Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kryeministri qe udhezon prokurorine

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Kryeministri qe udhezon prokurorine

Kryeministri Berisha u pa të dalë përsëri në ekrane, ndoshta për të 189-ën herë për vitin 2008 (po të llogarisim e pakta nga një dalje në ditë) për të deklaruar, si në jo pak raste, një tjetër çudi: tragjedia e Gërdecit duhet të hetohet deri në qelizë. Kështu tha Kryeministri që, ndërsa përuronte disa vepra komunale në Vorë, dukej sikur në fakt po priste shiritin e nisjes së hetimeve të Gërdecit. Kuptohet fare lehtë se deklarata është një akt servil i imponuar nga kritikat e dala kohët e fundit nga Ambasada e SHBA në Tiranë ndër të tjera, edhe lidhur me një përpjekje të qeverisë që ai drejton, për të bllokuar hetimet që pritet të zbulojnë fajtorët që qëndrojnë prapa një shpërthimi të tmerrshëm municionesh, që vrau dhe plagosi dhjetëra qytetarë dhe rrënoi mijëra shtëpi. Por duke dashur të korrigjojë një imazh apo më saktë, të krijojë një imazh sikur nuk po ndërhyn në punët e prokurorisë, Kryeministri bëri pa dashur të kundërtën, shpalosi publikisht thelbin e raporteve të tij me prokurorinë dhe drejtësinë, duke dhënë porosira sesi dhe sa thellë duhet të hetohet Gërdeci. Pra nuk bëri as më shumë as më pak, por përsëriti gafën e folëses së Kuvendit dhe besnikes së tij, Jozefina Topalli, e cila i dërgoi para pak kohësh një letërdirektivë Kryeprokurores Ina Rama, ku e udhëzonte se çfarë duhet të hetohet në aferën mafioze të Gërdecit.



Kryeministri Berisha nuk e ka "kuptuar" kurrë dhe aq më tepër sot, se deklarata të tilla janë një futje hundësh në punët e prokurorisë dhe drejtësisë, janë një shkelje e këpucës kryeministrore në truallin e një pushteti tjetër. Janë një dhunim i hapur i ndarjes së pushteteve, gjë që i ndalohet rreptësisht nga Kushtetuta e Republikës. Por po të mos dhunonte kufijtë e pushteteve, Berisha nuk do të ishte Berisha. *** Në një shtet me demokraci liberale Kryeministri nuk lejohet të fusë hundët në punët e hetimeve dhe të drejtësisë. Në një shtet me ndarje të rreptë pushtetesh (aq më tepër kur përflitet për bashkëfajësi në krim ai vetë dhe të afërm të tij), Kryeministri ose duhet të heshtë ose duhet të deklarohet prerë: hetimi është punë e prokurorisë. Si vullneti i fshehtë për të diktuar rrjedhën e hetimeve (si ai i demonstruar me letrën e Topallit), ashtu edhe shprehja publike e vullnetit kryeministror për hetime "deri në qelizë", janë komprometuese dhe kundër frymës së sistemit që garanton liritë e njerëzve, duke i ndarë pushtetet. Sepse si kur ekzekutivi përpiqet të pengojë, ashtu edhe kur (të paktën sa për sy e faqe) përpiqet të japë shenja se i nxit hetimet, tregon se po përpiqet të ndikojë prokurorinë, është ndërhyrje në punët e drejtësisë. Ndërkaq nuk është aspak e drejtë, madje është perfide, të përpiqesh t‘i bësh njerëzit të mendojnë se prokuroria po u hyn më në fund hetimeve "deri në qelizë", pikërisht sepse Kryeministri dha në Vorë një porosi të tillë. Ky është mentaliteti totalitarist i partisë shtet që shqiptarët e përjetuan jo vetëm rreth 40 vjet nën komunizëm në sajë të Enver Hoxhës, por edhe më pas, në sajë të Sali Berishës dhe jo vetëm të Berishës.



Si për ironi, shtypi i Berishës në të njëjtin numër që botonte direktivën "celulare" të Berishës për prokurorinë, botonte edhe një material historik, ku kodenoncohej një krim i komunizmit, vrasja e dy poetëve Vilson Blloshmi dhe Gjergj Leka, të shpallur fajtorë nga prokuroria dhe "drejtësia" në përputhje me direktivat e partisë në pushtet. Ngjashmëria është e frikshme. Dhe nuk është rasti i parë që Berisha jep të tilla deklarata që cenojnë ndarjen e pushteteve. Pak kohë para se të vinte në pushtet për të dytën herë në 2005-ën, ai deklaroi se nuk do ta burgoste Fatos Nanon. Nuk është mirë të burgoset lideri i opozitës, shpjegoi Berisha, duke dhënë të kuptojë se ai mbetej Zot edhe i pushtetit të drejtësisë, si kur e plaste Nanon në burg, ashtu edhe kur nuk e plaste në burg. Një mentalitet të tillë prej sundimtari kish manifestuar edhe vetë Fatos Nano, kur në pozicionin e Kryeministrit kish deklaruar se nuk do ta burgoste liderin e opozitës, që në atë kohë ishte Sali Berisha. Këto gjeste "kavaliereske" të këtyre dy kalorësve aspak fisnikë të politikës shqiptare në këto 18 vjet tranzicion, shprehin edhe gjëmën që ata i kanë bërë munitetit. Të krijohet përshtypja se të gjitha taksat që paguajmë për të "blerë" shërbimin e tyre ndaj nesh shpenzohen për të paguar ca aktivistë organizatash, të cilët vetëm të japin informacion se sa persona kanë vrarë veten, sa gra janë dhunuar nga burrat e të tjera e të tjera statistika të frikshme.



Por këta punonjës shtetërorë harrojnë se detyra e tyre kryesore nuk është mbajtja e statistikave, por parandalimi që këto statistika mos të kenë volume të demokracisë liberale, faktin alarmant që ia kanë shaluar kalit të drejtësisë, duke e shndërruar në një Rosinant të mjerë. Këto deklarata shprehin mentalitetin e diktatorëve të politikës që kanë zhvilluar në kokat e tyre perversitetin mendor për të kontrolluar këdo dhe gjithçka. Me të tillë politikanë si liderë, demokracia liberale në Shqipëri nuk ka të ardhme. *** Por nuk është fjala vetëm për ca deklarata publike. Është fjala për një punë të ethshme të pushtetit berishist për të mbajtur nën kontroll drejtësinë. Kjo nuk është një rastësi, një aksident. Dihet se demokracia liberale, pra demokracia që mbron të drejtat e njerëzve dhe liritë e tyre nëpërmjet kufizimit dhe ndarjes së pushteteve, nuk mund të ekzistojë pa një pushtet të pavarur drejtësie, pa një prokurori të pavarur dhe gjyqësor të pavarur. Por kjo do të thotë të kesh një pushtet që është në gjendje të hetojë korrupsionin edhe kur iniciatipërflitet si bashkëfajtor Kryeministri dhe familja e tij. Kjo do të thotë që të mos ketë në shtet njerëz që janë më të fortë se ligji ose, e thënë ndryshe, njerëz që nuk përgjigjen para ligjit. Thelbi i demokracisë liberale është barazia e të gjithë qytetarëve (qofshin karrocierë, kryeministra apo liderë) përpara ligjit. Por pikërisht këtë barazi para ligjit, që është edhe themeli i shtetit ligjor, nuk e kanë dashur (provë është skllavërimi prej tyre i drejtësisë) dhe nuk e duan politikanë të vjetër të tipit Nano dhe Berisha. Ky i fundit, që kur ka shkelur në politikë, nuk ka lënë gjë pa bërë për të pasur nën komandë prokuroritë dhe gjykatat. Rastësi? Jo aspak. Intuita politike dhe zakoni i trashëguar prej komunizmit, i kanë dhënë të kuptojë këtij autoritaristi të sëmurë se nuk mund të sundojë mbi shqiptarët nëse nuk sundon mbi pushtetin e drejtësisë.



Prandaj Berisha ka të regjistruar në karrierën e tij një konflikt të gjatë me drejtësinë, që nis me tranzicionin dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Skenarët e zbatuar prej tij për kapjen e pushtetit të drejtësisë janë të pafund. Ata nisin me prodhimin e gjyqtarëve berishistë me kurset e plepave dhe vazhdojnë me përdorimin e prokurorëve berishistë për hetime selektive ndaj kundërshtarëve politikë, me konflikte me kryeprokurorët Rakipi, Sollaku (dhe së fundmi edhe me Ramën?), me gjykatësin Brozi, konflikte me Gjykatën Kushtetuese e deri te skenarët e "reformimit" të gjyqësorit apo prokurorisë, hartimin e ligjeve që rrisin kontrollin e qeverisë Berisha mbi drejtësinë dhe pakësojnë kompetencat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që dikur, kur ishte në opozitë, vetë Berisha e quante "qeveria e gjyqësorit". Por sot që është në pushtet kërkon t‘i bëjë puç kësaj qeverie të pushtetit të drejtësisë. Përse? Sepse pushteti i tij është i padrejtë dhe kërkon të fshehë pasojat shpesh të përgjakshme (grushti i shtetit në vitin 1998, Gërdeci dhe çështja e Remzi Hoxhës janë vetëm disa nga rastet e shumta) të kësaj padrejtësie. Rreth 18 vjet tranzicion pa drejtësi, gjatë të cilit Berisha ka qenë 10 vjet në pushtet, kanë dëshmuar se Berisha në pushtet dhe drejtësia e pavarur nuk mund të bashkëjetojnë. Ose duhet të skllavërohet drejtësia, ose duhet të ikë Berisha! Konsensusi është i pamundur. Sepse nuk mund të ketë konsensus mes demokracisë liberale dhe autoritarizmit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama