Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Topalli si Geringu dhe Kuvendi si Rajhshtagu

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Topalli si Geringu dhe Kuvendi si Rajhshtagu


“…miratohet, neni 6 faleminderit, kundra s’ka, miratohet; neni 7 faleminderit, kundra s’ka, miratohet; neni 8 faleminderit, kundra s’ka, miratohet; neni 9 faleminderit, kundra s’ka, miratohet; neni 10 faleminderit, kundra s’ka, miratohet, neni 11 faleminderit, kundra s’ka, miratohet; neni 12 faleminderit, kundra s’ka, miratohet; neni 13 faleminderit, 14 faleminderit, 15 faleminderit, 16 faleminderit,… 15 minuta pushim”. Kush është ky automat që qeveris kaq lehtë dhe pa asnjë kundërshtim në një Parlament pluralist sa dhe Enver Hoxha do ta kish pasur zili? As më shumë dhe as më pak, por folësja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e njohur për arrogancën ekstreme ndaj opozitës, gjatë procedurës së miratimit nen për nen të ndryshimeve në buxhetin e shtetit. Brenda më pak se një minute u miratua një nga ligjet më të rëndësishme të shtetit. Një procedurë rrufe, një blickrieg i tipit nazist, që ka injoruar të gjitha kundërshtimet e deputetëve të opozitës prezentë në sallë. Topalli kishte adoptuar taktikën e Uliksit kundër sirenave. Veshët e saj ishin të dyllosur për të mos dëgjuar zërat e opozitës. Enveri e bëri opozitën të heshtë. Në Parlamentin e sotëm e lënë të ulërakë, por nuk e dëgjojnë. Ky është ndryshimi, ky është dallimi me diktaturën i “demokracisë” bolshevike të PD. Në momentin që disa deputetë socialistë u ngritën duke i bërë me shenja Topallit të pushonte së “falënderuari”, sepse donin të shprehnin kundërshtimet ajo bënte sikur nuk i shikonte dhe e shtoi shpejtësinë e miratimit duke hequr madje edhe fjalët “nen”, apo “kundra s’ka”! Siç shikohet edhe në frazën e transkriptuar të Topallit nenet e fundit janë miratuar vetëtimthi vetëm me fjalët “..13 faleminderit, 14 faleminderit, 15 faleminderit, 16 faleminderit”. Një aritmetikë banale parlamentare, një arrogancë ekstreme ndaj opozitës e denjë për nazistët. Ngjarja e ndodhur në seancën e fundit të sesionit parlamentar, është një skandal që denoncon tiraninë e jetës parlamentare në Shqipëri, mospërfilljen për pakicën dhe të drejtat e saj. Ajo ka për shembull vetëm mënyrën si funksiononte Rajshtagu gjerman në kohën kur Adolf Hitleri po ngjitej në pushtet.

* * *

Dhe raportohet një episod i ndodhur në Rajhshtagun (Parlamentin) gjerman më shumë se 80 vjet më parë, por që është i ngjashëm, si një pikë uji me një tjetër, me incidentin e turpshëm dhe alarmant që sapo ka ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë ku pretendohet se po ndërtohet demokracia. Sikundër rrëfen William Shirer, ishin momente kur nazistët kërkonin të rrëzonin qeverinë e Fon Papenit ndërkohë që ky i fundit, nxitonte të shpërndante Rajhshtagun për t’i shpëtuar kërcënimit të nazistëve. Dhe ia arriti ta marrë nga Presidenti i Republikës dekretin e shpërndarjes së Parlamentit. Por nuk kishte llogaritur pabesinë e nazistëve që dinin të përdornin në favor të tyre procedurat parlamentare edhe për faktin se kryetari i Rajhshtagut dhe drejtues i seancës ishte nazisti Herman Gering. Në kohën që Kryeministri Papen hyri në sallën ku po zhvillohej seanca plenare, me çantën ku kishte dekretin presidencial të shpërndarjes së Parlamentit, Geringu përgatitej të hapte votimin për rrëzimin e qeverisë. Kryeministri kërkoi fjalën që të lexonte dekretin. Por më kot. Geringu (tamam si Topalli) kishte humbur edhe shikimin edhe dëgjimin. Më kot Fon Papen tundte para gjithë deputetëve dekretin presidencial. Geringu kishte kthyer kokën në anën tjetër “me fytyrën e tij të qeshur” dhe nuk e shikonte Kryeministrin e skuqur nga inati. Ai dha urdhër të bëhej votimi. Atëherë, sipas raportimit të Shirer, Kryeministri Papen iu afrua me hapa të mëdhenj tribunës së kryetarit (ashtu si iu afruan edhe ca deputetë socialistë tribunës së Topallit) dhe e vuri me furi mbi tryezë dekretin e shpërndarjes së Parlamentit. Geringu pa i kushtuar më të voglën vëmendje, urdhëroi të bëhej votimi. Ndërsa Papeni doli nga salla deputetët votuan 513 vota kundër qeverisë dhe 32 pro. “Vetëm atëherë” Geringu e vuri re dekretin që ishte vënë me aq tërbim në tryezën e tij. Ai ia lexoi asamblesë dhe komentoi se meqenëse ky dokument ishte i nënshkruar edhe nga një Kryeministër tashmë i rrëzuar nga një shumicë kushtetuese (ju kujton dot gjë sot kjo “shumica kushtetuese”?) ai ishte pa vlerë. Nazistët kishin triumfuar në sajë të “elasticitetit” të procedurave “kushtetuese” që ne po i shohim të përdoren kohë pas kohe me të njëjtën shkathtësi dhe arrogancë naziskine edhe në Parlamentin tonë. Gjë që sapo e pamë edhe para pak ditësh. Por a janë vërtet kushtetuese procedura të zbatuara në atë formë siç veproi Topalli? Po të qe kështu, atëherë diktatura do të quhej demokraci. Përveç formës, procedurat duhet të respektojnë edhe një frymë, një përmbajtje. Dhe mbi të gjitha, lirinë që ka opozita për t’u shprehur, i pëlqen apo jo Topallit, Berishës apo fanatikut më të rëndomtë në PD. Procedura vërtet demokratike dhe kushtetuese e kërkon që në miratimin nen për nen të një ligji, kryetarja e seancës, kur pyet nëse ka apo jo mendim kundra nenit, duhet të presë dhe të lejojë shprehjen e mendimeve kundra. Por Topalli, preferoi ta zbatojë procedurën në formën e një blickrigu të tipit nazist. Sepse për Topallin dhe shumë të tjerë në PD, mendimi kundra prish punë, trazon mendjen e masave, është kundërpropagandë jo në të mirë të pushtetit “popullor”. Prandaj nuk duhet lejuar. Dhe kur nuk e fusim dot në burg opozitën siç bëri Enveri, vjen një moment dhe nuk e lëmë as të kundërshtojë. Ndaj ashtu si Geringu bënte sikur nuk e shikonte Kryeministrin Papen, edhe Topalli bënte sikur nuk shikonte dhe as dëgjonte deputetët e opozitës që kërkonin të shpreheshin. Po si Geringu ajo vazhdoi me procedurën e votimit. A nuk është kjo ta trajtosh opozitën si një qen që nuk tolerohet as të lehë, ndërkohë që karvani i shumicës ecën përpara? Po ku po e shpie demokracinë shqiptare ky karvan që kopjon gjithnjë e më shumë taktikat procedurale dhe “kushtetuese” të nazistëve: në Europë apo në …gropë?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama