A mund të heshtet?!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 7 vite më parë

Rexhep Meidani
A mund të heshtet?!

U duk sikur politika më së fundi do të reflektonte mbi barazinë gjinore. Dy partitë politike kryesore organizuan dhe konventat përkatëse të grave, duke e çuar në “stratosferë” retorikën mashkullore dhe femërore për barazinë gjinore. Por, me sa duket, gjithçka ka mbetur në vend. Aq më keq që gratë politikane janë interesuar më shumë për kandidimin e tyre sesa për t’u shndërruar në luftëtare të paepura të rritjes së pjesëmarrjes së kolegeve të tyre në vendimmarrjen politike. Po ashtu, ato duhet të ngrenë çdo sekondë e minutë zërin e tyre kundër padrejtësive gjinore jo vetëm politike, por dhe sociale, kulturore e njerëzore. Por, fuqia e këtij zëri kërkohet të jetë akoma më ekspresive në angazhimin politik të femrës shqiptare. Edhe media apo strukturat më të specializuara të shoqërisë civile duhet të bëjnë namin. Pse jo, edhe duke kërcënuar me bojkot femëror fushate, deri votimi!…

Ligji për barazinë gjinore

Në vitin 2008, nën trysninë e shoqërisë civile dhe organizmave ndërkombëtarë, politika shqiptare bëri një hap të rëndësishëm përpara me miratimin e ligjit nr. 9970, datë 24.7.2008, “Për barazinë gjinore në shoqëri”. Aty, në nenin 4, Përkufizime, në pikën 5 sqarohet se: “’Përfaqësim i barabartë gjinor’” është përfaqësimi i secilës prej gjinive me jo më pak se 30 për qind në një institucion, në nivel drejtues, organ të emëruar, parti politike”. Pra, për herë të parë u fut kuota 30% për barazinë gjinore, ndërkohë që në vende të tjera të Europës kjo kuotë ishte përcaktuar 50%. Kjo lloj kuote konsiderohet si kuotë legale (ligjore), ndërkohë që sipas ligjit të mësipërm, edhe partitë politike duhet të avancojnë më tej në kuotat partiake (vullnetare).

Në nenin 7, Masat e nevojshme për sigurimin e barazisë gjinore, të këtij ligji, ndër të tjera, shkruhet: “Për sigurimin e barazisë gjinore dhe eliminimin e diskriminimit për shkak të gjinisë, organet shtetërore, në bazë të kompetencave të tyre: 1. Sigurojnë, përmes masave legjislative ose me mjete të tjera të përshtatshme, zbatimin praktik të parimit të barazisë gjinore. 2. Sigurojnë, përmes masave legjislative ose me mjete të tjera të përshtatshme, të shoqëruar edhe me sanksione, kur është rasti, ndalimin e çdo diskriminimi për shkak të gjinisë. 3. Sigurojnë, përmes rregullimeve ligjore dhe nënligjore ose me mjete të tjera të përshtatshme, ndryshimin ose shfuqizimin e çdo akti ligjor, zakoni apo praktike, që përbën diskriminim për shkak të gjinisë…”.

Ndërsa në nenin 15, Pjesëmarrja në procesin e vendimmarrjes, theksohet në mënyrë eksplicite: “1. Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe në institucionet e tjera publike arrihet kur: a) sigurohet përfaqësim në masën mbi 30 për qind për secilën gjini, përfshirë edhe në organet e tyre drejtuese; b) sigurohet respektimi në mënyrë të njëjtë për secilën gjini i procedurave dhe kritereve të konkurrimit, gjatë emërimit në këto organe; c) sigurohet përfshirja mbi 30 për qind e secilës gjini në listën e kandidatëve për zgjedhjet në organet përfaqësuese vendore; ç) sigurohet përfshirja jo më pak se 30 për qind e secilës gjini në listën e kandidatëve të paraqitur nga partitë politike për sistemin proporcional për zgjedhjet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë; d) sigurohet përfshirja mbi 30 për qind të secilës gjini në organet administruese të procesit të zgjedhjeve qendrore dhe vendore. 2. Partitë politike përcaktojnë mënyrat dhe masat për të përmbushur kërkesat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni. 3. Partitë politike paguajnë një gjobë deri në një të dhjetën e fondit shtetëror për financimin e fushatës zgjedhore, nëse shkelin dispozitat e këtij neni, deri në ndreqjen e shkeljes”.

Kodi Zgjedhor

Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë (miratuar me ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 dhe ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, datë 19.07.2012), ndër të tjera, duhet të respektonte ligjin bazik të barazisë gjinore. Por, në fakt, ashtu si në variantin e vitit 2008, ashtu dhe në variantin e “përmirësuar” të vitit 2012, vihet re një “trishim” mashkullor, që të paktën duhet të kishte alarmuar femrat politikane, shoqërinë civile apo struktura të tilla si OSBE, KE, BE etj. Kështu, në nenin 67, paragrafi 6 thuhet: “Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet, sipas kuotës gjinore, me qëllim zbatimin e përjashtimit, sipas pikës 2 të nenit 164 të këtij Kodi”. Pikërisht një formulim i tillë që flet për rreshtimin vetëm të 3 emrave të parë, e lë sipas qejfit të strukturës vendimmarrëse (më saktë, të kryetarit) rreshtimin e emrave të tjerë në listë. Nisur nga shqyrtimi i listave të dorëzuara prej partive politike kryesore, ashtu si në zgjedhjet e vitit 2009, në propozimet fillestare të këtyre partive shumë emra kandidatesh femra janë lënë në fund të listës, apo akoma më keq duke futur dhe emra shtesë mbi numrin maksimal të mandateve të qarkut përkatës!…

Edhe neni 164, pika 2, sikur do ta konsolidojë këtë përpjekje mashkullore. Aty theksohet: “Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”.

Kurse, në nenin 175, Sanksionet në lidhje me barazinë gjinore, disa nga gjobitjet rreshtohen si më poshtë: “1. Mospërmbushja nga ana e subjektit zgjedhor e detyrimeve të parashikuara në pikën 6 të nenit 67 të këtij Kodi, në lidhje me përbërjen e listës, dënohet nga KQZ-ja me gjobë 1,000,000 lekë në rastin e zgjedhjeve për Kuvendin dhe 50,000 lekë në rastin e zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor, si dhe sanksionin plotësues, sipas pikës 2 të këtij neni. 2. Kur ndaj një subjekti zgjedhor është konstatuar shkelja, KQZ-ja zbaton si sanksion plotësues zëvendësimin e çdo vakance në listën e subjektit, në zonën ku është konstatuar shkelja, me kandidatët vijues në listë nga gjinia më pak e përfaqësuar deri në plotësimin e kuotës gjinore. Në rast se KQZ-ja vendos aplikimin e këtij sanksioni, përjashtimi i pikës 2 të nenit 164 nuk zbatohet dhe vakanca plotësohet sipas kësaj pike. 3. Sanksionet e përcaktuara në këtë nen vendosen për çdo zonë zgjedhore ku konstatohet shkelja”.

Një përfaqësim i pritshëm i gruas në Kuvend në intervalin 16.4% -18.5%

Gjatë regjimit komunist, në vitet 1970, përfaqësimi i gruas në Kuvend e kaloi nivelin e 35%, veçse roli i vetë Parlamentit në atë kohë ishte krejtësisht formal, thjesht për të miratuar, me ngritje dore dhe pa debat, vendimet e Byrosë Politike. Në periudhën 1990-2009, përfaqësimi i gruas ka variuar si më poshtë: 28.9% para fillimeve të tranzicionit (1990), në 4% në periudhën e parë postkomuniste (1991-1992), dhe së fundi, për legjislaturën 2009-2013, në afro 16.4%. Natyrisht, në rritjen e fundit të përfaqësimit të gruas në Kuvend ndikoi sistemi elektoral proporcional (rajonal) dhe përfshirja (edhe pse e reduktuar nga një marifet mashkullor) e kuotës në listën emërore të kandidatëve për deputetë. Ndërsa po t’u hidhet një sy rezultateve të arritura në pushtetin vendor, situata del shumë më shqetësuese. P.sh., në nivelin lokal të përfaqësimit të grave si kryetare bashkie, përqindja e tyre në zgjedhjet vendore të vitit 2011 rezultoi 1.31% (sistemi maxhoritar), kurse e grave këshilltare 12.4% (sistemi proporcional)…

Nisur nga angazhimet e fundit të partive politike kryesore, PD-së dhe PS-së, pritej që në legjislaturën e re të arrihej një përfaqësim prej afro 30% i femrave deputete. Aq më tepër që në PS, në një nga deklarimet publike, u fol për një përfaqësim politik të femrës në rendin 50%. Megjithatë, nisur nga listat e para të dy partive kryesore të depozituara në KQZ, situata konkrete duket gati si ajo e vitit 2009.

Konkretisht, mbështetur në hartën e zgjedhjeve të 2009-s, numri i deputetëve (mandateve) në 12 qarqe është si më poshtë: Berati 8 mandate, Dibra 6 mandate, Durrësi 13 mandate, Elbasani 14 mandate, Fieri 16 mandate, Gjirokastra 5 mandate, Korça 12 mandate, Kukësi 4 mandate, Lezha 7 mandate, Shkodra 11 mandate, Tirana 32 mandate dhe Vlora 12 mandate. Duke analizuar këto lista të para sipas këtyre qarqeve, konstatohen këto veçori: në disa qarqe nuk respektohet kërkesa ligjore për rreshtimi gjinor në treshen e parë, ndërsa në qarqe të tjera, për të arritur kuotën 30%, lista përmban më shumë emra sesa numri i mandateve në qarkun përkatës, natyrisht me vendosjen e shumicës së emrave të femrave kandidate fare në fund (!).

Nisur nga këto lista, parashikimi për fitimin e mandatit nga fermat e përfshira në kandidim rezulton si më poshtë: Berati 0 (PD), 1 (PS); Dibra 0 (PD), 0 (PS); Durrësi 1 (PD), 1 (PS); Elbasani 1-2 (PD), 0-1 (PS); Fieri 1 (PD), 2 (PS); Gjirokastra 0 (PD), 0 (PS); Korça 1 (PD), 2 (PS); Kukësi 0 (PD), 0 (PS); Lezha 1 (PD), 1 (PS); Shkodra 2 (PD), 1 (PS); Tirana 2 (PD), 3-4 (PS) dhe Vlora 1 (PD), 2 (PS). Pra, e parë në tërësi (pa llogaritur kontributin e partive të tjera), përfaqësimi i gruas në Kuvend për partitë kryesore PD dhe PS do të jetë përafërsisht: 10-11 (PD) dhe 13-15 (PS), apo në total: 23-26 deputete femra. Në përqindje ky përfaqësim total do të variojë në intervalin 16.4% – 18.5%, që përsëri është poshtë kërkesës ligjore për të ashtuquajturin “përfaqësim të barabartë”, d.m.th. për të arritur të paktën kuotën 30% të përfaqësimit politik të gruas. Situata mund të ndryshojë shumë pak apo aspak me korrigjimet e kërkuara nga KQZ-ja.

A nuk duhet të revoltohen gratë votuese?!

Meqë gratë politikane dhe forumet e tyre po rezultojnë fare pa peshë në përfaqësimin e tyre politik parlamentar, mbetet të reagojnë ashpër shoqëria civile, media, strukturat ndërkombëtare, që na asistojnë, dhe, mbi të gjitha, qytetaret femra që përbëjnë mbi 50% të trupës zgjedhore. Sepse, pavarësisht retorikës politike gjoja bashkëkohore, vendimmarrja politike në përzgjedhjen dhe radhitjen emërore ka mbetur e gjitha mashkullore. Kjo edhe nga që po luajnë rol gjithnjë e më të vogël ato struktura që, sipas statutit të partisë, janë përgjegjëse në përzgjedhjen dhe miratimin përfundimtar të kandidatëve.

Pra, kërkohet një reagim i gjithanshëm, një imponim social-politik për ta goditur fort këtë sjellje “mashkullore”, sidomos mendësinë individuale dhe arrogancën shoqëruese të saj, në kontradiktë me vetë emancipimin gjinor të shoqërisë dhe familjes shqiptare. Është realisht një damkë që nuk e meritojmë, deri duke mbetur prapa dhe përfaqësimit politik të gruas në disa vende arabe. Prandaj, vajza e gra mos heshtni! Gra politikane zgjohuni! Gazetare dhe intelektuale shqiptare reagoni! Kjo nuk është vetëm beteja juaj, por dhe e jona, e gjithë shoqërisë shqiptare. Nuk ka arsye të mbetemi dhe në këtë përfaqësim gjinor prapa vendeve të tjera!..

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama