Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

NATO, Shqiperia mbetet jashte

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 17 vite më parë

Andrea Stefani
NATO, Shqiperia mbetet jashte

Ndërsa ka mbetur më pak se një muaj nga Samiti i Bukureshtit, shtohen hijet e dyshimit dhe frikës se Shqipëria nuk do të mund të marrë një ftesë për anëtarësim në NATO. Shumë shpresa ishin vënë në një vendim politik të ministrave të jashtëm të aleancës, të mbledhur në Bruksel të enjten që sapo lamë pas. Pritej që diplomatët e aleancës të binin dakord dhe të shprehnin vullnetin e përbashkët politik që Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, janë gati për anëtarësim në NATO dhe prandaj, duhet të marrin një ftesë në samitin e ardhshëm. Por nuk ka ndodhur kështu. I vetmi vend që ka marrë nga ministrat mbështetjen e plotë për anëtarësim ka qenë Kroacia, e cila është perceptuar si "kandidati më i avancuar për sa i takon reformave të nevojshme për anëtarësim". Mjerisht nuk ka pasur një konsensus të tillë për Shqipërinë dhe me sa duket, stadi i ulët i reformave është shkaku kryesor dhe jo sikundër po shpallet gjerësisht në media, një viktimizim i mundshëm i Shqipërisë, për shkak të konfliktit të Maqedonisë dhe Greqisë, lidhur emrin e ish-Republikës Jugosllave.


***

Sesa të hidhura janë sinjalet që mbërritën nga Brukseli pas mbledhjes së ministrave të jashtëm të NATO-s, mund të kuptohet nga reagimi i politikës shqiptare. Ndërsa më parë nuk kish ditë që të mos deklarohej diçka për hapat e bërë drejt anëtarësimit në NATO, tani qeveria hesht si fija e barit. Një heshtje të tillë ndaj ngjarjes së rëndë po mban (sikur të ketë një akord të fshehtë) edhe opozita. Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, janë edhe mediat që shkëpusin nga informacionet e agjencive dhe stacioneve botërore vetëm pjesët më të buta, shpresëdhënëse dhe më alibike të lajmeve. Citohet agjencia REUTER, sipas së cilës ministrat kanë nisur mbledhjen, duke firmosur tri ftesa për vendet e A3 - por pa emra në to - që të jenë gati për t‘u lëshuar në samitin e ardhshëm të 2-4 prillit. Por nuk citohet po agjencia REUTER kur transmeton se është vetëm Kroacia që ka më shumë të ngjarë që të fitojë një ftesë, ndërkohë që pikëpyetje qëndrojnë pezull mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë. Duket sikur të gjithë (pushtetarë, opozitarë, gazetarë) përpiqen të mos flasin për një të keqe shumë të mundshme që mund të na trokasë shumë shpejt në derë. Por a ka mjet më të mirë në demokraci për të parandaluar një të keqe të mundshme, veçse duke diskutuar rreth saj? Patriotike nuk është të heshtësh, por të diskutosh dhe debatosh për të zbuluar se përse Shqipëria nuk ka marrë ende konsensusin e të gjitha vendeve të NATO-s për anëtarësim? Patriotike është të zbulosh se përse po i ngjet një e keqe e tillë Atdheut. Prandaj nuk duhet heshtur, por duhet këmbëngulur, përse, përse, përse? Mos vërtet vallë, sikundër pohojnë disa diplomatë, duhet besuar se Shqipëria mund të mos marrë ftesë për shkak të bllokimit të Maqedonisë nga një veto greke pra, që Maqedonia të mos mbetet jashtë NATO-s vetëm? Por po të qe kështu, përse të mos i bëjë Kroacia shoqëri Maqedonisë jashtë NATO-s? Por përse edhe Kroacia? Tek e fundit, përse dikush duhet të mbetet jashtë për shkak të Maqedonisë kur dihet botërisht, se ftesa bazohet në meritën pra, në avancimin e reformave demokratike në vendet kandidate? Prandaj do të qe absurde të besoje (dhe akoma më absurde po të ndodhte) që Shqipëria të mbetej jashtë NATO-s për shkak të Maqedonisë. Nëse kjo do të ndodhë, do të ndodhë vetëm për shkak të ecurisë së ngadaltë të demokracisë në vend dhe të reformave që promovojnë demokracinë. Ndaj për shqiptarët duhet të jetë alarmant fakti që vetëm për Kroacinë u pohua qartë dhe me konsensus të të gjithë ministrave të NATO-s, ecuria e reformave në atë shkallë që të mundësojnë anëtarësimin. Dhe bëhet fjalë për reformat në drejtësi, reformën zgjedhore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndaj mosmarrja e konsensusit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, duhet vlerësuar si një shans i humbur që bën të domosdoshëm korrektimin e politikës shqiptare sa nuk është vonë. Apo mos vallë është vërtetë shumë vonë për të shpëtuar shansin? Mos ndoshta, si kanë ardhur punët, mund të na ndihë vetëm nevoja strategjike e NATO-s për stabilitet në Ballkan, nevojë që mund të tolerojë përkohësisht prapambetjen e demokracisë në Shqipëri? Por dhe nëse me shpresë ndodh kështu, a duhet t‘i kërkohet llogari qeverisë për prapambetjen e demokracisë dhe reformave demokratike, apo që të mbahet një heshtje "atdhetare" dhe bipartizane sikundër po ndodh? Ky është shqetësimi dhe problemi tani, kur më pak se një muaj na mbetet nga Samiti i Bukureshtit.


***

Në Tiranë nuk këmbëngul kritika, por heshtja, jo pyetja por alibia, jo shpjegimi i së keqes, por pajtimi me të keqen. Ndërsa s‘ka asnjë dyshim që përgjegjësia kryesore për një dështim të mundshëm bie mbi qeverinë, opozita politike duket (pa asnjë shpjegim) e konfirmuar me alibitë që përpiqen ta zhveshin qeverinë nga përgjegjësia. Por e vërteta nuk mund të fshihet, aq më tepër kur ajo është shumë e hidhur. Sepse të mos marrësh dot ftesën për anëtarësim në NATO, kur një gjë e tillë shfaqet shumë e rëndësishme për stabilitetin e rajonit pas pavarësisë së Kosovës dhe egërsimit të Rusisë, të mos marrësh dot ftesën me gjithë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, do të thotë të kesh mbetur aq prapa me demokracinë dhe shtetin ligjor, sa nuk ngjall dot besimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Dhe këtu lind menjëherë pyetja, ç‘duhet bërë? Por jo, qeveria nuk ka kohë për të tilla pyetje. Në të kundërt, ajo i vihet punës për të devijuar vëmendjen e opinionit nga ky alarm i ligjshëm. Opozita rri dhe vështron e heshtur. Në Tiranë mbërrin zëvendëspresidenti i KE-së, Franko Fratini, dhe në publik shpallet me bujë hapje e negociatave me BE-në për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Shpërthen një propagandë sa euforike, aq edhe e papjekur për e heqjen e vizave dhe bashkë me të, i hiqet vizë dhe sinjaleve të pakëndshme që sapo kanë arritur nga Brukseli lidhur me anëtarësimin (më saktë mosanëtarësimin) në NATO. Deklarohet madje se liria e lëvizjes mund të realizohet nga viti 2009. Publiku gëzohet dhe nuk arrin të perceptojë hatanë që tashmë po i troket në derë, rrezikun që Shqipëria të mbetet jashtë NATO-s. Një shpresë e re po mjegullon një zhgënjim, një iluzion, një deziluzion. Në këtë gjeratore premtimesh të reja që mjegullojnë premtimet e vjetra, publiku nuk arrin të perceptojë se edhe për lëvizjen e lirë duhen kapërcyer të njëjtat pengesa që qëndrojnë edhe para dyerve të NATO-s. Sepse Fratini vërtet deklaroi se një lëvizje e lirë e shqiptarëve është e mundshme deri në mes të 2009-ës, por nuk harroi të përmendte se gjithçka do të varej nga ecuria e reformave. Dhe pranë tij ndodhej përsëri i njëjti Kryeministër që premtoi se "do të bëjë gjithçka" që të mund të arrihet lëvizja e lirë. Të njëjtin premtim kishte bërë edhe për NATO-n. Është një tragjikomedi që përsëritet bashkë me stinët dhe që nuk mund të mos të tallet nga zgjuarsia e vargjeve popullore: "Më mbaje me gënjeshtra, më thoje sa të vijë vjeshta".


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama