Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ora e proves per Topin dhe Kushtetuesen

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 17 vite më parë

Andrea Stefani
Ora e proves per Topin dhe Kushtetuesen

Jo çdo ditë, por edhe çdo orë që kalon, provon se ethja e shumicës për të shkarkuar një orë e më parë Prokurorin e Përgjithshëm lidhet me panikun e saj për demaskimin që i kanoset nga superskandali i rrugës Rrëshen-Kalimash. Në këtë këmbëngulje kundër kryeprokurorit, shumica dhe qeveria e saj po i shëmbëllejnë gjithnjë e më shumë një grupi të korruptuarish që rendin të zhdukin sa më parë dëshmitarin e vetëm të krimit të tyre. Sepse vazhdimisht po publikohen dokumente që provojnë në mënyrë vështirë të kundërshtueshme, se kuturisja e ministrit Basha për të ndërtuar rrugën patriotike pa projekt, nuk paska qenë aspak e nxitur nga një dell patriotik, por përkundrazi, nga një dell antipatriotik korruptimi. Kështu, një vendim i qeverisë socialiste "Nano", i publikuar këto ditë në shtypin shqiptar, provon ekzistencën të paktën qysh në vitin 2004, të një projekti për segmentin Rrëshen-Kalimash. Është ky një fakt tronditës, sepse "mungesa e projektit", është guri i themelit i mbrojtjes publike që i ka bërë vetes ministri Basha. Me "mungesën e projektit" për segmentin Rrëshen-Kalimash, ministri Basha ka justifikuar jo vetëm kontraktimin me prokurim të drejtpërdrejtë të një konsulenti si holandezja "Ecorys", por çka është më e rëndësishmja, ka "përligjur" edhe shmangien e ligjit shqiptar të prokurimeve, si dhe aplikimin në mënyrën më të habitshme në vend të tij, të ligjit anglez. Paska ekzistuar pra një projekt i cili për më tepër, parashikonte një kosto shumë më të ulët se investimi pa projekt (më e pakta 200 milionë euro) i ofruar për segmentin patriotik nga ministri Basha dhe qeveria "Berisha". Ndaj dhe opinioni nuk mund të mos pyesë: Mos ka qenë kostoja më e ulët e projektit ajo që e ka bërë ministrin Basha të preferojë një investim pa projekt? Po a është patriotike kur një ministër përpiqet t‘i bëjë patriotët e vet të paguajnë një investim qindra milionë më shtrenjtë? Skandali është aq i rëndë, saqë në kushtet e funksionimit të drejtësisë dhe prokurorisë të pavarur, nuk mund të mos tronditë qeverinë "Berisha". Dhe kjo e fundit e ka kuptuar këtë, prandaj po nxiton që të tronditë ajo e para dhe më shpejt, drejtësinë. Ndaj nxiton të shkarkojë kusarisht dhe tiranisht kryeprokurorin, duke dhunuar hapur Kushtetutën dhe duke sfiduar publikisht Gjykatën Kushtetuese. A do të jetë kjo e fundit në lartësinë e misionit të saj si garantuese e Kushtetutës?


***

Qytetarë dhe politikanë e kanë bërë zakon të përflasin Presidentin e Republikës si garant të Kushtetutës. Kjo nuk është e vërtetë. Sipas vetë Kushtetutës, garant i Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese. Është ky institucion që ka për detyrim kushtetues të hedhë poshtë çdo vendim të çdo institucioni (përfshi Kuvendin), kur e gjykon që nuk është marrë në përputhje me nenet dhe frymën e Kushtetutës. Jo shumë kohë më parë, kjo gjykatë hodhi poshtë si antikushtetuese, konkluzionet e komisionit hetimor parlamentar "Sollaku I". Ky fakt e bën lehtësisht të parashikueshme se po të tilla do t‘i gjykonte Kushtetuesja edhe vlerësimet e Komisionit "Sollaku II". Përse? Sepse shihet qartë që në injorancë të plotë për sa i takon ligjit dhe Kushtetutës, ky komision ka përsëritur të njëjtat gabime të të parit duke u sjellë më shumë si inkuizicion politik. Përsëri vlerësimet e tij për "krimet" e kryera nga kryeprokurori, janë marrë duke keqinterpretuar qëllimisht jo vetëm procedurat ligjore dhe ligjet. Kuptohet fare qartë se vullneti dhe mendimi i komisionit nuk është udhëhequr nga ligji, por nga vendimi politik i marrë më parë në kokën e mazhorancës dhe qeverisë. Dhe ky vendim është: Të shkarkohet sa më urgjentisht Sollaku! "Puna" e bërë në më pak se 6 ditë nga komisioni "Xhaferri", të kujton solidarizimin e anëtarëve të Byrosë me akuzat e Enver Hoxhës, ndërsa të hënën, diskutimi nga ana e shumicës tiranike në Kuvend, nuk ka sesi të mos ngjasojë me plenumet ku demaskoheshin tradhtarët e partisë. Do ta shikoni! Më kot është rrekur kryeprokurori Sollaku t‘u shpjegojë "komis(ion)arëve" se nuk mund të bëhen ekstradime të shtetasve pa dhunuar të drejtat e njeriut, në mungesë të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe shtetit që kërkon ekstradimin. Më kot është rrekur të shpjegojë mungesën e bazës ligjore për të gjitha akuzat e tjera. "Hetuesit" e shumicës në komision nuk dëgjojnë nga ai vesh ndërsa, për sa u takon të drejtave të njeriut, ai është shqetësimi i fundit për ta. Madje, nuk përbën fare shqetësim. Sepse të drejtat e njeriut duhen flakur, ato janë pengesë për autoritaristët.

Por le të shpresojmë se argumentet ligjore të kryeprokurorit Sollaku do të gjejnë edhe këtë herë mbështetje që meritojnë në Gjykatën Kushtetuese. Berishistët po përpiqen të bëjnë presion mbi këtë gjykatë, duke përfolur në media se vendimi i saj, nuk mund të jetë një zgjidhje kur ka përplasje politike. Në fakt, është krejtësisht e kundërta. Është pikërisht në momente si ky, që Gjykata Kushtetuese duhet të ndërhyjë dhe sa më shpejt. Sepse atë që nuk e ndan dot debati politik, duhet ta ndajë ligji dhe Kushtetuta. Gjykata Kushtetuese duhet të ndërhyjë sa më shpejt, sepse është në lojë fati i tërë sistemit të drejtësisë dhe bashkë me të edhe i atij politik të demokracisë, është në lojë pavarësia e një institucioni si prokuroria, e cila ka për mision të luftojë jo vetëm krimin dhe korrupsionin, por edhe të jetë mbrojtëse e të drejtave të njeriut. Qeveria, shumica e saj në Kuvend, po vrapon të shkarkojë Sollakun, duke organizuar një pseudohetim njëjavor. Shumica po përpiqet që synimet e saj të pandryshuara antikushtetuese të hedhura poshtë një vit më parë nga Gjykata Kushtetuese, t‘i paraqesë si Kushtetuese duke i ngjyer akuzat e vjetra kundër Sollakut, me miell "kushtetues". Në fakt, ky miell tashmë ka rënë dhe antikushtetueshmëria e akuzave ka dalë në shesh. Por është e rëndësishme që gjykata të veprojë më shpejt duke i pezulluar procedurat e komisionit. Kjo duhet bërë para se vendimet tiranike të shumicës të jenë bërë një fakt i kryer ndaj të cilit vendimi i Kushtetueses, nuk do të kishin asnjë efekt. Dhe duhet ta bëjë jo për të mbrojtur Sollakun, por për të mbrojtur demokracinë në Shqipëri nga një tirani në rritje, një tirani e shumicës që është vënë në mbrojtje të korrupsionit qeveritar. Duhet ta bëjë për të mbrojtur drejtësinë. Sot është ora e provës për Gjykatën Kushtetuese.


***

Po Presidenti Topi a do të ketë ndonjë rol në këtë mesele? Mos vallë tani detyra e tij është thjeshtuar dhe ai si një Pont Pilat mund të justifikohet me vendimin e shumicës në Kuvend? Ky zhvillim nuk mund të kalojë pa qartësuar përfundimisht nëse Topi do të jetë Presidenti i paanshëm për të gjithë shqiptarët, nëse ai do të jetë mbi palët sikundër premtoi, apo një mashë e Berishës. Ndërsa Gjykata Kushtetuese është garant i Kushtetutës, Presidenti i Republikës është simbol i unitetit kombëtar dhe shoqëror. Në këtë kuptim, Presidenti Topi duket të priret që çështje të tilla shumë të rëndësishme si kjo e kryeprokurorit (që siç po duket dhe nga reagimet e opozitës mund të sjellin përçarje serioze në gjirin e politikës, duke rrezikuar reformat dhe integrimin), të zgjidhen me konsensusin e të gjitha palëve. Ndaj, nëse Presidenti Topi e dekreton me nxitim vullnetin e një shumice që kundërshtohet jo vetëm nga opozita, por edhe nga ligji dhe Kushtetuta, atëherë, ai do të dekretojë përçarjen e shqiptarëve. Dikush mund të thotë se Presidenti mund të ketë mendimin që vendimi i komisionit hetimor vërtet kundërshtohet nga opozita, por nuk kundërshtohet nga Kushtetuta. Ndoshta, por që ky mendim të jetë i bazuar dhe institucional, duhet që Presidenti Topi të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vetëm ajo ka kompetencë të japë gjykim për kushtetueshmërinë e një aksioni politik. Ndaj fryma e Kushtetutës i këshillon Presidentit Topi të presë vendimin e Kushtetueses. Nëse nuk pret, nëse i bashkëngjitet vrapit të shumicës për të hequr qafe sa më shpejt Sollakun, Topi do zhgënjejë jo pak shqiptarë duke provuar se është palë me shumicën në komplotin e saj tiranik kundër Sollakut, prokurorisë dhe drejtësisë. Ora e provës po bie edhe për Topin.

Botuar ne Gazeta Shqip - 4 Nentor 2007

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama