Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Postriba, harta memece e historiografisë sonë zyrtare

Shkruar nga: Agron Tufa  
Botuar më: 13 vite më parë

Agron Tufa
Postriba, harta memece e historiografisë sonë zyrtare

Këto ditë, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit përkujtoi me një konferencë shkencore 65-vjetorin e njërës nga kryengritjet më të para antikomuniste, atë të Postribës.  Studiuesit iu qasën kësaj ngjarjeje nga disa këndvështrime historiko-krahasuese me strategjinë dhe përshkrimet e sakta, duke u mbështetur në një dokumentacion të pasur arkivor, i cili paskësh ekzistuar, por, për çudi, nuk është shfrytëzuar. Por edhe në ato raste kur është përdorur në kumtesa të mëparshme, nuk është përfillur asnjëherë në tekstet e historiografisë zyrtare, duke e lënë të pandriçuar e të shpërfillur këtë datë për të gjitha nivelet e mësimit të lëndës së Historisë në shkolla e universitete. Dëshmimi i të vërtetës së 9 shtatorit 1946, ashtu sikundërse dhe e kryengritjeve të tjera antikomuniste, duhej të kishte qenë detyrë parësore e historiografisë sonë zyrtare në liri. Por, me gjithë arkivat e pasura, për fat të keq, ngjarje të tilla që, përveç së vërtetës, i ngrenë dinjitetin shqiptarit në histori, janë lënë, përkundrazi, në harresë të plotë. Dhe Postriba, një ndër kryengritjet e para antikomuniste jo vetëm në Shqipëri, por në krejt Europën Lindore, është shembulli flagrant i “hartës memece” të historisë, në kuptimin e saj më të drejtpërdrejtë.

Me gjithë kujtimet, shënimet dhe përshkrimet që na vijnë nga ajo kohë e kobshme për Shqipërinë dhe në veçanti për Shkodrën, prapë është e vështirë t’i bësh sot vend në përfytyrim asaj shkalle mizorie, mllefi e urrejtjeje plebeje, që solli vëllazëria komuniste e sektit shqiptaro-sllav. Postribasit, ashtu si qytetarët e vjetër të Shkodrës, u bënë dëshmitarë të shtangur nga tmerri të pamjeve të lemerishme të masakrave ditën për diell, të ekzekutimeve publike, pa gjyq, pa proces, pa mbrojtje ligjore, pa të drejtë apeli. Çdo ditë përgatitej një “shfaqje” publike për diskreditimin e “armiqve të popullit”. Çdo ditë përgatiten mesha të zeza sataniste që shoqërohen me kryqëzimin e flisë së radhës nën ritualet, vallet rreth të pushkatuarve me këngën e padëgjuara asoane “Lule Sofo, lule djalë…”. Grupe malësorësh, intelektualësh e klerikësh parakalojnë të lidhur me pranga e litarë, krah për krah, ndërsa rreth e rrotull tyre, grupe të rinjsh e gra histerike – aktivistë të rinisë komuniste përsëritin në kor: “Plumbin ballit! Vdekje tradhtarëve!”. Të arrestuarit, burra shtatnaltë, përfaqësues të denjë të racës ilire që u ruajt për shekuj në naltësitë e Alpeve të Veriut dhe ajka e inteligjencies dhe klerit shikojshin me çudi këtë komedi të zezë funebre. Turma të topitura në të dyja anët e bulevardit heshtin të habitura e të frikësuara. Frika e ushtrueme nga partizanët po jepte frytet e saj të para: një popullsi e tërë zhvishej nga guximi qytetar tradicional. Mandej vijnë gjyqet ushtarake dhe sheshet e Shkodrës shndërrohen në poligonet e qitjes ushtarake të ekzekutimit. Kudo të sheh syri kufoma, të mbuluara e të pambuluara, në sytë e qytetarëve. Në përgjithësi kjo ishte tabloja, kjo ishte shija e parë e shoqërisë së re…

Malësorët e Postribës guxuan, provuan ta ndalin dhe t’i përzënë me armë komunistët njëlloj si çdo pushtues tjetër, duke shpresuar për një përkrahje dhe zgjerim të aksionit, duke depërtuar në qytet, duke u ndeshur me kazermat dhe ushtrinë e madhe e të armatosur mirë. Edhe pse kryengritja u shtyp, ajo është rasti më i vetëdijshëm i kundërshtimit të organizuar të diktaturës gjakësore; ajo kishte një objektiv të qartë politik, një strategji dhe një mesazh për të gjithë shqiptarët e nënshtruar, me një plan përhapjeje në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe lidhjen e mundshme me aleatët perëndimorë.

E rëndësishme është nuhatja politike e postribasve: ata i parandjenë reformat e dhunshme që do të ndiqte politika e pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, lidhja me vendet e Lindjes si Jugosllavia e Bashkimi Sovjetik. Postribasit e kishin të vështirë, madje të pamundur, t’i besonin komunizmit, i cili vinte nga Jugosllavia. Postriba dhe Shkodra i kishin të freskëta djegiet dhe masakrat e serbo-malazezeve të 20-30 viteve më parë. Për ta ishte e pamundur të bashkëjetoje me shkjaun që për postribasit ishte një i pabesë historik. Të gjitha këto ndikuan te postribakët dhe sollën atë që i bëri të njohur kudo, kryengritjen e armatosur të 9 shtatorit 1946, e para kryengritje antikomuniste në të gjithë Europën Lindore. Ndonëse lëvizja e Postribës, e kombinuar edhe me qytetin e Shkodrës, vinte pas disa kryengritjeve të një viti më parë, siç ishte ajo e Kelmendit, Koplikut, Bërdicës dhe Anës së Malit, ajo ka meritën se guxoi të sfidonte me një aksion tashmë jo mbrojtës, por sulmues pushtetin e instaluar komunist në pikun e revanshit të tij. Madje, një pushtet që nuk fillonte vetëm në Shqipëri, por që ishte rrjedhojë e zgjatimit kontinental të gjithë kampit komunist, deri në epiqendrën e tij në Kremlin. Rrjedhimisht, siç është theksuar shpesh, kryengritja e Postribës është e para përplasje me krejt “Perandorinë e së Keqes”, plot dhjetë vjet para se të shpërthejë “Revolucioni hungarez”, gjithashtu i mbytur në gjak.

Rrjedhimet e këtij akti vetmohus, siç shkruan prof. Sami Repishti, u treguan katastrofale: “Lëvizja e Postribës nuk la shumë viktima në fushën e betejës, por bani shumë viktima në ditët që vazhduen. Në nji fushë afër qytetit, u ekzekutuen 28 katundarë. Me duzina shtëpi u dogjën, e tymi i tyne dukej qartë nga qyteti. Arrestimet u banë në masë dhe jashtë çdo kontrolli. Lëvizja u ba shkak ‘të pastrohej gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe, nga elementët ‘armiq të popullit’. Brenda nji mueji, qyteti kishte 11 burgje të përkohshme, e ma shumë se nji mijë e dyqind të arrestuem”. Sipas përllogaritjeve tona, numri i të vrarëve dhe të pushkatuarve të lidhur me Postribën,  para dhe pas kryengritjes, mbërrin në 64 dhe disa qindra të tjerë me dënime të rënda me burg. “Hija e randë e ekzekutimeve ishte kudo! Por, natën, kur filloi pushka nëpër rrugët e qytetit, Shkodra u elektrifikue. Ideja e rrëzimit të “pushtetit komunist” ndezi fantazinë e të gjithëve. Monstra e kuqe mishngranëse ishte plagos!”.

Kanë kaluar 65 vjet nga lëvizja antikomuniste e Postribës, por ajo qëndron gjithmonë në zgrip të historisë tonë, e shmangur, e mënjanuar, ende e parehabilituar siç e meriton. Ajo kërkon llogari prej nesh; kërkon një të kuptuar më të thellë; kërkon bilancin tonë për atë plojë gjysmëshekullore, prej së cilës dolëm të gjymtë, të tjetërsuar, të shfytyruar dhe me një hendek të pakapërcyeshëm midis traditave, brezave, krahinave, mentaliteteve dhe trashëgimive e përvojave tona. Postriba lyp prej nesh një tjetër dialektikë thellimi e reflektimi mbi vlerën dhe çmimin e lirisë dhe raporteve tona morale, individuale e shoqërore me të vërtetën. Sa të forta janë sot raportet tona me të vërtetën? Me historinë tonë të largët e të afërt? Ku është sot pozicioni dhe vendi ynë në atë çarje të thellë që hapi komunizmi në shoqërinë tonë? Kulti gjysmëshekullor i mashtrimit, gënjeshtrës dhe falsifikimit, të vetmet parime që i kanë paraprirë për gjysmë shekulli sundimit komunist, kalendarit dhe ritualeve të tij festive, pedagogjikës së pandërprerë të mashtrimit dhe alibisë, vazhdon të ushqehet e të shpërthejë me frenetizëm e histeri në mbrojtje të trashëgimisë së vet!

Por Postriba ishte një fakt i përgjakur; ishte çarja e thellë dhe e pariparueshme në historinë tonë; ajo është tortura dhe ndëshkimi i asaj ndërgjegjeje kriminale që kurrë nuk mund t’i blejë me harresë gjakun e lotët e derdhur të qindra familjeve dhe brezave të tyre për dekada persekutimi; për itineraret sfilitëse të familjeve pas bijve të tyre nëpër burgje e kampe shfarosëse internimi. Postriba, si kujtesë, është bilanci i të gjithëve, është një llogari e hapur në historinë tonë të mbuluar me dhé!

Forcat e djathta të politikës shqiptare janë të vetmet që janë munduar ta nderojnë kujtimin e kësaj lëvizjeje dhe të martirëve të saj, e megjithatë, ne e dimë se jemi ende larg. Jo gjithçka është zbuluar, jo gjithçka ka dalë në dritë nga hiri i të vdekurve! Në këtë vend të verbuar nga shtjellat e urrejtjes, në këtë vend ku kanë ndodhur ligësitë dhe poshtërsitë më tronditëse me jetën e njeriut; në këtë vend dhimbjeje e zhgënjimesh, qenka vështirë të zbulosh fytyrën e plotë të së vërtetës, për të cilën kemi nevojë të gjithë! Dhe e vërteta nuk mund të flasë e shqyer në copa, në fragmente, e segmentuar në artikuj shtypi e as në një kërkim të përciptë dokumentesh, që na shmang nga zanafilla e thelbi i krimit. Në çdo përvjetor diçka harrohet: njerëz të gjallë, pasardhës të familjeve të pushkatuara, të shpërndarë anë e mbanë Shqipërisë e nëpër botë, ndoshta habiten e ndoshta preken prej kësaj “harrese”. Prandaj është e nevojshme të përvijohet një gjeografi e krimit dhe e plagëve.

Postriba kërkon prej nesh një ballafaqim të hapët, diskret, të gjithanshëm, ashtu si shumë ngjarje të kyçura në kasafortat e arkivave, për t’u shpalosur fizionomia e shëmtuar e krimit në krejt pamjen e vet të përbindshme, pavarësisht se edhe kjo është e pamjaftueshme. Ju të gjithë e dini se jo çdo gjë e gjen në arkiva. Nuk i gjen të arkivuara torturat çnjerëzore, fyerjet e poshtërimet, shantazhet e përndjekjet. Nuk i gjen të arkivuara dot vetëmohimin dhe thyerjen e njeriut nëpër qelitë dhe hetuesitë e xhelatëve. Por ne ua kemi borxh atyre burrave dhe familjeve, ua kemi borxh brezave të tyre ndër dekada, që u rritën me tmerret, privimet dhe tragjeditë njerëzore si të mallkuar. Dhe ne duhet patjetër të na interesojnë këto histori njerëzore, të mos harrojmë as fatin e një njeriu të vetëm, që nga dita kur “në emër të popullit” xhelatët e Sigurimit i vunë prangat ne zyrë, në auditor, në rrugë, në kishë, mes familjes.

Ç’u bë me këta njerëz nga ky moment? Ç’u bë me njeriun në përgjithësi? Atë babën e familjes, axhën a vllaun derisa e kthyen, në rastin më të mirë, të plakur, të sëmurë, të thyer, e në rastin më të keq, në një trastë najloni me kocka? Po për ata familje që nuk kanë ku të vënë një qiri, një tufë me lule, një përulje në gjunjë? Si janë rritur, vallë, ata fëmijë të vegjël kur me çantën e librave në krah kthejnë në shtëpi dhe e gjejnë oborrin plot me statuja familjare të ngrira?

Ne rrezikojmë si popull, si vetëdije e krejt sociumit me indiferencë e harresë nën moralin cinik  e nihilist të parullës – “Të shohim përpara”. Ashtu shikonin edhe postribasit, edhe shkodranët, edhe gjithë shqiptarët në vjetin 1945, por prapa, në shpatulla, u kujtuan, ajme, me vonesë, se kishin tytën e automatikut të komunistëve, ndërsa përpara – nxinte gremina.

Postribën dhe rezistencën antikomuniste të Shkodrës dhe shqiptarëve janë përpjekur ta bëjnë memece, të pagojë; ta shmangin nga librat, nga tekstet e historisë shkollore e të të gjitha niveleve, nga tekstet e Akademisë për 40 vjet me radhë; trashëgimtarët e komunizmit shqiptar janë përpjekur e deri më sot ia kanë dalë t’i privojnë brezat shkollorë nga e vetmja kujtesë e denjë midis turpit të ngrefosur të izolacionit komunist. Në volume të tëra, pa mbarim, kemi parë të tirret saga e mërzitshme dhe e pafund e Udhëheqësit dhe apostujve komunistë me gjithë zhganin e tyre, të dëshmojnë truprojat, rrobaqepësit, gjelltorët e berberët, por kurrë nuk kemi parë të flitet për kryengritjet antikomuniste. Dhe në ato pak raste koprace kur është përmendur, historiografia zyrtare komuniste e regjur në manipulime, e cila ka ndot prej së vërtetës, e përmend rastin e kryengritjes së Postribës për t’i thurur lavde vetvetes. Ja si është karikaturuar kryengritja e parë antikomuniste në Europë mbas Luftës së Dytë Botërore në tekstin “Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë”, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, pranë KQ të PPSH, Tiranë 1968, f. 232:

“Në shtator 1946, bandat kundërrevolucionare kryen një goditje të armatosur në qytetin e Shkodrës. Kjo goditje ishte llogaritur të shërbente si pikënisje për ndërhyrjen ushtarake të jashtme. Mirëpo llogaria nuk u doli armiqve, sepse bandat reaksionare u asgjësuan brenda ditës”.

Në këtë kuptim, le të shtojmë, që “Bandat” ishin banorët vendas, ndërsa forcat e “sigurisë” kishin zbritur nga mali, dhe pjesa dërrmuese e tyre nuk kishte asnjë lidhje me Shkodrën. Nëse rishkrimi e rishikimi i historisë ka akoma kundërshtarë, atëherë, me siguri, ata janë trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të atyre që bënë masakrën në Postribë, në Shkodër e në tërë Shqipërinë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama