Portret heroi apo krimineli?

Shkruar nga: Agron Tufa  
Botuar më: 8 vite më parë

Agron Tufa
Portret heroi apo krimineli?

Askush nuk është (dhe nuk duhet) të jetë i dyzuar, kur bie fjala për diktatorin e fundit komunist, Ramiz Alinë. Një njeriu që ka fituar qoftë edhe një grimë ndërgjegje nën dritën e fakteve, dokumenteve, përvojës direkte nga përditshmëria komuniste apo argumenteve nuk i lejohet, sidomos dyzimi mbi domethënien thellësisht negative që ka luajtur Ramiz Alia në fatin tragjik të shqiptarëve përgjatë gjysmë shekulli. Si figura e dytë përgjegjëse e diktaturës, në të gjitha miratimet, aktet dhe vendimet e marra të diktatorit, Ramiz Alia ka qenë ai që ka ngritur gjithmonë dorën lart. Dhe këtë e ka filluar që nga çarmatosja e mandej masakra e 4900 partizanëve kosovarë në prill 1945, që nisi me itinerarin e tyre nëpër Shqipërinë e Veriut dhe sosi me kasaphanën e Tivarit, për të përfunduar me urdhrin e dhënë më 20 shkurt të vitit 1991, që të qëllohej mbi turmën e demonstruesve, mandej, në vazhdim, deri tek një prill tjetër i vitit 1992, që përmbyll kompozicionin unazë të krimeve të tij kur u qëlluan në Shkodër Arben Broci me shokë.

Është një udhë e pandërprerë gjaku, vuajtjesh, torturash, lotësh, persekutimi klasor e gjenocidi ekonomik, nëpër të cilën ka shkelur figura e dytë e diktaturës komuniste, për të përfunduar si frikacak, zemërdobët, gënjeshtar e falsifikator në vitet kur Alia kishte pushtetin absolut në hierarkinë e udhëheqjes komuniste. Edhe vetë zakoni njerëzor, sipas të cilit “për të vdekurit nuk flitet keq”, nën zellin dhe ngutin e disa “ramizistëve” të rinj këto ditë, më duket i banalizuar e i pavend për një vampir, që i sosi ditët duke mashtruar, fshehur e akuzuar të tjerët, pa iu nënshtruar një tribunali si një ndër gjakësorët e krimeve kundër njerëzimit. Më duket e pavend dhe e pandershme për ta parë në dritën sentimentale njerëzore domethënien e kësaj monstre të përçudnuar pa asgjë njerëzore ndaj popullit, thuajse të vet.

Po të hyjmë të kërkojmë episode të dobësisë njerëzore, ato mund t’i gjejmë edhe ndër xhelatët e torturave e pushkatimeve dhe, të tilla, mbase i gjen edhe tek Koçi Xoxe, Zoi Themeli, Bilbil Klosi, Aranit Çela apo Nevzat Haznedari etj., por të cilët ekzekutuan me dhe pa gjyq disa mijëra shqiptarë, intelektualë, nacionalistë të majtë e të djathtë. Ku qëndron pra sekreti i këtij parfumi nostalgjik e sentimental për “meritat” e Ramiz Alisë nga “diktatori i fundit” në “demokratin e parë” (!)? Dhe kush? Një pasardhës fanatik i Enver Hoxhës, që nuk lejoi të cenohet sistemi dhe paja e tij ideologjike; që nuk bëri absolutisht asnjë ndryshim kur e kishte në dorë; që vazhdoi luftën e klasave me po ato parime; që nuk lejoi edhe pas rënies së komunizmit të prekej figura e diktatorit; që firmoste deri në vitin 1988-1991 dënimet politike me varje e pushkatim dhe deri në fund të vitit 1990 mbushi kufirin “e paprekshëm” me të vrarë (“Qëllojini dhe vritini, ushtarët nuk mund të mbajnë përgjegjësi për ata që tentojnë të shkelin kufirin”, – ishte urdhri i R. Alisë, i cili pasohej me linçimin e kufomave ndër teatro makabre që sajonte Sigurimi nëpër fshatra); dhe ishte ky “udhëheqës” në krye të pushtetit komunist që rrënoi, varfëroi e shkretoi ekonominë shqiptare.

Më kot parfumohet e vërteta, me spekulime të neveritshme se, gjoja, etiketimi i Ramiz Alisë është ngulitur si “udhëheqës” e jo si “diktator”. Për njeriun që kulturë qendrore ka studimin, arkivat, dokumentin dhe pasionin e ballafaqimit me faktet, Alia ka qenë, pa dyshim, një ndër diktatorët tipikë të Lindjes ish-komuniste, si: Stalini, Pol Poti e Çaushesku. Ndërsa për atë që raportet me të vërtetat i këmbejnë në tregje shëtitëse, kafene e lobingje ish-bllokmenësh, aventurierë e demagogë – e vërteta relativizohet sipas nivelit horizontal të cektësisë së spërkatur me kripëza, erëza e pluhurnaja broçkullash. Sipas këtyre retusheve, makiazheve e kozmetikave të pop-medias, Alia na serviret me merita të mëdha, të cilat (vini re!) “historia nuk mund t’i mohojë dot (!)”. Nuk e dimë për cilën histori (të paktën jo për atë të kafeneve), por për historinë tonë kombëtare, mjafton ta fusësh pak hundën në arkiva për të ndier si të shpon flegrat aroma e gjakut të pafajshëm. Por për apologjetët e rinj “ramizistë”, që interpretojnë shenjat e llurbës në filxhanët e kafesë, Ramiz Alia është pa dyshim “demokrati i parë”, që ka meritën për “zgjedhjet e para të ndershme e të lira (sidomos, meqë po më kujtohet, nën mitingjet/antimitingjet e mitingashët dhe refrenin e qindra shkollave që lëshoheshin ditën e zgjedhjeve si kryqëzatat e dikurshme të fëmijëve nëpër dyer e shtëpive me parullën “Parti-Ramiz, uniteti nuk lëviz!”)”; që si Presidenti i parë pluralist bëri “kalimin normal drejt institucioneve demokratike të një shoqërie të lirë”. Kështu thotë semiotika e broçkullitjes së kafeneve, sipas rastësisë me kë je ulur, por jo pesha tragjike e të vërtetave, prej të cilave shoqëria jonë nuk është çliruar ende.

Por qytetari i vetëdijshëm shqiptar nuk ia fal Ramiz Alisë kryeneçësinë enveriste, kur ofertave miqësore të të dërguarit të Gjermanisë, Shtrausit, u tha “Jo, nuk pranoj!” Shtrausi këmbënguli sërish e sërish. Ja si e përcjell këtë situatë historiani M. Korça: “I ofroi Alisë, që Gjermania të ndërtonte brenda një viti e gjysmë autostradën Vermosh-Jergucat, që Shqipëria gjatë saj të shiste benzinën dhe naftën e saj, që në restorantet e motelet e saj që do të ndërtoheshin, të shiteshin mishrat, perimet e bulmeti i saj, të cilat me kosto aq të lartë e përfitim aq të vogël eksportoheshin, e R. Alia tha prapë “Jo, nuk pranoj!”. I ofroi Shtrausi të zhvilloheshin vende turistike malore e bregdetare që ta begatonin vendin sa hap e mbyll sytë, dhe përgjigjja gjithmonë qe e njëjtë: “Jo, jo dhe jo!”. Po çfarë i kërkoi Shtrausit ky imitues i madhështisë së diktatorit, që fytyrën djallëzore e fshihte pas buzëqeshjes dhe mirësisë së shtirë? I kërkoi raketa, raketa balistike ndërkontinentale! Dhe Shtrausi iku, iku. Shtrausi u kthye në Gjermani dhe vdiq. E gazeta gjermane shkruan se ai nuk vdiq nga Perëndia, por e plasi Ramiz Alia!”

Si çdo diktaturë e diktator, edhe Ramiz Alia ka lënë trashëgiminë e tij. Të drejtpërdrejtë, të induktuar, të restauruar. Fakti i një numri të madh shkrimesh në mediat tona, që gati sa nuk na e ‘shenjtëruan djallin’ duke na e paraqitur thuajse si një gjyshe të ëmbël, të butë e zemërdhembshur, është tregues se do të na duhet ende kohë e gjatë për t’u pastruar nga fryma molepsëse “ramiziste”.

Ramiz Alia është i qetë, largohet i kënaqur, pasi ka parë zbatimin në jetë të direktivave që u dha pinjojve të tij trashëgimtarë, në mbledhjen me dyer të mbyllura të Byrosë Politike të vitit 1989, me fjalën programatike: “Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë”, ku mes të tjerash, tha dhe këto: “Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri-tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacioni nga Gjykata e Shkallës së Parë në të Dytën etj., dhe për “defekte teknike”, do të kthehen përsëri në të Parën…

Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen. Pasuria e tyre na përket neve… Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste, ne komunistët reformatorë do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tri legjislaturash, do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë. Të jeni të sigurt që e ardhmja do të jetë jona…. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”.

Nëse ka ndonjë sensacion tani, kur edhe vdekja e tij po shfrytëzohet për të ngjallur nostalgjitë simbolike dhe mobilizimin e kanaleve të energjisë së trashëgimtarëve të tij, i vetmi sensacion për një mendje të esëllt është ky: “Si ka mundësi që një kryekriminel i tillë vdiq nga mortja e vet, pa i dhënë llogari Drejtësisë?”. Asnjë prej diktatorëve, nga Hitleri deri tek Pinoçeti, nuk pati fund më të lumtur se Ramiz Alia. Dhe nëse në vdekjen e tij ka vend për një flamur në gjysmështizë, atë, para së gjithash, duhet ta mbajë Drejtësia shqiptare.

Duke parë reagimet mediatike në përcjelljen e diktatorit Alia, shumica sosh me veneracion e disa të tjerëve – duke iu përvjedhur nderimi pas dhëmbëve të shtrënguar; duke parë homazhet që iu bënë sot, sipas protokollit shtetëror në Qendrën Kulturore të Ushtrisë; duke parë zinë e disa politikanëve shqiptarë e kosovarë, të cilët justifikohen me rolin e Alisë në Luftën e ashtuquajtur Nacional-Çlirimtare dhe me gjoja urtësinë e tij në “ndërrimin historik të epokave”, ndiej trishtim të madh për instinktin përulës, përmasën mazokiste dhe njëherësh për turpin e këtij nderimi. Iluzioni se “historia e historianët do t’i japin atij vlerësimin e duhur”, tingëllon cinik dhe absurd, a thua se historia mbahet e tëra tek ndajfolja “ndoshta”.

Por, kur veprat kriminale janë konkrete, të faktuara e të pandryshueshme, zor se Historia mund të shndërrohet në përrallë magjike, të rikthejë mbrapsht rrotën e saj e të ringjallë ata mijëra të vrarë, të internuar e të privuar vetëm e vetëm për hatër të Ramiz Alisë e të trashëgimtarëve të tij. Dhe historia këto krime nuk i zhbën dot as tani, as në perspektivën e saj të largët: krimi nuk do të bëhet kurrë i pranueshëm  dhe damkën e krimit s’ka histori ta shlyejë! Po të gjykohet mbi natyrën abstrakte të vdekjes, gjithkush priret të mendojë se ajo në njëfarë mënyre humanizon gjithkënd, duke relativizuar shumëçka. Ndër to, edhe dhimbjen e viktimave që la pas Ramiz Alia. Por kurrsesi jo krimin në vetvete.

Në një nga trevat e vendlindjes sime tregojnë se një herë, në po ato vite kur lindi diktatori Alia, kishte pasë vdekë një rob perëndie, edhe ky, me ermin Ramiz. Dhe kishte qenë ky katundari Ramiz një batakçi i formatit lokal, që kishte bërë nëntëdhjetë e nëntë poshtërsitë. Me respektin ndaj vdekjes në përgjithësi, katundarët i ishin lutë të vetmit njeri të dinte shkrim e këndim dhe të cilin e quenin Dijetar. Familjarët i shkuan në shtëpi Dijetarit me një pllakë varri dhe iu lutën të gdhendte në të dy rreshta fjalë të mira për të vdekurin. Ai u tha se nuk mund të shkruante fjalë të mira për të ndjerin, sepse të gjithë e dinin çfarë edepsëzi i madh kishte qenë. Pas shumë të luturash e shumë kundërshtimesh, Dijetari pranoi dhe gdhendi në pllakën e varrit për të nja dy rreshta. Gjindja ia çoi deri në fund shartet e varrimit dhe pllaka me mbishkrim qëndroi gjatë në varrin e të ndjerit, deri kur pasardhësit e katundarit Ramiz, bij e nipa, nxunë shkolla.

 Dhe vetëm atëherë kur mësuan të lexonin pasardhësit e Ramizit, por dhe gjithë krahina mbarë, u mor vesh se çfarë ishte shkruar në epitafin e varrit, gjithsej, dy vargje: “Vdiq Ramizi, ky farë horri,/ shyqyr vdekja që e mori!”. Dijetari nuk rronte më. Por, edhe nëse do të rronte, nuk do të bëhej ndonjë hata e madhe. Sepse brez mbas brezi fëmijët qenë rritur duke dëgjuar bëmat e batakçillëqet e tij, ndër to, edhe vetë pasardhësit e tij. Kështu që qeshën e qeshin edhe sot me vargjet e Dijetarit, sepse ai ua kishte thënë shumë kohë më parë të vërtetën e madhe, ndonëse trashëgimtarët e katundarit Ramiz nuk donin ta pranonin. U duhej kohë… Dhe historia, gjithsesi, u jep të drejtë Dijetarëve, jo Ramizëve… e sigurisht, as ramizistëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama