Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nanoteknologjia

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 25 vite më parë

Andrea Stefani
Nanoteknologjia

Por pamja e jashtme është vetëm lëkura. Poshtë saj vërshon padukshëm i njëjti gjak autoritarist, që bën të vlojnë në kokat e tyre të njëjtat epshe për të nënshtruar të tjerët, që karikon të njëjtin vullnet të egër për pushtet. Edhe tani, pas një viti vakancash, Nano rishfaqet si një siamez i Berishës me strategjinë për të rivënë nën sundimin e tij Partinë Socialiste. Eshtë një strategji që i shkon shumë për shtat asaj të Berishës për sundimin e shtetit. Dhe prapë po si Berisha, Nano po përpiqet ta maskojë strategjinë e tij despotike me sloganet dhe premtimet e një Mesie, të një çlirimtari. Por ndryshe nga ato që Nano premton, “nanoteknologjia” e ofruar prej tij ka për elementë përbërës arrogancën poshtëruese dhe shantazhin përçarës. Dhe po si në fushën e teknikës, ajo synon prodhimin e nanorobotëve. *** Përse rishfaqet Fatos Nano? Për të shpëtuar Partinë Socialiste? Jo, Nano rishfaqet për të shpëtuar vetveten qoftë edhe duke e groposur PS dhe të majtën, sepse ai u rishfaq në një moment kur PS dhe e majta kanë më pak se kurrë nevojë për një Mesia, për një shpëtimtar. Nano nxiton të dalë në rolin e shpëtimtarit pikërisht në momentin kur PS, LSI dhe aleatët e tyre, në harmoni edhe me disa sugjerime të shoqërisë civile, sapo kanë arritur një fitore të rëndësishme mbi vendimet arrogante dhe autoritariste të insipiruara nga kryeministri Berisha. Ato e kanë detyruar maxhorancën të tërhiqet dhe të nënshkruajë një marrëveshje, duke pranuar kushtet e opozitës për KQZ, KKRT dhe KKRTV. Dhe nuk është disfata, por pikërisht ky sukses i opozitës, që e ka nxituar Nanon të ridalë në skenën e politikës. Gjakimi i tij i pangopur për të qenë lider i përjetshëm, është si një mauz, që e bën të çohet nga kolltukët e rehatit duke ia “gjakosur” vithet. Sepse Nano nuk do që “Bota” të shikojë dhe të kuptojë se PS dhe përgjithësisht e majta, mund të arrijnë fitore dhe “të bëjnë” pa Nanon. *** Dhe turret përpara duke akuzuar Edi Ramën për berishizëm pikërisht ai, që synon të arrijë atë që Berisha e ka pasur rrënjë të pashkulshme të disfatave dhe fitoreve të tij, sundimin absolut mbi partinë. Nanorobotët, ata që kanë vjelë dhe duan të vjelin edhe më përfitime materiale nga egotizmi i tij primitiv, kanë nisur të përflasin për rolin e pazëvendësueshëm të Nanos si “lider shpirtëror” i socialistëve. Këto broçkulla të rëndomta klanisto-enveriste jo vetëm që bien në kundërshtim me parimet e demokracisë që nuk njeh liderë të përjetshëm, por nuk marrin parasysh as faktet e përvojës më të afërt politike. Ato injorojnë faktin që Fatos Nano, ose më saktë arroganca e tij në qeveri, ishte shkaku kryesor i përçarjes së socialistëve dhe daljes më vete të LSI. Ato harrojnë që papërgjegjshmëria e Nanos dhe “liberalizmi” i tij kundrejt krimit dhe korrupsionit janë përsëri një ndër shkaqet kryesore të zhgënjimit të elektoratit që përgatiti disfatën e socialistëve në 3 korrik. Ata pak mbështetës që i kanë mbetur Fatos Nanos nuk duan të kuptojnë se 3 korriku qe Waterloja e tij dhe se pas një Waterloje, çdo rikthim është jashtë kohës, është donkishotesk. Por si të gjithë lakejtë dhe fanatikët, edhe nanorobotët përkundin ëndrrën se lideri i tyre i zemrës dhe i xhepit është i pavdekshëm, i paplakshëm, është akronil. Madje ndonjëri prej këtyre delfinëve nuk ka as kujdes të paktën ta kamuflojë mendësinë e tij enveriste që e percepton Nanon si pronar të Partisë Socialiste ndërsa gjithë të tjerët (dmth. edhe vetë partinë) si qeraxhinj të Nanos. *** Synimet e Nanos nuk mund të mos tentojnë të realizohen nëpërmjet përçarjes së opozitës. Rishfaqja e tij nuk është tentativë e “shokut” me përvojë për të asistuar drejtuesit e partisë. Ajo është një fushatë për të ngjallur mosbesim dhe shkëputje të masës së partisë nga lidershipi ekzistues. Tashmë nuk janë më një sekret përpjekjet në kuintat e politikës të disa beniaminëve të Nanos, për të hyrë në tratativa edhe me aleatët e PS dhe për t’i bindur që të rreshtohen me Nanon kundër Ramës. Eshtë e qartë se Nano nuk synon ndonjë përmirësim në strategjinë dhe taktikat e opozitës. Ai synon të luftojë Ramën vetëm e vetëm sepse Rama është 1-shi i PS dhe këtë Nano nuk mund ta durojë. Sepse Nano është 1-shi i përjetshëm. Dhe në këtë armiqësi kundër Ramës, Nano është në sinkron të plotë me Berishën. Rama është armiku u tyre i përbashkët. *** Sesa e dëmshme është për socialistët rishfaqja Nanos, duket edhe nga gëzimi me të cilin e kanë përcjellë atë Berisha dhe mbështetësit e tij. Pikërisht ai dhe ata që erdhën në pushtet me sloganin “Nano ik” mezi e fshehin harenë që Nano është kthyer dhe gati sa nuk brohorasin “Nano hajde”. Disa muaj më parë, kur nuk ia priste mëndja se do të pësonte një disfatë si ajo e 3 korrikut, Nano i drejtohej Berishës me fjalët: “Ti je dhurata ime e Perëndisë”. Kohët që kanë kaluar kanë provuar se vetë Nano është një dhuratë e paçmueshme për Berishën. Sepse ishte jo vetëm papërgjegjshmëria e Nanos që e risolli Berishën në pushtet, por është përsëri megalomania dhe egotizmi i tij që premtojnë ta jetëgjatësojnë pushtetin e Berishës. Edhe në këtë pikë Nano dhe Berisha janë aq të ngjashëm sa përfaqësojnë reciprokisht për njeri-tjetrin, një dhuratë. Ishte Berisha ai që me arrogancën e tij e shndërroi Nanon nga një politikan hokatar, në një hero. Ishte Nano që me papërgjeshmërinë e tij e riktheu Berishën në pushtet, duke e ngritur nga humnerat e një disfate katastrofike. Dhe disfatë në të tilla përmasa nuk ka mundur ta rikuperojë asnjë lider në historinë e politikës demokratike. Por kjo ndodhi ngaqë Nano ishte për Berishën një mrekulli. Dhe vazhdon të jetë i tillë. Sepse pa një përçarje të së majtës me ndihmën e Nanos, Berisha e ka të pamundur ta shtyjë përtej vitit 2007. Berisha shpreson që Nano me lëvizjen e ti prej “çlirimtari” ti shërbejë për të kompensuar mungesën e atyre votave që e djathta nuk arriti ti marrë në 3 korrik vetëm për shkak të frikës që ngjallte autoritarizmi i Berishës. Llogaritë janë të thjeshta. E majta e bashkuar ka më shumë vota se e djathta në pushtet. Sondazhet flasin për qëndrueshmërinë e kësaj statukuoje, ndërkohë që dihet se ardhja e një partie në pushtet, shoqërohet pothuajse gjithnjë me rënie të mbështetjes në elektorat. Pa Nanon, Berisha nuk fiton dot më. Prandaj ardhja e tij përshëndetet nga berishistët. *** Nano është i lirë të bëjë ç’të dojë. Edhe të tentojë të bëhet përsëri padrino i PS. Por liria e të vepruarit dhe moraliteti nuk ecin gjithnjë paralel. Dhe ajo që po bën Nano sot është tërësisht imorale. Para së gjithash kundrejt vetë aktit të dorëheqjes së vetë Nanos. I vlerësuar si një akt civil, tashmë ajo dorëheqje bart tonalitetin e një talljeje me të gjithë. Sipas Nanos i bie që një vit qejfe e pushime nëpër botë, kanë shërbyer për të bërë “katharsisin” e disfatës më të rëndë që kanë pësuar socialistët në një fushatë të udhëhequr prej tij. Së dyti, Nano po tregon një pabesi të hapur ndaj liderishipit të ri të PS duke ju ngatërruar nëpër këmbë, pikërisht në pragun e një fushate elektorale. Solidariteti partiak dhe ai i së majtës e kërkonte që Nano, të paktën, të priste rezultatet e kësaj fushate dhe pastaj të vepronte në rastin e një humbjeje të së majtës. Por janë pikërisht shanset e një bilanci pozitiv të së majtës (dhe jo nevoja për të shpëtuar të majtën nga disfata) ato që e kanë bërë Nanon të rrëmbejë me nxitim flamurin e shpëtimtarit në këtë prag fushate. Sepse Nanon nuk e ringre fitorja, por disfata e socialistëve. Prirja për sundim dhe egoja për të qenë gjithnjë i pari e kanë vendosur atë në rolin regresiv të një sabotuesi të së majtës. Nuk do të jetë çudi që së shpejti Nano të organizojë edhe ndonjë fushatë takimesh “bumbabiste” me elektoratin e majtë. Por sido që të ndodhë e majta do të mund ta ruajë kohezionin e saj jo në sajë të mëshirës së Nanos, jo duke i bërë lëshime shantazheve të tij, por duke triumfuar mbi ambiciet e tij. Pra çështja nuk shtrohet nëse Nano i rikthehet PS-së, por nëse PS i rikthehet Nanos. Sot po bëhet e qartë se në politikën shqiptare po mbyllet një epokë, epoka e dinozaurëve të politikës që sundojnë gjithçka. Edhe korrupsioni galopant është bërë tipar i kësaj epoke pikërisht sepse dinozaurët nuk lejojnë zhvillimin e lirë të institucioneve që luftojnë krimin dhe korrupsionin. Rikthimi i Berishës në pushtet nuk është një shans për Nanon. As për dinozaurët e politikës në përgjithësi. Ajo është grahma e fundit e epokës nano-berishiste në politikë. Dhe në rast se PS, pa marrë parasysh urdhrin e kohës, i rikthehet një ikone të vjetër dhe një kulti të diskredituar si ai liderit historik të saj, atëherë ky do të jetë edhe fundi historik i kësaj partie. Por jo fundi i së majtës. As i demokracisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama