Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Na duhet një buxhet konservator

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 12 vite më parë

Rexhep Meidani
Na duhet një buxhet konservator

A nuk duhet debatuar në mënyrë masive për problemin e buxhetit dhe borxhit publik? A nuk marrin hua qeveritë në të gjithë botën dhe a nuk është kjo para e qytetarëve? Pa padyshim. Por, kur borxhi publik rritet më shpejt se rezultati ekonomik, siç ka ndodhur në vitet e fundit edhe në mjaft vende të zhvilluara të botës, një borxh më i lartë e bën më të drejtpërdrejtë ndërhyrjen e shtetit në ekonomi (pse jo dhe kudo kur demokracia është e brishtë!). Në një mënyrë apo tjetrën, rritja e borxhit publik sjell dhe taksa më të larta, brenda një konfiguracioni politik apo atij të ndryshuar (p.sh., rasti i Presidencës Holande në Francë). Gjithashtu, borxhi i rritur tej kufijve të lejuar, në sajë të nevojës për financime e para, shoqërohet me masa drastike (më shpesh të imponuara nga institucionet ndërkombëtare financiare ). Po ashtu, ai nxit pakënaqësinë qytetare dhe “egërsinë” e protestimit.

Të tilla kanë qenë manifestimet masive në Greqi, Spanjë etj. Nga ana tjetër, një situatë e tillë shoqërohet dhe me “përmbysje” konfiguracionesh politike e votuese, aty-këtu dhe me fuqizimin e forcave politike jodemokratike (si në rastin partisë “Agimi” të ekstremit të djathtë në Greqi). Pra, rritja skajshme e borxhit është një kërcënim edhe për vetë demokracinë!…

Projekt-buxhet me dy variante.

Në të dy projekt-buxhetet për vitin 2013 nuk përfshihen të ardhurat e pritshme nga privatizimi i Albpetrolit apo i tri hidrocentraleve. Në krahasimin midis tyre, varianti i parë mund të vlerësohet si “konservator” dhe deri diku në linjë me udhëzimet e institucioneve financiare ndërkombëtare. Aty parashikohet vjelje të ardhurash në vlerën e afro 358 miliardë lekëve dhe shpenzime në rreth 386 miliardë lekë, pra një deficit buxhetor prej 28 miliardë lekësh. Kurse, plani i investimeve sillet rreth shifrës 50 miliardë lekësh (afro 500 milionë dollarë). Sipas këtij varianti, borxhi (në “modelimin qeveritar” të tij) mbetet në kuotën e 60% e GDP-së (59.9%). Ndërsa, në variantin e dytë “revolucionar”, për arsye dhe të vitit zgjedhor, shpenzimet buxhetore parashikohen të kalojnë vlerën e 400 miliardë lekëve, gjë që në thelb do të prekë drejtpërsëdrejti borxhin publik. Sipas ligjit të buxhetit, ai nuk duhet të kalojë nivelin 60%. Kjo nënkupton, po ashtu, që Shqipëria (domethënë qytetarët shqiptarë) do të harxhojë (harxhojnë) më tepër për pagesat e interesave në vitet e ardhshme.

Dhe mos harrojmë se, që këtë vit, ne do të shlyejmë për interesat e kredive mbi 50 miliardë lekë. Gjithashtu, ky varianti i dytë, që nuk përfill këshillat e FMN-së dhe të BB-së për një buxhet të kujdesshëm dhe me shërbime të mirëmenduara, të kontrolluara në një situatë krize, e rrit dukshëm borxhin publik (që e ka kaluar dhe sot vlerën e deklaruar). Ai nënkupton më shumë para për qeverinë dhe më pak për biznesin privat; mund t’i shtojë investimet publike por e bën kredinë më të shtrenjtë për privatin. Dhe, paralelisht, do të rrisë koston e borxhit për vitet që vijnë. Pra, e thënë ndryshe, pa u futur në vlerësime politike-emocionale apo me nëntekst elektoral, nuk mund të ndajë fare entuziazmin e Kryeministrit mbi variantin maksimal të projektbuxhetit 2013, të shpalosur para grupit parlamentar të PD-së…

Deficiti buxhetor dhe borxhi publik 
   
Një vend me deficit të lartë buxhetor apo borxh të lartë publik ka vështirësi të konsiderueshme në gjetjen e parave për të përballuar shpenzimet. Shembulli i Greqisë është më se evident në sytë e shqiptarëve. Por, për të bindur lexuesin, po e fillojë me disa komente mbi deficitin dhe borxhin (që në vetvete është akumulimi në vite i deficiteve vjetore). Kështu, kemi deficit buxhetor (apo thjesht deficit) kur shpenzimet e qeverisë kalojnë të ardhurat e mbledhura. Pikërisht, kjo diferencë, në përqindje të PBB-së, është deficiti buxhetor. Ai na tregon nëse qeveria ka kursyer para apo ka marrë hua. Gjithashtu, ai mund të “matet” në mënyrë të plotë, pra me përfshirjen pagesave të interesave të borxhit në zërin shpenzime ose pa i përfshirë ato (deficit i parë). Gjithashtu, në lidhje me deficitin mund të flitet për elementin ciklik dhe atë strukturor. Dhe, deficiti buxhetor është shuma e tyre.  P.sh., në kushte krize, në pikën më të ulët të ciklit të ekonomisë (biznesit) rritet papunësia, pra aty kemi të ardhura më të ulëta nga taksat dhe shpenzime më të larta (p.sh., për sigurimet shoqërore). Dhe anasjelltas.

Veçse, në rastin e parë, kërkohen huazim shtesë. Ky është dhe deficiti ciklik, që mund të shlyhet i gjithi kur kalohet në “pikun” (në pikën më të lartë) të ciklit të ekonomisë (biznesit). Kurse, deficiti strukturor është ai që ndeshet gjatë gjithë ciklit me tejkalimin e shpenzimeve (niveli i shpenzimeve i kalon të ardhurat e përftuara). Në fakt, kur ndodhesh në “pikun” e ciklit ekonomik, problemet gjejnë lehtë zgjidhje. Ndërsa, kur bëhet fjalë për deficitin strukturor, tepër larg “pikut” duhet detyrimisht të ridimensionohen disa nga premtimet qeveritare, përfshirë dhe ato të lidhura me rritjen e pensioneve e pagave, shpenzimet shëndetësore, uljen e taksave, etj. Aq më tepër, që me rritjen e moshës mesatare të popullsisë, skemat aktuale të asistencës bëhen gjithnjë dhe më të papërballueshme.

Një çështje tjetër e lidhur ngushtësisht me deficitin buxhetor është borxhi publik. Ai shpreh sasinë e plotë të parave që qeveria ua ka borxh kreditorëve dhe zakonisht shprehet në përqindje të PBB-së. Këto para qeveria ua ka borxh kreditorëve brenda vendit (kreditorëve të brendshëm, shqiptarë apo të huaj) apo atyre ndërkombëtarë (kreditorëve të jashtëm). Ato huazohen nëpërmjet lëshimit të bondeve, bonove të thesarit etj., apo duke marrë hua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga organizma ndërkombëtarë të tilla si FMN-së, BB-së etj.

Disa të dhëna nga burime të jashtme. 
   
Sipas CIA-s, World Factbook, në vlerësimet e fundit, të ardhurat për Shqipërinë ishin: 3.3 miliardë dollarë, shpenzimet 3.7 miliardë dollarë, kurse deficiti në vlerë absolute 0.4 miliardë dollarë apo në përqindje të PBB-së: 3.5%. Po sipas CIA-s, Shqipëria, në lidhje me borxhin publik është radhitur e 42-ta; me vlerë borxhi: 59.70% e PBB-së (2011). Ndërsa për borxhin e jashtëm (nga jashtë Shqipërisë), të dhënat janë: në vlerë absolute: 2,810,000,000$ (2009), për frymë: 882 $; dhe në përqindje të PBB-së: 23%. Pjesa tjetër, afro 37%, mbetet borxh i brendshëm…

Sidoqoftë, ky borxh mund të jetë bruto ose neto. Në rastin e parë përfshihen detyrimet e të gjitha institucioneve (përfshirë dhe ato për ecurinë kohore të pensioneve, për pagesat e të përndjekurve dhe të pronarëve; për trajtimin e ushtarakëve apo pagesat për shërbime apo mallra të kontraktuara, ende të pashlyera). Kurse borxhi neto është ai bruto minus të gjitha asetet financiare. (Për krahasim, përgjithësisht, merret borxhi bruto në përqindje të PBB-së). Sidoqoftë, në rastin e Shqipërisë, një problem serioz për borxhin bruto, në një të ardhme të afërt, do të jetë ai i pagesave të shtyra jo vetëm për bizneset (p.sh., kompanitë private që janë marrë me ndërtimin e rrugëve pretendojnë disa qindra milionë euro ende të papaguara nga qeveria), por dhe kategoritë e ndryshme të popullsisë, në përputhje me legjislacionin e miratuar.

Pra, një pjesë e parave të grumbulluara nga taksat po harxhohen për të paguar pjesën e detyruar të borxhit publik. Por, kur kjo shumë është e madhe, ajo mund të ketë ndikime negative, madje të dëmshme në zhvillimin e vendit dhe rritjen afatgjatë të ekonomisë. Në vend të investimeve në infrastrukturë, shkolla, shërbimin shëndetësor, ruajtjen e mjedisit etj., apo në sektorë që favorizojnë rritjen, qeveria është e detyruar të heq një pjesë të madhe të parave të grumbulluara për shlyerje borxhi. Me rritjen e tij kjo pjesë e hequr bëhet më e madhe!

E gjitha kjo duhet të merret parasysh dhe për miratimin e projektbuxhetit 2013. Prirjet pozitive të ekonomisë ndikojnë në rritjen apo kufizimin e deficitit. Një nivel në rritje i zhvillimit ekonomik çon në përgjithësi në të ardhura më të larta, ndërkohë që shpenzimet e qeverisë shtohen në situata krizash, sidomos ato që lidhen me programet konkrete të asistencës sociale, p.sh., në kushtet e rritjes se papunësisë. Dhe të gjitha këto kanë ndikimet e veta në borxhin publik. Pra, një borxh publik i lartë është një pengesë e drejtpërdrejtë për rritjen ekonomike, duke u pasqyruar më tej në përkeqësimin e politikave sociale. Kurse, inflacioni e redukton vlerën reale të borxhit të akumuluar. Bile, nëse investuesit e “ndiejnë” apo parashikojnë një inflacion, ata mund të kërkojnë interesa më të larta për borxhin e qeverisë, duke e bërë huadhënien publike shumë më të shtrenjtë. Dhe, njëkohësisht, e bën më pak të manovrueshme politikën monetare. Pra, në situatën aktuale rajonale, europiane e botërore normalizimi ekonomik që ushqen rritjen është ende larg. Ndërkohë, duhen shmangur emocionet, për të mos lejuar degradim të situatës shqiptare ekonomike, që ashtu e përkeqësuar “lexohet” edhe sot. Dhe, në këtë rrafsh, në vend të “ngacmimit” të projekteve të reja, pa siguruar paranë e nevojshme, të mos vonohen pagesat ndaj  investimeve të kryera apo në përfundim e sipër. Me operacione të tilla, apo, në përgjithësi, me një ndërgjegjësim të tillë politik-institucional mund të “binden” apo “gjallërohen” edhe bankat për dhënie kredie!…

Disiplinë financiare apo luhatje zgjedhore.  

Për sqarim të lexuesit është pasqyruar dhe një tabelë me të dhëna nga “The Economist. The Global debt clock”, që mbulon intervalin kohor (2005-2013) për Shqipërinë. Natyrisht, aty të dhënat e vitit 2013 janë thjesht një parashikim (më shumë brenda variantit të thjesht të projektbuxhetit 2013). Siç shihet nga tabela, borxhi publik si përqindje e PBB-së gjatë kësaj periudhe 8-9-vjeçare, ka lëvizur “shumë pak”: nga vlera 56.7% deri në vlerën 59.7%. Por, po të shihet reshti i parë i tabelës, ky borxh ka lëvizur nga vlera 4.61 miliardë dollarë (2005) në vlerën e vitit 8.05 miliardë dollarë (2012), me parashikim të pritshëm për vitin 2013 vlerën 8.35 miliardë. Pra, bëhet fjalë për një rritje prej afro 4 miliardë dollarësh gjatë 8 vjetëve të qeverisjes së PD-së. Nuk është pak, përkundrazi! Dhe këtë e ilustron më së miri reshti i dytë që jep vlerat e borxhit publik për frymë në dollarë. Ai lëviz nga vlera 1,478$ (2005) në vlerën 2528 (2012). Kurse për vitin 2013 pritet një rritje prej afro 100 dollarësh të tjerë. Ajo që të bën përshtypje jo të mirë është dhe reshti i fundit, që flet për ndryshimin vjetor të borxhit! Ai flet për mungesë programimi, të ndonjë plani konkret në trajtimin e borxhit publik, madje dëshmon qartë për një  “luhatje” financiare të qeverisë në periudha parazgjedhore e zgjedhore. Një gjë e tillë, po të jetë e vërtetë, është larg të qenit disiplinë fiskale, por është abuzim pushteti me paratë e taksapaguesve, për më tepër është një “babëzi” financiare!…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama