeja e shtetarit. *** Berisha e ka për zeje që të fshihet pas Kushtetutës sa herë që dhunon Kushtetutën. Kështu bëri edhe këtë herë. Nuk është e shkruar në Kushtetutë që Kryeministri duhet të marrë pjesë në ceremoninë e dekretimit të ministrave të qeverisë së tij? Saktë, por megjithatë, kryeministrat zakonisht marrin pjesë në këto lloj ceremonish, për të respektuar këtë moment të rëndësishëm, për të respektuar ministrat që mandatohen në radhë të parë, për të respektuar publikun. A mundet që një Kryeministër që shkon të inaugurojë edhe një shatërvan, të mos ketë kohë të marrë pjesë në përurimin e një "investimi" shumë të rëndësishëm politik për publikun, sikundër është dekretimi i njerëzve që do ta qeverisin? Nëse Berisha ka kohë të inaugurojë shatërvanë, por jo për të "përuruar" ministra, atëherë ai e pohon hapur se një shatërvan vlen për të më shumë sesa disa ministra apo një kabinet. Kushtetuta nuk e ka të shkruar që Kryeministri duhet të respektojë një ceremoni dekretimi, por fryma e Kushtetutës, që është respektimi dhe shenjtërimi i institucioneve të pavarura e presupozon. Respekti është ajo forcë që e detyron Kryeministrin të shkojë, respekti për njerëzit dhe institucionet. Sepse ndonëse nuk e ka me Kushtetutë, Berisha vrapon për të prerë shumë shirita të mëdhenj e të vegjël kudo. Por Berisha respekton vetëm "institucionin" Berisha, ndaj refuzon të respektojë ato institucione që cenojnë kultin që ai i ka ngritur vetvetes. Në këtë kuptim, një ceremoni në institucionin e Presidencës ka për të shumë më pak vlerë sesa përurimi i shatërvanit në formë piramide te Zogu i Zi. *** Institucionet dhe jo individët e shquar (aq më tepër politikanë të tipit Berisha) janë ata që krijojnë dhe garantojnë mbrothtësinë e një vendi. Dhe një klasë politike mund të jetë e dështuar në qeverisje, por nuk lejohet të dështojë në investimin më afatgjatë, themelimin e respektit për institucionet dhe shndërrimin e këtij respekti, në një frymë të pashkatërrueshme nga kohërat. Çdo gjeneratë politikanësh duhet të vërë një gur në themelin e shenjtërimit të institucioneve. Nëse politikanët nuk shfaqin respekt për institucionet si mundet që ky respekt të mbillet dhe të hedhë rrënjë në publik, si mund të lulëzojë shteti? Si mund të krijohet ajo aureolë gati "mistike" që duke rrethuar ballin e institucioneve u jep mundësi atyre t‘i venë fre çdo kapriçioje që cenon liritë e njerëzve? Prandaj brutaliteti ndaj institucioneve, kapja partiake e tyre, asgjësimi i pavarësisë së institucioneve dhe nënshtrimi i tyre ndaj kultit të një lideri, është kanceri i një shteti demokratik. Prandaj themi se këto tendenca, të manifestuara në shkallën më të lartë nga Berisha (por jo vetëm nga ai), janë një shfaqje e antishtetit. Në fakt, në pikëpamje të një shteti diktatorial, autokratik, autoritarist, këto janë tamam armët e qeverisjes. Por shqiptarët duan një shtet demokratik me institucione të pavarura dhe nuk i kanë dhënë mandat Kryeministrit që ta katandisë institucionin e Presidencës, në një kukull të bindur, telat e së cilës të jenë të lidhura me Kryeministrinë. Shqiptarët në demokraci nuk duan që Presidenca të katandiset ashtu sikundër e katandiste Enveri Presidencën në kohën e Haxhi Lleshit. Dhe po shqiptarët duhet ta pengojnë Berishën që ta përdhosë edhe më institucionin e shenjtë të Presidencës duke e skllavëruar me emërimin në krye të saj, të një prej skllevërve të tij. Do të qe shkatërruese për demokracinë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama