Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Demokracia pa imunitet dhe tirania

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 17 vite më parë

Andrea Stefani
Demokracia pa imunitet dhe tirania

Pasi përdori dhunën e kartonit për të votuar shkarkimin e kryeprokurorit të Republikës, shumica i është rikthyer me urgjencë çështjes së kufizimit, madje deri heqjes së imunitetit për të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Zyrtarët më të lartë të pushtetit, Berisha, Topalli dhe mediat afër tyre, po përpiqen t‘u mbushin mendjen shqiptarëve se heqja e imunitetit të deputetëve është një kërkesë që vjen nga Evropa. Pak ditë më parë gazeta e partisë në pushtet shpallte në një nga kryetitujt e saj: Heqja e Imunitetit, Kërkesë e KE-së. Por nuk është asgjë më shumë veçse mashtrimi i radhës i një propagande dhe një pushteti që e kanë braktisur me kohë çdo lidhje me të vërtetën. Sepse as në raportin e Komisionit Evropian dhe as në deklarimet e zyrtarëve të tij nuk gjenden prononcime të tilla pro heqjes së imunitetit si këto që pretendon propaganda berishiste.

Vërtet në raportin e KE-së përmendet heqja e imunitetit, por ama vetëm rast pas rasti, dhe jo në tërësi, sikundër deklaron shumica. Dhe heqja e imunitetit për deputetë të veçantë, rast pas rasti, është krejt e ndryshme nga heqja e imunitetit të deputetëve kolektivisht, ashtu si lakmon komunisti dhe autoritaristi i pandreqshëm Berisha. Ndërkaq, institucione evropiane, si Komisioni i Venecias, që është specializuar për të dhënë gjykime për përputhshmërinë e reformave të tilla me frymën e demokracisë dhe kushtetutës së një vendi, ka shprehur me kohë skepticizëm dhe dyshime për iniciativën e heqjes së imunitetit të ndërmarrë nga mazhoranca. Janë dyshime që bazohen në një analizë të kujdesshme të gjendjes së atyre institucioneve të cilat duhet të garantonin që heqja e imunitetit të deputetëve të mos keqpërdorej për goditje selektive të kundërshtarëve politikë e deri persekutim politik të opozitës.

Një nga këto institucione garantuese është edhe ai i prokurorisë, që sipas Komisionit të Venecias nuk duhet kurrsesi të jetë nën ndikimin politik të pushtetit dhe shumicës së saj. Por tashmë që mazhoranca votoi shkarkimin e Sollakut, skepticizmi për qëllimet e vërteta të pushtetit do të rritet edhe më shumë. Një zhvillim i tillë pritet ta bëjë opozitën edhe më pak bashkëpunuese. Konsensusi do të bëhet i pamundur dhe pa atë, edhe vetë heqja e imunitetit. Ndoshta shumica do ta arrijë synimin e saj nëpërmjet një trafikimi të dytë të votave nga segmenti nanoist i së majtës. Por kjo vështirë se do të kënaqë standardet e kërkuara perëndimore për reformën konsensuale dhe demokracinë në Shqipëri. Edhe sikur tradhtia II nanoiste të përkufizohej si një "mënyrë mjaftueshmërisht konsensuale", pra, me fjalët e çuditshme që e lejuan edhe Oli Ren, të shpallë si sukses zgjedhjen moralisht shumë të dyshimtë të Bamir Topit, President i Republikës.


***

Ngjitja e nënkryetarit të PD, Bamir Topi, në postin e Presidentit të Republikës, duket i ka dhënë shumë shpresë pushtetit berishist se do ta ketë shumë shpejt nën kontroll edhe institucionin e prokurorisë. Qarkullon një ndjesi e fortë në publik se Topi do të dekretojë vullnetin e shumicës parlamentare për shkarkimin e Sollakut, pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e këtij vullneti. Besohet gjithashtu se Topi mund ta priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vetëm nëse edhe vendimmarrja e kësaj të fundit do të ketë rënë ndërkohë nën thonjtë e pushtetit, sikundër vendimmarrja e shumë pushteteve të tjera. Nuk ngjall optimizëm as deklarimi i fundit i Kryeministrit Berisha se nuk do të japë asnjë emër për Kryeprokurorin e ardhshëm dhe se beson që Presidenti i Republikës do të bëjë një zgjedhje të drejtë.

Të gjithë tashmë e dinë se me zgjedhje "të drejtë" Berisha kupton vetëm një kryeprokuror që do të vihej në shërbim të ambicieve të tij politike. Jo vetëm e sotmja, por edhe e kaluara e Berishës si President ofron fakte të pakundërshtueshme për një logjikë të tillë. Berisha ka keqpërdorur kryeprokurorë dhe prokurorë për të futur në burg deri edhe ish-liderin e opozitës, Nanon. Po ashtu nuk është rastësi që sapo u rikthye në pushtet si kryeministër, një nga ambiciet e shpalosura të Berishës ishte vënia e prokurorisë në vartësi të ekzekutivit. Berisha nuk shpenzoi dy vjet tensione politike që në krye të prokurorisë të vinte një kryeprokuror i pavarur. Nuk është nga ai kallëp politikanësh që punon për të ngritur institucione të pavarura.

Autoritaristi i pandryshueshëm Berisha nuk mund të mos lakmojë që në krye të prokurorisë të vendoset një nga delfinët e shumtë të tij, që nuk janë të paktë edhe në gjyqësor. Madje duket se e ka gjetur delfinin e radhës në gjyqësor, prandaj deklaron me të madhe që kryeprokurori të mos vijë nga politika. Berisha nuk mund të mos lakmojë ta përdorë prokurorinë si kërbaç politik për opozitën. Ndaj deklarimi i tij për të mos përsëritur gabimet e së kaluarës, pra për të mos avancuar kandidatura nga politika, është një përpjekje naive për të maskuar vartësinë e re të kryeprokurorit të ri prej tij. Por ky qëndrim është edhe shprehje e besimit që Berisha ka se Presidenti Topi do të veprojë pikë për pikë sipas udhëzimeve të Kryeministrit. Ndaj thotë i sigurt se Presidenti Topi do të dijë të zgjedhë kandidaturën më të mirë. Dhe ka shumë të ngjarë që Topi të zgjedhë vërtet kandidaturën më të mirë por, më të mirë për Berishën ama. Dhe ndoshta edhe për atë vetë. Por jo për luftën kundër korrupsionit dhe krimit.


***

Kjo pritshmëri për dominim gjithnjë e më absolut të pushtetit të shumicës parlamentare në Prokurori dhe në të gjithë institucionet e Republikës, bën që iniciativa për heqjen e imunitetit të deputetëve të shndërrohet nga një masë për intensifikimin e luftën kundër korrupsionit dhe krimit, në një zhvillim gjithnjë e më kërcënues për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Tashmë, në Shqipëri thuajse nuk ekziston asnjë prej atyre garancive që sipas Komisionit të Venecias do të bënin të mundur që heqja e imunitetit të deputetëve të përdorej vetëm për të luftuar korrupsionin dhe të mos përdorej për persekutimin politik të opozitës. Dhe kjo është edhe frika më e madhe e shprehur në relacionin e Komisionit të Venecias, i cili është mbajtur i fshehur (jo rastësisht) për më shumë se një vit në sirtarët e folëses së Kuvendit, Jozefina Topalli.

Sipas Komisionit të Venecias, "Imuniteti parlamentar është dizenjuar mbi të gjitha që të mos lejojë që pushteti ekzekutiv të pengojë funksionimin e duhur të Parlamentit, veçanërisht nëpërmjet dobësimit të opozitës me anë të procedimeve selektive". Por na duket se ky është pikërisht rreziku shqiptar, ose më saktë, ajo që pritet të ndodhë pas shkarkimit të Theodhori Sollakut dhe emërimit në këtë post, të një shërbëtori të Berishës. Edhe pse ai mund të vijë nga gjyqësori i fshehur nën veladonin e të drejtit. Këtë shqetësim e konfirmon përsëri Komisioni i Venecias. Në relacionin e tij shkruhet se "një tjetër strukturë rregullash që mbrojnë kundër hetimeve arbitrare ose të motivuara politikisht, janë ato që mbrojnë pavarësinë e prokurorit publik nga influenca politike dhe e instruktimeve të posaçme në nivel politik".

Duke iu referuar shembullit të Gjermanisë, që duket se ka frymëzuar edhe ligjvënësit shqiptarë të shumicës në iniciativën për heqjen e imunitetit, Komisioni i Venecias vëren se "në Gjermani prokurorët janë normalisht organe të shteteve të ndryshme përbërëse (landeve), që do të thotë se ata nuk janë të varur nga shumica qeverisëse në nivelin federal". Shihet qartë se me vendimin e shumicës për shkarkimin e Kryeprokurorit ka rënë edhe një nga ato struktura që do të pengonin që heqja e imunitetit të deputetëve të keqpërdorej nga shumica për të shtypur politikisht pakicën. Tashmë janë të gjitha kushtet që heqja e imunitetit, të cilën shumica e propagandon rrejshëm sikur është kërkesë e KE, më shumë se një mjet për të luftuar korrupsionin, të shndërrohet në një armë e në duart e tiranisë tashmë të instaluar të shumicës blu, për të shantazhuar dhe frikësuar opozitën politike.

Paradoksalisht, pikërisht në momentin e publikimit të raportit vjetor të KE për progres të Shqipërisë drejt demokracisë, duket se ajo përgatitet të bëjë një kërcim të frikshëm prapa, drejt tiranisë. Sepse në kushtet kur një shumicë autoritariste dhe tiranike është në shumicë në të gjitha institucionet, përfshi edhe prokurorinë, heqja e imunitetit të deputetëve nuk do të lerë pa imunitet deputetë të korruptuar para drejtësisë. Është demokracia që do mbetet pa imunitet përballë tiranisë.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama