A mund te rritet ndikimi virtual ne periudhen e mbetur

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 7 vite më parë

Rexhep Meidani
A mund te rritet ndikimi virtual ne periudhen e mbetur

Këto ditë, në një të përditshme u komentua një tablo monitorimi mbi mbështetjen e politikanëve kryesorë në rrjetet sociale. Pikërisht aty tentohej të analizohej një përballje elektorale online. Sipas kësaj tabloje, për Kryeministrin ishin afishuar 558 mijë ndjekës, ndërkohë që për kryetarin socialist kishte 355 mijë të tillë. Pra, në total, një numër që kalon mbi 900 mijë veta! Poshtë tyre vinin emra të tjerë, si: J. Topalli, S. Olldashi, E. Veliaj etj. Po ashtu, ndërsa numri i ndjekësve rezultonte më i madh te Berisha, te Rama shumë më i madh ishte numri i vizitorëve aktivë (p.sh., ditët e fundit Rama kishte mbi 67 mijë persona aktivë në faqe, ndërkohë që Berisha kishte afro 55 mijë të tillë). Sidoqoftë, si dhe në vende të tjera, duhet të kihet kujdes në matjet apo “metrikën” konkrete të kontaktit virtual, përfshirë këtu dhe numrin e ndjekësve të kandidatit në Twitter, pikëpamjet e shpalosura në YouTube, fotot në Facebook etj. Kjo vlen, sidomos, në rastin shqiptar, ku, përveç kontakteve dhe emrave të drejtpërdrejtë, një peshë të rëndësishme kanë pseudokontaktet dhe pseudoemrat!…

Big Data në qeverisje dhe biznes.

Në gazetën “Panorama” kam botuar, kohë më parë, dy shkrime: njërin me titull: “A ka ndonjë rol media sociale në këto zgjedhje?” (9 prill 2011) dhe tjetrin me titull: “Roli ‘qeverisës’ i të dhënave në shekullin e 21-të” (15 nëntor 2011). Sidomos në artikullin e dytë, nisur dhe nga roli në rritje i teknologjive dixhitale për qeverisjen e shekullit të 21-të, i kushtova një vend të veçantë temës Big Data (të lidhur ngushtë me rolin në rritje të dhënave makro). Në fakt, Big Data, si një nga prurjet e sotme të teknologjive numerike të informimit e komunikimit, po e revolucionarizojnë dita-ditës qeverisjen politike dhe të biznesit, madje duke krijuar hapësira të reja, ende të pakonceptuara plotësisht, mbi vetë artin e politikëbërjes dhe menaxhimit. Aty, si çështje bazë është regjistrimi e magazinimi i një informacioni të madh, përdorimi e përpunimi statistikor i tij, automatizimi i këtij përpunimi etj. Kjo ka bërë që Big Data të ndikojnë në vendimmarrje, duke u shndërruar kështu në një aset të ri administrimi, kooperimi e ndërveprimi.

P.sh., një strukturë qeverisëse, pasi mbledh të dhëna mbi grupe të ndryshme punonjësish që bëjnë të njëjtën punë në bashki e komuna të ndryshme, analizon e sistemon gjithçka duke përmirësuar bazën ligjore e sistemin rregullator përkatës. Pjesë e rëndësishme e këtij ndërveprimi është dhe komunikimi në rrjetet sociale, magazinimi dhe shpërndarja e të dhënave nëpërmjet sofistikimit të mjeteve analitike deri në “mikro-copëtim” të qytetarit–konsumator, por dhe fuqizimit të peshës së analizës e parashikimit (politik, ekonomik, zgjedhor etj.). Mbi të gjitha, kur përftohet një informacion i shumtë, i gjithanshëm, atëherë shteti ose qeverisja, në një mënyrë apo tjetrën, del lakuriq përpara qytetarit. Kjo vlen edhe për partitë politike në raport me elektoratin e tyre…

Big Data dhe ndryshimi demokratik.

Big Data po krijojnë mundësi të mëdha për qytetarët dhe zërin e tyre në qeverisje. Në shumë vende, media sociale (edhe pse është më pak se vetë koncepti i Big Data) po shndërrohet në një “armë” mobilizimi e ndryshimi demokratik. Kjo u pa qartë në fillimet e së ashtuquajturës Pranverë Arabe apo me reagimin aktual masiv në Turqi. Nga ana tjetër, për ta fuqizuar median sociale, mbi të gjitha Big Data, politika e biznesi duhet të kapërcejnë vështirësitë e ndërlikimet shoqëruese të këtij procesi. E tillë është, p.sh., kërkesa për individë me përgatitje e aftësi të thella analitike në fushën e Big Data, në krijimin dhe adoptimin e algoritmeve e teknikave statistikore. Po ashtu, kjo nënkupton rritje investimesh në edukim ose një trajnim permanent të personelit. Një çështje tjetër, jo pa rëndësi, është dhe ajo e konfliktit midis privatësisë e komfortit, sidomos kur bëhet fjalë për një ndërveprim social shumë më masiv sesa sot. Por, pavarësisht prej këtyre shqetësimeve, Big Data, në një mënyrë apo tjetrën, janë duke u kthyer në një çelës zhvillimi e ndryshimi, konkurrence e prosperiteti, emancipimi demokratik politik-institucional e social-kulturor. Për më tepër, Big Data pritet të ndikojë dukshëm në revolucionarizimin e pjesëmarrjes qytetare në politikë.

Kufijtë dhe potenciali i Facebook-ut, Twitter-it etj.

Në disa vende, p.sh., në SHBA, ky ndikim i Big Data po pasqyrohet në procesin zgjedhor. Konkretisht, mblidhen e analizohen të dhëna të shumta mbi bazën ligjore dhe përfaqësimin në infrastrukturën zgjedhore, mbi aleancat, kandidatët, listat e votuesve, orientimin e elektoratit etj., përfshirë dhe “shënjimin” e votuesit të lëkundur. Në vend të trokitjes në çdo derë apo telefonimit në çdo familje, platformat e rrjeteve sociale si Facebook, Twitter etj., po bëhen porta “vullnetare” për mbledhje të dhënash, të kontaktit e fushatizmit, sidomos në gjetjen e miqve dhe mbështetësve, të atyre me ndikim shoqëror etj. Këto platforma bëhen, kështu, mjedise ideale për organizime politike-elektorale, duke e bërë më efektive fushatën në nivele mikro, me njohje e depërtim të detajuar në demografinë përkatëse. Madje, në platforma të tilla, sidomos ato të ndërtuara për qëllime elektorale, mund të përfshihen (me leje) të dhëna për ditëlindjet, vendlindjet, shkollimin, gjininë etj.

Kjo gjë jo vetëm e redukton nivelin e anonimatit në një pjesë të agregatit të informacionit të përdorur, por e bën më të qartë ndikimin në grupime të ndryshme votuesish. Në sajë të përmasës numerike dhe intensitetit të komunikimit, veçanërisht shpejtësisë së tij, ky kontakt rezulton shumë i fuqishëm. P.sh., gjatë një fushate individuale, në mënyrë tradicionale, mund të kontaktohen me trokitje në derë jo më shumë se 50-60 familje në ditë apo me telefon 250-300 persona, ndërkohë që nëpërmjet internetit kjo prekje ka shtrirje të shumëfishtë. Pikërisht kjo lloj epërsie dixhitale u shpalos qartë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2012!…

Sot, fokusimi në Big Data po bëhet dita-ditës gjithnjë më konkret, nëpërmjet ndërthurjes së një numri të madh të dhënash të grumbulluara online me ato të përftuara nga burime të tjera tradicionale offline. Për më tepër, mbledhja e tyre çdo moment dite në Internet, përfshirë dhe numrin e klikimeve, bisedave, pikëpamjeve etj., përpunimi i tyre i detajuar i bazuar në analiza statistikore, modeluese e parashikuese, krijon mundësi për korrigjim, për ndryshim të taktikave dhe strategjive elektorale. Sidoqoftë, një problem në vete mbetet “martesa” e të dhënave sociale online me profilet e votuesve offline. Megjithatë, me sa shihet, në zgjedhjet shqiptare, media sociale, aq më pak Big Data, nuk janë bërë ende një faktor me peshë në rezultatet e votimit.

Mirë u pafshim sondazhe, tungjatjeta Media Sociale dhe Big Data.

Në dekada, toni i opinionin publik është ndërtuar nga sondazhe, që më tej ka shërbyer si shtysa mobilizimi politik e elektoral. Kjo ndeshet ende në Shqipëri. Por sot, parimet metodologjike që kanë të bëjnë me teknikat konvencionale të sondazhit po sfidohen gjithnjë e më shumë nga teknologjitë e reja të informimit e komunikimit. Madje, edhe koncepti i mostrës ka ndryshuar, duke e rritur dukshëm përmasën e saj. Sidomos Big Data po shpalos një potencial të ri në kapërcimin e vështirësive të mëparshme, jo vetëm duke mundësuar një ndryshim të thellë në ndikimin e opinionit publik, por dhe saktësi në vlerësimin e tij. Për më tepër, shfrytëzimi i Big Data po rezulton shumë më i pasur, duke i dhënë një përmbajtje më të bazuar ndërtimit të opinionit publik. Pra, një problem në vete është se si shfrytëzohet teknologjia në fushatë.

Deri diku, në Shqipëri, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe ato vendore të vitit 2011 është shfrytëzuar, edhe pse në mënyrë modeste, interneti (fillimisht me anë të komunikimit me e-mail dhe më tej me media sociale). Por ende nuk po mendohet te ne për shfrytëzimin e Big Data si në vende të tjera, ku njerëzit që e kuptojnë matematikën, programimin dhe shkencën e të dhënave bëhen shumë më të kërkueshëm në krijimin e avantazheve strategjike në fushatë, sidomos në gjetje e bindje të votuesve. Kjo u vu re më së miri në zgjedhjen e dytë të Obamës si President. Aty infrastruktura e fuqishme dixghitale (elektorale) e Obamës e ndihmoi atë të identifikojë votues në shtete problematike, për ekzistencën e të cilëve nuk e kishte fare idenë më parë. Edhe eksit-polet (exit polls) dëshmuan se fitorja lidhej ngushtë me votuesit e rinj, me ata të pakicave të ndryshme etnike, grave, kategorive të diskriminuara etj. Mbështetur në të dhëna të plota, ndikimi në këto grupime luajti një rol të konsiderueshëm në ato zgjidhje…

Por, le të kthehemi përsëri te rasti shqiptar. Sondazhet me telefon, qoftë edhe duke rritur kampionin, kanë problemet e veta; aq më tepër po të ketë anësim në telefonim! Kjo nuk do të thotë që nuk duhen bërë apo konsideruar këto sondazhe, por ato duhen marrë me rezervë. Nga ana tjetër, sondazhe të tilla nuk të japin dot të dhëna të detajuara në bazë lagjeje, fshati etj. Po ashtu, eksit-polet jo patjetër identifikohen me rezultatin e pritur. Kjo vlen edhe për parashikimin, nisur nga votimi i orëve të para, sidomos në rastet e strukturave zgjedhore joserioze, ose nën komandë partiake! Për të kapërcyer pasaktësi të tilla mund të ndihmojë Facebook-u apo platforma të tjera, nëpërmjet analizës së të dhënave elektorale të tyre. P.sh., Facebook-u është i përshtatshëm në mbledhjen e të dhënave anonime të një numri të madh njerëzish, të palidhur patjetër me ndonjë përkatësi partiake. Në njëfarë kuptimi, problemi bëhet shumë më evident me rritjen e numrit të pjesëmarrësve në media sociale (veçse jo me shtimin e tyre artificial me pseudoemra dhe pseudoadresa!).

Kjo mundëson dhe konkretizimin nëpërmjet një përpunimi të saktë shkencor, gjë që nuk realizohet lehtë nga sondazhet tradicionale. E thënë ndryshe, parashikimi virtual është më afër realitetit në sajë të depërtimit të internetit te votuesi i çdo shtresimi, moshe, gjinie, përkatësie etnike e fetare. Bile, në vend të sondazheve me disa qindra e mijëra telefonime ose plotësime formularësh (që kanë koston e kohën përkatëse, kufizimin në përmasë, shpejtësinë e ulët të mbledhjes së të dhënave), mostra virtuale e parashikimit e rrit shumë më tepër saktësinë e tij. Këtu qëndron rëndësia e medias sociale ndaj asaj tradicionale. Ka dhe diçka tjetër: sipas ligjit, një ditë para zgjedhjeve fillon heshtja elektorale, por ajo vlen për median tradicionale: gazetat, radiot e stacionet televizive. Ndërkohë, s’ndalohen dot komunikimet e sondazhe virtuale me anë të internetit në ditën e zgjedhjeve!…

A mund të analizohet pa numra? 

Në dekadën e fundit zgjedhjet po ndikohen edhe më shumë nga media sociale, aq sa në disa vende këto zgjedhje janë duke u pagëzuar: zgjedhjet YouTube, zgjedhjet Facebook, zgjedhjet Twitter etj. Pra, zhvillimet teknologjike, shpejtësia e madhe e regjistrimit dhe përpunimit të të dhënave kanë ndikimin e tyre në proceset zgjedhore, jo thjesht në rritjen e përmasës së mostrës apo të dhënave të përmendur më sipër, por dhe për të plotësuar sistemet tradicionale të vlerësim-përpunimit. Të dhënat e shumta për votuesit, shpërndarja e tyre sipas zonave zgjedhore po e bën ndikimin, pra dhe parashikimin, më të sigurt. Madje, siç u prek më sipër, në rizgjedhjen e Presidentit Obama, një rol të konsiderueshëm luajtën Big Data…

Pra, Big Data, në disa vende, po synojnë të godasin seriozisht parashikimin tradicional. Kjo e ka zgjuar politikën, analizën mediatike e gazetarinë e mëparshme të pambështetur në numra. Në fakt, ky është një triumf i logjikës numerike; apo e thënë ndryshe, kjo është një fitore apo vendosje e matematikës, e analizës së të dhënave mbi vlerësimet emocionale e ideologjike, sondazhet nën trysni politike–partiake, telefonimet selektive etj. Për më tepër, një gjë e tillë po tenton ta dimensionojë gazetarinë për ta shndërruar dhe atë në një gazetari numrash! Gjithashtu, brenda 2-4 vjetëve, në kushtet e një interneti akoma më të shpejtë, ku mblidhet dhe ndërlidhet gjithçka, Big Data në politikë do të bëhen gjithnjë e më efektive, të menjëhershme, të lëvizshme, të gjithëpranishme.

Nëpërmjet tyre do të rritet e organizohet më mirë fuqia konkrete votuese; ndryshe nga fushata e zakonshme apo marketingu tradicional, që mund të rezultojë joefektiv në bindjen e votuesve jomilitantë e neutralë. P.sh., fare ndryshe është puna kur mesazhet dërgohen në rrjete sociale apo debatohet deri në detaje brenda tyre. Në një mënyrë apo tjetrën, një proces i tillë ndërlidhje dhe ndërveprimi jo vetëm ka ndikim të drejtpërdrejtë, por dhe mundëson identifikimin e përllogaritjen paraprake të votës. Dhe, mbi të gjitha, kjo gjë mund të reduktojë dhe influencën e parasë në politikë, veçanërisht në procesin zgjedhor (në votim dhe numërim)!…

A mund të ndikojë media sociale në Shqipëri, në kohën e mbetur?  

Në SHBA, pas Ajzenauerit, fitimi i zgjedhjeve pa radio u bë i pamundur. Po ashtu, pas Kenedit nuk mund të fitoheshin më zgjedhjet pa TV, pra pa mbështetje televizive. Kurse Obama dëshmoi se fitorja e tij e parë u bë e mundur nëpërmjet përdorimit të internetit e medias sociale. Madje, në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2012, ishte shfrytëzimi i të dhënave të shumta apo i ashtuquajturi Big Data, që bënë diferencën, pra dhe fitoren. Ishte, pra, “shkenca e numrave” që formësuan ato zgjedhje, pa lënë mënjanë burimin konkret e transparencën e të dhënave, ndikimin e tyre në lidhje me programin politik, cilësinë e fushatës, premtimeve elektorale etj. Kjo duhet të kihet parasysh, sidomos në 10 ditët e fundit të fushatës elektorale shqiptare, nisur dhe nga përvoja e zgjedhjeve vendore 2011, ku interneti në Tiranë u bë pjesë e betejës elektorale, madje jo thjesht nëpërmjet listave apo adresave e-mail, por futjes në veprim të disa “motorëve” bashkëkohorë të medias sociale.

Në fakt, duhet futur në punë me efektivitet të plotë këta motorë, sepse në këto zgjedhje, në vend të theksimit të këtij aspekti, po del në skenë më shumë një rikthim te teknologjitë tradicionale elektorale, sidomos në nivelin e kandidatit, krijimit të lidhjeve reale me votuesit, përdorimit të trupës së vullnetarëve, vajtjes derë më derë, telefonimeve, pjesëmarrjes në festa apo ceremoni mortore, në ngjarje të rëndësishme historike ose publike etj. Me fjalë të tjera, pyetja që mund të shtrohet akoma sot është: a po luajnë rolin e duhur Twitter, Facebook e YouTube në këtë fushatë zgjedhore? Krahas SMS-ve, a po shfrytëzohen adresat e-mail-it nga partitë e kandidatët, edhe pse kjo teknologji në mjaft raste rezulton e tejkaluar? Po monitorimet e përmendura më sipër a janë realiste? Etj.

Sidoqoftë, prej asaj që propagandohet aktualisht nga media tradicionale nuk duken se janë bërë matje e analiza serioze të ndikimit zgjedhor të medias sociale, aq më pak të bëhet fjalë për Big Data. Ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta, të paktën duke shfrytëzuar këtë media sociale në zonat urbane. Aq më tepër që teknologjia e informacionit dhe komunikimit në përgjithësi dhe media sociale në veçanti, po e rrit ndikimin e saj shoqëror në zonat urbane, sidomos midis të rinjve. E parë me këtë sy, pas një konsumi elektoral në një fushatë tepër tradicionale, në periudhën e mbetur duhet fuqizuar me shpejtësi komunikimi virtual i partive dhe i kandidatëve të tyre me votuesit në rrjet. Këtë gjë duhet ta shfrytëzojë edhe Aleanca Kuqezi në mënyrë të veçantë për të kapërcyer kohën e saj televizive tepër të reduktuar! Sidoqoftë, pa harruar se në kushtet e Shqipërisë numri i përdoruesve është ende i kufizuar. Edhe Facebook-u ose platforma të tjera nuk janë bërë akoma fusha qendrore të betejave të ndryshme politike-sociale, pra dhe ato zgjedhore.

Ndërkohë, komunikimi virtual mund të ndihmojë shtabet elektorale për të përmirësuar pikërisht depërtimin e orës së fundit, mbi të gjitha për të motivuar anëtarët e rrjeteve, deri duke i bindur ata për të votuar apo hedhur votën e duhur. Një gjë e tillë  mund të rezultojë pozitive në disa nga pikat nevralgjike të qarqeve e zonave elektorale…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama