Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kryeministri, mashtruesi patriot

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Kryeministri, mashtruesi patriot

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka bërë përsëri një deklaratë të rreme. Dhe përsëri përpara medias ndërkombëtare. Dhe përsëri për një aferë armësh. Ca muaj më parë mashtroi në emisionin "Hard Talk" të BBC, lidhur me një punishte të çmontimit të municioneve, shpërthimi i së cilës, jo vetëm vrau shumë shtetas dhe shkatërroi fshatra të tërë, por nxori në dritë lidhjet e nëndheshme të qeverisë dhe deri familjarëve të vetë Berishës me trafiqet e zeza të armëve. Por, vetëm dy ditë më parë, Kryeministri shqiptar, i ndodhur për një vizitë në Islandë, bëri një tjetër deklaratë të rreme, kur u pyet nga gazetarët lidhur me akuzat e Rusisë për eksport të armëve shqiptare në Gjeorgji. "Pretendimet e Rusisë janë një shpikje", deklaroi Berisha. Dhe u përpoq të shpjegonte se akuzat ruse shihen pjesë e një qëndrimi konstant antishqiptar. Në fakt, i dimë qëndrimet antishqiptare të Rusisë, si për çështjen e Kosovës, ashtu edhe për integrimin e Shqipërisë në NATO. Por, problemi është se ato nuk mund të shërbejnë si argument për të maskuar me "patriotizëm" të bërat dhe të pabërat e Kryeministrit shqiptar, që nuk paskan fund. Nuk mjaftojnë, sepse thëniet e Kryeministrit shqiptar, hidhen poshtë nga statistika mbi eksportet e Shqipërisë në Gjeorgji, statistika të prodhuara nga një institucion i specializuar mbi bazën e të dhënave ta marra nga doganat shqiptare. Janë shifra që hedhin poshtë deklarimet e Kryeministrit "patriot" dhe i tregojnë mbarë botës se Rusia, kjo kundërshtare e pavarësisë së Kosovës, e akuzon atë me të drejtë. Kështu, duke gënjyer publikisht dhe botërisht, Kryeministri bëhet avokati më i keq i vetes dhe i çështjes shqiptare. Si i bëhet? Të themi se në emër të Atdheut pranohen edhe gënjeshtrat dhe mashtrimet? Apo të alarmohemi që kemi në krye një Kryeministër që po e bazon qeverisjen dhe diplomacinë e tij gjithnjë e më shumë te gënjeshtra?

Rusët e kanë shumë lehtë ta përgënjeshtrojnë "patriotin" Kryeministër. Mjafton të klikojnë në internet në domeinin e një OJQ-je të quajtur Qendra Shqiptare për Tregtinë e Jashtme (ACIT). Dhe aty janë të gjithë statistikat e tregtisë së Shqipërisë me botën që nga viti 2002. Dhe ato tregojnë se për vitin 2006, Shqipëria i ka shitur Gjeorgjisë armë, municione, me pajisjet përkatëse, në një vlerë prej 3 milionë USD ose 2,3 milionë euro me kursin e kohës. E zezë mbi të bardhë. Dhe Kryeministri Berisha nuk mund t‘i hedhë poshtë këto fakte, duke deklaruar se janë shpifje! Gënjeshtra nuk mund të ketë një pushtet të tillë, një magji të tillë. Sepse janë statistika të prodhuara jo tani, që janë bërë publike me kohë dhe në bashkëpunim me institucione të tjera zyrtare si doganat. Këtë gjë e pohon edhe Selim Belortaja, drejtori i kësaj qendre, që financohet edhe nga USAID. "Statistikat tona janë përgatitur, deri kohët e fundit, në bashkëpunim me doganat shqiptare", na tha Belortaja. Kjo shpjegon se përse deri më sot, nuk ka pasur asnjë kundërshtim për të dhënat e publikuara nga ACIT dhe as për eksportimin e armëve në Gjeorgji në vitin 2006. Pra, këto statistika janë pranuar me kohë si të vërteta. Sepse nuk e kemi parë Berishën, apo ndonjë nga zëdhënësit e tij të shumtë, që pas publikimit të statistikave të ACIT, të dilte në publik për t‘i denoncuar si "shpifje". Ndërkaq, tërheq vëmendje fakti që Belortaja nënvizon se bashkëpunimi me doganat ka vazhduar "deri kohët e fundit"? E pyesim dhe shpjegimi që morëm është diçka që nuk mund të të mos kuriozojë. Sepse, sipas Belortasë, zyrtarët e doganave kanë ndërprerë bashkëpunimin dhe furnizimin e të dhënave për ACIT, pikërisht pas shpërthimit të Gërdecit, kur çështja e tregtimit të municioneve u bë mjaft e ndjeshme jo vetëm për publikun, por u qendërzua në fokusin e hetimeve jo vetëm në Tiranë, por edhe në SHBA.

Rezulton se që nga ai moment, statistikat zyrtare nuk japin më të dhëna për eksportet e armëve nga Shqipëria. Duket se paska një vullnet qeverisës që askush (as edhe një institucion si ACIT) të mos i bëjë publike të dhëna të tilla. Prandaj, duket doganat kanë ndërprerë bashkëpunimin me ACIT, ose me atë që Kryeministri premton nëpër bankete me diplomatë, se do të jetë bashkëpunues dhe transparent, bashkëpunimin me "shoqërinë civile". Nuk mund të mos pyesësh: Kujt i duhet kjo mungesë transparence për një tregti të ligjshme, qoftë kjo tregti municionesh apo kallashësh? Përgjigjja është e thjeshtë: Padyshim atyre që duan të fshehin diçka nga sytë e publikut, dhe që në rastin konkret, është qeveria "Berisha". Dhe përsëri pyesim: Kush ka forcë të urdhërojë fshehjen e statistikave në një shtet të shpartalluar si ky i yni? Përgjigjja është thuajse evidente: i gjithëfuqishmi Kryeministër. E megjithatë, çfarë kërkon të fshehë duke mbytur transparencën? Pse përgënjeshtroi publikisht një tregti armësh që mund të verifikohet fare lehtë? Budallallëk? Pse përgënjeshtroi diçka që në fakt nuk është një aktivitet i paligjshëm? Përsëri budallallëk kryeministror? Apo mos brenda kësaj tregtie të ligjshme armësh dhe municionesh fshihen procese që nuk duhet të dalin në shesh? Dyshojmë më shumë për këtë të dytën sesa në ndonjë budallallëk kryeministror.

Tashmë e kemi mësuar se Sali Berisha është dinak (jo i zgjuar) dhe gënjeshtar sa të duash, por kurrsesi budalla. Dyshojmë dhe kemi frikë se trafiqe të tjerë, si ato që prodhuan Gërdecin, fshihen në bodrumet e errëta të kabinetit "Berisha". Ndoshta prandaj i lind edhe nevoja për të censuruar të dhënat e doganave, si dhe për të krijuar në publik përshtypjen e rreme se e sulmojnë nga që është shumë "patriot". Por, nuk është e para herë. Mos kemi harruar që është po i njëjti Kryeministër që donte të na mbushte mendjen se e lejoi kontrabandën e naftës që ushqeu makinën ushtarake të kryearmikut të shqiptarëve, Millosheviçit, për qëllime "patriotike"? Dhe nuk do të jetë as edhe rasti i fundit, kur korrupsioni i Kryeministrit do përpiqet të futet nën lëkurën e nacionalizmit dhe patriotizmit. Sepse ka më shumë të ngjarë që ai vetë, Kryeministri Berisha, të ketë harruar aksiomën se "patriotizmi" është streha e fundit e mashtruesve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama