Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Misteret e rikthimit te Berishes

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 17 vite më parë

Andrea Stefani
Misteret e rikthimit te Berishes

Nuk qenë të pakët ata që u shtangën nga ringjitja në pushtet e Sali Berishës në korrik të vitit 2005. Dhe jo pa shkak. Vetëm 8 vite më parë nga ky rikthim Berisha ishte larguar nga pushteti duke lënë pas një shtet në kolaps dhe një shoqëri që nuk kish hyrë në luftë civile, vetëm për meritë të një ndërhyrjeje shpëtimtare ushtarake nga Evropa. E gjithë kjo gjëmë i kish rrënjët në tolerimin skandaloz që pushteti u kish bërë disa skemave piramidale, ku humbën kursimet shumica e familjeve shqiptare. Dhe fajtor kryesor për këtë ishte vetë Berisha, i cili, në rolin e një Presidenti autoritarist, kish diktuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e shtetit dhe të ligjit. Si mund të rikthehej në pushtet një politikan që mbante mbi supe përgjegjësinë e një katastrofe? Aq e pamundur ishte një gjë e tillë për një logjikë normale, sa kur një delegacion nga Kosova kish shprehur në Shtëpinë e Bardhë dëshirën për rikthimin e Berishës në pushtet, Presidenti Klinton qe përgjigjur me gjuhën e Heraklitit: "Ujërat nuk rrjedhin dy herë në të njëjtat brigje". Por nuk kaluan pak vjet dhe e pangjara ndodhi. Lumi i politikës shqiptare nisi të rrjedhë mbrapsht dhe ujërat e vjetra u rikthyen duke përmbytur brigjet e pushtetit. Berisha u bë Kryeministër. Si ndodhi një gjë e tillë? Vërtet Berisha kish ndryshuar aq shumë sa nuk ishte më Berisha? Vërtet shqiptarët i kishin harruar pasojat katastrofike të qeverisjes së tij të parë? Vërtet ky rikthim ishte produkt i demokracisë? Dhe nëse jo, atëherë pjellë e kujt qe kjo hata? Analiza e ngjarjeve, si edhe e disa fakteve të reja që po dalin, të bën të besosh se rikthimi i Berishës në pushtet nuk ishte produkt i demokracisë, por pjellë e një pazari të fshehtë mes zotave të derisotëm të politikës, e një pazari mes Nanos dhe Berishës.

***

Hipoteza e një pazari të fshehtë mes Nanos dhe Berishës u vërdallos në ajër menjëherë pas ndërrimit të pushteteve. Zhvillimet e mëvonshme vetëm e kanë rikonfirmuar atë, duke e shndërruar tashmë në një tezë të frikshme. Dy njerëz që me klanet e tyre dhe lloj-lloj lidhjesh të errëta dalin më të fortë se mekanizmi i demokracisë dhe arrijnë të manipulojnë fatet e vendit. Një pazar i fshehtë del më i fortë se vullneti real i zgjedhësve dhe i gjithë procesi i votimit të një populli figuron si një tender ku fituesi është paracaktuar. A nuk është e gjithë kjo një tallje e madhe e prapaskenës me skenën politike? Por njëherazi a nuk është edhe një dhunë sa e gjithëfuqishme, aq edhe e padukshme mbi lirinë e votës, mbi vullnetin e popullit? Nëse vërtet ka ndodhur kështu, atëherë pazari Nano-Berisha sado i turpshëm, është pa dyshim një vepër prej zotash. Sepse vetëm zotat mund të diktojnë në fshehtësi vullnetin e një populli apo fatin e një shteti. Por a është misioni i demokracisë të krijojë ca zota që dalin mbi vullnetin e popullit, mbi vetë demokracinë? Nëse vërtet ka pasur një Pazar, kjo flet edhe për dështimin e demokracisë, për gabimin e madh që bënë shqiptarët që pas përmbysjes së kulteve të bronzta të diktaturës, ngritën kultet e gjalla të demokraturës, duke i kthyer përsëri shpinën lirisë.


***

Mjerisht, shumë shenja të vjetra dhe të reja duan të thonë se ka pasur një pazar. Më së fundi është një pohim i Ali Ahmetit, bërë ca ditë më parë në emisionin "Top Show" të Alban Dudushit. Ahmeti pohoi se përpara se të bëhej transferimi i pushtetit në Shqipëri, ishte thirrur për një vizitë nga Kryeministri Nano, i cili i kish pohuar ndër të tjera se "...pavarësisht se çfarë them unë, zgjedhjet i kam të humbura". Ishte ky sinqeritet i Nanos një pasqyrë realiste e betejës elektorale, apo rrëfimi i një pazari tashmë të vulosur? Vetë rezultati i zgjedhjeve të 5 korrikut nuk e justifikon pesimizmin e Nanos, sepse e majta mori në total më shumë vota krahasuar me fituesit. Por edhe sikur vërtet shenjat, sondazhet t‘i parathonin Nanos se do të humbte, kjo nuk e lehtëson qëndrimin e tij. Përkundrazi, shton dyshimet se Nano ka ecur në mënyrë të ndërgjegjshme drejt humbjes, duke ja falur fitoren Berishës. Ndryshe do të kish bërë gjithçka për të shmangur humbjen, qoftë edhe duke gjetur një gjuhë të përbashkët me LSI dhe Ilir Metën. Por mesa duket, mosmarrëveshja deri në fund me LSI do të ishte një nga alibitë që do ta paraqiste më bindëse humbjen e së majtës, duke fshehur pazarin misterioz.


***

Edhe zhvillime të tjera të mëvonshme mbështesin tezën e një pazari mes Nanos dhe Berishës. Një nga ato është largimi i Nanos nga politika dhe Shqipëria për një kohë të gjatë, menjëherë pas humbjes. Më shumë se një "çlodhje" e liderit të mundur, ikja ngjason me atë të një personi që largohet nga vendi i një krimi që sapo e ka kryer. Por për një pazar të mundshëm flet edhe rikthimi i Nanos me pretendime për t‘u zgjedhur President dhe veçanërisht shtrëngimi i duarve nga ana e tij publikisht me Berishën në fund të vitit 2006. Edhe kjo një hata e vërtetë. Berisha, që e kish anatemuar Nanon si "Padrino të mafias", si pronar linjash të trafikut të drogës, shtrëngonte duar me të duke e paraqitur si liderin më influent të opozitës. Natyrisht Berisha po luante për bukuri Cezarin për të përçarë PS dhe dobësuar liderin e ri dhe rivalin real politik Edi Rama, por ndërkaq, jo pak vetë e perceptuan "kompromisin historik" si vazhdim të një pazari të fshehtë mes Nanos dhe Berishës. Me kohë ishte bërë e qartë se Nano dhe Berisha nga armiq ishin shndërruar në vëllezër siamezë, se vdekja politike e njërit do të sillte edhe fundin e tjetrit. Prandaj që në 2004 Nano deklaronte publikisht (duke dalë mbi drejtësinë) se nuk do ta arrestonte Berishën dhe të njëjtën gjë formuloi Berisha në prag të ardhjes në pushtet edhe për Nanon. Pazari kish nisur. Sepse Berisha nuk mund të rikthehej në pushtet, por edhe nuk mund të qëndrojë gjatë në pushtet, pa ndihmën e Nanos. Kjo ndihmë ka një emër: përçarje e së majtës. Ndërkaq, Nano nuk mund t‘i realizonte ambiciet e tij presidenciale pa mbështetjen e Berishës. Ndaj ky i fundit, që dikur e deklaronte si absurde që të zgjidhej President Nano, ky "njeri që figuronte në të gjitha dosjet ndërkombëtare të krimit", shpalli se nuk kundërshtonte as kandidaturën e tij. Ku shkuan "krimet", dosjet dhe të gjitha akuzat e tjera? Duket se një pazar i fshiu ato. Dhe dihet që nëse Nano nuk arriti të bëhej President, kjo nuk është për faj të Berishës, por edhe të ca zhvillimeve të tjera brenda kampit blu. Ndërkaq, rikthimi i Berishës si produkt i një komploti i të fortëve të politikës në kurriz të demokracisë, denoncohet edhe nga të tjera sinjale edhe më të hershme. Një nga ato është rikthimi te Berisha i shumë prej atyre që Berisha i kish flakur nga PD duke i shpallur agjentë, të korruptuar, armiq, karrigethyer. Shumë nga kjo racë politike bastarde që përmbylli rikthimin dhe gjunjëzimin para Berishës me "xhuvelërinë", vetëm ca pak muaj më parë e denonconin Berishën autoritarist dhe të pandreqshëm. Si i besuan befas ndryshimit të Berishës kur vetëm 1 vit më parë ai kish frymëzuar një tjetër hyxhym të trimave të tij mbi kryeministri, hyxhym që u praps vetëm nga të shtënat në ajër të ushtarëve të gardës? Duket se hunda e këtyre nuhatësve të hollë dhe të përjetshëm të pushteteve, ndjeu afshin e çorbës së pushtetit që po gatuhej në kazanin e dy kuzhinierëve të mëdhenj.

Koha do të sjellë të tjera fakte që do ta zbardhin deri në fund misterin e rikthimit në pushtet të një lideri të dështuar që vetëm për këtë shkak nuk mund të ketë qenë një akt i mirëfilltë i demokracisë. Sepse demokracia dhe meritokracia nuk e shpërblen por e ndëshkon dështimin. Aq më tepër një dështim si ai i vitit 1997, që pati për kosto pronat, paratë e gjysmës së shqiptarëve, jetën e qindra njerëzve dhe kolapsin e shtetit. Përpiqet të justifikohet një rikthim i tillë me interesa më globale, me interesat e "fuqive të mëdha" apo të vogla. Spekulohet deri edhe me lobime masonike në kancelaritë e botës. Ndoshta këto mund të kenë qenë faktorë, por nëse vërtet kanë ndikuar, kjo ka ndodhur për shkak të dobësisë së demokracisë shqiptare. Të gjitha janë forma të rrëmbimit të fateve të një populli nga duart dhe vota e një populli. Sepse nuk janë "fuqitë" dhe "masoneritë" ato që kanë krijuar demokracinë, por demokracitë që kanë krijuar "fuqitë" dhe mundësuar masoneritë. Përmbysja e këtij raporti prodhon forma të ndryshme të despotizmit dhe autokratizmit që tentojnë ta vrasin demokracinë. Dhe a nuk po ndodh kështu?

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama