Integriteti i zgjedhjeve si integritet i kandidatëve

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 7 vite më parë

Rexhep Meidani
Integriteti i zgjedhjeve si integritet i kandidatëve

Ka kohë që janë ndezur motorët zgjedhorë, madje kanë filluar të qarkullojnë emra të ndryshëm kandidatësh për deputetë, jo të paktë dhe emra të rinj. Pra, edhe pse është ende herët në pikëpamje të kërkesave ligjore, në disa parti politike, në mungesë të transparencës partiake e publike, po marrin formë gradualisht listat e kandidatëve për deputetë. Prandaj, edhe në këtë fazë, forumet partiake dhe, mbi të gjitha, qytetarët e media duhet të jenë “vigjilente”, në mënyrë të veçantë për të hulumtuar integritetin e emrave të rinj të propozuar për deputetë apo rikandidimin e atyre që, gjatë këtij mandati, nuk e merituan votën popullore…

Integriteti institucional, partiak apo shtetëror

Integriteti (individual, kolektiv e institucional) është kardinal për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ai, në pamje të veçanta, mund të diferencohet si integritet intelektual brenda një sistemi gjykimi (ku interferencat e individit dhe grupit janë koherente, por jo uniforme e servile!); si integritet mendor e psikik, si integritet moral; si integritet emocional në kuptimin e ekuilibrit dhe harmonisë; etj. Dobësitë apo mungesa e tyre në këto pamje të veçanta e cenon integritetin tërësor të individit, pavarësisht pozicionit të tij shoqëror, politik e institucional.

Në një mënyrë apo tjetrën, kjo pasqyrohet deri diku edhe në integritetin grupor e institucional. Kështu, integriteti institucional mund të mishërohet në hallka kryesore të qeverisjes partiake dhe asaj shtetërore, ku një rëndësi të veçantë ka dhe integriteti (ose mungesa e integritetit) e drejtuesve të këtyre strukturave. Për më tepër, integriteti institucional përcakton vetë integritetin tërësor të vendit në kuptimin e popullit dhe territorit, të sistemit politik, të strukturimit institucional dhe organizimit ligjor, të normave shoqërore, etj. Pra, ekziston një lidhje e ndërsjellë midis integritetit kolektiv (grupor, institucional) dhe atij individual. E thënë ndryshe, integriteti apo mungesa e integritetit e një drejtuesi (përfaqësuesi) manifestohet edhe si integritet ose mungesë integriteti e strukturës që ai drejton (përfaqëson); kurse shuma e integriteteve individuale apo mungesa e tyre lë gjurmën e vetë pozitive ose negative në integritetin kolektiv apo mungesën e tij…

Në të vërtetë, politikanë të lartë pa integritet, qoftë dhe në numër të vogël, e infektojnë politikën, grupin, mjedisin rrethues. Në një mënyrë ose tjetrën ata rrezatojnë negativisht në gjirin e popullit, shoqërisë dhe institucioneve, duke e bërë pa integritet politikën në sytë e qytetarëve. Kështu, disa qeveritarë të korruptuar, disa shefa policie të inkriminuar, gjyqtarë e prokurorë të pandershëm etj., e dëmtojnë rendë integritetin e qeverisë, administratës, policisë, gjykatave, prokurorisë etj.

Ngjarje të kohëve të fundit, shoqëruar me abuzime, vrasje e rrahje, por dhe ngjarje të mëparshme, me kulm tragjedinë e Gërdecit, janë dhe ilustrimi më i drejtpërdrejtë i këtij fakti. Ato jo vetëm reflektohen në integritetin e popullit, por dhe e ushqejnë gërryerjen e tij, duke u transmetuar e pasqyruar në një gërryerje të mëtejshme institucionale e shoqërore. Një shembull tipik është korrupsioni kapilar që ka si “feed back” (“ushqim të kundërt”) korrupsionin politik – administrativ dhe anasjelltas! Një ilustrim tjetër i kësaj korrespondence, edhe pse nuk depërtoi në gjirin e shoqërisë si apati qytetare, ishte, p.sh., marrëveshja jotransparente e qeverisë shqiptare për kufijtë detarë. Aty u shfaq jo thjesht e vetëm mungesa e integritetit të qeverisë, por dhe atyre që e hartuan atë. Shembull ky që tregon se mungesa e integritetit individual e favorizon integritetin institucional dhe anasjelltas; për më tepër që mund të cenojë deri integritetin territorial dhe kombëtar!…

Në përgjithësi, çdo dobësi apo mungesë integriteti në institucione politike, partiake dhe shtetërore, në organizma dhe hallka kontrolluese e kufizuese ndaj pushtetit ekzekutiv nuk bën gjë tjetër veçse e favorizon një situatë pa integritet në këto organizma, hallka e pushtete. Po ashtu, dobësitë apo mungesa e integritetit në institucionet partiake transmetohen drejtpërsëdrejti në institucionet shtetërore.

Edhe përzgjedhja është një çështje integriteti

Në përgjithësi, integriteti, përgjegjshmëria, transparenca, etika vlejnë jo vetëm për qeverinë, anëtarët e saj, por, mbi të gjitha, për përfaqësimin parlamentar dhe administratën publike. Ky përfaqësim dhe besimi për të është qendror për kontratën sociale të demokracisë. E parë me këtë sy, meqë partitë politike janë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, diku dhe të afishimit të tyre, më shumë se “besnikëria” ndaj kryetarit, një peshë të veçantë duhet të marrë cilësia e kandidatëve, sidomos në kuptimin e integritetit të tyre.

Sepse integriteti parlamentar e politik është kryesor për të ndërtuar besimin institucional. Në këtë kuptim, edhe vetë përzgjedhja (zgjedhja) me procedurat përkatëse është, po ashtu, një çështje integriteti. Madje, çdo zgjedhje apo përzgjedhje kandidatësh, pa kujdesin e duhur, sidomos kur manifestohen me dashje apo pa dashje aspekte cinike, arrogante e  autokratike, minon thelbin e kontratës zgjedhës – i zgjedhur, pra dhe vetë konceptin e përfaqësimit apo të mandatit të popullit.

Për të realizuar detyrën e përfaqësimit, integriteti i kandidatit është parësori. Dhe, brenda këtij integriteti individual, ky përfaqësues apo, në përgjithësi, një politikan duhet të ketë kurajë për të reaguar, për të mbrojtur parimet e tij politike. Mbi të gjitha, ai duhet të manifestojë qëndrueshmëri e forcë në respekt të normave morale dhe qytetare. Bile, pa to integriteti politik bëhet i pamundur.

Një shqetësim në rritje është fakti se në partitë politike, ashtu si dhe në strukturat qeverisëse që ato gjenerojnë, është goditur rëndë integriteti individual e kolektiv, deri duke prishur balancat e fuqisë brenda strukturave partiake dhe shtetërore. Kjo, në një mënyrë apo tjetrën, ka favorizuar servilizmin e demagogjinë, nga njëra anë, apo korrupsionin, sjelljen arrogante e arbitrare, deformimin jo përfaqësues të interesave qytetare, nga ana tjetër. E thënë ndryshe, në kushtet shqiptare, deformimi individual brenda formacioneve partiake, sidomos në nivelin e drejtimit, është pasqyruar drejtpërsëdrejti në integritetin e grupit dhe anasjelltas. Për më tepër, duke propaganduar e pompuar të kundërtën, por në mënyrë abstrakte ose virtuale! Ndërkohë, për kurimin e sistemit tonë politik, është bërë parësore kërkesa për integritet sa më të plotë të përfaqësuesve politikë, pra dhe vetë procesi i përzgjedhjes së tyre duhet të jetë publik e transparent; në thelb, një proces me përmbajtje fondamentale.

Pavarësisht disa “çudive” në njërin krah apo “servilizmit” në krahun tjetër, është tamam rasti që, në hartimin e listave të partive kryesore të mbizotërojë ky integritet në procedurë dhe emra, të detajohet ai në formë e përmbajtje, duke u përmirësuar në vazhdimësi nga ana sasiore e cilësore. Bile, në zgjedhjet e qershorit 2013, krahas kambanës ndërkombëtare për integritet të procesit zgjedhor – kushtëzues të integrimit europian, një kambanë e fuqishme alarmi për qytetarët dhe median shqiptare duhet të jetë në mënyrë të veçantë integriteti i kandidatëve për deputetë.

Në fazën aktuale, në Shqipëri, një gjë e tillë bëhet akoma më akute për rikthimin e proceseve demokratike në rrugën e duhur dhe përshpejtimin e tyre, për t’i dhënë një pamje të re qytetare, një frymëmarrje europiane politikës dhe institucioneve të prodhuara prej saj. Dhe këto nuk mund të arrihen pa integritetin individual e kolektiv të politikës shqiptare, të vetë drejtimit të saj! Sepse, siç pohon senatori republikan Alan K. Simpson (senator për Wyoming): “Nëse ka integritet, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Nëse, nuk ka integritet, asgjë tjetër nuk ka rëndësi”…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama