Për një moral civil dhe jo “prita” ligjore

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 7 vite më parë

Rexhep Meidani
Për një moral civil dhe jo “prita” ligjore

Një shembull praktikisht i ligjëruar    


Në dy muajt e fundit të kryerjes së detyrës së kryetarit të shtetit, gjatë ushtrimit të saj, ndryshe nga të drejtat dhe mundësitë ligjore në kuadër të ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë, mora vendimin që në ata dy muaj të shtyheshin përkohshmërisht emërimet me dekret në disa pozicione shtetërore, derisa të zgjidhej Presidenti i ri. Gjithashtu, pas zgjedhjes, për të parën herë në atë kohë, nga Presidenti në detyre u krijuan të gjitha kushtet njerëzore e materiale për tranzitimin e pushtetit te Presidenti i zgjedhur, përfshirë dhe ceremonialin përkatës. Në këtë mënyrë u krijua një praktikë e re demokratike për transferimin e mandatit presidencial; u sanksionuan po ashtu edhe mjaft detaje për kalimin e funksionit kushtetues, detyrës, brenda një periudhe të dhënë nga Presidenti në detyrë tek ai i zgjedhur.


Pikërisht në këtë periudhë transferimi detyre, por dhe deri 1–2 muaj para saj, emërime që nuk kishin asnjë urgjencë iu transferuan Presidentit të ri. Natyrisht, bëhej fjalë për emërime normale ripërtëritje e zëvendësimi, ku ndryshimi emëror në një periudhë të shkurtër kohore nuk krijonte asnjë shqetësim ligjor e funksional për aktivitetin konkret, për institucionin përkatës, për detyrën shtetërore ose për shërbimin e pritshëm ndaj qytetarit. Lehtësim ishte edhe fakti që në lidhje me këtë vendim timin gjeta mirëkuptimin e Parlamentit, të institucioneve përkatëse, të vetë qeverisë e Kryeministrit të kohës. Dhe jo për konformizëm, por pse bëhej fjalë për një vendimmarrje logjike. Unë edhe sot besoj se një vendimmarrje e tillë ishte tërësisht e drejtë!…


Në të vërtetë, a do të kishte kuptim, p.sh., që të zëvendësohej një ambasador thjesht në 1-2 muajt e fundit të ushtrimit të detyrës sime si kryetar shteti, kur ambasadori i ri, praktikisht, nuk do të arrinte që të bashkëpunonte qoftë dhe një ditë me mua?! Ndërkohë, ai do të kishte një ndërveprim të ngushtë disavjeçar me pasuesin tim. Për mendimin tim, në një dublet të «akorduar» Kryeministër-President, problemi bëhet akoma më delikat po të abuzohet me emërime politike jashtë hapësirës së zbatimit të ligjit të shërbimit diplomatik e konsullor. Në mënyrë të ngjashme mund të flitet dhe për emërime ose detyra të tjera, p.sh. në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në struktura gjyqësore apo të Prokurorisë, të Forcave të Armatosura etj.


Pra, ligji dhe Kushtetuta e lejon këtë lloj «vazhdimësie» pune, por në përmbajtjen e vet kjo lloj vazhdimësie ka kuptim të mirëfilltë pikërisht për të vepruar në situata krejt të domosdoshme, por jo për t’u imponuar kur nuk është fare nevoja; aq më keq për qëllime të dyshimta(!). Në thelbin e vet, shpirti kushtetues e morali ligjor, logjika e mirëqeverisjes së mëtejshme kërkon më shumë mirëkuptim civil e qytetar, një pozicionim të drejtë e serioz në tranzitimin normal të detyrës së kryetarit të shtetit nga një individ te tjetri. Por, jo për të sajuar ngërçe ndaj këtij të fundit! Një gjë e tillë vlen edhe për tranzitimin e detyrës në degën ekzekutive, aq më tepër në rastet kur kryetari i shtetit ndodhet nën trysninë politike apo shpirtërore të grupimit politik në ikje.
Tranzitimi politik kërkon mirëkuptim dhe jo logjikë prite.


Në fakt, qoftë dhe për arsye të përmbylljes se procesit zgjedhor (vendimmarrjes e ankimimit), rotacioni qeverisës, për çdo rast, e nënkupton një periudhë 1–2-mujore tranzitimi politik; aq më tepër në rastin aktual, kur sezoni i ri parlamentar fillon në javën e parë të shtatorit. Gjatë kësaj periudhe, grupimi që ka humbur zgjedhjet përgatit dosjet, materialet e dokumentet e dorëzimit, ku një rol të rëndësishëm duhet të luajnë sekretarët e Përgjithshëm të dikastereve. Njëkohësisht, ai vazhdon të kryejë detyra minimale në qeverisje, sidomos ato detyra rutinë që nuk mund të presin, p.sh., pagat në sektorin shtetëror. Kjo frymë apo logjikë kushtetuese pjesore ndeshet, p.sh. në rastin e zëvendësimit të përkohshëm në detyrë të Presidentit nga kryetari i Kuvendit…


Ndërkohë, pala tjetër, ajo fituese, në këtë periudhë të shkurtër kohe duhet të njihet me këto dosje, duke përgatitur njëkohësisht programin qeverisës, por dhe duke konsultuar partitë e koalicionit fitues dhe opinionin publik në formësimin e kabinetit qeveritar. Pjesë e kësaj përgatitjeje është, po ashtu, vlerësimi e kontaktimi i njerëzve të duhur për pozicionet politike, të përcaktuara në përputhje me ligjin e Kushtetutën. Natyrisht, në këtë periudhë të shkurtër, do të parapëlqehej një mirëkuptim i dyanshëm midis dy grupimeve politike në funksion të procesit demokratik, të tranzitimit qeverisës dhe shërbimit qytetar. Por, nga ana tjetër, mospërfshirja në Kushtetutë e një neni eksplicit mbi rotacionin politik, nuk ka pse ta bëjë radikalisht të politizuar këtë tranzitim; madje ta konsiderojë legalisht të drejtë abuzimin jologjik me këtë mangësi kushtetuese-ligjore. Në fakt, për asnjë rast kjo periudhë tranzitimi nuk duhet të perceptohet, identifikohet e projektohet brenda një logjike “pritë”; aq më keq si mishërim i teknologjisë së futjes së shkopit në rrotë ndaj palës që ka fituar zgjedhjet nga pala që i ka humbur ato.  


Me pak fjalë, administrimi qeverisës në këtë periudhë tranzitimi duhet të mbetet krejtësisht teknik, pa me të voglën ngjyrosje politike, pa u shoqëruar me hile partiake e marifete penguese. Mbi të gjitha, pala humbëse duhet të manifestojë më tepër moral civil se pretendime për vendime të pakontestueshme në rrafshin ligjor, por që mund të krijojnë ngërçe serioze dhe tensione të panevojshme në marrëdhëniet pozitë – opozitë në procesin e mëvonshëm qeverisës, sidomos në kushte kritike financiare si ato aktualet. P.sh., duke abuzuar me lehtësinë e dekretimit në dubletin aktual Kryeministër – President, të tentoheshin të ndryshoheshin të gjithë ambasadorët brenda këtyre 1-2 muajve të fundit, deri dhe duke mos respektuar ligjin përkatës! Në thelbin e tij, një pamje të tillë kishte shkarkim-emërimi rrufe apo ndryshimi “ripërtëritës” i drejtorit të Shërbimit Inteligjent në ushtri! Tepër problematike janë dhe disa vendime në planin financiar. Madje, të gjitha vendimet që lidheshin, p.sh. me rritjen e rrogave dhe pensioneve apo tejkalimin e borxhit publik, duheshin marrë vetëm me konsensusin edhe të lidershipit të ri qeverisës. Këtë e kërkon fryma demokratike e tranzicionit normal politik nga një grupim qeverisës në një tjetër. Çdo logjikë tjetër bëhet e dyshimtë, madje sipas pasojave të mëvonshme ekonomike-financiare ligjërisht edhe e dënueshme…
Paris, 10 korrik 2013

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama