Mbi raportin pozicionim – interes

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 7 vite më parë

Rexhep Meidani
Mbi raportin pozicionim – interes

Në festën e Vitit të Ri, në një lokal me dixhej, dy grupe klientësh kishin kërkesa të ndryshme për nivelin e muzikës aty. Situata po bëhej “kritike” sepse grupi i parë, që e pëlqente po aq muzikën, ngulte këmbë për një nivel më të qetë të saj, kurse grupi i dytë pëlqente të kundërtën – një nivel shumë më të lartë muzike. Përndryshe, secili grup pretendonte se do të largohej! Djaloshi i dixhejit nuk dinte ç’të bënte me atë histori të llojit: “më ngrohe gomarin, më ftohe gomarin”! Në kushte të tilla, pronari i lokalit në marrëveshje me klientët, riorganizoi tavolinat dhe orientoi bokset në gjysmën e lokalit, kurse midis dy hapësirave vendosi disa parete ndarëse, që e bënë të pranueshme muzikën edhe për grupin tjetër. Dhe, kështu, mbetën të kënaqur të dyja palët…

Të pajtohen interesat, jo pozicionimet

Paralelizmi me historinë e mësipërme ka vlerë edhe në negociatat (marrëveshjet) midis dy palëve. Në raste të tilla, shfaqet më shpesh një konflikt pozicioni apo pozicionimi, por jo patjetër interesi. Në përgjithësi, kur tentohet një rënie dakord mbi pozicionin, të dyja palët flasin e debatojnë vetëm për të. Por, shumë më shpesh ky proces negocimi pëson ngërçin e radhës. P.sh., në shembullin e mësipërm, pronari i lokalit nuk do të kishte gjetur zgjidhjen e duhur nëse do të kishte plotësuar vetëm një prej dy kërkesave (pozicionimeve). Në të vërtetë, ai njëkohësisht iu dha përgjigje dëshirave (interesave) konkrete të dy grupeve të klientëve. E parë me këtë sy, pozicionimi apo propaganda qeveritare e kohëve të fundit për “murin e bllokimit” nuk po ngjit dot midis shqiptarëve! Ajo nuk ka të bëjë fare me interesat e tyre në kushtet e krizës aktuale!…

Shpesh, diferenca midis interesit dhe pozicionimit është kritike. Në fakt, janë interesat që përcaktojnë problemin dhe jo pozicionimi i veçantë ndaj tij. Argumentimi mbi pozicionimin, përgjithësisht, nuk rezulton efektiv, por dhe rrezikon marrëdhëniet midis palëve. Problemi bëhet akoma më i komplikuar në prani të shumë palëve. Nga ana tjetër, palët në proces negocimi, në radhë të parë, janë njerëz. Madje, çdo individ i përfshirë në negocim ka dy lloj interesash: atë të lidhur me përmbajtjen (substancën) dhe atë të lidhur me raportin (marrëdhënien) e ndërsjellë.

Për fat të keq, shumë shpesh, marrëdhëniet kryqëzohen keqas me problemin dhe zgjidhjen e tij. Madje, përfshirja në këtë kryqëzim gjeneron dhe konfliktin e padëshiruar midis marrëdhënies dhe substancës. I tillë ka qenë konflikti midis dy forcave politike në Shqipëri gjatë tranzicionit. Po ashtu, i tillë, ka qenë konflikti dhe midis drejtuesve të këtyre dy forcave (pavarësisht emrit konkret), p.sh., në zgjedhjet e vitit 2005 dhe 2009. E ngjashme është dhe “beteja” e ditëve të fundit mbi shifrat marramendëse të korrupsionit dhe akuzat e ndërsjella. Aq më keq, kur në vend të shpjegimeve të domosdoshme dhe të detajuara hidhen kundër akuza, që e bëjnë akoma më të trullosur, pse jo the tepër të zemëruar qytetarin, që mban mbi supe pasojat gjithnjë e më të rënda të krizës aktuale…

Disa shembuj

Një çështje e rëndësishme është pajtimi i interesave, jo i pozicionimeve. Janë interesat konkrete që përcaktojnë një problem të dhënë, madje pas pozicionimeve të kundërta mund të “zbulohen” si interesa të pajtueshme, ashtu dhe ato konfliktuale. Pra, problemi bazik në negociata nuk është thjesht pozicionimi i kundërt, por konflikti midis nevojave, dëshirës, synimeve, frikës etj. të njërës palë me ato të palës së tjetër. Pikërisht këto të fundit janë interesat e palëve, motivimet e tyre. Janë ato që lëvizin hapur apo fshehur, në mënyrë të qetë apo të zhurmshme, pas pozicioneve konkrete të shpalosura. Pozicionimi është diçka e vendosur paraprakisht; nëpërmjet tij mishërohen (ose mbulohen) dhe interesa konkrete. Ja disa shembuj:

1. Traktati Egjipt-Izrael. Më 1978, në Camp David, pala egjiptiane dhe ajo izraelite erdhën me dy pozicionime të kundërta për miratimin e një traktati paqeje. Në fakt, më 1967, në Luftën e Gjashtë Ditëve Izraeli pushtoi Sinain, një territor egjiptian. Edhe pas 10 vjetëve nga pushtimi, pala izraelite ngulte këmbë që, për arsye sigurie, të mbante një pjesë të atij territori, ndërkohë që Egjipti insistonte të kthehej nën sovranitetin e tij çdo milimetër katror i atij territori. U bënë harta, u vizatuan zona dhe vija kufitare për ndarjen e Sinait midis Egjiptit dhe Izraelit. Por, me përpjekje të tilla kompromisi bëhej i pamundur për palën egjiptiane. Edhe Izraeli, nga ana e tij, nuk pranonte të kalohej në situatën territoriale para vitit 1967!…

Duke analizuar me kujdes interesat e palëve, në vend të pozicionimeve të tyre fikse, u arrit të gjendej zgjidhja e pranueshme e lidhur ngushtë me ato interesa. Kështu, interesi i Izraelit ishte ai i sigurisë së tij, moslejimi, pranë vijës së tij kufitare, i dislokimit të tankeve egjiptiane, të gatshëm për të depërtuar në territorin izraelit. Kurse, për Egjiptin, interesi bazë ishte ai i sovranitetit. Sinai ishte territor egjiptian që nga koha e Faraonëve dhe i pushtimeve të njëpasnjëshme (grek, romak, otoman, francez apo britanik). Në Camp David, Presidenti Sadat (Egjipt) dhe Kryeministri Begin (Izrael) ranë dakord për një plan që do t’i kthente Sinain Egjiptit, në respekt të sovranitetit të tij, por edhe që mundësonte krijimin e një zone të çmilitarizuar në një pjesë të atij territori për t’i garantuar sigurinë Izraelit dhe popullsisë së tij.

E thënë ndryshe, flamuri egjiptian do të valëvitej kudo në këtë territor, ndërkohë që tanket egjiptiane nuk lejoheshin të dislokoheshin pranë kufirit izraelit. Siç shihet, pajtimi i interesave është më i lehtë në krahasim me atë të pozicionimeve. Kështu, për çdo interes gjenden gjithmonë disa pozicionime që e kënaqin atë. Në fakt, njerëzit shpesh adoptojnë pozicionimin më evident, si në rastin e Izraelit, që kërkonte të mbante të pushtuar një pjesë të Sinait. Por, kur analizohen pozicionimet apo arsyet e kundërvënies për interesa të dhëna, mund të gjenden zgjidhje (pozicionime) alternative që kënaqin si interesin e një pale ashtu dhe të palës tjetër. Çmilitarizimi i një pjese të Sinait ishte një alternativë e tillë.

2. Dialogu Kosovë – Serbi. Le të ndalojmë në dialogun Kosovë – Serbi (tani edhe midis dy kryeministrave Thaçi – Daçiç) me mbështetjen e BE-së dhe ShBA-ve. Pikë kyçe është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, dhe në këtë kuadër dhe të jetës në pjesën veriore të Kosovës, që është dhe vatra kryesore e ngërçit aktual. Një nga sfidat aty është shuarja e “strukturave paralele” për të kaluar në strukturat e zgjedhura në mënyrë demokratike me votën e qytetarëve të komunave përkatëse. Për shqiptarët, normalizimi i atij territori është përfundimi i procesit të pavarësimit të plotë, i vendosjes së sovranitetit në të gjithë Kosovën. Për serbët, që jetojnë aty, është çështje shtetësie (qytetarie) dhe statusi nacional (me fjalë të tjera, ata ngulin këmbë për një pozicionim të njëjtë të një qytetari të Serbisë, pjesë integrale të kombit serb). Përkundrazi, Kosova u ofron statusin e një “grupi apo minoriteti etnik” (të tejpërfaqësuar në organet e qeverisjes qendrore dhe vendore), kurse shtetësi (qytetari) atë të Republikës së Kosovës. Por, një pozicionim i tillë për serbët e Kosovës konsiderohet si rrezik për identitetin e tyre, të drejtat dhe liritë e deritanishme. Në një situatë të tillë negociatat bëhen të vështira, madje të pamundura që në pikënisje me këto pozicionime të kundërta.

Por, cilat janë interesat e përbashkëta? Siguria e popullsisë (aq më tepër që aty ka ende grupe të armatosur) dhe mirëqenia e saj. Në kushte të tilla, integrimi euroatlantik është interesi i përbashkët i këtyre dy shteteve, vetë thelbi i skenarit perspektiv të Kosovës dhe Serbisë, nëpërmjet të cilit garantohen edhe ndërkombëtarisht liritë dhe të drejtat për qytetarët serbë të Kosovës, dhe vetë Kosova ruan integritetin në këtë pjesë veriore të saj. Ndoshta, duke konsideruar dhe raste të njohura si, p.sh., ai i Val d’Aosta apo ai i Tirolit Jugor në Itali…

3. Kolegji Zgjedhor. Në rastin e KQZ-së mund të gjendej një alternativë pajtuese për përcaktimin e numrit të zonave të administrimit zgjedhor dhe të mos kalohej në një vendimmarrje joligjore prej Kolegjit Zgjedhor (Kolegji pranoi variantin e propozuar nga KQZ-ja për kalimin në 89 zona nga 66 të mëparshme – për marrjen e vendimit në KQZ nevojitej vota mbështetëse e 5 prej 7 anëtarëve të tij). Pozicionimet partiake kanë qenë dhe mbeten një pengesë jo e vogël në këtë organ. Ndërkohë që mirëfunksionimi i tij duhet të ishte interesi i përbashkët! Në fakt, respektimi i ligjit (Kodit Zgjedhor) dhe interesi i përbashkët për administrimin e procesit zgjedhor, përgjegjësia e këtij komisioni ndaj një procesi bazik, që përshpejton ecjen demokratike dhe europiane të Shqipërisë, janë të mjaftueshme që në vendimmarrjen e tij të arrihet konsensusi i duhur. Por jo të shkelet ky kod që në embrion thjesht për pozicionime partiake ose për nënshtrim ndaj urdhrave partiake…

Pozicionime të kundërta, zgjidhje me interes të përbashkët

Midis pozicionimeve të kundërta mund të gjenden zgjidhje me interes të përbashkët, por jo të tentohen zgjidhje që provokojnë konflikt të brendshëm. Kështu, p.sh., në rastin e një qiramarrësi dhe qiradhënësi, interesat janë të kundërta. I pari kërkon ta minimizojë qiranë, ndërkohë që qiradhënësi kërkon ta maksimizojë atë. Por, së bashku, ata mund ta gjejnë zgjidhjen, që as qiramarrësi të mos largohet nga apartamenti, por dhe qiradhënësi të përfitojë pa prekur reputacionin e ofertës së tij. Qiradhënësi kërkon të ruajë (rrisë) fitimin, por dhe qiradhënësi nuk e parapëlqen shpërnguljen dhe problemet shoqëruese me të. Qiradhënësi kërkon pagesë të rregullt, qiramarrësi kërkon përgjigje të shpejtë për riparim e mirëmbajtje.

Të dyja palët kërkojnë qëndrueshmëri, korrektësi e marrëdhënie normale. Pra, në raste të tilla, duke i peshuar interesat e përbashkëta (konvergjente) dhe ato individuale (divergjente) mund të gjenden zgjidhje konkrete, në përputhje edhe me kushte të tjera të jashtme (në shembullin e mësipërm me tregun e qirasë). Në këtë kuptim, interesat e përbashkëta, edhe pse nuk janë komplementare, përbëjnë bazën e një marrëveshjeje të drejtë, të pranueshme. Veçse, gjëja më e mirë është komunikimi i drejtpërdrejtë midis palëve. Komunikimi në hapësirë virtuale është elitar, por nuk është i mjaftueshëm! Aq më pak thirrjet në distancë për aleanca politike!…

Në mënyrë të ngjashme dhe dy grupime politike kundërshtare serioze, në një proces zgjedhor, kanë pozicionime të kundërta, por ata kanë edhe interesa të përbashkëta. Të tilla janë, p.sh., çështje që lidhen me sigurinë, me probleme kombëtare etj. I tillë është, po ashtu, procesi i integrimit europian. Apo, në këtë kuadër, mbarëvajtja e procesit të votimit, numërimit etj. Por, a do të jetë kështu në zgjedhjet e ardhshme shqiptare? Ka shumë mundësi që konflikti i pozicionimit politik të dominojë atë të interesit të përbashkët, të rregullsisë dhe ndershmërisë së procesit zgjedhor!…

Si të identifikohen interesat?

Përfitimi në trajtimin e interesit të përbashkët përtej një pozicionimi konfliktual është më se i qartë. Veçse, rruga për të arritur deri aty nuk është patjetër e qartë. Pozicionimi i një individi apo një pale, më shpesh, është konkret dhe eksplicit, kurse nënshtresa e interesave nuk është e tillë. Shumë shpesh ajo është e padukshme, e pakapshme, e fshehtë, deri dhe jo konsistente. Atëherë si mund të lexohen dhe të nënkuptohen këto interesa? “Teknika” bazike është për të ndërtuar të njëjtin këndvështrim, për të “veshur të njëjtat këpucë”, d.m.th., edhe për të gjetur përgjigje interesi ndaj një pozicionimi. P.sh., në rastin e kontratës qiramarrës – qiradhënës, mund të shfaqet si problem ai i lidhjes së kësaj kontrate, p.sh., disavjeçare apo disamujore.

Një pozicionim i tillë bëhet më evident në rastin e një tregu qiraje që shtrenjtësohet dita-ditës (kontratë disamujore) apo të një tregu që, për arsye të ritmeve të ndërtimeve, bëhet gjithnjë më i lirë (kontratë disavjeçare). Në një përmasë tjetër, e tillë duhet të ishte marrëveshja qeveri – sindikatë, p.sh., për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, ujit etj., apo për indeksimin e pagës apo pensioneve. Në fakt, zëri aktual i sindikatave praktikisht është i papërfillshëm, madje në shumë raste qeveria as merr mundimit të ulet për negociata!…

Identifikimi i interesave, sado i vështirë dhe shpesh i tërthortë, shërben për një vendimmarrje sa më të drejtë, përfshirë dhe analizën e pasojave afatshkurtra apo afatgjata, mbështetjen apo reagimin e opinionit publik, precedentët etj. Por, në një proces të tillë do të ishte gabim që të pretendohej një saktësi maksimale. Bëhet fjalë për identifikim interesi dhe gjetje zgjidhje kompromisi. Por, ama, bëhet fjalë për zgjidhje njerëzore, jo një llogaritje matematike! Aq më tepër që çdo palë në negocim, prapa një pozicionimi, mund të ketë interesa të shumëfishta. I tillë, i shumëfishtë, ka qenë interesi, por edhe këmbëngulës pozicionimi i PD-së për çështjen e Këshillit të Qarkut të Fierit! Përndryshe, pse të mos angazhohej në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë?! Sidoqoftë, në këtë rast, apo në raste të tjerë, gabimi i zakonshëm në diagnozën e një situate negocimi është që të dyja palët duhet të kenë apo kanë të njëjtin interes.

Ndërkohë që ajo që ndodh është e kundërta! Po ashtu, duke i menduar negociatat si proces dypalësh, nuk duhen lënë mënjanë dhe palët e treta, ndikimet e tyre, interesat e tyre konkrete. Në shumë raste, në politikën shqiptare, në procesin e negocimit, në kushte krize, ka rezultuar e domosdoshme një palë e tretë – konkretisht përfaqësues me peshë të bashkësisë ndërkombëtare. Edhe këto të fundit, në bazën e vet, krahas pamjes parimore, në ndonjë rast të veçantë, mund të mbulojnë dhe arsye personale, ndoshta mjaft larg atyre parimore!

Së fundi, në situata negociatash, bëhet një listë e interesave konkrete sipas rendit të rëndësisë dhe mënyrës së arritjes së tyre. Këto interesa shpalosen, duke i krahasuar edhe me interesat e palës tjetër. Veçse, nuk duhet kërkuar përgjigje pa pozuar problemin konkret. Duhet ecur përpara, duke tentuar arritje qëndrimesh të pranueshme, konkrete dhe elastike. Dhe, mbi të gjitha, për problemin e shpalosur kërkohet qëndrim racional e kërkues, por dhe vendosmëri. Ndërkohë që njerëzit, qoftë dhe kundërshtarë në pozicionim, duhet të trajtohen me respektin, përkujdesjen dhe butësinë e duhur, ndryshe nga ajo që ndeshet sot në politikën shqiptare. Po ashtu, interesat më të fuqishme janë ato të lidhura me nevoja bazike njerëzore.

Kjo duhet të kihet parasysh, sepse kur kuptohen më mirë këto nevoja dhe shansi për të arritur një marrëveshje bëhet më i madh. Nevoja të tilla janë: siguria, mirëqenia ekonomike, përkatësia (etnike, fetare etj.), njohja dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, respektimi i individit dhe lirive të tij etj. Kjo  vlen dhe për komunitetet pakicë apo shumicë, për vendet e ndryshme etj. Në rastin e fundit, p.sh., negociatat bëhen të vështira kur njëra palë beson që plotësimi i kërkesave bazë kërcënohet tërësisht nga pala tjetër, apo trajtimi i çështjeve bëhet me arrogancë, në mungesë respekti dhe barazie midis palëve. Shpesh, ky është rasti shqiptar, sidomos në raportin qeveri – opozitë, apo raportin qeveri – qytetar. Ai mund të përmirësohet vetëm me një rotacion politik të pandërprerë!…


Panorama

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama