Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ku është gabuar?

Shkruar nga: Agron Tufa  
Botuar më: 11 vite më parë

Agron Tufa
Ku është gabuar?

I


Më tërhoqi vëmendjen shënimi i një mikut tim mbi disfatën e Napoleonit në Vaterlo. Sipas historianëve, shkruante ai, “disfata kishte ndodhur për shkak të një imtësie dhe rastësie të pabesueshme, meqë një bari vendës ua paska treguar rrejshëm rrugën (forcave aleate) për në fushëbetejë”. Kështu, sipas këtij versioni, forcat aleate arritën me vonesë, kur ushtria e Napoleonit ishte shpartalluar. Humbja e Berishës, meqë ishte aq e thellë, pa diskutim se i referohet ndonjë rrethane të paparashikuar, e cila e ka çuar mandej në disfatë.


Prandaj duhet analizuar me gjakftohtësi e kthjelltësi se cila ishte kjo “imtësi” apo “rastësi” – kjo “imtësi e rastësishme” apo “rastësi e imtësishme”.


Sepse askush nuk e priste një disfatë kaq të plotë e të menjëhershme të së djathtës së Berishës, askush… Mund të pritej një humbje me diferencë të ngushtë, nëse jo fitore ose barazim, por as specialistët e mediave, as sondazhet/eksitpoll-et (këta orakuj dritëshkurtër të zgjedhjeve), as situata dhe fryma e përcjellë përgjatë fushatave, nuk ka pasur ndonjë “kumt”, qoftë edhe në ajër, sado nuhatje të hollë të kesh, që koalicioni i djathtë i Berishës do të shkrehet menjëherë, si një kala rëre. Madje as kundërshtarët e tij politikë nuk e prisnin këtë humbje të Berishës në përmasat e saj katastrofike, të tillë që as në ëndrrat më të çmendura të delirit të tyre politik nuk e kishin ëndërruar. Aq e papritur dhe e frikshme ka qenë ecuria e avantazhit të koalicionit të majtë në thellimin e vet, sa vetë lideri i LSI, Ilir Meta, u shpreh në një moment para mediave, se “me këtë ecuri po shkojmë drejt mandatit të tetëdhjetë. Nëse marrim mbi tetëdhjetë mandate, për këtë unë nuk mbaj përgjegjësi”. Kjo tregon edhe një herë se sa e papritur ka qenë përmasa e fitores për vetë koalicionin e majtë dhe njëkohësisht, e djathta nuk e ka pasur këtë shkallë disfate as në vitin 1997.
Por nëse në vitin 1997 ndëshkimi i së djathtës erdhi fill pas revolucionit anarkist alla-bolshevik, atëherë cili është shkaku i dukshëm i disfatës së aleancës blu të Berishës?

II


Por ne do ta shtyjmë dhe për pak hamendësimin tonë për të gjetur atë “imtësi” apo “rastësi” të Vaterlosë së Berishës. Lypset të distancohemi nga përrenjtë e fjalamanisë së interpretëve mediatikë nëpër studiot e nxehta të këtyre ditëve, duke e ruajtur të kthjellët arsyetimin, pa ndikimin e nxituar. Ç’është e vërteta, as në versionet e analistëve nuk është dhënë ende ndonjë shkak i dukshëm i disfatës katastrofike të së djathtës në këto zgjedhje. E para që duhet të shtrojmë në fillin e arsyetimit tonë është: ku ka gabuar Berisha dhe qeverisja e tij? Çfarë ka bërë keq veçanërisht qeverisja e tij, që meritoi një ndëshkim me votë masive? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve të ngjashme ekzistojnë shumë faktorë, veç e veç, por asnjë i dukshëm. Mos vallë të “dukshme” bëhen këto shkaqe kur ato përbëjnë një tërësi? Është herët për të dhënë një përgjigje të nxituar dhe unë mendoj se me kohë humbësit do të mbërrijnë në këtë analizë. Po meqë secili i djathtë duhet ta vrasë mendjen për arsyet e humbjes, pavarësisht se kishte apo nuk kishte gjë në dorë e madje pavarësisht nëse interesat e tij jetike varen apo nuk varen nga fitorja apo humbja, pra meqë çdo votues (i majtë/ i djathtë) niset drejt kutive me një bindje vetjake në zgjedhjen e tij, le ta shtrojmë edhe një herë pyetjen: çfarë ka bërë keq Berisha që meritoi këtë ndëshkim?


Këtë reflektim mund ta bëjë secili i djathtë. Ndër ta edhe unë që botëkuptimin tim të djathtë nuk e kam formuar falë PD-së ose Berishës dhe që ekzistencën time jetike nuk e kam pas asnjëherë të lidhur me pushtetin e PD-së (ndërkohë që po shkruaj dëgjohet në rrugë zhurmnaja e natyrshme e festës së militantëve të së majtës), po mundohem të numëroj disa nga anët e dobëta të qeverisjes së djathtë në mandatin e saj të fundit, të sapopenalizuar.

III


I pari gabim (dhe më i madhi) i Berishës dhe pushtetit të tij është aleanca e tij e panatyrshme me një kundërshtar jo të një gjaku politik me të. Ky gabim u thellua pafalshëm në momentin kur Berisha nuk mbajti qëndrim të prerë moral për korrupsionin e ministrave të tij aleatë, të njohur si skandali i videos Meta-Prifti, por përkundrazi, u përpoq dhe ia arriti ta mbrojë aleatin e tij kainian. Kjo ia rrëzoi atij hijen kalorësiake të luftëtarit antikorrupsion, hije e cila endej nga ploja e Gërdecit dhe disa biznese të përfolura me Taçi Oil, Fazlliçin etj. Në politikë ka rëndësi besimi në imazh, apo më saktë, në “aurën” e këtij imazhi. Mendoj se përgjatë 8 viteve kjo “aurë” antikorrupsion për qeverinë “Berisha” erdhi duke u venitur pandalshëm.


Gabimi i dytë i Berishës është se vazhdoi të thellojë një sëmundje të vjetër, të trashëguar edhe më parë: moslejimin e debatit, diversitetit dhe demokracisë së brendshme brenda partisë dhe grupit të deputetëve të PD-së.


Gabimi i tretë i Berishës ka qenë, sipas bindjes sime të thellë, se katapultoi në pushtet figura të reja drejtuese pa energjinë e së djathtës, madje me prejardhje nga kupola e kuqe e ish-piramidës së PPSH-së. Nuk është çështje biografie klasore, por pesha e së djathtës nuk ka rënduar në ndërgjegjen historike të këtyre drejtuesve, duke nisur që nga familjet e tyre.


Gabimi i katërt i Berishës është faktorizimi i figurave të ricikluara, plëngprishëse të së djathtës si Pollo, Ruli, Ndoka, Imami, Selami etj., krejt ndryshe nga figurat e freskëta që emëroi në epilogun e qeverisjes së tij në prill të këtij viti, si Mima, Zhiti, Kosova etj.


Gabimi i pestë i Berishës është hedhja në përballjen elektorale të qarqeve figura që nuk kanë pikë lidhjeje me bazën. Figura me profil të zbërdhulët, të cilat më shumë e shkurajojnë të djathtën se sa e motivojnë. Me atë bazë të PD-së të cilën e pati lënë për 8 vjet të braktisur (e kam fjalën tetë vitet e pushtetit), inekzistente, jo vetëm të pakontrolluar, por të dalë jashtë kontrolli, duke i shndërruar kryetarët e degëve të partisë në këto seli si ca sulltanë të plotfuqishëm, gjysmëperëndi lokale që ndanin pushtetin në rrjet nepotik.


Dhe i gjashti gabim fatal i Berishës është përfshirja në fund fare, në prag të fushatës, të renegatëve socialistë, duke krijuar për herë të dytë një situatë absurde, thellësisht të panatyrshme dhe demoralizuese e të pamoralshme (nëse marrim guximin të mendojmë se ka moral në politikë, sidomos në skenën politike shqiptare të viteve të fundit) të bashkëpunimit me socialistët. Një organizëm që përzien grupimet e gjakut krijon vdekje të dyfishtë. Ky azilim politik i socialistëve bëhet edhe më i papranueshëm kur dëbon nga lista ish-deputetë të përkushtuar të së djathtës (Enkelejd Alibeaj, Mark Marku) dhe i zëvendëson ata kokë më kokë – Kastriot Islamin në vend të Alibeajt dhe Gjovalin Kadelin (ish-kryetarin e PS-së së Lezhës) në vend të Mark Markut. 
Gabimi i shtatë e më i rëndë, në pikëpamjen time, është sjellja e tij me shtresën më të gjerë që përbën pjesën dërrmuese të ish-të përndjekurve politikë. Ashtu siç e kam theksuar prej vitesh në shkrime të tjera, Berisha vërtet u premtoi atyre dëmshpërblimin dhe skemën pa të sharë të tij, por nuk e përmbushi dot, duke shkaktuar mjaft zhgënjime e nervozizëm. Nuk e kam fjalën për grevën e vjeshtës së vitit të kaluar, si një intrigë e regjizoruar nga opozita, por sjellja e Kryeministrit ndaj grevistëve ishte brengosëse për shumëkënd prej kësaj shtrese, ndonëse  ata, me të drejtë, nuk e përkrahën grevën.


Por sjellja ndaj shtresës së ish-të persekutuarve mendoj se ka qenë shpërfillëse në shumë aspekte, duke filluar me mospërfaqësimin e tyre në hierarkinë e politikës dhe pushtetit, në mundësinë e punësimit dhe shkollimit, në avantazhe të tjera sociale, në rehabilitimin e imazhit të tyre historik, në dështimin dhe mosrikthimin e ligjit të lustracionit. Kjo krijoi një ftohje e humbje besimi te kjo shtresë, së cilës iu turrën ta përfshijnë në programet e tyre PS, AKZ dhe FRD. Sigurisht që rrjedhje ka pasur nga kjo shtresë, ose në rastin më të mirë, mosvotim.

IV


Megjithatë, jam i shtrënguar të pohoj se të gjitha shkaqet e shtruara më lart, si veç e veç, si të marra së bashku, nuk e përligjin aspak përmasën katastrofike të humbjes së aleancës së djathtë. Nuk e përligj as i ashtuquajturi konsumim në pushtet prej 8 vitesh. Po kaq vite kishte edhe PS-ja e Fatos Nanos, por diferenca e humbjes së tij në vitin 2005 nuk ishte kaq e thellë sa humbja e tashme e PD-së. Është paradoksale se si një qeverisje që i solli Shqipërisë arritje të padiskutueshme në të gjithë treguesit, që e nxori nga izolacioni qytetarin shqiptar dhe shtroi rrjetin modern infrarrugor nga veriu në jug, të mund të ndëshkohet me humbje të thellë. Qeveria e Berishës pati progres ekonomik të vazhdueshëm gjatë mandatit të parë dhe ruajti nën kontroll të admirueshëm shpërthimin e krizës së përgjithshme ekonomike në Shqipëri kur ajo kishte përpirë prej 4 vitesh gjithë Europën dhe fqinjët tanë.


Atëherë si shpjegohet humbja kaq e thellë e kësaj qeverie, e cila zhvilloi një fushatë të shkëlqyer, me përurime të shumta veprash bonifikuese, ujësjellës, mbi dhjetë mijë kilometra rrugë të asfaltuara rurale (që do të dëshmojnë gjithmonë epokën e qeverisë “Berisha”), përuroi autostradën dhe tunelin Tiranë-Elbasan?


Si shpjegohet humbja e kësaj qeverie që pati një program thuajse realist e pragmatik të zhvillimit me prioritetet e arsyetuara mirë të investimeve për bujqësinë dhe fermerët, për energjetikën dhe finalizimin tërësor të rrjetit të rrugëve nga veriu në jug? Të çfarë natyre janë shkaqet e humbjes? Analistët në media sjellin shumë shkaqe të natyrës teorike. Thonë se “është mbyllur cikli i Partisë Demokratike” (a thua se shpjegimet astrologjike përcaktojnë kohën e një pushteti); thonë se është shkak autoritarizmi (që nuk qe përcaktues në vitin 2009); thonë se humbja është kostoja e 21 janarit (a thua se kjo qe pengesë për votimin e pushtetit lokal të PD-së në vitin 2007 e 2009 bash në Gërdec) etj., etj., pa i dhënë përgjigje një të vërtete të madhe: gjithmonë pushtetet politike në Shqipërinë paskomuniste nuk janë fituar për meritën e fituesit, por për dobësinë, pameritën e pushtetit pararendës. Pra, zgjedhjet nuk fitohen për meritën e forcës politike, por për nivelin e mjerueshëm të kundërshtarit. Mirëpo në një pushtet të djathtë që ka pasur pa dyshim merita, me çfarë mund të shpjegohet jo humbja, por disfata e thellë?

V


Nëse disfata e Berishës dhe PD-së në këto zgjedhje përbëjnë një Vaterlo, atëherë, në akord me legjendën e historianëve për “rastësinë” apo “imtësinë” që u bë shkak i disfatës së Napoleonit, cila mund të ketë qenë kjo “imtësi” tepër e imët dhe e padukshme? Jam i detyruar të kapem pas kësaj logjike, meqenëse asnjë nga shkaqet e “dukshme” nuk e përligj përmasën e disfatës së papritur e të papandehur prej askujt.


Ka diçka me natyrë bizare, e cila me siguri është përgatitur gjatë, shumë kohë para se të fillonte fushata, diç masonike, në heshtje, tinëzisht. Figurativisht kam mendimin se kemi të bëjmë me një “natë”, tash për tash të pazhbirueshme, me një Shën Bartolome elektoral. Për të mos rrëshqitur në shpjegime të mjegullta e “teori konspiracioni” që e neveris, dhe as në një logjikë dedektive, po parashtroj një hamendje, e cila me kohë e fakte ka shumë gjasa të vërtetohet.


Duke ndjekur raportimet nga qendrat e votimit nëpër gjithë Shqipërinë, kemi vënë re një dukuri të pandeshur në votimet e mëparshme: çdo rreth e qark i vendit raportonte, mesatarisht, mbi dhjetë mijë deri në njëzet mijë pjesëmarrës më shumë krahasuar me zgjedhjet paraardhëse. Nga u morën këta zgjedhës dhe pse vendosën befas të votojnë, duke lënë mënjanë pozicionin abstenues? Shumica dërrmuese e tyre janë emigrantë “të peshkuar”, shqiptarë të Greqisë dhe Italisë, me të cilët është punuar sipas një projekti të hollësishëm, me një përpikëri të shprehur në koston e faturës financiare për kokë (votë). Ndryshe nuk shpjegohet që kjo masë dërrmuese e emigrantëve të vijë e organizuar në autokolona autobusësh e tragetesh thjesht për të votuar e për t’u kthyer fill nga erdhi. Habia është se si kjo masë e paqenë më parë në zgjedhje, vjen e voton e gjitha vetëm për PS dhe LSI!
Ka pasur një plan të hollësishëm të blerjes së studiuar masive të votës si brenda vendit, ashtu dhe jashtë, me emigrantët. Duhet të ketë qenë plan afatgjatë i Ilir Metës ky, që mandej është ujdisur me Ramën dhe është shpallur koalicioni i tyre në një ditë ngërdheshëse si 1 prilli i vitit 2013. Raportimet në fillim të procesit elektoral flasin për persona me zarfe (njëri i forcës së LSI u kap me 11 zarfe me nga 5000 lekë).


Një ndër detyrat e para që duhet të bëjë opozita e re (PD-ja) është të mbledhë fakte të tilla dhe të hapë një hetim elektoral mbi blerjet e programuara e të mirëstudiuara të votave.
Në këtë mënyrë mund të na zbardhet enigma e disfatës së thellë të Berishës me koalicionin e djathtë. Për t’ia arritur kësaj duhet të jetë punuar gjatë, duhet të jenë grumbulluar kapitale të dyanshme monetare: nga njëra anë kapitalet e rrjepjes katërvjeçare të shtetit nga LSI dhe nga ana tjetër, tejngopja e listave të PS-së me biznesmenë, ka krijuar shumën e përbashkët për të investuar në votat e masës moskokëçarëse të zgjedhësve. Ndryshe nuk shpjegohet prania e 30 biznesmenëve në listat e socialistëve dhe episodet me zarfe të gatshme për t’u shpërndarë. Nga ky precedent me zarfe duhet të hetohet e të sqarohet një e fshehtë kriminale, e cila është nyja e gjithë konspiracionit elektoral 2013, me gjithë energjinë diabolike që bart përbrenda.
Jo se PD dhe Berisha nuk mund të kishin humbur, por thellësia e disfatës është një produkt artificial, i panatyrshëm. Prandaj duhet kontestuar fort fitorja e bojërave të Rilindjes, që të dimë nëse kjo është “rilindja” e pjesës dërrmuese të Shqipërisë, apo Rilindja e një kllounade të rrezikshme që do t’i bëjnë asaj varrin, një varr të projektuar shtrenjtë me arkivolet prej kristali të oligarkisë së nesërme. Boja kallaji dhe maska e kësaj kllounade satanike duhet të bjerë sa më parë dhe me fakte.

VI


Sido që të ketë qenë mënyra bizare dhe konspiracioni i madh i këtyre zgjedhjeve, humbjen nuk e zhbën dot: ajo duhet pranuar, edhe pse me hile. Përndryshe do të bëhemi gazi i botës. E djathta i mori votat e vitit 2009. Diferencën e bëri investimi i kapitalit të fuqishëm monetar. Shqipëria gjendet pak a shumë si në vitin 1945, me ndryshimin si diktatura staliniste ka shumë gjasa të zëvendësohet me diktaturën oligarkike. Paraja e investuar në blerjen e lirisë dhe ndërgjegjes së dyshimtë të votuesit do pjellë veçse efekte monstruoze. Këtë nuk është në gjendje ta kuptojë votuesi i thjeshtë që i bën llogaritë vetëm për “këtu” e vetëm për “tani”. Kjo është detyrë e elitave largpamëse të së djathtës dhe e potencialit të saj identitar. Problemi më i rëndë për të djathtën është ringritja e saj në këmbë në baza morale e intelektuale. E djathta shqiptare duhet ristrukturuar në një mënyrë jo më hegjemoniste, por gjithëpërfshirëse me krejt thellësinë e spektrit të saj historik e bashkëkohor.


Problemi më i madh i së djathtës është se duhet të prodhojë një lider të përmasave karizmatike të Berishës dhe për dofarë kohe një PD pa Berishën, kam bindjen se do të katandiset një farë shoqate miqësie pa pikë ndikimi. Përvoja e z. Berisha duhet patjetër në ringritjen, rikonceptimin e gjithë legjioneve të së djathtës së vërtetë. Duhet gjetur mënyra e sinqertë, që duke pranuar gabimet e mëparshme, të lëshohet apeli ndaj bërthamës së vërtetë e vitale të së djathtës. Për të përftuar moralin e vërtetë e të qëndrueshëm, PD-ja dhe partitë e djathta duhet të rikthehen te shtresa më e gjerë numerike e popullit të djathtë: tek ish-të persekutuarit. Nëse me një llogari të thjeshtë, sipas shifrave që ka Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në gjithë Shqipërinë shifra e persekutimit direkt prej komunizmit (të pushkatuar, të burgosur, të internuar) shkon mbi 300 000 qytetarë shqiptarë, atëherë duke llogaritur projeksionin numerik të kësaj shtrese me familjarët, me një mesatare 4 për familje (pa llogaritur mandej brezin e dytë e të tretë), atëherë vetëm nga kjo shtresë e së djathtës mbërrijmë te një shifër mbi një milion e dyqind mijë njerëz, shtresë e aftë kjo për të sjellë çfarëdo përmbysje.

Për fat të keq e djathta kurrë nuk e ka marrë seriozisht punën me këtë shtresë, tek e cila ka identitetin dhe shpëtimin e saj të vetëm. Kurrë nuk i ka dhënë të kuptojë me sjellje, me veprime e me zemër se është e një gjaku me të, por përkundrazi, e ka kërkuar shpëtimin dhe ekzistencën e saj te laramania ish-komuniste e kuazikomuniste. Dhe nëse e djathta e dëshpëruar sot do të vazhdojë ta shpërfillë këtë mundësi të vetme e më të madhe, atëherë ajo do të shkojë me siguri drejt një shpërbërjeje e dezintegrimi të plotë, deri në shuarje. Aq më tepër që tash e tutje do t’i duhet të ndeshet me një nomenklaturë politike e oligarkike piramidale, të çimentuar me kapitale astronomike monetare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama