Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Berisha dhe imuniteti kolektiv i korrupsionit

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Berisha dhe imuniteti kolektiv i korrupsionit

Për të shpëtuar ministrin Basha nga ndëshkimi të ligjit lidhur me skandalin e rrugës Rrëshen-Kalimash, dikush e ka këshilluar Kryeministrin Berisha të fshihet pas vendimeve të marra nga Këshilli i Ministrave. Jo rastësisht, Berisha i deklaroi "Zërit të Amerikës" pak ditë më parë, se vendimet për rrugën Rrëshen-Kalimash janë kolektive dhe se, sipas tij, është absurde të gjykohen aktet kolektive. Por në përpjekje për të mbrojtur ministrin Basha, Kryeministri, si pa dashur ka ekspozuar përgjegjësitë e tij të drejtpërdrejta. Sepse në fund të fundit, nëse një ministër nuk mban përgjegjësi për aktet dhe vendimet kolektive të një qeverie, a është dikush që duhet të mbajë një përgjegjësi të tillë, nëse këto akte dhe vendime rezultojnë në kundërshtim me ligjin?


***

Deklarimi i Kryeministrit Berisha për seksionin shqip të VOA-s jo vetëm që është vetë absurd, por nga ana tjetër, ai shpalos një nuancë të re në qëndrimin e Kryeministrit ndaj skandalit në fjalë. Për të parën herë e shohim Berishën të mos mbrohet duke hedhur poshtë akuzat e prokurorisë si të padrejta, as të thotë se vendimet e qeverisë për Rrëshen-Kalimashin kanë qenë të drejta, por të deklarojë se gjykimi i akteve kolektive (sikundër janë edhe VKM-të në fjalë) "është në thyerje të parimeve më themelore të të gjitha kohërave".

Përballë kësaj avokatie "kolektiviste" të Kryeministrit Berisha qëndron një akuzë e formuluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në 37 faqet e saj, ndër të tjera, thuhet se VKM-të me numër 460, 481, 526 dhe 651, të marra në vitin 2006, "kanë legjitimuar një gjendje paligjshmërie me pasoja të rënda ekonomike dhe financiare për buxhetin e shtetit. Këto vendime nuk bazohen në Kushtetutë e ligje, nuk kanë asnjë bazë ligjore, janë nxjerrë në kapërcim të kompetencave ligjore që ka Këshilli i Ministrave dhe janë në kundërshtim flagrant me ligjin".

Natyrisht, po të pyesësh Berishën ai do të kundërshtojë duke thënë se gjërat nuk qëndrojnë kështu. Por të supozojmë për një moment se prokuroria ka të drejtë, ose le të supozojmë një situatë jo me Kryeministër Berishën, por me një kryeministër X, që do të kish bërë pikërisht të tilla gjëra, për të cilat prokuroria sot akuzon qeverinë. Pyetja është: Mos vallë edhe kryeministri X do t‘ia mbyllte gojën prokurorisë dhe do të ndalte dorën e ligjit, duke deklaruar se vendimet e qeverisë apo "aktet kolektive" nuk mund të gjykohen?


***

Për herë të parë dëgjohet nga goja e një politikani, aq më tepër e një Kryeministri, që paska një "imunitet kolektiv" që nuk përgjigjet para ligjit për vendimet e veta (edhe pse ato mund të jenë në kundërshtim me ligjin), vetëm se janë vendime kolektive. Por, a nuk mund të shërbejë një logjikë e tillë për të justifikuar jo vetëm korrupsionin, por edhe krimet nga më të ndryshme që mund të kryejë një qeverisje? A nuk mund të justifikohen me natyrën "kolektive" të vendimeve të tyre edhe qeveritë diktatoriale si ajo e Enver Hoxhës, që kanë kryer deri edhe krime?

Dhe të mos përgjigjesh përpara ligjit për vendimet që merr, a nuk do të thotë të jesh i papërgjegjshëm? A nuk do të thotë kjo logjikë që s‘ka asnjë logjikë, se qeveria mund të shkelë çdo ligj, çdo të drejtë, deri edhe Kushtetutën dhe të mos përgjigjet para ligjit? A nuk është ky pohim i Berishës një ringjallje e institucionit të monarkut absolut, që përgjigjej vetëm para Zotit dhe jo para drejtësisë, si të gjithë shtetasit e tjerë? Në një kohë që përpiqet t‘i zhveshë edhe deputetët nga çdo imunitet, pasi i zhveshi edhe prokurorët nga çdo imunitet, Berisha përpiqet të shpikë "imunitete" për vete dhe bashkëpunëtorët e tij, duke shpallur se vendimet e kabinetit të tij nuk mund të gjykohen ngaqë janë kolektive. Çfarë shakaje! Po kush do të japë llogari për ato qindra milionë euro që prokuroria akuzon se janë bërë "rrush e kumbulla" në Rrëshen-Kalimash? Është shumë e thjeshtë.

Nëse nuk mund të mbajë përgjegjësi ministri Basha, sepse vendimet nuk i ka marrë ai, por kolektivisht qeveria, atëherë ai që duhet të mbajë i pari përgjegjësi është Kryeministri Berisha. Edhe me ligj, përgjegjësia nuk delegohet. Nuk mund të ketë një situatë, ku përgjegjësia të mbetet në vakum. Përgjegjësia mund të fshihet, por diku është. Dhe në rastin konkret, ajo mbetet me titullarin e institucionit që në këtë rast është vetë Kryeministri Berisha. Moralisht dhe politikisht, kur një vendim i qeverisë rezulton (sikundër akuzon prokuroria) kundër interesave publike që Kryeministri është betuar të mbrojë, ai duhet të jepte dorëheqjen. Ligjërisht, kur nuk ka të tjerë fajtorë, është Kryeministri që duhet të përgjigjet para drejtësisë për "vendimet kolektive" antiligjore, të marra nga kabineti që qeveris nën drejtimin e tij. Dhe jo të fshihet prapa kabinetit, siç po bën për turp Berisha.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama