Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Demokracia kunder lirise

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Demokracia kunder lirise

Argumenti kryesor i mbrojtësve të ndryshimeve të Kushtetutës, qofshin këta socialistë, demokratë apo diplomatë, ka qenë dhe mbetet fakti se ato u votuan nga një shumicë dërrmuese deputetësh. Edhe pse kanë qenë të detyruar të pranojnë se nuk u la koha e nevojshme për t‘i diskutuar amendamentet me transparencë, pra e kanë njohur si një "gabim", janë përpjekur ta minimizojnë përshtypjen e keqe të saj, përsëri me "demokracinë" e shumicës. Por, a nuk tingëllon si avokati e tiranisë së shumicës? Vërtet kohë diskutimi më të gjerë publik nuk pati. Por shumica e deputetëve shqiptarë menduan se pati kohë - u shpreh, në thelb, një diplomat i lartë perëndimor, duke na bërë të kuptojmë se jo vetëm në fizikën e Ajnshtajnit, por edhe në diplomaci dhe politikë, koha paska një natyrë shumë relative. Por qofshin politikanë shqiptarë, apo diplomatë perëndimorë, me këtë apologji "demokratike" për amendamentet e 21 prillit që cenuan thelbësisht kufizimin dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri, nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po i kundërvënë demokracinë lirisë. Dhe nuk është i pari rast në kohën tonë që demokracia dhe liria nuk ecin paralel.

Fareed Zakaria, drejtor i revistës së njohur "Newsweek", ka nënvizuar në një libër të mrekullueshëm, të përkthyer kohët e fundit edhe në shqip, se demokracia (që nënkupton përzgjedhjen e qeverisë me anë të votës së qytetarëve) nuk çon gjithnjë ujë në mullirin e lirisë. Në jo pak raste mund të ndodhë që nga zgjedhjet, të dalë një qeverie e keqe, apo një sundimtar autokrat, që me politikat dhe "reformat" e tyre "demokratike" t‘i shkaktojnë plagë të rënda lirisë, duke shkatërruar institucionet që e mbrojnë atë. Sepse liria më shumë se me zgjedhjet, pra me "demokracinë", ka të bëjë me kufizimin dhe ndarjen e pushteteve, me ekzistencën e pushteteve të lira, që kontrollojnë dhe kufizojnë qeverinë. Eshtë e habitshme se si ne, shqiptarët, nuk po e kuptojmë qartë dhe masivisht këtë gjë. Sepse përvoja na ka mësuar se një regjim diktatorial nga më të egrit, më saktë lideri dhe partia në pushtet, mund të pranojë të organizojë zgjedhje (edhe pse jo të lira dhe të jo ndershme), por kurrë nuk kanë pranuar të kufizojë dhe ndajnë pushtetin.

Zgjedhjet edhe mund të manipulohen në njëqind mënyra për t‘u përdorur si farsë lirie e skllavërisë, por kufizimi dhe ndarja e pushtetit, i heq çdo pushteti dhe autokrati fuqinë për të shtypur dhe dhunuar liritë dhe të drejtat e të tjerëve. Prandaj liria, si thelbi i demokracisë Perëndimore (dhe që prandaj cilësohet liberale), buron parësisht jo nga zgjedhjet (që kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm), por mbi të gjitha nga liberalizmi kushtetues, që është nga ndarja dhe kufizimi i pushteteve. Këto janë ato që e garantojnë lirinë dhe liritë, ndërkohë që zgjedhjet janë më shumë një mekanizëm që mundëson kontributin e të gjithëve në "ndërmarrjen" e lirisë, që në praninë e disa konditave e mbështesin dhe e ndihmojnë lirinë, por nuk e garantojnë atë. Historikisht, Evropa ka kaluar nga liberalizmi kushtetues te demokracia, nga liria te zgjedhjet e përgjithshme. Pra, ka pasur në Evropë një periudhë me liri, ndonëse jo me shumë demokraci. Por, krijimi gjatë shekujve i traditës së liberalizmit kushtetues, i sundimit të ligjit, i të drejtës së mbrojtur të pronës private, i ndarjes dhe kufizimit së pushteteve, i gjykatave të pavarura, i lirisë së shprehjes dhe grupimit, pra të gjitha këto, i mundësuan Evropës që edhe kur u zgjerua dhe thellua, demokracia të mos i kundërvihet lirisë, por, përkundrazi, ta ushqejë edhe më shumë atë.

Por, sot ka një shqetësim të madh lidhur me ato vende që ndryshe nga Evropa përpiqen të kalojnë te liria nëpërmjet demokracisë, pra nga demokracia te liria. Po konstatohet se demokracia në shumë prej këtyre vendeve pa tradita të liberalizmit kushtetues (të tranzicionit lindor, por edhe vendeve në zhvillim) nuk po çon në fuqizimin e lirisë, por, përkundrazi, po krijon tensione, destabilitet dhe më pas, po çon në fuqizimin e frikshëm të lidershipeve dhe partive politike, që priren nga autoritarizmi, nga akumulimi i pushteteve dhe pasurive në pak duar, nga dhunimi i të drejtës së pronës, i lirisë së fjalës, apo edhe të organizimit politik. Të gjitha këto në emër të "stabilitetit" kundër tensioneve që vetë i pjellin. Dhe pikërisht kjo është edhe situata sot në Shqipëri. Demokracia, zgjedhjet (edhe këto akoma nuk kanë arritur të jenë të lira e të ndershme) nuk kanë prodhuar stabilitet, nuk kanë çuar në fuqizimin e institucioneve që mbrojnë lirinë, nuk kanë ndihmuar krijimin e gjykatave të pavarura, të mediave vërtet të lira nga fijet e politikës, por, përkundrazi, kanë shërbyer si mjete që liderë populistë dhe "demokratë" të manipulojnë masat (te të cilat mungesa e traditës së liberalizmit kushtetues shfaqet si mungesë e etikës së lirisë dhe aktivizmit qytetar) dhe përfaqësimin e deleguar prej sovranit, ta përdorin për zbatimin e strategjive autoritariste antiliri që skllavërojnë sovranin.

Pjesë e një strategjie antiliri, e një strategjie që kërkon ta përdorë tiranikisht votën e shumicës kundër liberalizmit kushtetues, kundër ndarjes dhe kufizimit të pushteteve, demokracinë kundër lirisë, janë edhe amendamentet e Kushtetutës, që sot kundërshtohen nga shumë forca politike, personalitete dhe segmente të shoqërisë civile, si dhe forma më e organizuar e kësaj proteste, Komiteti Për Mbrojtjen e Kushtetutës. Sepse krejt në kundërshtim me parimin e kufizimit e forcës së një pushteti, amendamentet i kanë dhënë Kryeministrit fuqi dhe ndikim të pazakontë mbi legjislativin dhe fatin e tij, i japin mundësi Kryeministrit të zgjedhë President të Republikës një beniamin të tij dhe, për këtë shkak, rrisin një ndikim dhe presion të rrezikshëm të Kryeministrit mbi gjyqësorin. Ndërsa po kërkohen gjithnjë e më me forcë zgjedhje të lira dhe të ndershme (pra demokraci) në 2009-ën, politika shqiptare (në radhë të parë PS dhe PD) kanë bërë një hap shumë të gabuar, duke rrezikuar të zhvlerësojnë çdo ndikim pozitiv për lirinë që do të kishin votime më në fund, të lira. Sepse kush do t‘i mbrojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve nga një Kryeministër i gjithëfuqishëm edhe pse i dalë nga zgjedhje sipas standardeve perëndimore? Pa liri dhe të drejta mund të kemi vërtet zgjedhje dhe "demokraci", por jo demokraci liberale, domethënë evropiane. Eshtë një çështje që kërcënon seriozisht integrimin e Shqipërisë në Perëndim. Sepse me "demokraci" pa liri nuk mund të shkohet në Evropë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama