Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kembeza

Shkruar nga: Agron Tufa  
Botuar më: 13 vite më parë

Agron Tufa
Kembeza

Njeriu që më kishte telefonuar tri herë të takoheshim, gjithnjë me numër të fshehur, tha se më priste në katin e dytë të “Sarajeve”, majtas. Ai as emrin nuk ma tha, s’ma përshkroi as pamjen që do të më ftillonte t’ia qëlloj në cilën tavolinë ta gjeja. Kishte një zë të përqarë, ankestar kur më telefonoi herët e para, a thua se ngashërimin e kishte në zgrip. Tha se më kishte ndjekur në një emision televiziv mbi gjetjen e vendeve ku janë pushkatuar të dënuarit më vdekje nga diktatura.

“Gjithë natën nuk më ka zënë gjumi”, tha. Tha se të nesërmen kishte telefonuar në redaksinë e atij televizioni dhe ata ia kishin dhënë numrin tim. “Dua të të lë një amanet, djalkë. Unë jam me një këmbë këtu e me një këmbë atje… po nuk dua ta marr me vete informacionin që e kam mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve… sepse, e kupton ti, atje askujt nuk i duhet ajo që di unë…”. Pastaj, heshtjen që pasoi në telefon e mbushi një kukurisëm e mbytur, frenetike dhe krejt e pavend për thelbin e kuvendimit. Lamë orën 8:30 të së nesërmes dhe ja, kur ngjita shkallët u kujtova se numrin e tij nuk e kisha të regjistruar, përderisa i panjohuri që lypi të takohet me mua më kishte telefonuar me numër të fshehur.

Kur u ngjita në katin e dytë të “Sarajeve”, aty në të djathtë, ku duhej ta kërkoja me hamendje, pashë vetëm një çift të ri në një tavolinë dhe diku nga fundi i sallës 3-4 nëpunës, me gjasë të administratës, që pinin të qetë kafen me një vandak gazetash gjysma në tavolinë dhe gjysma në një karrige ndanë. I pavendosur në duhej të ulesha ta prisja apo të dilja, nisa të zbres shkallët me përtesë. Pa zbritur plotësisht në kat të parë ra telefoni me po atë numër të fshehur: “Jam ulur nga ndarja e majtë”, tha, përmes një kukurisje të mbytur shpotitëse. Nuk qe e vështirë, sepse ai qëndronte i vetëm në atë ndarje.

Kishte një borsalinë bojë hiri, mustaqe të zbardhura trekëndëshe që priteshin në dy cepat e buzëve dhe, përgjithësisht, një kokë masive. Nga pamja kishte diç të përafërt me personazhin e xha Temes së “Portokallisë”, që luante Agron Llakaj, me përjashtim të syve të veckël me bebëza të gështenjta që notonin në një glob të verdhemë; bebëza të gjalla e të lëvizshme që shihnin majtas-djathtas dhe rrallë drejt bashkëbiseduesit. Epo, thashë me vete, një xhaxho krejt normal, nëse nuk e gjykojmë të çuditshme kukurisjen e tij të mbytur.
- Dëgjo djalë, – tha ai, duke e ulur kokën e tij masive me gjithë borsalinën gati rrafsh me syprinën e tavolinës dhe, pasi hodhi sytë majtas-djathtas, vijoi të fliste me tonin e njeriut që nuk është ngritur krejtësisht nga gjumi: – Unë kam qenë, si të ta them… kam qenë…
U dëgjua në vend të fjalëve një kërcitje ritmike e mbytur e gjuhës që rrahu qiellzën. Mandej gurgulloi po aq mbyturazi kukurisja karakteristike e një gazi të brendshëm, që ia mrrudhi sytë e veckël. Kur shkundja e këtij gazi sosi, ai vazhdoi disi i çliruar, sërish serioz:

- Unë kam qenë këmbëz, – tha, duke imituar me gisht shkrepjen e armës.
- Aha, e kuptoj…, – thashë.
- … E kupton ti… – U kollit për të kruar grykën dhe tha: – E kam fjalën për tre të pushkatuarit e Revoltës së Spaçit… E unë kam qenë këmbëza, – tha.
- Ashtu?! – thashë pavullnetshëm dhe prita.
- Më vjen keq se po i kërkojnë jo aty ku duhet… dhe mendova se mund të ta lë ty këtë amanet. E kupton ti… nuk mund ta marr me vete. Edhe ata të Dajtit, – tha duke e ulur zërin bashkë me kokën në nivelin e tavolinës. – Edhe ata unë i lajmërova. A je gati?
- Për çfarë?
- Të shkojmë atje, – tha duke më ngulur sytë e kaftë, pa shprehje. Mandej kukurisja e mbytur.
- Patjetër,  – i thashë, – shkojmë. Po kur?
- Nashti pra… Jo, jo nashti! – e kundërshtoi sakaq veten. – Nesër, në këtë orë, – tha, pasi nxori sahatin e xhepit dhe e futi brenda pa ia hedhur sytë.
- Si të duash, – thashë. – Si e ke emrin? Thjesht, nuk më pëlqen t’u drejtohem njerëzve pa emrin e tyre…
- S’ka rëndësi, – tha. – Për ty jam Këmbëza.
- Ky s’është emër për t’iu drejtuar kujt.
- S’është as e nevojshme, në fakt. Ne s’do të kemi mundësi të flasim, – tha, teksa bëri të ngrihej:
- Kafet i kam paguar unë…

Qe ngritur në këmbë kur tha: – Nesër në këtë orë. Të pres me makinën time në të djathtë të Bashkisë. Nuk do të shkojmë larg, në Qafë-Kërrabë. Lëmë makinën diku dhe do të ngjitemi në këmbë. Vendin e njoh mirë, e mbaj mend. Kam lënë shenjë.

E përcolla, sepse fliste duke ecur. Në krye të shkallëve shtoi:
- Vetëm ti, kuptove? Mos merr kënd me vete! Askujt… asnjë fjalë. Në rregull?
- Në rregull, thashë dhe e përcolla me sy deri kur doli nga oborri i jashtëm. Dukej i mbajtur mirë, energjik dhe i sigurt. Ishte shtatshkurtër e shpatullgjerë, çka nuk ta jepte këtë përshtypje kur ishte i ulur në tavolinë.
* * *
Mëngjes i të nesërmes qëlloi me shi. Pasi qëndrova për pesë minuta në të djathtë të Bashkisë, ra celulari:
- Hajde te Rruga e Elbasanit! Te posta. Jam në makinë, afër stacionit të autobusëve. Është një makinë e kuqe, Golf 3.
Nuk pata mundësi të përgjigjem, sepse Këmbëza e fiku. Përsëri me numër të fshehur. Shiu u bë më i dendur. Sapo kalova Parkun e Lodrave u duk tej dhe Golfi i kuq. Iu avita mes katrahurës së makinave nga ana e shoferit, mënjanova strehën e çadrës: brenda nuk kishte njeri. Vazhdova rrugën dhe ktheva në hyrje të rrugicës që të nxjerr te “Piramida”. Ra përsëri celulari.
- Përse nuk qëndrove? – tha. – U dhive, më duket. – Dhe fill mandej kukurisja e mbytur, e dendur e një gazi acarues.
- Jo, – thashë, – nuk kam frikë. Thjesht ndërrova mendje.
- Domethënë nuk do vish… – u kukuris prapë Këmbëza. – Qenke frikacak, u dhive, – tha dhe prapë u gajas.
- Mos ia bëj kot qejfin vetes. Të thashë: ndërrova mendje.
- Po si do t’ia bëjmë nashtithi?
- Duke ardhur rrugës nga Bashkia te posta mendova se ti mund të çlirohesh ndryshe nga pengu, pa e marrë me vete atje. Ka plot mënyra të tjera, në qoftë se do me gjithë mend…
- Çfarë mënyrash mor xhan i xhaxhait?
- Dëgjo. Mund të marrësh, për shembull, një kamera të thjeshtë dhe ta filmosh vendin e pushkatimit, peizazhin përreth e detaje të tjera. Po pati nevojë për lokalizim të mëtëjshëm, shtoji dhe disa shënime orientuese dhe diskun ma dërgo mua o me postë, o në adresë elektronike. Si thua? Jetojmë në epokë dixhitale xhaxha…
- Shih, shih…! M’u duke torollak, por paske qenë skile e madhe! Firun! E humbe një udhëtim të këndshëm…
- E shoh, e shoh, xhaxha… paske pas nevojë të madhe! Më vjen vërtet keq…
- Por, ama, u dhive! Oj të dhjerë… hë, thuaj se s’u dhive po deshe!
- Jo, xhaxha Këmbëza… Kot e ke… Kot ia bën qejfin vetes. Ne pas pak do të takohemi prapë… në një ambient tjetër. Pas pak do ta shoh unë kur ti të “dhitesh” deri në mustaqe.
- Si…, si the?
- Pa shih pak prapa vetes… hidhi pak sytë rrotull…

Nuk munda të vazhdoj më se në atë moment Këmbëza e mbylli.

Ndërsa unë, me një buzagaz të pezmatuar me veten, imagjinoja alarmin e plakut shtatshkurtër e shpatullgjerë me emrin Këmbëza.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama